Skënder Sherifi: Dritëhijet e poetit të famshëm francez, Louis Aragon
LOUIS ARAGON – takimi im surrealist me poetin e famshëm francez!
Mes komunizmit stalinian dhe poezisë liriko-sentimentale
Mes borgjezisë, luksit alla francez dhe Lufta e Klasave?
Përpos bisedave të mia me miqtë e ngushtë nëpër kafenetë e Tiranës, Prishtinës apo të Brukselit, nuk kam pasur deri sot, rastin për t’ia përshkruar publikut shqiptar, takimin tim të çuditshëm, surrealist, provokativ dhe tërësisht i pa parashikueshëm, me një ndër poetët më eminentë të shekullit 20 francez, por edhe planetar, që është Louis Aragoni, i popullarizuar dhe i mitizuar pranë një publiku të gjerë, përmes këngës elitare franceze, së pari nga miku im Léo Ferré, që i ka dedikuar një album të plotë me tekstet e tij, pa folur për interpretimet magjike të poezive të tij nga Jean Ferrat, pastaj Yves Montand, Alain Barrière, Isabelle Aubret, Catherine Sauvage e të tjerë.
Ka me të vërtetë perla fantastike, të nivelit të lartë, kur i dëgjon… E pra, po, janë poezitë e Louis Aragonit, të kënduara siç duhet dhe të veshura me një muzikë në top.
Tamam, siç ka pas ndodhur me Jacques Prévert, të cilit ia kanë muzikalizuar disa prej teksteve të tij. E kështu e kanë fituar një famë solide mes popullit frankofon dhe janë bërë mjaft të njohur… për ndryshe do i lexonin në maksimum 500 deri në 1000 veta në Francë ose studentët e detyruar nga programet e tyre shkollore. Një mizerie… Madje, ma pat konfirmuar para ca dekadash, vet miku im Michel Deguy, i cili drejtonte koleksionin e poezisë tek botimet e famshme “Gallimard” në Paris. Ma shpjegoi që për shembull, një ndër librat e Henri Michaux-së, që është emër madhor dhe referencial, i poezisë franceze, në botimin e parë origjinal, me titullin “Poteaux d’Angles” është shitur vetëm me 300 ekzemplarë… imagjinojeni! Dhe i është dashur që të hyjë në koleksionin e famshëm të xhepit, pasi që figuronte në të gjitha programet shkollore franceze, për të qenë më i lexuar, por i shtyrë vetëm nga konteksti apo mund të thuash diktati pedagogjik francez. (Lexim me detyrim)!
Dhe kur unë vij para dy vitesh për t’ua sugjeruar bashkatdhetarëve të mi shqiptarë, në Tiranë apo në Prishtinë, i shtyrë nga një atdhetarizëm spontan dhe burimor – “Ja ku i keni në dispozicion dy libra të mia, me 200 tekste origjinale dhe romantike, sa për ta pasuruar thesarin dhe repertorin e këngës moderne të lehtë argëtuese kombëtare – ky është një amanet për ju… porse, veproni diqysh dhe lëvizni, propozoni diçka serioze dhe ambicioze, për ata që janë me të vërtetë të interesuar, pavarësisht sesa janë, 10 apo 20 për qind e popullsisë, se tek e fundit, egzistojnë dhe meritojnë për të dëgjuar diçka, të një kualiteti të lartë elitar e jo vetëm tallavahane të pa sens”!
Dhe kanë qeshur, e kanë marrë atë punë për hajgare dhe nuk është lodhur askush për ta ngritur nivelin e këngës aktuale shqiptare, së paku për ta provuar dhe për ta testuar në publik. Siç duket, ne nuk na intereson rafinimi i lartë.
E janë harruar ato dy libra (LOVE SONGS 1 dhe 2) – sikurse të tjerat realisht, nga trullografia dhe çoroditja e jonë kombëtare globale) sepse, pos interesit praktik të momentit, oportunizmit të përditshëm, nuk pyet askush në thelb, për asgjë madhore, as nuk i kushton rëndësi vlerave reale autentike dhe çdokujt prej nesh i duket kjo situatë absurde, gati normale, nga përsëritja mekanike e delirit Pavllovian ose e një rrene apo mashtrimi, i cili shndërrohet dikur, në një pseudo të vërtetë pranë masave. Faleminderit, miku ynë Mao Ce Dun! Se na ke shërbyer për mirë!
Më kujtohet që ishte takimi im i parë që ma kishte rregulluar babai im shpirtëror Pierre Seghersi në Paris. E kishte mik të vjetër, tepër të afërt dhe më tha – “Ti djalë, pas 8 dite, të pret Aragoni tek shtëpia e tij, 56, rue de Varennes, ku e ke muzeun e bukur të skulptorit francez Rodin… a ke lexuar diçka prej tij, se nuk shkohet si turist tek ai njeri? Ju përgjigja: “Po, Pierre, ja kam lexuar ‘Zemrën e Plasur’ dhe të gjitha librat e tij poetike kushtuar shoqes dhe muzës së tij, Elsa dhe më kanë pëlqyer jashtë mase, sepse ato poezi sentimentale dashurie, janë të mrekullueshme. Kurse romanet e Aragonit më kanë pas ra prej dore, ngaqë m’u kanë dukur të një stili të vjetëruar socialo-realist, me porosi gati pedagogjike, kurse unë jam anarshist anti shkollor. Nuk e dua letërsinë me porosi politike, kinse për t’i edukuar masat popullore. Jam për lirinë e lirë, miku im i dashur”! Më tha: “Okay, ti djalë, atëherë ke kujdes. Mos i fol fare për romanet dhe mos hy në tema politike”.
Dhe u nisa për te Aragoni duke shëtitur mes rrugëve të bukura të Parisit, duke menduar për të gjithë artistët apo gjenitë e botës, që i kanë shkelur para meje këto trotuare dhe duke e pyetur veten me kuriozitet: “Po ku kanë banuar, ku kanë shkruar, kënd kanë takuar, në të cilat kafe, bar, restorant, klub dhe bordele kanë kaluar… çka kanë shkruar, me kënd janë dashuruar në Qytetin e Dritave”?
Tamam, një temë e bukur të një filmi nostalgjik dhe romantik, siç e ka bërë Woody Allen – me atë kryevepër ‘Midnight i Pari’ – por me syrin e Skënder Sherifit nga Malësia e Gjakovës! Mbrrina tek shtëpia e Luisit dhe i rashë zilës. Më doli një shërbëtore me kostum, si në filmin ‘Retour à Howards End’ të James Ivory në 1992, regjisor origjinal Janki, i frymëzuar nga romani i Edward Forster. Një lloj Anthony Hopkinsi, më tha – prit pak këtu, se po e lajmëroj zotërinë që keni ardhur! Po sa hyra, më shikoi me insistim, si t’isha duke e kaluar një radiografi mjekësore, shoqja e tij Elsa Triolet, e cila m’u duk mjaft antipatike në kontaktin e parë. A mos jam mes KGB-së dhe STASIT gjerman? Pata përshtypjen, që jam para sigurimit me pyetjen: – Po kush është ky tip, nga na vjen dhe pse ka ardhur këtu për ta takuar Aragonin, kush e ka porositur? SHIT! Por ndoshta ishte imagjinata ime fantaziste dhe surrealiste?… Deformime apo viruse të huazuara nga bota marksiste alla shqiptare: “një spiun për shtëpi”!
Ndërsa banesa e Aragonit ishte luksose, e veshur komplet me libra, me vepra arti, objekte antike të shtrenjta, piktura dhe skulptura, tamam si një muzeum privat. Në realitet, si tek çdo personalitet madhor i artit dhe i kulturës franceze, të cilin e kam njohur nga afër, ngaq, janë të gjithë intuitivisht koleksionistë të gjërave të bukura dhe me vlerë. E kanë bagazhin dhe trashëgiminë kulturore për atë punë. I shijojnë gjërat e bukura dhe të rafinuara e jo si tek ne, vetëm çka është e prishtë, e shëmtuar dhe e betonizuar, kulmi i anti-estetikës dhe i shijes patologjike.
Bile e kam pyetur shpeshherë veten: Si është e mundur për ta autosabotuar vetveten me plot qëllim, gjer në atë shkallë, vetëm i shtyrë nga përfitimi? Kjo është dashuria e pretenduar ndaj atdheut tonë? Shikojeni, sesi kemi vepruar me Tiranën, si kryeqytet apo me Durrësin gjatë këtyre 30 viteve demokraci! Hyra tani në sallonin e Luis-it, i cili më pyeti: Po nga na vjen saktësisht, zoti Sherifi dhe pse jeni tek miku im Pierre Seghers, jeni hallexhi? Ju përgjigja: Jam poet me origjinë nga Albania, zotëri dhe jam mysafir i tij, ngaqë më ka ftuar personalisht tek shtëpia, gati si anëtar i familjes dhe supozoj që ta ka shpjeguar ai vet sepse? Pse më pyet zotëri, kur e dini mirë përgjigjen? – Po, po… por e dua versionin tënd! Pse? Punon në polici, je në hetuesi me një dosje precize mbi mua?
“Po e shoh që je një provokator, më tha Aragoni, por sipas leximin të disa teksteve të tua, ke brumë dhe nuk je i keq në poezi… ke fuqi poetike, por je tepër i shthurrur për mua dhe kapesh shumë vështirë… Shiko, të duhet pak disiplinë rigoroze! Lexoji me vëmendje, autorët antikë… Bën tepër përzierje, pa nevojë dhe e humb shumë shpejt filin e mendimit qendror. Por je me të vërtetë modern dhe origjinal në formë. Por pasuroje më tepër porosinë bazë!
Të kuptoj miku im, i thash – por bota është e fragmentuar dhe irracionale, realiteti i përditshëm është i atomizuar, i coptuar, ngaqë kalojmë nga një veprim, në tjetrin diametralisht të kundërt. Nuk ka çdoherë vijë logjike lineare, se nuk është një Western me John Wayne-in dhe ca indianë primitivë që duhen zhdukur, për qetësinë e kaubojeve të dehur. Unë e pasqyroj realitetin multi-dimensional, racional dhe irracional, ashtu siç është… kaotik dhe bordelik, me plot paradokse dhe shkëputje! Mesazhi qendror është në nënteksti!
Mirë, harroje, por s’po e kuptoj çka po bën këtu në Paris tek Seghersi… Pse nuk ke ndejtur në Albanie? Babai yt kush ka qenë dhe me çka është marrë?
Ka qenë oficer i Mbretit Zog, ka qenë i burgosur dy herë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe është marrë me Mërgatën e Qyqeve në Bruksel, duke i mbledhur për debate të gjata në ddën e tij… dhe ka mbajtur fjalime, pra elozhe mortoe, për të gjitha personalitetet që kanë kaluar në botën tjetër.
