Ismail Kadare: Letërsia botërore për kërshëndellat
(Një antologji e teksteve më të bukura të letërsisë botërore për kërshëndellat. Në këtë libër, ku janë përfaqësuar vendet kryesore të Europës sipas rendit kronologjik të autorëve, Shqipëria, si vend i hershëm i krishterimit evropian, zë vendin e katërt. Vendin e parë e ka Bizanti, me Simeon Métaphraste (shek. X), të dytin Spanja me Lope de Vegën (1562-1635), të tretin Anglia, me Ben Jonhson (1572-1637), të katërtin Shqipëria, me Jul Varibobën (1724-1788), të pestin Gjermania, me Gottfried Bürger (1747-1794) e kështu me radhë Suedia, Italia, SHBA, Danimarka, Norvegjia, Rusia, Belgjika, Çekia, Kanadaja, Afrika e Jugut, Hungaria, Portugalia etj. Midis autorëve të tjerë të mëdhenj janë: Giacomo Leopardi, Charles Dickens, Fedor Dostojevski, Oscar Wilde, Anton Çehov, Fernando Pessoa etj).
Parë nga një pikëshikim planetar në rravgimin njerëzor dallohen, ndër të tjera, dy prirje: ndarësja dhe bashkuesja. E njohim mirë të parën, e cila, për fat të keq, është tepër e pranishme dhe shfaqet egërsisht në jetën tonë: kufijtë, muret, urrejtja racore, mosdurimi etnik, fanatizmi fetar, ideologjik, politik. Tjetra, bashkuesja, është gjithashtu e pranishme, por, si për çdo gjë që e ka dëshmimin të butë, harmonioz, pozitiv, për të, përveç që flitet më pak, flitet pa forcë, me përtesë, pa nerv.
Me dendësinë e informacionit në kohën tonë, me konkretësinë e imazheve, me saktësinë e pamëshirshme të shifrave, me shpeshtinë (ritmin) e ngjarjeve dhe mbytjen shpesh të tyre prej ngjarjeve, që duken më të mëdha ose më të bujshme, gjendemi përpara një copëtimi dhe fragmentarizimi të vlerave, të tillë që e bën gati të pamundur krijimin e vlerave të reja planetare, nga ato që kanë aftësinë ta bashkojnë familjen e madhe të njerëzimit. Në këto kushte, nuk është e rastit që i rikujtojmë e u rikthehemi atyre vlerave, që janë krijuar ndërkaq, ashtu siç bëhet në këtë libër kaq fisnik, ku kujtohet nga disa dhjetëra shkrimtarë të të gjithave vendeve diçka, në dukje e thjeshtë, si ajri që thithim, Nata e Krishtlindjeve.
Tradita e Krishtlindjeve, ajo shfaqje e thjeshtë teatrale me personazh kryesor plakun, që simbolizon mbarimin e vitit, është një nga aksionet bashkuese njerëzore me përmasa vërtet planetare. Në sferën tjetër, atë ndarëse, ose negative, nuk gjendet kurrsesi një barasvlerë me shtrirje kaq të gjerë, çka vërteton se në këtë botë, e mira gjithsesi, është më e fuqishme se ç’mendohet.
Shpesh mendoj se çfarë e ka bërë kaq gjithënjerëzor këtë kremtim. Nuk mund të thuash se administratat kanë luajtur një rol të madh. Madje, shpesh ka ndodhur e kundërta. Është e vërtetë se kisha e krishterë e ka ushqyer, por të tjera forca të rëndësishme kanë qenë krejt mospërfillëse për të, pa përmendur ato, që kanë qenë haptas armiqësore. Ndër këto të fundit, në shekullin XX u radhit ajo forcë e tmerrshme, e paparë ndonjëherë, që u përpoq të merrte në dorëzim tërë globin tokësor: komunizmi. Ai ishte haptas kundër Krishtlindjeve, u përpoq në fillim t’i zbehte, pastaj t’i shtrajtonte, e, së fundi, t’i ndalonte me dhunë. Por as ai, për të cilin rrënimi dhe ndalimi ishin gjërat më të thjeshta, nuk arriti t’i prishte dot. Ato nuk arritën të mbyten dot as në të vetmin vend komunist, ku jo vetëm feja u ndalua me dekret, por ku gjysma e popullsisë ishte e konvertuar në fenë myslimane. Më qartë se çdo gjë tjetër, kjo tregonte se tradita e Krishtlindjeve ushqehej nga rrënjë edhe më të thella e universale.