Po e shoh, paska qenë një borgjez dhe reaksionr, me privilegje të Oborreve Mbretërore. Ka merituar pushkatim dhe ti e ke vendin në Shqipërinë socialiste, por jo këtu.
I thashë: “Më fal, o mik, po a jeni poet apo prokuror shteti, se po më frikëson. Shyqyr që nuk je në pushtet, se do ishte shtuar numri i të pushkatuarve, krejt arbitrarisht dhe pa arsye serioze. Ti nuk e ke idenë se kush ka qenë babai im, as regjimi komunist në Shqipëri, zoti Aragon dhe flet pa argumente solide të verifikuara. Je si gjithë borgjezia e lartë parisiane, komplet jashtë realiteti.
M’u përgjigj ashpër: Ju jeni pjesë e një klase të dështuar, e mësuar vetëm në privilegje feudale dhe është normale, që regjimi marksist-leninist i Shqipërisë i ka luftuar dhe i ka likuiduar shumicën prej tyre, sepse ata kanë qenë armiqët e barazisë dhe të drejtësisë shoqërore dhe helmi toksik i shoqërisë socialiste. Në Shqipëri është duke u ndërtuar njeriu i ri me një vizion të shëndoshë socialist dhe me parime të barazisë kombëtare. Roli juaj do ishte për të shërbyer në atë shtet, e jo me u sjell këtu nëpër rrugët e Parisit. Jeni tradhtarë të kauzës suaj kombëtare. Jeni në një vend sublim shembullor, ku lulëzon ideali shoqëror dhe ju vini këtu për t’i plotësuar dëshirat e juaja perverse dhe egocentrike nëpër metropolet europiane…
Waouw… çfarë ashpërsie, me një dënim radikal, pa asnjë mundësi shpëtimi. Sinqerisht u befasova, mirëpo, nuk isha i gatshëm për t’u dorëzuar aq lehtë!
Bile i thashë vetes: Pasi jam malesor, djali i Shpend Sherifit, që ka qendruar si burrat në burgun e Shkodrës me zotin Sami Repishti dhe pastaj në Porto Palermo, pasi kam qëndruar nëpër Oda me disa prej figurave të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe që kam befasuar Pierre Seghers-in në Paris, Jacques Izoard-in, në Bruksel, Ibrahim Rugovën në Prishtinë… nuk do impresionohemi nga askush, as nga Papa i Romës, apo edhe Presidenti amerikan, e aq më tepër nga një njeri delirant, i pasinqertë, i verbët dhe defektuoz, si Aragoni, ideolog radikal teorik, jashtë realiteti, stalinist i pa lidhje, por edhe paralelisht, një poet fantastik i dashurisë, i sentimentalizmit, i melankolisë dhe kjo ishte për mua paradoksi… Sepse, me një logjikë elementare, për t’i shkruar ato lloj tekstesh, duhet patjetër një shpirt i madh dhe i thellë, me disa antena speciale. Por ndoshta, kjo është ajo skizofrenia e disa oersonaliteteve madhore – janë edhe doktor Jekil dhe mistër Hide, janë bipolarë dhe e kemi më vonë edhe shembullin shumë më ekstrem të Radovan Karadziçit, poet, psikiatër dhe kriminel gjenocidar… kulmi i paradoksit! Ka dukuri të çuditshme dhe misterioze, që dalin komplet nga normat e humanizmit etik dhe racionalë. Kush e njeh në detaje pjesën e tij të errët?
Mund të flasim edhe për Ezra Pound-in, ose për Luis-Ferdinand Celine, autorë pak a shumë problematikë, kur ua analizon thellësisht jetën dhe veprën. Për fat, e kisha një personalitet real dhe lirinë totale të Rembosë të ngulosur brenda geneve të mia dhe pavarësisht moshës time të re dhe kulturës të kufizuar, isha në nivel të duhur për t’u konfrontuar burrërrisht por me argumente serioze, me këto lloj figurash gjigante të kulturës franceze dhe nganjëherë edhe botërore. Dhe i thashë: – Shiko, miku im Aragon, je me të vërtetë një poet francez madhor dhe të dua shumë për tekstet e tua kushtuar Elsës, bravo të qoftë! Por paralelisht, qenke një njeri i mjerë, i vërbër dhe për mua patologjik, sepse ti nuk e ke fare idenë se çka do me thënë në jetën praktike në Shqipëri, por as një Kubë, në Kinë, në Rusi, etjera shtete, aplikimi i një sistemi totalitarë komunist dhe pasojat e tij tek ata popuj? A i ke pyetur shqiptarët, kamboxhianët e Pol Potit apo koreanët e Kim il Sungut, a e ndiejnë vetën të lumtur në ato sisteme shoqërore totalitare, alla Georges Orwell dhe Aldous Huxley? Si mund të krijohet njeriu i ri socialist, nga laboratoret ideologjike të marksizmit-leninizmit, do me thënë, nga kondicionimi dhe pastrimi i trurit permanent? Nuk mund të funksionojnë ai lloj grefi artificial, i ngulitur me zor dhe me terror, sepse është diçka krejt anti-natyrore dhe në frymën e parë të lirisë, do e nxjerr vetë trupi apo shpirti jashtë, si një pështymë, atë element të huaj…
Më thuaj, çka kanë ditur shqiptarët, popull i vjetër, tradicional dhe zakonor, klanik, me një trashëgimi kulturore antike gojore, 90 për qind prej tyre analfabetë të pa shkollë në vitet 1930–40 dhe 50, për ideologjinë marksiste, që nuk ta ka lexuar askush prej tyre… e çka kanë ditur kinezët, vietnamezët apo aziatikët me një kulturë të vjetër 5000 vjeçare budiste, konfucianiste, dinastike dhe po ashtu tradicionale dhe me një masë popullore, po ashtu e pa shkolluar? E patën lexuar Karl Marksin?
Nuk iu besoj formulave të lumturisë, të imponuara me dikaturë, me pushkë dhe me gulage, kultit të mbi-njeriut të filozofit Nieçe – i cili indirekt, bashkë me Heidegerin dhe Wagnerin e kanë frymëzuar ideologjinë Naziste. “Neve jemi raca superiore në këtë tokë, mbi të gjitha racat e tjera … me gjithë pasojat tragjike që i pamë”! Pasi që jemi superiorë, na lejohet për t’i mohuar dhe urryer racat e tjera, që janë inferiore ndaj nesh dhe nesër pse jo për t’i trajtuar si skllevër apo për t’i zhdukur gjer në fund.
Ti flet kot dhe për qejfin tënd, nga sallonet luksoze të Parisit. Je një super borgjez, ultra i privilegjuar, me sherbëtorë, me prona këndej dhe andej nëpër Francë dhe çka kupton ti nga feta e një fshatari apo proletari? Është diçka delirante, miku im poet!
Ti thua që janë shtete ideale dhe shoqëri perfekte parajsore, të ngopura me drejtësi dhe humanizëm. Që po ndërtojnë modelin e një njeriu të ri socialist! Okay, po shko e provoje ti vetë pastaj dhe lëshoje Parisin! Ta rikujtoj, që gati të gjithë shokët e tu, mes të cilëve edhe vet Seghersi, e kanë braktisur Partinë Komuniste Franceze dhe kanë marrë distancat me modelin sovietik që në vitet 1930, sepse e kanë kuptuar që kanë gabuar rëndë, duke e parë realitetin në terren. Por ti e ke ruajtur besnikërisht, unë them verbërisht dhe irracionalisht këtë ideologji perverse, ultra shkatërrimtare për Njeriun dhe je akoma në instancat e larta politike të Partisë Komuniste Franceze, pro sovietike. Si është e mundur? Predikon diçka IKS, teorike për popujt e tjerë, si të ishin Kobajë, për eksperimente të ndryshme shoqërore dhe politike, ndërsa ti vetë e përjeton komplet të kundërtën në mes të Parisit! A të duket e drejtë dhe etike?
Keni mbrojtur regjimin e Stalinit, invadimin sovietik në Budapest në vitin 1956 dhe diktaturën e errët, proceset (gjykimet e Moskës) pa i harruar ca gjeste të tjera të ulëta dhe të pa kuptueshme, aq më tepër, kur vijnë nga një poet dhe një intelektual madhorë i rangut tuaj. Pos asaj, të kam ardhur si poet, zoti Aragon, e jo për të folur me ty mbi politikën, as për ta pësuar pa nevojë dhe pikë së koti, mos sinqeritetin dhe radikalitetin tënd. Zbrit në tokë, or zotëri dhe pranoje realitetin komunist, ashtu siç është dhe pyete veten, pse duan të dalin të gjithë ata popuj nga ato lloj regjimesh totalitare, për të kaluar në demokracitë tona, liberale dhe kapitaliste, me siguri me plot defekte dhe mungesa, nuk e mohoj, por 10 herë më të mira sesa bolshevizmi. Sinqerisht, më dhimbesh miku im. Por nuk ta jep të drejtën morale, për të ma dënuar arbitrarisht babain tim, as mua… okay? Dhe ia pashë hajrin komunizmit! Po ta rikujtoj vetëm bilancin e tij praktik nëpër botë: në minimum, i ka shkaktuar ai sistem pervers dhe totalitar, gati psikopatik – 100 milionë të vrarë në Bashkimin Sovietik, në Kinë pas çdo pseudo revolucioni kulturor, në Kamboxhia, në Indokinë, në shtetet e Lindjes apo në Ballkan.
Të sugjeroj për t’u kthjelluar pak zoti Luis dhe për t’i kërkuar falje dikur vetes, dhe të tjerëve, për gjithë atë verbëri… për të qëndruar në poezi, ku je i madh, por jo për të rrëshqitur pa lidhje, nga sallonet e Parisit, lukset e panumëruara, në komunizmin teorik dhe fiktiv, të komentuar nëpër kafe, ngaqë për popujt që e kanë pësuar atë sistem, ka qenë një disfatë dhe një ferr tragjik. Pastaj, dikur patjetër, dikush do të kërkon llogari, me statutin intelektual që keni, jo vetëm ty, por edhe Jean-Paul Sartrit, të cilin e dua shumë si autor dhe filozof, por komplet i verbët dhe i droguar në aspektin politik, me disa ca shokë të tjerë… Çka nuk ishin fare Albert Camus as Raymond Aron. Me kulturën dhe inteligjencën analitike që keni, nuk e kuptoj sesi keni mundur me ra viktima të atij lloj opiumi, çka një çoban i yni do e kuptonte perfekt dhe me plot bon sens! Jam doktor i filozofisë, autor i një vepre madhore, profesor i Sorbonës, por e admiroj Stalinin dhe Mao Ce Dungun: a funksionon?
Me më thënë, e admiroj Elvis Presley-in, apo Maradonën, ose Sofia Lorenin: Okay, e pranoj pa problem, sepse edhe unë i admiroj! Po, jo Pol Potin, o burrë!
Sepse, zoti Aragon, edhe unë, mund të flas për qejf, duke elaboruar slogane teorike për lumturinë e disa popujve aziatikë apo afrikanë, prej nga Kështjella e Versajit, i rrethuar me 5 kurva dhe 10 shërbëtorë me pjata gastronomike dhe muzikantë për të më argëtuar. Porse do ishte qesharake… Pastaj, na duhet një kurim në Nepal!
Ky ka qenë në fakt, bilanci i takimit tim në Paris me Luis Aragonin në vitin 1976!
Një elektroshok i vërtetë, i cili më ka pas irrituar jashtë mase. Isha në prag të eksplodimin në fakt. I thashë vetes: “Gjej një mundësi për t’u qetësuar… pak budizëm, sufizëm, lule, zogj, muzikë, ëmbëlsira, lutje, sport… mos dil mendsh”!
Për fat, po në atë rrugë, e piva në një bar një ekspreso me një ujë dhe shkova për ta vizituar Muzeun e Rodenit, për t’u lidhur me humanitetin dhe me pasionin artistik dhe dashuror të Camille Claudel – një skulptore absolutisht gjeniale, që pa kush e njeh tek ne dhe të cilën pas disa krizave, vëllai i tij, autori i famshëm, por edhe diplomati dhe ambasadori francez Paul Claudel e mbylli përfundimisht me urdhërin e tij, gjer në vdekjen e saj, në një Azil Psikiatrik. Ja putha dorën një plake, pasi që e ndihmova për ta kaluar rrugën, sa për ta verifikuar a jam Njeri apo anti-Njeri?
Dhe kur e shikoj sot me distancën kohore, jam mjaft krenar ndaj pozicionimit tim të ndershëm dhe të sinqertë, gjatë asaj kohe. Ngaqë nuk ishte aq lehtë, për t’u përballur në atë moshë të re, me një personalitet të tillë, që e admironin disa rrethe shoqërore të konsoliduara të Francës. Mjaftonte për t’ia shpalosur vetëm biografinë jetësore, titujt, detyrat e tij profesionale dhe veprën e tij letrare. Nuk do mend, që ishe para një monumenti mjaft impresionant. Dhe tani, po na vjen një anonim total, prej Valbone, për ta kundërshtuar me një guxim të paparë në të gjitha pikat… Qysh e pse? Siç thoshte nëna Xhevahire me plot të drejtë: – Ky djalë është special e jo si të tjerët, ka lindur pa xinxhirë, as vargonj… veç Zoti e di, se për çfarë misioni ka ardhur mbi këtë Tokë! Dhe m’u kanë dashur 40 vite për ta kuptuar deri diku këtë realitet dhe për ta asimiluar sensin global të rrugëtimit tim tokësor.
Le t’i rikthehemi në taksinë mauvë (vjollcë) nga bjeshkët irlandeze, me ca motra të mia kinematografike – Charlotte Rampling dhe Agostina Bellin, pa e harruar Peter Ustinovin, poliglot dhe Fred Asterin valltar sublim, zotit Luis Aragon. Po kush ishte ky njeri objektivisht? Një shumë paradoksesh dhe kontradiktash mjaft interesante, (gati si unë, por në të kundërtën… jo aq diellor, pozitiv dhe humanist në thelb), porse, jeta e tij është e pasur dhe mjaft pasionante. Ja vlen për ta pleqëruar…
Mund të bëhet një film fantastik me një regjisor amerikan apo latino-amerikan, si James Gray ose Alejandro Gonzalez Inarritu, i cili e sheh me distancën e duhur, mes dy vizave me kokainë.
Së pari është djali teorikisht natyror, por në realitet një kopil, i zotit Louis Andrieux, ish Prefekt i Policisë pranë qytetit të Parisit, por edhe Deputet i Republikës Franceze, fran-mason, i borgjezisë së lartë protestane dhe zyrtarisht i zonjës Marguerite Toucas Massillon, femër e një familje po ashtu, e borgjezisë së lartë katolike. Shyqyr zotit, kanë shpëtuar mirë nga masakrat e Shën Bartelemit në 1572 në Francë, nën mbretërinë e Charles 9 dhe Catherine de Medicis, një intrigante e paparë, kishit thënë, motra e Makiavelit dhe e Mitterranit… ha, ha, ha… Pse m’u shfaq në kokë tani, filmi magjik i regjisorit dhe dramaturgit Patrice Chéreau? – “La Reine Margot” me aktoren gjeniale franco-algjeriane Isabelle Adjani, e vetmja europiane, që mund t’i konkuronte për nga talenti puro, aktoret gjigante amerikane, siç janë Merryl Streep për shembull, ngaqë e ka frakturën e duhur, sensibilitetin ekstrem dhe damarin special, sa për t’u zhytur në thellësitë e panjohura të shpirtit njerëzor.
Mirëpo në realitet, nuk dihet saktësisht, se ku as kur ka lind Luis Aragoni? Bile duhet një anketë policore e Georges Simenonit për ta zbërthyer mirë atë enigmë. Si puna e babait tim dhe hallës time Xhanja, që luftonte me një bushtër… Kanë pas lindur kur kanë ra lopët në fushë, pas vapës nëpër bjeshkë, kur e pat thyer këmbën duke u rrëzuar prej kali, djali i Hajdarit dhe kur polli delja e Rushës, një qingj të tërbuar. Bravo! – Po çka na thotë Komuna, rrethi, Bashkia e Kukësit apo e Bajram Currit? – Për shumë vjet Krishtlindja dhe Viti i ri dhe çojeni një gotë me raki! Okay, mirë! Duhet ta dini që në familjet e ngritura, me tituj dhe me rituale strikte nëpër shoqëri, si në Francë, si në Malësi, duhet me qendruar brenda disa normave dhe për t’i fshehur devijimet, rrëshqitjet dhe ligësitë njerëzore. Supozohet që babai i tij, e ka pasur një dashnore të padeklaruar, e cila e ka lindur Luis Aragonin ose versioni tjetër, që nëna e tij Marguerita e ka lindur me një hamshor tjetër? I kam pyetur dhe kam tentuar për t’i korruptuar me një tepsi me fli dhe pak llallë, komisarin MEGRET, STARSKY dhe HUTCHIN, Inspektor KOLUMBON, por më thanë: Nuk e dimë akoma… Kemi për momentin disa versione të ndryshme: i shkreti poet, na ka lindur në Place des Invalides, ku u strehonin dhe e shëronin për sevap, infermieret e ushtarëve të plagosur të Napoleonit, ndërsa i kalonte papritmas në subkoshiencë, balada e fundit e James Dean-it, në Neuilly sur Seine, ku një hungarez ambicioz, mik i nënës mbretëreshë Xheraldina, do bëhet dikur bëhet kryetar i Bashkisë, e pastaj Ministër dhe President, ose në Toulon, në një shtëpi publike e menaxhuar nga disa femra pak speciale, të cilat nuk i kishte pikturuar akoma Toulouse Lautreci, ndërsa pensionistët luanin Petankë, (gogla) në sheshin kryesor tek porti detar, duke pirë Pastis (një lloj uzo, që e pinë francezët e Jugut), ndërsa unë, një çaj kamomil me Abaz Musën e fushës t’Planit. A votre santé, les amis dhe mos na pengoni, ju lutem!
Po nga i vjen emri Aragon? Kjo pikë mbetet pak e ngatërruar dhe misterioze. Ndoshta pse babai i tij Luis Andrieux, kur ka qenë Ambasador në Spanjë, ka ruajtur kujtime të bukura nga Regjioni i Aragonës spanjolle? Porse, nga ana tjetër, ka pas punuar si epror i tij dikur, me komisarin zoti Aragon dhe ec e kuptoje tani arsyen! Duhet t’i mbledhim gjithë pleqët e urtë të fiseve kryesore, për ta pleqëruar këtë problematikë, tek Kulla e Kapedanit të Mirditës – Gjon Marka Gjoni!
Mirëpo, në familjet e mëdha të Republikës franceze, nuk luhet me çështjet e nderit, sepse edhe ata i kanë kanunet e tyre të kodifikuara. Nuk ishte Maji 1968 në ato kohëra, ku çdokush bënte dashuri të lirë me çdokënd, nën sloganin: Seks-Drogë dhe Rock and Roll dhe është e ndaluar për të ndaluar! Fshatarja e Alpeve na u rrokulliste me Sartrin, sikurse studentet e Sorbonës, pastruesja me Roland Bartin, falltaria me Edgar Morin-in, prej qafës së Morinës dhe Kontesha me Skënder Sherifin!
Merreni një birrë LEFFE, prej meje, disa fara me çipsa dhe koncentrohuni mirë… Për të mos e vendosur në lojë dhe në pyetje reputacionin e tij familjar, Babai i Aragonit (i poetit) nuk e njeh direkt si djalin e tij natyror, por si djalë i adoptuar, si t’ishte një vietnamez apo afrikan, i blerë nga zonja Angjelina Jolie – pra, nga fisi i gruas, zonja Marguerite dhe kështu ai e justifikon prezencën e tij brenda familjes.
E ka pas adoptuar klani i shoqes sime dhe tani edhe unë, po e njoh si djalin tim…
Luis Aragoni do e mbajë gjithë jetën e tij, këtë plagë shpirtërore sekrete (po pse nuk më ka njohur kurrë babai im, i cili ishte 33 vite më i vjetër sesa nëna ime, si djalin e tij natyror? Çka ka ndodhur saktësisht? Por tani, poeti ynë shkon në shkollën Saint-Pierre të lagjes borgjeze parisiane Neuilly sur Seine, nga viti 1907, ku takon shkrimtarin e ardhshëm të madh, Henry de Montherlant dhe vëllëzrit Jacques dhe Pierre Prévert (poet, kineast dhe fotograf). Vazhdon më vonë studimet e tij në Liceun e famshëm Carnot. Dhe mbërrin dikur në vitin e dytë, si student i Mjekësisë ku do njihet me zotin André Breton (autori dhe teoricieni i famshëm i surrealizmit, bashkë me mikun tim Philippe Soupault). Bile të tre, bredhin ca kohë së bashku në Val de Grâce, tek lagja e të çmendurve. Sot e keni aty, spitalin e njohur ushtarak, ku shërohen ministrat dhe personalitetet botërore.
E mobilizojnë Luis Aragonin, në vitin 1917 në ushtri dhe e çojnë në pranverën e vitit 1918 në front si ndihmës mjek. Ndërsa, Lenini me Trotskin dhe ca shokë provokojnë revolucionin rus të tetorit, i cili ia ka infektuar trurin një pjese të Njerëzisë deri sot, sa që akoma, nuk e kanë marrë veten në dorë, për t’u kthjelluar siç duhet mbi të gjitha aspektet pozitive dhe negative të tij dhe pasojat që ka shkaktuar? Aty, në mes të frontit, Aragoni ballafaqohet me tragjedinë, dhimbjet, plagët, kufomat dhe horroret e luftës, do me thënë me dhunën dhe tmerrin e Luftës së Parë Botërore. Do ta shpreh më vonë atë eksperiencë radikale, në disa prej veprave të tij, duke milituar për paqen botërore. E dekorojnë me titullin ushtarak “La Croix de Guerre – ose Kryqi i Luftës” dhe qëndron gjer në qërshor 1919 – në Rhenaninë gjermane të okupuar. Fillon për të hyrë në lojërat e shahut tragjikomike të Njerëzimit.
Aragoni e starton karrierën e tij letrare nga viti 1920, duke bashkëpunuar me rrethet letrare dadaiste dhe surrealiste. Tani për t’ua sqaruar pak më mirë, si pseudo pedagog i odave, bashkatdhetarëve tanë, se çka janë këto rryma apo shkolla artistike dhe ku qëndron dallimi mes tyre?… Dadaizmi ka lindur në vitin 1916 në Zurih të Zvicrës, nga disa intelektualë poetë, piktorë dhe filozofë, të ngopur me oksigjen, djathë dhe tamël lopësh biologjik nëpër alpe… Tristan Tzara (autor rumun), Hugo Ball (autor gjerman), Marcel Janco (piktor hebre i lindur në Tel Aviv), Hans Arp (piktor dhe skulptor gjermano-francez), Emmy Hennings ose Hans Richter (prapë autor gjermano-zviceran)… të cilët kanë qenë komplet kundër çdo konvencioni kulturor, rregulli, shkolle, norme, hierarkie, me një fjalë kanë pshurrur mbi gjithçka, vetëm për qejfin e tyre, sa për ta kundërshtuar, demontuar, ironizuar çdo kulturë të institucionalizuar nga një establishment zyrtar dhe për të propozuar një art tjetër, komplet spontan, të lirë, instinktiv, mundësisht i padiktuar nga asnjë një shkollë kulturore ekzistuese, një art komplet anarshist dhe jashtë normave, i cili nuk mund të teorizohet apo kufizohet brenda një rryme apo një sistemi preciz. Pra, për t’i thyer konceptet, universitetet, ligjet e logjikës racionale, principet e përjetshme, duke e zhvilluar në maksimumin e mundshëm vetëm paradoksin dhe kundërshtimin, për ta shijuar sa më tepër lirinë ekstreme. E kanë favorizuar apo stimuluar formën, lirinë provokuese, skandalin, për ta shokuar publikun, porse kanë qenë tepër sistematikë, mekanikë, radikalë dhe iu ka munguar përmbajtja, sfondi. Pastaj kjo modë artistike e dadaizmit zhvillohet po ashtu në New York së pari dhe e pushton gjithë Europën Përendimore. Dhe prej saj vjen më vonë si pjellë e tij, rryma më e konsoliduar e surrealizmit, të cilin do e teorizojnë në disa manifeste, zoti André Breton me Philippe Soupault, rreth vitit 1924. Por vjen si rrymë estetike e themeluar mbi dy baza evidente, si këmba e majtë dhe e djathtë, të cilat dikund përputhen, por edhe kundërshtohen njëra me tjetrën, pra, IDEJA e revolucionit komunist të Leninit dhe Trostskit, kundër borgjezisë feudale kapitaliste, si akt revolucionarë estetik (do me thënë që surrealizmi, e ka në brendësi, një anë politike të angazhuar, me një fjalë tjetër, e vendosin në paralel, revolucionin social dhe politik të tetorit në 1917, me revolucionin artistik të dadaizmit dhe surrealizmit… çka nuk do qendron shumë gjatë në realitet), por edhe bazohet mbi studimet e Freudit dhe psikoanalizën, sepse i thyen konceptet mes botës reale racionale dhe botës imagjinare apo subkoshiente. Kështu që e favorizon suprizën estetike, lirinë e papritur, misterin që vjen nga icebergu i nënvetëdijës, nga bota e ëndrrave dhe e tejkalon realitetin racional të përditshëm brenda krijimtarisë artistike. Kjo ideja e dytë e konsolidon më tepër dhe e rrënjos në diçka më reale dhe interesante, plus edhe të ré. Kështu, që i huazon natyrisht duke i perfeksionuar dhe kompletuar të gjitha idetë e dadaizmit, i cili është më bruto, dhe më mekanik. Me pshurrur në çdo gjë dhe me e përjetuar lirinë e plotë.
Pastaj surrealizmi do zhvillohet kudo si shkollë, në Letërsi, në Film, në Teatër, në Muzikë dhe në artet plastike, duke dominuar një pjesë të madhe të shekullit 20… (kemi artistë sublimë si André Breton, Philippe Soupault, Robert Desnos, Luis Bunuel, Salvador Dali, Max Ernst, René Magritte, Miro, etjerë). Na i ka lënë disa gjurma…
Tani Aragoni, e boton një përmbledhje me poezi – “Feu de Joie – Zjarre gëzimi” në vitin 1920 – tek shtëpia botuese “Sans Pareil – Pa shembull” që e drejton zoti René Holsum dhe po aty botojnë edhe André Breton-i, me Philippe Soupault-në.
Një vit pas, në 1921 e publikon në botimet “N.R.F.” që do quhen më vonë ‘Gallimard’, romanin e tij “Anicet ou le Panorama”, të cilin e ka pas nisur nëpër llogoret e Luftës së Parë Botërore, 1914-1918. Pas kësaj lufte lidhet miqësisht me autorin depresiv të dëshpruar Pierre Drieu la Rochelle, i cili ia plaçkit të dashurën e tij, Eyre de Lanux, një shkrimtare dhe dizajnere amerikane të Pensilvanisë. Për t’u stabilizuar nga ana nervore dhe shpirtërore ose për t’u ngushëlluar me veten e tij, Aragoni shkruan romanin e tij “Le Paysan de Paris”. Gjatë vitit 1922, e braktis Mjekësinë, për ta krijuar me miqët e tij Philippe Soupault dhe André Breton, revisten “Letërsia” dhe e boton veprën “Aventurat e Telamakut”. Duke qenë kloshard, pa lekë, e pa femra që ta mbajëe financiarisht, Bretoni i gjen një punë si sekretar, tek miku i tij Jacques Doucet, një pasanik dhe koleksionist i arteve plastike moderne dhe i librave me botime historike të vjetra, të cilat i adhuronte edhe François Mitterrani, i cili shkonte rregullisht në disa librari të njohura parisiane, për t’i gjetur ca perla letrare të rralla.
Një ditë e kam pas takuar në vitet 1980 me vëllain e tij Robertin, që e kisha të njohur, në Parisin 6, mes rajoneve dhe libraristi na ftoi në një qosh të izoluar për ta pirë një likër. I adhuronte të gjithë autorët që sot nuk i lexon askush si Chardonne, Julien Gracq, Maurice Genevoix, sepse i kushtonte rëndësi përdorimit gramatikor perfekt alla antik, i gjuhës së rafinuar franceze. Mirëpo kishte fituar rroku dhe popi, slangu anglo-amerikan, degjenerimi bukovskian dhe argotishtia e lagjeve! Tamam, si tek Guepardi i Luchino Viscontit, pas viteve të bodrumeve të Shën Gjermen des Prés, me jazzin zezak, me rrokun dhe me majin 1968, u imponuar një botë tjetër dhe na u fundosën në harresë, një pjesë e madhe e autorëve klasikë francezë, të cilët na u dukeshin sot si dinauzorë në zhdukje e sipër. Edhe pse, mund të ishte pak e tepruar!
Ka marrë pjesë në aventurat dadaiste, në seancat e shkrimit automatik me poetin Robert Desnos (i cili do vdes më vonë nga tifusi në kampet e përqëndrimit nazist), të cilit Aragoni ia dedikon “Vajtimi i Robert shejtanit – La complainte de Robert le diable” që do ia interpretonte këngëtari plot talent Jean Ferrat dhe vajtoret e Plavës dhe Gucisë.
Në vitin 1924 – bashkë me Paul Eluard, Bretonin dhe Soupault-në, hyn si anëtar aktiv në rrymën e surrealizmit. Por nganjëherë e çojnë filozofinë e tyre deri në ekstrem dhe e teprojnë. Pas vdekjes së shkrimtarit të njohur francez, Anatole Franc, të cilin sot nuk e njeh as nuk e lexon askush në fakt, sepse ka ra në harresë, e botojnë Aragoni me disa shokë surrealistë, veprën tepër provokative “Un Cadavre – Një Kufomë” në të cilën propozojnë për ta hedhur në lumin Senë (simbolikisht në koshin e plehrave) të gjithë literaturën franceze të quajtur klasike dhe e demoduar, pra konkretisht, gjithë ajo që është shkruar para tyre… Bile, do krijohet një polemikë tepër e ashpër, midis Parisit, e cila do përfundonte gjer në gjykatë! Siç ju thashë: Aragoni ka qenë fëmijë i favorizuar dhe i lazdruar nga një familje e pasur për nga nëna dhe babai, i mbrojtur nga klani i nënes, nga disa shokë dhe shoqe, mirëpo e mban atë plagën fëminore, në lidhje me qëndrimin e babait të tij, pos asaj konstaton që po e braktisin të gjitha dashnorët, duke i preferuar shokët e tij.
Ndërsa unë, ia dhuroja me lejën e saj, ndonjë shoqe timën Godard-it, apo Chirac-ut, për t’ua mbaruar qejfin si mik, ose për t’iu ndihmuar, si psikolog autodidakt i kafeve dhe i bareve. Në vend se me vajtuar nëpër geto me mërgatat e molisura, Aragoni lexon të gjitha veprat e Engelsit, Leninit, Proudhonit, Schellingut, Hegelit dhe Freudit.
Në vitin 1926, zoti Jean Doucet a propozon një kontratë me 1.000 franga franceze në çdo muaj, me kusht që me ia dorëzuar atij personalisht të gjitha dorëshkrimet. Janë baras me 150 euro të sotme! Aragoni boton një vepër voluminoze “La défense de l’infini – Mbrojtja e pafundësisë”. Lidhet me një autore, gazetare dhe aventuriste angleze mjaft e pasur, Nancy CUNARD, me të cilën e shëtit gjithë Europën, me standige luksose. Gjatë vitit 1927 bëhet anëtar aktiv i Partisë Komuniste Franceze, natyrisht pro sovietike, e cila i merr direktivat direkt në Moskë. Ndikohet bukur shumë nga ajo ideologji marksiste dhe bolshevike dhe e propozon si militant, një lloj metodologjie apo filozofie e letërsisë së ardhshme, me porosi socialiste që quhet “Traité du Style” në favor të një letërsie të angazhuar, pedagogjike, me porosi sociale dhe politike. E redakton një protestë të fortë kundër dënimit me vdekje ose ekzekutimit gjyqësor në Amerikë, të anarshistave italianë – Sacco dhe Vanzetti në vitin 1920. Bile më kujtohet akoma kënga e Joan Baez, kushtuar këtyre dy viktimave.
Në një hotel të Madridit, tek lagja e njohur Puerta del Sol, në vend se me shkuar për ta parë ndeshjen klasike Real-Barcelona, e bën një krizë nervore, fillon sikurse unë trullan 14 vjeçar, për t’i djegur disa prej librave të tij dhe ndahet nga mecenia e tij britanike, zonja Nancy. “Po çfarë halli ke, miku im, e pyet një hamall shqiptar në kryeqytetin spanjoll? Të ka qitur e mira mendsh? Shko e bjen shehadet e dije se ku je”!
Ha… ha… ha… na sillni pak Burgonje me mish të tharë, nëse doni për ta ditur vazhdimin e kësaj historie, pa bisht as krye, ose po ju la këtu me seriale turke!
Tani, për të fituar lekë në çdo mënyrë, ngaqë si borgjez gjenetik, nuk e kishte talentin tonë, për të trafikuar çka të biennë dorë, tentoi për të propozuar me një pseudonim anonim, ndonjë libër erotiko-pornografik, me idenë a mos do shitet si best-seller? Dhe e boton në vitin 1928 – librin “Le Con d’Irène” për të mos qenë tepër vullgar, po themi “Seksi i Irenës”, i cili nga censura e asaj kohe, krijon skandal dhe i duhet Luisit, me dhënë llogari në gjykatë, në të cilën vjen dhe afirmon, që nuk është ai vetë autori, por dyshi i tij, me një emër tjetër, një hologram i panjohur nga unë!
Po atë vit, mbërrin në Venedik për ta pa gjendjen reale të atij qyteti mitik, të përshkruar mrekullisht bukur nga Thomas Mann në 1912 dhe të adaptuar në vitin 1971, po aq magjikisht nga Luchino Visconti, në filmin “Vdekje në Venedik” – me Dirk Bogardin, Silvana Mangano dhe muzika hipnotike e Mahlerit. Dhe atje, Aragoni e sheh ish dashnorën e tij angleze, duke u lëpirë nëpër varka nën urat veneciane, me një jazz-men zezak amerikan. Komplet i vetmuar, pa lek në xhep, as lesh mbi vesh, i braktisur nga çdokush, tenton për të bërë vetvrasje duke e paralajmëruar ndihmën e shpejtë! Ndërsa unë, kisha kaluar një moment romantik të bukur me një mësuese italiane nga Firenza, në atë muzeum gjenial natyror, nën qiell të hapur.
E shkruan një poezi të bukur “Il n’aurai fallu – Do na kishte mjaftuar…”, të cilën ia këndon miku im zoti Léo Ferré. Ua ofron të dyve një malësor ballist, një sanduiç!
Pastaj, nga nëntori 1928, pak para Festës së Flamurit shqiptar, dikush me 28, tjetri me 29… hyn për ta pirë një birrë, në kafën e njohur të Parisit – La Coupole – të cilën e kanë dekoruar dhe frekuentuar disa artistë madhorë të shekullit 20, Picasso, Cocteau, Chagall, Hemingway… dhe aty, Luis Aragoni e takon Elsa Triolet, një zonjë intelektuale dhe autore ruso-franceze, e cila do jetë gjer në fund shoqja, dashnorja dhe muza e tij. Edhe pse, mua m’u ka dukur mjaft antipatike, nuk është aspak një femër banale. Përkundrazi, po ua jep tani, disa elemente për ta vlerësuar.
Elsa, është motra e Lili Brik (aktore, regjisore ruse dhe muza e poetit të madh Maiakovski… bile çuditërisht, të dy motrat do jenë dashnoret dhe muzat e atij poeti… një trio e çuditshme)! Lind në vitin 1896 në Moskë, nga një familje hebreje ruse, mjaft borgjeze dhe e kultivuar. Emri i saj i vërtetë është Ella Yourievna KAGAN. Nënën e ka pianiste me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar, ndërsa babai i saj është një avokat i famshëm në meset elitare ruse. Elsa studion perfekt, i mëson gjuhët, sidomos frëngjishtën dhe gjermanishtën dhe shëtit kamos në Europë, bashkë me motrën e saj Lili dhe me nënën pianiste, e cila paraqitet nëpër koncerte me piano, aty ku e ftojnë. Pastaj, motra e saj Lili lidhet me revolucionarët rusë në vitin 1905, për fat, jo në anijen e marinarëve të Potemkinit, të filmuar më vonë me shumë talent nga Serge Eisenstein, por në Moskë dhe martohet me Ossip BRIK, të cilit ia merr edhe emrin. Ai është një kritik letrarë dhe një shkrimtarë i njohur i asaj kohe në Rusi dhe konsiderohet si avanguardist. Në rrethin e tij sillen rregullisht disa artistë dhe intelektualë të famshëm rus, mes tyre për shembull, Boris Pasternak, Viktor Chklovski, Majakovski dhe linguisti i njohur Roman Jakobson. Vjen edhe Elsa në atë rreth dhe në vitin 1911, e takon poetin e madh Vladimir Majakovski, në të cilin dashurohet tmerrësisht, si me e pas kapur rrufeja. Sepse, objektivisht pos talentit dhe personalitetit të tij evident, është edhe djalosh super i bukur, një lloj Alain Delon magnetik, të cilit nuk mund t’i rezistojnë aq lehtë femrat.
Pas vdekjes së babait të saj avokat mjaft i pasur, Elsa ngelet bashkë me nënën e saj pianiste dhe kalon disa momente të vështira për nga ana ekonomike, ngaqë kanë shije luksi dhe shpenzojnë më tepër sesa kanë lek në fakt… si Jugosllavia e Titos, e cila ka jetuar gati si Gjermania, duke punuar në minimum, shfrytëzuar çdo lloj alternative PLANE IKS, për të jetuar me kreditet e botës, pa i la kurrë borxhet e saj, mes Rusisë, Amerikës, Europës dhe lidershipit të botës së tretë indiano-arabe…
E jo si Enver Hoxha, duke ngrënë populli bar dhe duke recituar slogane të pa lidhje!
Për të dalur pak a shumë nga kjo jetë mjaft e varfër dhe e kufizuar, Elsa martohet me një oficer francez të pasur, i cili është me funksion në Moskë, në vitin 1917. Quhet André Triolet, të cilit ia merr Elsa edhe mbiemrin. Në gusht 1919 shkojnë për të jetuar në Parisin 6 (Saint-Germain-des-Prés), lagje mitike e arteve, e kulturës dhe e lëvizjeve intelektuale apo revolucionare. Pastaj largohen 1 vit për në Tahiti, ku jetojnë në një ambient paradiziak, por pa Marlon Brandon ose Pol Gogenin me shokë, dikur Elsa merzitet me diellin dhe plazhet marramendëse dhe ëndërron për shokët e saj në Moskë. I thotë miqësisht burrit të saj, në vitin 1921 “By-by, my dear friend… të dua shumë, je tepër i mirë me mua, por nuk mundem për të vazdhuar kështu, duke u rrezitur si çapini dhe përpij shalqi! Nuk jam Robinsoni…”.
Ndërsa, babai im zoti Shpendi lind në fshatin Grijë të Tropojës, i rrethuar me tri motra të lazdruara dhe një nënë, të gjitha pa lekë, as asistencë shtetërore. Kur më pyeti motra ime piktore dhe skulptore Sarah e Strasburgut në Francë: – A e di pse quhet fshati i babës tonë ‘Grijë’? I thashë – jo, pyet Petro Zhejin, Idriz Ajetin apo Eqrem Çabejn… supozoj, pse ka dominuar andej ngjyra ‘gri’?
– Ah, historian dhe linguist i fortë jé… mos ia thuaj këtë marrëzi askujt në Harvard dhe Sorbonë, apo merr vesh! Dakort, Sarah, po pse atëherë sipas teje? Sepse, sipas një kënge të vjetër me sharki apo çifteli, thuhet që turqit kanë pas grijë shumë njerëz në atë fshat dhe e kanë emëruar ashtu! Okay, mirë dhe goodluck sister, për t’i bindur universitetet europiane… merre një çokollatë belge me një kafe italiane!
Shkon pastaj Elsa në Londër, në Berlin dhe e takon rastësisht shkrimtarin dhe kritikun rus, mik i motrës të saj Lili dhe i Ossipit – Viktor Chkloski, i cili është në heshtje dhe në sekret i dashuruar në Elsën – dhe ai e inkurajon për të shkruar. Po të njejtën gjë, ia thotë edhe Maksim Gorki, të cilin e takon pak më vonë. Dhe fillon për t’u bindur gradualisht, që ndoshta destineja e saj tokësore është për të shkruar e jo për të koleksionuar burra. “Lëviz, ti vajzë, se nuk të mban askush badihava, gjithë jetën! Duhet për ta kapur kazmën e çekanin nën drapër, a more vesh”?
Rikthehet në Paris në vitin 1924 dhe banon në një hotel historik të qytetit, që quhet ISTRIA, në Montparnasse – ku janë strehuar me vite disa artistë të famshëm, sikurse muzikanti Erik Satie, piktori dhe skulptori Marcel Duchamp, Francis Picabia, Tristan Tsara, Man Ray dhe aty janë xhiruar disa skena të filmit mitik të Jean Luc Godardit – referenca e nouvelle vague-s, kinematografike – “A bout de souflle – Breathless” në vitin 1960 me Jean Paul Belmondon, dhe Jean Seberg. Jemi në rrugën Campagne Première, numri 29… aty ku në kryqëzim, vdes Belmondo nga një plumb i policisë në shpinë, duke vrapuar deri në shtrirjen përfundimtare në rrugë, me frazen enigmatike – “vous êtes une vraie dégueulasse”! – Po çka është duke thënë, zoti komisar, pyet Jean Sebergu, pseudo dashnorja e tij – dhe ai i përgjigjet – «Po thotë, që jeni me të vërtetë një e poshtër” me idenë, që e keni tradhtuar ju vetë shokun tuaj…
Siç ju thashë – Aragoni, do jetë burri i saj i përjetshëm. Por mos të harrojmë që Elsa ka një veprimtari letrare, po ashtu serioze, edhe pse natyrisht, nuk e ka famën dhe popullaritetin e tij, porse nuk është vetëm shoqja e Luisit apo kukull sallonesh.
Ka përkthyer në rusisht prej nga frëngjishtja disa autorë francezë, mes të cilëve Luis Ferdinand Celine me veprën e tij emblematike – “Voyage au bout de la Nuit”, që në vitin 1924, po ashtu edhe disa prej librave të Luis Aragonit. Ndërsa i ka përkthyer në frëngjisht prej nga rusishtja, disa autorë sikurse Anton Çehov, apo Majaakovskin. Pastaj i ka botuar rreth 30 vepra personale, romane, tregime, ese, poezi në Francë, prej të cilave mund të dallohen këto, pavarësisht sesa njihen dhe sesa janë lexuar:
Bonjour Thérèse – 1938 – tek shtëpia botuese parisiane Denoël.
Le Cheval Blanc – 1943 – tek Denoël.
Le premier accroc coûte 200 francs! – viti 1944 – tek botimet Denoël – dhe e merr çmimin Goncourt (më prestigjiozi në Francë – si autoria e parë femërore)… Bile, është mjaft e çuditshme, me një titull, aq debil dhe anti-komercial. Imagjinojeni në shqip – “Mos marrëveshja e parë, do ju kushtojë 200 franga”, një libër me tregime.
Personne në m’aime – 1946 – tek Biblioteka franceze.
L’inspecteur des Ruines – 1948 – tek Denoel në Paris.
Le rendez-vous des étrangers – 1956 – tek shtëpia e famshme Gallimard.
Le monument – 1957 – tek Gallimard.
Pastaj vjen një serial më i njohur, i cili ka qenë edhe burim inspirimi për të gjitha militantet e feminizmit europianë apo botërorë.
L’ÂGE DE NYLON – (1 ) – Roses à crédit – 1959 – tek Gallimard
« Viti i Najlonit – (1 ) – Trëndafile me kredit
L’Âge de Nylon – (2) – Luna Park
L’Âge de Nylon ( 3 ) – L’âme – Shpirti – 1962 – tek Gallimard
Ecoutez voir … – 1968 – tek Gallimard
Me kaq, besoj që do e keni një idé më të qartë, mbi kush ka qenë realisht zonja Elsa Triolet? Dhe kuptohet mirë, pse ai çift ka qenë mitik në Francë, siç kanë qenë Sartri me Simone de Beauvoir apo Yves Montand me Simone Signoret. Çka nuk mund të thuhet për Shpend Sherifin dhe Xhevahire Sadrinë apo për Hasan Dervishin me Fatime Prushin… Që në shikimin e parë te “Kupolja” e Parisit, Aragoni e vendos që kjo do jetë shkoqja e tij e përjetshme, çka do ndodhin në realitet dhe ja kushton disa vepra me poezi, ndër më të bukurat, delikate dhe të thella franceze, për ta shprehur boten e ndjenjave sentimentale dhe të dashurisë, me ciklin sublim të Elsës… Kështu, që do angazhohen të dy së bashku, aktivisht në kauzën e rezistencës anti naziste dhe fashiste, në ideologjinë komuniste, në lëvizjet e dekolonizimit nëpër Magreb dhe Afrikë, në feminizëm për të drejtat e grave dhe për një vizion të caktuar të letërsisë.
Kuptohet, që me pas ardhur para tyre me ndonjë simpati zogiste, të pushkatonin në ora 6 të mëngjesit, pas këngës së parë të gjeli… Ha… ha… ha…!
Aragoni e braktis familjen surrealiste, për t’u zhytur këmbë e krye në ideologjinë komuniste. Do plasin një polemikë e ashpër brenda rrymës surrealiste, mes atyre që ishin të majtë, por më tepër anarshistë, për lirinë e lirë dhe ata artistë, të cilët e përqafonin këtë kauzë politike. Pos asaj, Aragoni e kundërshton André Bretonin, i cili thoshte që romani nuk ka asnjë vlerë në letërsi, sepse vetëm poezia mund ta shprehë misterin e qenies njerëzore, heshtjen, të pakapashmën dhe subkoshiencën, ndërsa për Luisin, romani ishte një mjet pedagogjik dhe artistik për t’i ilustruar disa idé, koncepte, teza filozofike, sociale apo politike dhe nuk bën për ta zhvlerësuar.
Pra, po e shihni, që siç ju kam thënë më sipër, SURREALIZMI si rrymë apo shkollë artistike, ndër më të fuqishme të shekullit 20, e cila na ka lënë edhe sot disa gjurma të forta, është ndikuar thellësisht nga gjithë filozofia politiko-sociale e majtë, nga lëvizjet revolucionare në Rusi, në Kinë, në Kubë, etjera… nga marksizmi-leninizmi, maoizmi dhe të gjitha këto kanë qenë të përziera me idenë e icebergut freudian, huazimet e psikoanalizës dhe një frymë pak a shumë anarshiste. Kështu, që dikur vjen automatikisht pyetja, nga paradoksi qenësor i asaj shkolle super interesante në thelb: “Okay, e predikoj lirinë totale dhe jam kundër çdo diktati apo shkolle artistike të institucionalizuar, veproj me botën subkoshiente, me ëndrrat, me fantazinë time, ku nuk ka shumë rregulla as korniza paraprake (gati, siç kam vepruar unë deri sot në poezi ), mirëpo paralelisht, e predikoj edhe një lloj angazhimi ndaj shoqërisë, duke e mbrojtur drejtësinë, barazinë, duke i luftuar të gjitha padrejtësitë, dhe pastaj, duke u angazhuar gradualisht në favorin e një kauze politike të caktuar (këtu, në këtë rast, komunizmi). Kështu, që në një moment, bashkimi i të dyjave së bashku nuk mund të funksionojnë siç duhet me një afat të gjatë, sepse, do kornizohesh dikur dhe do biesh në kundërshtim themelor me lirinë esenciale të surrealizmit». Jeni dakort?
Gjatë vitit 1930, pas vetvrasjës së poetit rus Majakovski, Aragoni shkon me mikun e tij Georges Sadoul (kritik dhe historian i madh francez, specialist i konfirmuar i kinematografisë botërore, emër referencial për artin e shtatë) në kongresin e shkrimtarëve revolucionarë në Kharkov, për ta denoncuar Surrealizmin, si rrymë artistike puro egocentrike, indiferente ndaj vuajtjeve sociale të popujve, komplet anarshiste, me një liri të tepruar devijuese, me një qëllim auto-masturbues.
Kështu, që Aragoni me shokë, e përqafojnë vijën ortodokse të Partisë Komuniste Franceze, dogmatike dhe pro ruse, e cila i merr direktivat ideologjike dhe politike, por edhe financimet e saj, direkt nga Moska. Dhe nga entuziazmi i tij, për ta treguar se sa komunist i mirë është, e boton, po sa kthehet në Francë, veprën e tij me titullin «Fronti i kuq» tepër i qartë, në të cilën i bën elozhin Bashkimit Sovietik, ideologjisë marksiste-leniniste, (si autorët shqiptarë, që dikur i këndonin lavdata Enver Hoxhes) dhe pos asaj, e justifikon edhe dhunën në luften politike, me disa slogane ekstreme, si për shembull: “Zjarr, kundër Leon BLUM” për të cilin do dënohet nga gjykata, me akuzën që është gati një thirrje direkte për vrasje ndaj një kundërshtari politik.
Dhe detyrohet André Bretoni, të cilin e ka pas luftuar ashpër, për të ardhur në Tribunal, për ta mbrojtur burrërrisht, si një ish mik i dikurshëm.
Shkon pastaj me Elsën për të jetuar 1 vit të plotë në Bashkimin Sovietik dhe çuditërisht ngelet komplet i verbër ndaj realitetit dhe nuk reagon fare. Bile për kundrazi, e mbështet në shkrimet e tij diktaturën dhe terrorrin stalinian.
Lexoni për kuriozitet librat e tij: “Persécuté – Persécuteur” (1921) dhe “Hourra l’Oural” (1924). Plus asaj, ua përmenda edhe “Frontin e kuq” dhe më vonë “Rroftë Guépéou”, që do të thotë ekuivalenti i KGB-së, aktuale – gati e pabesueshme, vjen për ta lavdëruar policinë politike të brendshme, Sigurimin.
Martohet dikur legalisht me Elsën nga viti 1939 dhe rreth Luftës së Dytë Botërore, fillon për t’u kthjelluar deri dikund dhe për të dalë nga droga debile e verbërisë ideologjike, por jo aq sa duhet… Mirëpo, mund të thuash objektivisht, që fillon për t’u normalizuar relativisht dhe për t’iu rikthyer dashurisë romantike ndaj shoqës së tij. Tani me distancën kohore, e kuptoj më mirë, sepse e kam përjetuar atë CLASH monumental me Aragonin gjatë takimit tim me të, në vitin 1976 në Paris. Bile dola pas atij takimi mjaft i tronditur dhe i nervozuar, gati për të qajtur, sepse, e mendoja babain tim shpirtëror Pierre Seghers-i, i cili ma kishte rregulluar atë takim, duke m’i dhënë disa këshilla, si të isha djali i tij… dhe i thashë vetes: “Kam dështuar tragjikisht me Aragonin dhe e kam zhgënjyer totalisht Pierre Seghers-in” . Dhe po sa hyra tek apartamenti i tij, bulevard Raspail në Paris-in, 14 – më pa me çehre të rënduar, pa humor, i mbyllur dhe më tha: “Ti djalë, po e shoh që nuk je mirë… si të ka shkuar biseda me Aragonin”? Ju përgjigja: “Super keq, Pierre, të kërkoj falje, kam dështuar sepse, më futi ai vetë në politikë dhe më dënoi mua dhe babain tim radikalisht, pa ndonjë arsye logjike, gati për qejfin e tij, në një mënyrë aq ekstreme dhe arbitrare, sa që nuk mujta me qëndruar indiferent pa iu përgjigjur duke ia paraqitur këto kundërargumente, për ta vendosur para paradokseve, hipokrizisë dhe përgjegjësisë së tij morale. Tani, mundesh për të menduar çka të duash mbi mua»!
Për fat, Pierre Seghersi u treguar burrë i vërtetë dhe më tha: “Bravo të qoftë, ti djalë, se ke nderuar veten dhe familjen tënde, por edhe mua këtu në Paris, e kam ditur që je një personalitet i lindur dhe që nuk e toleron askënd, me të shkelur në sedër dhe në dinjitet. Kam për t’ia thënë dy fjalë mikut tim Luis, i cili të ka prerë në besë, e pra e kam pas paralajmëruar edhe unë, që mos të flasin për politikë dhe të paska provokuar keq me qëllim. Por ta heq kapelën, që i ke bërë ballë deri në fund dhe e ke mundur me argumente. Eja, e të përqafoj”! Dhe me ato fjalë, m’u rikthyer humori dhe energjia humane normale. I kashagita dy macat e tij në kolltuk. E mori dikur Aragonin në telefon dhe e kritikoi shumë rëndë, duke i thënë, që e kam pasur unë me të drejtë dhe që mos ta përsëritin më atë gabim, për ta provokuar komplet jashtë normave normale, një mik të shtëpisë deri në atë shkallë ekstreme dhe aq groteske. Pra, e fitova një betejë të madhe morale dhe intelektuale, mjedis Parisit, si autodikakt, me çerekun e kulturës të Luis Aragonit, por siç thoshte një zonjë e mbrrirë prej Vuthaj – me disa profesorë specialë të ardhur nga qielli. Nuk e di akoma, si më vijnë mesazhet, shenjat, idetë, argumentet, edhe para njerëzve 10 herë më të ditur dhe të kultivuar sesa unë, por më vijnë dhe e di nga eksperienca ime praktike, atë çka e kam përjetuar unë vetë, që asnjë gjeni francez, kolosë i kulturës dhe i artit të shekullit 20, nuk ka arritur deri sot me fituar një debat me mua, në çfarëdo teme, me argumente bindëse dhe të pa diskutueshme.
E pyes shpeshherë veten, pse? Nuk e kam fare për mendjemadhësi apo narcisizëm, por e kam përjetuar unë vetë. Më kujtohen diskutimet e mia me Godard-in, Derrida, Deleuze, Lacan, Blanchot, Mandiargues, Leiris, Norge, Bonnefoy, Bacon, Balthus, Klosovski, Arrabal, Ionesco, Lévy-Strauss, Braudel, dhe çuditërisht, krejt jashtë parametrave objektivë apo normalë (ngaqë, isha komplet i vetëdijshëm mbi nivelin tim real dhe mbi nivelin e tyre, mbi CV-në, dhe mbi veprimtarinë e tyre gjigante, ishte diçka evidente…), por konkretisht, të gjithë i kam bindur, befasuar, magnetizuar, me atë çka kisha unë si bagazh… Prandaj, këtu mbretëron diçka tjetër, jo krejt racionale apo e zakonshme. Ajo pjesa misterioze e qenies, diçka që lidhet me memorien tokësore dhe humane, me trashëgiminë, me kulturën zakonore dhe gojore, me frymëzimet dhe mishërimet me lashtësinë, me antikitetin, me energjitë, diktimet sekrete apo porositë qiellore. Vetëm kështu, përmes botës pak më paralele, të cilën nuk e zotërojnë fare francezët, as europianët, mund ta shpjegoj suksesin tim, në shoqërine elitare parisiane dhe shpeshherë edhe planetare, gjatë gjithë atyre viteve 1970-1980, se përndryshe me logjikë të shëndoshë puro racionale, nuk mund të merret fare me mend. Imagjinojeni një çun të ri, sikurse unë, i ardhur nga Valbona, përballë personave që kanë lexuar në minimum mes 10.000 dhe 20.000 libra, me rigorozitetin e një studiuesi universitar, me nota, pyetje dhe shënime. Ndërsa unë vetëm 3000 libra, por me një teknikë autodidakte të koncentruar, por jo për t’i skanuar gjer në imtësi: çka do ngelet, do ngelet, super mirë dhe çka do harrohet, do harrohet, si në seleksionimin arbitrar apo natyror të kujtesës sime. Pra, do e mbaj në mend spontanisht, atë çka mund të më shërbejnë për më vonë, por nuk e vendos unë direkt, me vullnetin racional, por do e vendos vetë jeta, memoria ime, subkoshienca, natyra.
Pos asaj, para profesorë doktorëve emeritus të universitetëve të famshme franceze apo botërore dhe autorëve të një vepre madhore, që e kishte pasuruar shekullin 20. Bile edhe sot, çuditemi! Kanë folur përmes meje poeti pak marsian dhe ai malësori krenar i odave, trashëgimtari i një kujtese, personi i lirë dhe aventuristi… dhe me siguri që me këto elemente i kam bindur, më kanë pranuar dhe ka ndodhur që janë edhe fasinuar, sepse më kërkonin për ta ditur sekretin tim, alkiminë… qysh dhe pse?
Mirëpo, le t’i rikthemi tani, me një kali shale, që ma dhuroi Bajraktari i Krasniqes, rrugëtimit të Luis Aragonit, gjatë Luftës së Dytë Botërore në vitet 1939 – 1945.
E mobilizojnë përsëri nga shtatori 1939 dhe e dërgojnë tek kufiri belg, ku i mbyll sytë para trafiqeve të duhanit, alkoolit dhe naftës. E çojnë në frontin e luftës dhe e dërgojnë në Angli, me anije përmes qytetit Dunkerque, ky është e zhvilluar një luftë mjaft e ashpër. Shikojeni filmin e mrekullueshëm të regjisorit Christofer Nolan të vitit 2017 “Dunkerque” dhe do e kuptoni super mirë, kontekstin e atij episodi. Të gjitha forcat aleate të rrethuara nga trupat gjermane në atë qytet dhe me qindra mijëra anglezë, që u deshte për t’i rikthyer urgjentisht përmes detit, për në Angli, nën mitraloza, tope dhe bumbardime. Kështu ka pas ikur edhe familja e Charles de Gaulle, me disa francezë të tjerë. Nuk ka qenë këtu “Klub Mediteranea nëpër ishujt e Karaibëve” me këngën e Gainsbourgit “Sea – Sex and Sun”. E çojnë pastaj Luisin në Plymouth, porse rikthehet në BREST, a mos e takon rastësisht nën shiun e ëmbël të Bretanjës, atë Barbarën e Jacques Prévertit? E arrestojnë dhe e burgosin gjermanët e Hitlerit në qytetin Angoulème, mirëpo arrin për të ikur me Steve Mac Queen-in, alias Flutura dhe Clint Eastwood-in. Ky qytet i Francës është bërë sot, kryeqendra e festivalit vjetor, të librave të vizatuara, një zhanër letrar komplet i panjohur dhe i pavlerësuar nga bota jonë shqiptare. Bile, ia sugjerova një miku tim, artist i kompletuar dhe super i talentuar, zoti Bujar Kapexhiu, që të na propozojnë një serial librash të vizatuara, me një përrallë atraktive nga Dibra dhe një personazh emblematik, simpatik dhe aventurist, në të cilin unë dhe pastruesja e hotelit Sofitel të New-York-ut, të cilën e ka dhunuar Dominik Straus Kani, një i sëmurë patologjik i FMN – së, mund të identifikohemi lehtësisht… “Dakort, më tha – po, çka do fitoj, se ka punë»? I thashë: “Respektin tim, ndoshta një medalje dhe një çaj mali me limon. Dikur më vonë, një kryelanë, një çervish, një leçenik ose një tespishte! Por mos u mërzit fare, se kush vlerëson diçka tek ne seriozisht, o burrë? Të gjithë janë në shoqërinë e spektaklit”!
Ngaqë është sjellur me kurajo dhe heroizëm gjatë luftës, duke e rrezikuar edhe jetën e tij, për t’i shpëtuar disa shokë të plagosur nëpër zonat gjermane armike, me plot të drejtë, ia dhurojnë Aragonit, – Medaljen Ushtarake dhe Kryqin e Luftës me palmë.
E pyet komandën: “Faleminderit prej jush, të nderuar shefa, por a shoqërohet me ndonjë çek me lekë, ky vlerësim, se unë, i kam ca shpenzime me gra dhe dashnore nëpër kafe, restorante dhe hotele dhe së paku 10 fatura, akoma të pa shlyera”?
Po ashtu, i pata thënë edhe unë, në shtatorin e vitit 2020, Presidentit të Republikës shqiptare, zotit Ilir Meta, i cili më dekoroi me titullin simbolik “Mjeshtër i madh” – “a shoqërohet ky titull nderi me diçka konkrete, me një shumë lekësh, apo më duhet për të kërkuar financim në Hënë apo në Mars, sepse arti i do disa kushte jetese konkrete, miku im… e jo vetëm llafollogji sterile. Se tani, si pensionist, nuk e kam moshën, as stilin e Richard Geere-it, për të luajtur në filmin – American Gigolo”!
Aragoni është natyrisht i lidhur edhe me lëvizjen, të cilën e ka pas iniciuar Pierre Seghers-i, “Poetët e Rezistencës” bashkë me Paul Eluard-in dhe Robert Desnos-in.
E përjeton një disfatë të dytë psikologjike dhe morale, kur e prish miqësinë që e kishte me autorin Pierre Drieu la Rochelle – i cili e zgjedh rrugën e gabuar duke iu bashkangjitur fashizmit dhe në prag të çlirimit nga viti 1945, e kupton që ka mbaruar filmi i tij dhe e vret veten. Pastaj në vitet 1949 – 1951, e shkruan romanin e tij, “Les Communistes- Komunistat”, në të cilin e vlerëson heroizmin e militantëve dhe rezistencën e tyre gjatë luftës kundër forcave hitleriane dhe bashkëpunëtorëve të tyre francezë, pro fashistë.
Prej nga viti 1953 deri në vitin 1970, jeton me shoqen e tij Elsa në pronën e tij gjigante, e rrethuar me një park prej 6 hektarë që quhet “Le Moulin ose Mulliri de Villeneuve”, në regjionin e Yvelines franceze. Po aty, i vdes shoqja e tij Elsa, e cila do varroset bashkë me të, në parkun e lulëzuar të asaj banese luksoze.
Dikur, çuditërisht pas largimit të shoqës së tij dhe pa asnjë nevojë, e shpreh publikisht atrakasionin e tij për meshkujt, si biseksual, si një lloj rrëfimi, apo siç thonë anglofonët “një coming out” pak i vonuar. Po ashtu, kanë qenë edhe disa autorë të njohur francez sikurse Henri de Montherlant, André Gide, Marcel Proust. Por kush iu kërkonte llogari në lidhje me intimitetin e tyre privat?
Me 24 dhjetor 1982, vdes Luis Aragoni, në adresën e tij të fundit, aty ku më ka pas pritur mua 6 vite më parë, rue de Varenne, në Paris-in 7… çuditërisht dhe gati ironikisht natën e Krishtlindjes, ndërsa ka qenë një ateist ekstrem. Dhe siç ju thashë, më parë, do e varrosin tek parku i Mullirit bashkë me Elsën.
Kur e shikon me distancë klinike veprimtarinë e tij letrare, mund të thuhet: dominon esencialisht poeti, e jo aq shumë romancieri… kjo është evidente. Poezitë e tij të fillimit, të inspiruara nga dadaizmi dhe surrealizmi janë interesante. (Feu de Joie – 1920) pastaj ka disa vepra poetike me frymëzime ideologjike komplet komuniste, që janë të pavlerë fare… por për fat, do i rikthehet poezisë të vërtetë shpirtërore me librin e tij (Le Crève Coeur – Zemër plasur – 1941) me një gjuhë më intime, lirike dhe sentimentale, më humane, ku dallohet edhe prania e Elsës.
Të cilën temë, do e thellon me shumë mjeshtëri dhe këtu qendron për mua kulmi i tij poetik, madhështia e Aragonit si poet – me ciklin poetik kushtuar të dashurës së tij Elsa Triolet, ku figurojnë këto vepra emblematike dhe referenciale të poezisë moderne franceze, të cilat janë:
Cantique à Elsa – 1941; Les Yeux d’Elsa – 1942; Les Yeux et la Mémoire – 1954; Elsa – 1959; Fou d’Elsa – 1964
Një pjesë nga këto poezi, do popullarizohen dhe do kenë jehonë publike, me këngët e Léo Ferré-së dhe Jean Ferrat. Janë interpretime tepër të bukura dhe të prekshme.
Pastaj në vitin 1956, e boton “Le roman inachevé – Romani i papërfunduar”, një lloj autobiografie poetike, ku i shpreh ëndrrat e tij, shpresat, dhimbjet, zhgënjimet, dashuritë, sukseset dhe disfatat. I ka në krijimtarinë e tij dy romane surrealiste:
Aventurat e Telemakut (1922) ku e përzien antikitetin me avanguardizmin; Le Paysan de Paris (1926), të cilin ia dedikon piktorit surrealist André Masson.
Keni pastaj periudhën e realizmit socialist, të cilën e ilustron me këto vepra:
Les Beaux Quartiers – Lagjet e bukura (1936), roman për të cilin e fiton çmimin Renaudot, i cili vjen i dyti në hierarki, pas çmimit të famshëm francez Goncourt; Aurélien (roman i botuar në 1944); Les Communistes, në 6 volume, 1949-51 dhe më vonë 1966 – 67, Aragoni e ka zhvilluar edhe një karrierë të gjatë si gazetar, kryeredaktor, drejtor në disa gazeta, revista dhe shtëpi botuese franceze.
Së pari, ka punuar për gazeten e Partisë Komuniste Franceze “L’Humanité” dhe revistën “Commune” e inspiruar pa dyshim nga “revolta e Komunës së Parisit”. Ka luajtur një rol në mbrojtjen e vlerave humaniste, siç janë shprehur në teori, nga inteligjenca e majtë franceze dhe në favor të një angazhimi konkret në favor të Republikës Spanjolle, (prej viteve 1933, me ideologjinë e shprehur në librin e Adolfit Hitlerit «Mein Kampf» e deri në 1939… a ju kujtohet lufta civile spanjolle?
Pastaj drejton gazetën e përditshme të Partisë Komuniste Franceze (PCF) “Ce Soir”, prej viteve 1937 dhe deri në 1953. Po ashtu, drejton më vonë revistën javore “Les Lettres françaises” pronë e Partisë Komuniste dhe e frymëzuar nga Rezistenca, (prej vitit 1953, e deri në 1972).
Dikur me zotin Pierre Daix do distancohen nga Stalini dhe do ua japin fjalën brenda revistës së tyre edhe kundërshtarëve të tij, sikurse Alexandër Soljenitsine apo Milan Kundera. E dënojnë invadimin e tankeve ruse në Pragë gjatë vitit 1968. Por dikur nga mungesa e financimëve mbaron kjo revistë, ngaqë lekët vinin nga Rusia, Partisë Komuniste Franceze dhe miqët e saj dhe po ashtu përfundon edhe aktiviteti i Luis Aragonit si gazetar apo editorialist. (Tani e zëvendësojnë editorialistët tanë të ekranëve, gjithologët e cirkusit të përditshëm mediatik, të sponsorizuar në një mënyrë gjeneroze nga Hasani dhe Hyseni, ndërsa populli ynë mbijeton me nga 400 euro në muaj dhe pensionistët e shkretë me nga 150 euro. Kjo është demokracia sociale dhe njerëzore alla shqiptare, o miq të dashur! A mos ju duket krejt normale?).
Punon ca kohë në shtëpinë botuese E.F.R (éditeurs français réunis) të cilën e drejton bashkë me François Monod dhe Madeleine Braun. Nga vitet 1930, shumë shkrimtarë dhe intelektualë francezë e braktisin Partinë Komuniste Franceze dhe distancohen nga marksizmi sovietik apo kinez, sepse e shohin shumë qartë, që kanë gabuar, ngaqë një pjesë prej tyre e kanë konstatuar direkt në terren, duke i vizituar ato Shtete dhe kanë pësuar një zhgënjim total.
Mirëpo, Luis Aragoni e vazhdon atë rrugë besnikërisht dhe i mbron po ato teza ideologjike dhe në vitin 1935, në kongresin ndërkombëtar të shkrimtarëve, për mbrojtjen e artit dhe të kulturës – e mbështet publikisht regjimin sovietik, edhe pse shumë intelektualë ishin prononcuar mbi terrorret konkrete të atij regjimi, me disa dëshmi objektive të padiskutueshme. Jo propaganda, tmerri, diktatura e egër, spiunimi, gulagu, dhuna, proceset gjyqësore të montuara të modelit të Moskës, gazeta ‘Pravda’ plot me rrena… por poeti francez i justifikon gjithë këto denoncime duke thënë, që kanë qenë agjentë të imperializmit apo të kapitalizmit apo të ndikuar nga Trocki e bashkëpunëtorë të Gestapos gjermane. Një delirium!
E mbron Stalinin kundër Titos në konfliktin e vitit 1948 dhe e celebron Maurice Thorez, liderin e Partisë Komuniste Franceze. Merr pjesë aktive në të gjitha debatet e brendshme të Partisë Komuniste Franceze dhe pas Kongresit të 20 të Partisë Komuniste Sovietike në Moskë dhe nuk prononcohet fare kundër shtypjes së demokracisë në Budapest të Hungarisë, në vitin 1956.
Këtë qëndrim do e deklarojë më vonë në romanin e tij “Romani i papërfunduar”, se viti 1956 ka qenë për mua sikurse një thikë e vendosur mbi qerpikët e mi.
I duhet për të pritur vitin 1966, për t’i çelur pak sytë mbi abuzimet flagrante të komunizmit, për t’i denoncuar disa akte, për t’i mbrojtur disa disidentë, gjatë gjykimit qesharak të autorëve rus, zoti Siniavski dhe Daniel. Në vitin 1968 do i mbështet studentët e Sorbonës në Paris dhe do ia shkruaj një parathënie Milan Kunderës për botimin e librit të tij në gjuhën frënge “La Plaisanterie – Shakaja”, por kurrë deri në vdekjen e tij në 1982, nuk e lëshon Partinë Komuniste Franceze, komplet pro sovjetike, të pamodernizuar apo reformuar, përkundër Partisë Italiane të Enrico Berlinguerit dhe ku Aragoni do qendron si anëtarë i Komitetit Qendror.
Shumë prej poezive të tij sentimentale, nganjëherë të angazhuara në disa kauza humane, do adaptohen me sukses në këngë dhe do interpretohen nga disa artistë madhorë francezë sikur Georges Brassens (Il n’y a pas d’amour heureux), ndërsa Léo Ferré i kushton një album të plotë në vitin 1961.
Ka qenë i kënduar mrekullisht bukur nga Jean Ferrat (në ato tekste, ka disa perla të padiskutueshme dhe të nivelit të lartë muzikor dhe poetik). Po ashtu nga Yves Montand, Catherine Sauvage, Alain Barrière ose Isabelle Aubret.
Ky ka qenë globalisht autori i famshëm francez Luis Aragoni. Me një jetë të pasur, të llojllojshme, me pjesë të bukura dhe tepër pozitive, si poet i dashurisë ndaj Elsës, si rezistent antifashisht dhe nazist, me qëndrimin e tij gjatë Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Dytë Botërore, me veprimet e tij kurajoze dhe nganjëherë edhe heroike. Aty meriton për t’ia hequr kapelën, sinqerisht. Mirëpo i ka pasur siç duket dy personalitete mjaft kontradiktore, si shumë artistë skizofrenë dhe bipolarë. Unë e kam pas takuar për fat të keq, anën e tij të errët dogmatike, staliniane, komuniste dhe tërësisht të mbyllur.
Dhe e kam kundërshtuar mjaft ashpër, por me kortezi, sepse e ka pas kaluar kufirin e tolerancës. Më ka ardhur mjaft keq, sepse e kam vlerësuar dhe e vlerësoj akoma sot si poet i dashurisë sublime dhe i kam në panteonin tim disa prej teksteve të tij, të kënduara nga Léo Ferré apo Jean Ferrat. Por pse me qenë aq dogmatik dhe i verbër, zoti Luis Aragon? Pa dyshim, je me Paul Eluard, René Char, Paul Valéry, Jacques Prévert, Blaise Cendrars, një ndër 5 apo 10 poetët më prestigjiozë të shekullit 20 në Francë dhe ndoshta edhe në botë. Ç’ka tu ka dashur ty personalisht Stalini, prej nga lukset dhe privilegjet e Parisit, lazdrimet e dikurshme me femrat e pasura që të kanë mbajtur gati si zhigolo? A e kupton, që janë për të gjithë ata që kanë qenë viktima reale të atyre sistemeve arbitrare, të dhunshme, patologjike dhe psikopatike në thelb, veprime komplet shokuese dhe të papranueshme. A e kupton, pse ke gabuar komplet me komunizmin, aty ku je, në botën tjetër, miku im?
Çka ke për t’iu thënë atyre 100 milionë viktimave të terroreve sovietike dhe kineze?
Ky është libri i zi i komunizmit planetar, miku im poet… Kalofsh bukur aty ku jé! Për fatin tënd dhe tonin, do nga ngelen si kujtim prej teje, ato poezi dhe këngë aq të bukura, kushtuar Elsës.
Më 25 dhjetor 2022 në Bruksel, me disa këngë të Léo Ferré-së dhe të Jean Ferrat në sfond.