Si të gjitha traditat e mëdha të njerëzimit, ajo ishte traditë e pasuruar. Lindja e Krishtit ishte bërthama e saj, por rrotull kësaj bërthame u mbështollën enigma të tjera, nga ato që prej mijëvjeçarësh nuk e linin të qetë trurin njerëzor. Ndër to, ndër më kryesoret, ishte pa dyshim enigma e kohës dhe e rrjedhjes së saj. Është mbarimi i një viti dhe fillimi i një tjetri, çasti kur i vjetri dhe i riu gjenden përkohësisht bashkë, çasti i ndarjes së tyre, i fillimit të një viti të ri, i një kohe të re. Është nata ku bashkohet përpikëria e njerëzimit (astronomia, matematika) me fantazinë e poetikën e tij.
Që në këtë dramë zotëron personazhi i plakut, pra, i vitit të vjetër (pére Noel), kurse viti i Ri, mezi ndihet, është e natyrshme për mendësinë njerëzore. Gjithë vëmendja e tij ka qenë përherë tek e shkuara. Gjithë poezitë epike, gjithë literatura kanë qenë për të shkuarën. Dhe Krishtlindjet janë pothuajse një tregim epik, një rrëfim tek vatra, ku aedi është zëvendësuar nga një plak me mjekër të bardhë. Veç kësaj, ky plak vjen nga larg, nga horizonte të tjera. Pra, ai është i ndryshëm, sjell një mesazh, një shpresë, që është gjithashtu e ndryshme për çdo qenie njerëzore.
Lidhur me këtë, një kujtim i fëminisë, me kalimin e viteve, ka marrë në mendjen time një domethënie simbolike. Ishte koha e leximeve të para, kryesisht të çrregullta e pa kriter, siç mund të bëheshin në një qytet të vjetër shqiptar, nën regjimin komunist, në fund të viteve ’40. Një shoku im, me të cilin gjurmonim andej-këtej për të gjetur libra, më tha se kishte parë te ungji i vet një libër të një autori që s’i kujtohej emri… që i ngjante plakut të Vitit të Ri, madje, mund të ishte vetë ai autori, plaku i Vitit të Ri. Ishte fjala për një libër të Leon Tolstoit, me fotografinë e tij tipike me mjekër, në kopertinën e prapme.
Qysh në atë kohë, sa herë që flitej për Tolstoin, në çastin e parë, në mendjen time ai shfaqej fillimisht si plaku i Vitit të Ri, për t’u bërë më pas Leon Tolstoi. Me kalimin e viteve, ky gënjim fëminor përherë e më pak po më ngjante si gënjim. Prapa gënjimit fshihej, megjithatë, një e vërtetë, që i shpëtonte logjikës, por që ishte më e fortë se ajo: plaku i Vitit të Ri mund të ishte autor romanesh, vjershash, dramash. Dhe ai kishte qenë vërtet, në mos autor i drejtpërdrejtë, nxitës i fantazisë krijuese të miliona njerëzve, në atë mënyrë siç ishte era dimërore në pullaz ose bora e sidomos Nata.
Pa natën është e vështirë të përfytyrohet lindja e poezisë epike. Fshatarët e gjithë botës, në stinën e dimrit, kur punonin më pak ose aspak, rrinin netëve më vonë dhe mbrëmjet e gjata pranë zjarrit i mbushnin shpesh me rrëfime. Aty pranëzjarrit, në gjysmë terr, lënda e jetës përpunohej, tkurrej, bymehej, ndërronte trajtë, gjersa kthehej në brumë, prej të cilit mund të gatuhej një gojëdhënë ose një përrallë.
Krishtlindjet janë të lidhura me natën, me dimrin, atëherë kur truri njerëzor, i pasfilitur nga lodhja dhe vapa, ishte më i prirë për të thithur e për të rrezatuar fantazi.
Vlerat e përbotshme, të krijuara prej njerëzimit mbarë, duke u ndodhur shpesh në trajtë të natyrshme përpara syve tanë, gati-gati pjesë përbërëse e peizazhit, në shumë raste nuk çmohen. Duhet të ndodhi, për fat të keq, një humbje, për të mos thënë një katastrofë, që ato të rivlerësohen.
Poeti kinez Juan Çzhen në një vjershë të shkruar njëmijë e ca vjet më parë, ankohet për zbehjen e zakoneve të mira, të dikurshme. René Chateaubriand më 1802 bën të njëjtin ankim për vlerat tradicionale që po shkelen prej revolucionit frëng. Sergej Esenin, rus, më 1922 vajton humbjen e traditës fshatare në Rusi nën sulmin e hekurit. Është i pari poet, ndoshta, që u llahtaris nga steriliteti i komunizmit dhe nga zëvendësimi i festave fshatare kristiane me mbledhjet politike dhe mitingjet komuniste.
Kur kisha e krishterë përdori, ndër të tjera, legjendën e Prometheut dhe kultin e diellit, për të krijuar zotin e saj, Krishtin (ai lindi pikërisht kur nata nis t’i lëshojë minutat e para ditës), ajo nuk e mendonte dot se gati dy mijë vjet më pas, në një vend të krishterë, në një vend me mijëra kisha e kryqe, do të bëhej përpjekja e parë për zëvendësimin e Krishtit nga një politikan dinak, me emrin Lenin. Nuk mund të thuhet se kjo përpjekje e parë u bë nga ndonjë bolshevik kokëgdhe ose e shtyrë nga servilizmi. Përkundrazi, ajo u bë nga poeti aristokrat simbolik Aleksandër Bllok, më 1921, në poemën “Të dymbëdhjetët”, ku përshkruhen dymbëdhjetë revolucionarë rusë bolshevikë, që marshojnë kundër armikut të klasës dhe që krahasohen prej poetit me të dymbëdhjetë apostujt me në krye Krishtin, domethënë Leninin. Ishte një poemë e padetyrueshme, jashtë llogarive politike, pra tejet e rrezikshme. Lenini nuk e pranoi, me sa dukej krahasimin, jo aq për modesti, se sa për faktin se trurin e tij prej komunisti, e trembte përqasja me fantazitë e mëdha të njerëzimit. Nuk i trembej cilësimit si vrasës, përbindësh, xhelat (madje aty-këtu lë të kuptohet se i japin kënaqësi të tërthortë këto epitete “të armiqve të klasës”), kurse cilësimit si Krisht i tmerrohej. Veç kësaj, lavdërimi ishte thikë me dy presa, sepse vinte në kundërshtim me parimin bazë të komunizmit: egërsinë klasore. Për komunistët ishte fyerja më e madhe t’i quaje të mëshirshëm!
Komunistët, në perandorinë e tyre të pamatë, filluan luftën vendimtare për të përmbysur fenë. Ishin të lehtë rrënimi i kishave e i manastireve, ndalimi i kremtimeve fetare, burgosja e priftërinjve ose hoxhallarëve. E vështirë ishte pjesa tjetër: zbehja e frymës fetare. E privuar nga kishat, ajo kishte disa kështjella të parrokshme ku strehohej. Një ndër to ishin Krishtlindjet. Në vendet ku quheshin “Krishtlindje”, si në Shqipëri, mbrojtja ishte më e vështirë. Në vende të tjera, ku quheshin “Ringjallje” ose “Noel”, ishte më lehtë. Afërsia e natës së Vitit të Ri ishte shansi kryesor për Krishtlindjet. Nën mbulimin e festës së vitit, të krishterët e Lindjes, festonin shpesh Krishtlindjet. Por komunistët nuk mund t’i gaboje lehtë. Pikërisht shansin e Krishtlindjeve, Vitin e Ri, ata u rrekën takthenin kundër tyre. Ata u përpoqën ta thithnin festën fetare brenda festës kalendarike për ta mbytur më lehtë. Festimi i Vitit të Ri fillonte për shembull, disa net përpara. Ai bëhej nëpër restorante, mensa, salla gjimnastikore. Vallëzohej, mbaheshin fjalime nga shefat, bëheshin dekorime, u jepeshin shpërblime punonjësve të dalluar. Pra, “dhuratat e Noelit” i jepte shteti socialist.
Sipas stilit shkretues komunist, po zvetënohej fryma e festës. Figura e vitit Plak zbehej në dobi të figurës së Vitit të Ri, i cili paraqitej si një adoleshent 14-15 vjeçar me veshje sportive, i ngjashëm aq shumë me pionierët, që bëhen gati të hyjnë në rininë komuniste, ose me heronjtë pozitivë të romaneve të realizmit socialist.
Duke sjellë kujtime të tilla të trishta, në krye të një antologjie, ku është përmbledhur gjithçka e bukur që letërsia botërore ka krijuar për Krishtlindjet, autori i këtyre radhëve, jo pa një ndjenjë shqetësimi, ka menduar se mos ka folur shumë për një dramë, e cila ka qenë e huaj për një pjesë të botës e sidomos për shkrimtarët e paraqitur këtu. Megjithatë, drama është ende pranë, dhe ata që e kanë jetuar, ndodhen ende të zënë si në një kurth prej saj. Veç kësaj, në darkën e Krishtlindjes, kur qëllon që një i ftuar mbërrin më vonë se të tjerët, një i ftuar që sapo ka shpëtuar nga një llahtarë dhe prandaj mbërrin më vonë se të tjerët, a nuk ka të drejtë të tregojë diçka për greminën që porsa kapërceu?
Parathënie për antologjinë “Krishtlindjet në botë”, L’Archipel, Paris, 1994, Paris, 22 gusht 1994.
Please follow and like us: