Albspirit

Media/News/Publishing

Meti Rexhepi: Lirika e burgut e Avdush Canajt

 

Avdush Canaj, “Edhe ëndrrat në pranga: (lirika nga burgu)”, Sh. B. Armagedoni, Prishtinë, 2022

 Libri më i ri “EDHE ËNDRRAT NË PRANGA”, i poetit tashmë emër joshës për fëmijë e të rinj Avdush Canaj, përmes Sh. B. Armagedoni, doli me një vëllim prej nëntëdhjetë e gjashtë faqesh, me parathënie sintetizuese të poetit të mirënjohur dhe redaktor i këtij vëllimi poetik Adem Gashi, duke përfshirë edhe shënimet për autorin.

Ballina e këmbës së prangosur dhe pëllumbat fluturimit vertikal lartësisë së trupit, shfaqin simbolikën e para-hyrjes të paqësorit në ferrin e një ortodoksie mizore.

Motivet e trishtë përshkojnë tërësinë tematike të këtij libri. Gjithçka nis dhe përkon me Ditën e Sigurimit të Federatës së Sllavëve të Jugut, në Mostar, kur më 13 Maj 1983, kurdiset burgosja e autorit duke qenë ushtar, në moshën 27 vjeçe, së bashku me ushtarë të tjerë shqiptarë?! Para-përgatitetkurth një muaj para ditëlindjes dhe dy muaj, para se të kthehej autori në shtëpi nga shërbimi ushtarak, i detyruar dhe i ndëshkuar tejet vrazhdë! Të tjerat: tmerri, torturat raciste, cinizmi, vuajtjet, stoicizmi mëtojnë të shkrihen në vargim, që të habit autori si e ruante qetësinë e butësisë njerëzore, krejt kjo e pleksur përmes një ambienti të ferrit të gjallë! Duke lexuar të dukshmen, llahtarinë e prekshme, trajtat e dhimbjes në trup e shpirt, veshjen e brendshme të tëholluar me fije të idealit dhe të shpresës, teksti i shkruar tinëzisht, sugjeron identifikimin e tërthor për zbërthimin e një konteksti ekzistencial.

Në katër ciklet e librit përshkallëzohen vargimi i ngërthyer dendur me atmosferën e trishtimit, të papriturës nga çasti në çast… Nuk ka si të mos jetë e pranishme në figura edhe faunahelmuese kafshërore dhe, tejshkuar kësaj faune, hetuesit gjakatarë në trajta gjarpërinjsh helmues, ujqërish të tërbuar, por me arsenal shufrash në duar, prangash të hekurta për këmbët e njoma, drynash, plumbash “nëpër këmishë”. Djaloshine kanë futur brenda një infrastrukture, së cilës ia kanë përzënë mëshirën njerëzore: grilat, telat gjemborë mbi sy, nënkresë dërrase, “kiblla” kundërmuese për zbrazje fiziologjike dhe, gjithë mynxyrat tjera për ta çartur mendjen, për ta fshirë kujtesën, për ta zhbërë besimin për jetën, për ta thyer qëndresën, për ta ngrirë vullnetin, dashurinë e shpresën.

Trinomia e cikleve: nëna-liria-Arbëria 

Cikli i parë i librit “EDHE ËNDRRAT NË PRANGA” nëpërmjet tridhjetë e tri poezive, kryesisht të shkurta, asnjëra sosh nuk e kapërcen një faqe libri prej 20 centimetrash, e kishte futur subjektin lirik në një ferr të gjallë, jo fiktiv.

Në ciklin e dytë “Kur përplasnin derën e qelisë”, përmasa e ferrit të burgut të rëndë tingëllon, përplaset, kanosë trupin e shpirtin, porse në ndërdymen e poetit ka hapësirë të gjerë për t`i ngërthyer pamjet, përjetimet, që në fije të holla letrash duhani, poeti t`ia thurte gardhin kopshtit të vet nën një mbulesë me kundërmim kali. Ai dëshmoi se acari i burgut nuk mund t`ia ngrinte simbolet, metaforat, epitetet, ironinë, sarkazmat, hiperbolat, litotat, krahasimet, njerizimin, shpirtëzimin, me një fjalë anën tjetër diametralisht të kundërt me urrejtjen, që stiste trajta çnjerëzore të urrejtjes mbi një brez, madje mbi vazhdimësi brezash krejtësisht të pafajshëm, vetëm pse përfaqësonin etninë autoktone të Ilirikut të rrudhur; të rrudhur në përmasën e skajshme për t`u zhbërë!

Përderisa cikli i dytë vijon ndërtimin e lëndës të sprovës në Burgun Ushtarak të Sarajevës në vitin 1983 dhe, mandej në Burgun e Foçës të Bosnje Hercegovinës gjatë viteve 1983-1987; cikli i tretë “Do të vijë me diellin në duar”, brenda pesë poezish, vijojnë ngjarjet e Burgut të Foçës viteve 1984-1985. Për dallim nga dy ciklet e mëparshme, dy nga poezitë e këtij cikli kanë shtrirje më të gjatë  të shtjellë-ndërtimit.

“Kur dola nga ferri” pason cikli i katërt i vëllimit “EDHE ËNDRRAT NË PRANGA”, që përmbyllë këtë libër poezie të Avdush Canajt. Tërë librin e sipër cituar e përshkon lajtmotivi i trilogjisë: Nëna-Liria-Arbëria. Sido që mund ta rendisim këtë trini, qoftë dhe anasjellas thelbësorja mbetet e njëjtë. Po ta reduktojmë këtë shtrirje trinome mund të ngërthehet në togfjalëshin: Dashuria për Nënën. Kësisoj koncepti aspak nuk rezulton i ngushtuar, ngaqë i përmbledh të gjitha përmasat në një përmasë thelbësore: kuptimin e ekzistencës për lirinë e njeriut; për mirëqenien në natyrën dhe vendin e tij, si qenie e lirë, me mëvetësi etnike, etike dhe superstrukturë shoqërore. 

Vargjet e burgut

Askund nuk mund të gjakohen më me pasion dashuria, liria dhe nëna, se sa në atmosferën e burgut të rëndë; posaçërisht në burgjet e regjimeve diktatoriale me frymë etnocidi. Le t`i kemi parasysh burgjet e Federatës së Sllavëve të Jugut…Ato burgje sikurse të ishin fortifikuar veçmas për etninë shqiptare! Të dhënat e shënimeve të Federatës Jugë-sllave për të burgosurit politikë shqiptarë ishin tejet shqetësuese. Pothuajse shtatëdhjetë për qind e të burgosurve, ose më saktë, burgjet për të burgosurit për sajesa politike ndaj shqiptarëve, në veçanti për shtresimin intelektual dhe moshën rinore, ishin kampe të dhunshme përqendrimi! Në kampe të tilla,jetën e të burgosurve shqiptarë e ndante vija e hollë e shfryrjes sadiste mes jetës dhe grackave të vdekjes!Të tmerrshëm qenë: burgu i Nishit, Zabella e Pozharevacit, CZ i Beogradit, Goli Otoku nam keq, burgu i Stara Gradishtës, burgu i Foçës në Bosnje Hercegovinë, burgu ushtarak në Sarajevë dhe gjetiu.

Keqtrajtimi i tmerrshëm, madje sadist i morisë të burgosurish shqiptarë, të kthyer nga shërbimi ushtarak, në arkivole hermetikisht të mbyllur, dhjeta e dhjeta të rinj shqiptarë! Vrasjet me torturë nga politika e mbylljes së gojës dhe, frenimi i lëvizjes së veprimtarëve tëvetëdijes tonë më të spikatur kombëtare, si: masakrimi i Fazli Greiçecit në burgun e Prishtinës;likuidimi i Zijah Shemsiut në CZ të Beogradit, e tjerë; dëshmojnë për zbatimin e vijueshëm të planeve kob-zeza të etnocidit të V. Çubrilloviq nga Akademia  e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, nga Kisha Ortodokse Serbe, zbatuar nga A. Rankoviq, S. Millosheviq dhe të gjitha qeveritë në vijim. I njëjti synim luftënxitës në planet dhe kokat e nxehta të shtetit verior, të zgjeruar në kurrizin tonë, sikur dje, në të sotmen dhe në të ardhmen, mëton të mbajë të ndezurluftën pushtuese për grabitje trevash tona, edhe në shërbim të gjeopolitikëspër rikthimin e Perandorisë Ruse.

Rrëqethëse mbetet poezia e kampeve të diktaturës greke në poezitë e poetit Janis Ricos. Pa u zgjeruar në modele të tjera, përkitazi artit të burgjeve, tek poeti ynë i burgut Avdush Canaj, shohim e ndjejmë të përbashkëtat e modelit të Ricosis-it, por edhe veçantinë. Le t`i prekim, t`i prekim thellësisht mënyrat dhe mjetet e përjetimit poetik për burgun e Avdush Canajt, për përjetësimin e asaj dhimbjeje në artin e vargut.

“Dëshmitari” i poezisë “Dëshmitari”, i kurdisur“dëshmon” një përtrollitje, që logjikshëm i përkiste unit të akuzuarit: “Republika të jetë si dielli” dhe, “Do të na rrezojë njësoj”. Vjen një pohim krejtësisht i natyrshëm, mirëpo, për inkuizitorët ishte heretik, armiqësor! Për këtë “dëshmi”, si një e drejtë themelore e popullit të tretë në ish Federatën e Sllavëve, poetin e “nisin” “drejt ferrit të ujqërve”.

“Dëshmia” për gjykatësin sadist ishte e mjaftueshme, që të sajojë një “drejtësi” në funksion të dhunës. Subjekti njerëzor dhe uni poetik, në vetën e parë, nxjerr pohimin e një ironie, e cila në brendi ka habinë e dhimbshme për inkriminimin e shpifur:

“mua, mëkatarin pa mëkate”.

Vargu përmbyllës i këtyre vargjeve, meqë poeti përdorë shenjat e pikësimit, nuk ka pikëçuditje, as pikëpyetje. Përse? Ngaqë subjekti poetik kundruall kësaj mendësie, sheh se për mendësinë zotëruese gjithçka është e lejueshme, e stisur, e papenguar, e papërgjegjshme, e paragjykuar si e tillë dhe si e rëndomtë?!

Përfaqësimi i dy përmasave 

E veçanta e vargimit, e këtij vëllimi poetik është poezia, janë vargjet që burojnë drejtpërdrejti nga njëri prej kampeve të përqendrimit në Bosnje. Autorit do t`i kenë dalë dilema: çfarë të veçonte nga e keqja për të ngre estetikën e të bukurës në vargje? Nga ky vëllim poetik dalin vargjet e përplasjes në muret e përgjakura, vargje të sprovës këmbë e duar lidhur, kanosjet verbale e fizike, përditshmëri përbuzëse, shtyrje në më të skajshmen e dëshpërimit, deri në fijet më të holla të penjve, që tëhollohen aq sa për ta mbajtur të lidhur fiziologjinë e anatomisë njerëzore… Ndonëse sedra e stoicizmit i mbante të lidhura të gjitha arteriet e zemrës, duke i ushqyer me vullnet të plagosur durimin, dashurinë për idealin dhe shpresën. Shpresa ishte joshjeylberi  për t`ia dalë ngujimit nën grila e telat gjemborë! Pra, vargjet dalin nga shtytja e trusnisë së fortë, të cilat bien mbi autorin herë si breshër, herë si copa akujsh mbi kokë, herë si shi i ylbertë pranveror, herë si blerim i shkrumbuar. Ku e ku shpresës i ngurtësohen këmbët, ku e ku shpresa merrte trajtën e shqiponjës. Por, një le të dihet: këto tufëza varg-thurjesh nuk janë krijime të imagjinatës së kabinetit; janë shkrime të shkëputura nga një ferr i gjallë prej betoni e grilash të hekurta, prej fytyrash gjysmë-njeriu, gjysmë kobrash, që kur drejtohen të zënë rrëqethjet! Autori, ndonëse i moshës së re, nuk ishte pa një përvojë të akumuluar paraprake. Vargjet e kësaj përmbledhjeje, specifike për motivet që trajton, kryesisht me katër epesë-gjashtë rrokje shtrirjesh, por arrijnë të sjellin dramën e tragjizmit e të dhimbjes, stoicizmin grusht e dhëmbë-shtrënguar dhe urtësinë e të burgosurit të ndërgjegjes shqiptare.

Vargjet e poezisë të librit “EDHE ËNDRRAT NË PRANGA”, ndërtohen kryesisht mbi dy kontraste. Kontrastetpërfaqësojnë dy përmasa themelore: robërinë dhe qëndresën, etikën e panënshtruar dhe pasojat. Megjithatë, vargjet kapin edhe nuanca kontrastesh,duke apostrofuar simbolin kombëtar të shqiponjës:

“Ku e ke fshehur, ku?

I thanë me kërcënim.

Nuk është larg, – u përgjigj,

E kam në trupin tim”*

Gërshetimi i të mundshmes me të pamundshmen i hap shteg  një fluturimi simbolik, fluturimit veprues të shqiponjës, në sfondin e saj të maleve, tej hapësirës së mbyllur me grila e dryna hekurash:

“Deshën me cigare

T`ia digjnin atë natë,

ajo  hapi flatrat sa qielli

dhe sqepi iu bë shpatë”

Syri përgjues i ferrit 

Poezitë si këto: “Ëndrrat me pranga”, “Hekura e hekura”, “Me tela”, “Syri i ferrit”, “Pas shpinës së një reje”, “Me sy të çartur”, “Një yll”, “Plumbi nëpër këmishë”, “Në duart e tij”, “Lapsit ia nxorën zemrën” dhe të tjera, e ngjeshin dendur ferrin ekzistencial me të gjitha nuancat e të zezës. Trajtimi estetik i pjellave djallëzore të tmerrit, e shëmtuara me simotrën e tragjikes, dendësohen nëpërmjet një stili tejet të kursyer, aq sa të dyshosh për mundësinë e kapjes të kësaj lënde kaq të gjerë, me amplituda të theksuara emocionale dhe ideore.E thëna përkon me qetësinë, heshtjen e detyrueshme me kamxhik gardianësh dhe, syrit të kudo ndodhur të përgjimit: para dhe prapa muresh të trashë, andej dhe këndej drynash, metalesh të fortifikuar, shpirtrash djallëzorë.

Vargjet e cituar në fillim të diskursit, në tre sosh, japin pamjen dhe ndjeshmërinë:

“Edhe ëndrrat

vijnë këtu të lidhura

me pranga”*

 

Radha e vjershës së dytë:

“Kot vunë hekura

e hekura

në të katër anët.

 

Dielli megjithatë përbirohet

kur s`është roja

dhe na ngroh

duart e akullta”

 

Fare lehtë është e zbërthyeshme ngërthesa artistike në vargjet:

“Hëna s`do  t`i shohë

duart tona skelet i gjallë.

 

S`i shtrëngojnë më as prangat

Ndaj na i lidhin me tela”.

Nënteksti e thotë qartë: me gjithë fortifikimet e hekurta, Diellin dhe rrezet e tij, nuk mund t`i burgosen bashkë me të burgosurit!

Përmasa e dhunës dhemb dhe prekë dhimbjen deri në asht. Metafora e dhimbjes merr shtrirje deri tek Hëna, që me ciklin e vet të rrotullueshëm, këndet e saj rrotulluese, sado pak ia fshijnë errësirën territ të hijes së dendësuar në tokë. Kështu ndodh kur mrekullia e tokës ia kthen shpinën zjarrit të dritës. Vetë njeriu ia kurdis t(f)errin njeriut! Qëmtim domethënës është figura e shpirtëzuar e Hënës, ngaqë sikur nuk donte t`ia shihte poetit “duart tona skelet të gjallë.” Diskursi i kapjeve analitike të tekstit vijon të citojë dyvargëshin e vjershës së radhës:

Njëri sy i ferrit

Na përgjon edhe ëndrrat”.

Poetit Avdush Canaj i hyjnë në përdorim përpos epiteteve, simboleve, llojet e larmishme të metaforës, mandej shpirtëzimi e njerizimi i gjësendeve, i dukurive, i florës dhe faunës, të cilat ushqejnë ndjeshmërinë poetike, ideore dhe estetike dhe, i japin shtytje intuitës për depërtime tej syprinave mashtruese, gjithnjë thellë e më thellë njëmendësisë së ndodhive… Ku? Aty dhe atje ku mund të këputet zinxhiri gjakatarë i çdo tirani e tiranie. Ecejakeve të diskursit shihet edhe roli i shpirtëzimit, i cili shfaq dëshmi të ndjeshme shpirtëzuese:

“… edhe hëna e pa

barbarinë e barbarit mbi ne,

ndaj u fsheh

pas shpinës së një rejè

për ta fshirë lotin”.

Në vazhdën e kësaj tipologjie lirike, të një lirike të ngarkuar me peshën e rëndë të jetës, hullitë e para tronditëse mbi subjektin dhe psiken e poetit, pastaj përballjet e trishtueshme dhe të neveritshme, që mbollën bimën e keqe në një realitet namkeq; megjithatë nuk korrën të priturën e farë-keqes. Subjekti lirik i burgosur, në dukje krejtësisht i brishtë, nuk nënshkroi kurrfarë kapitullimi. Poli autoritar përshkohej nga çartja dhe tërbimi!

Përse poli i autoritarëve i skërmisnin  dhëmbët e tyre prej ujqërish të uritur? Në shpirtin e subjektit lirik gjerë e gjatë ishte shtrirë përmasa e stoicizmit.  Njëkohësishtndjeshmëria lirike e vargut mbështillej me mburojën e të madhërishmes. Jeta dhe vdekja kishin përjashtuar njëra-tjetrën. Vdekja si dukuri e përhershme e jetës po e përjashtonte frikën! Mbi këtë postulat thuret guximi i varg-thurjes:

“Sa herë vijnë

me sytë e çartur

me ta është edhe vdekja.

 

S`na lëviz qerpiku

si shqiponjave.

 

Kokë ulur dhe e turpëruar

ikën vdekja”.

 

Gjithnjë nëpërmjet shpirtëzimit poetit i vjen në ndihmë bota yjore (astrale). Me dritën e shndritjes së yllit të largët, drita e të cilit përshkon dritaren e hekurt,  ndaj të bashkuar:

“i shkruajmë

letër

Nënës”.

Në krejt mizorinë e fytyrave “të çartura” dhe mendjeve të tërbuara, haset edhe ndonjë zemër, e cila nuk e kishte shitur krejtësisht njerëzoren:

“E dëgjova

kur pëshpëriti:

Si të vritet

ai pëllumb i bardhë?

 

Kot e kërkova

atë gardian burgu,

Kurrë më s`e pashë”.

Kontrastet e dy gjendjeve të pabaras-peshuara, iu kurdiskan jetës me gracka të hapura, të maskuara, të pakapërcyeshme, shënjestra për goditje vrastare:

“Në duart e tij

arma,

prangat

dhe jeta ime.

 

Në duart e mia

sall guximi

dhe dashuria

për tokën”.

Nga shkase fare të rëndomta gjësendesh poeti zbulon veçanti, duke i shpirtëzuar dhe njerizuar; duke iu dhënë gjallëri kumtimitpër gjithçka, që është e drejtë themelore e njeriut por, e mohuar. Fare mirë e kuptojmë gjendjen e vlimit të subjektit lirik, të cilit nën regjimin mizorë të burgut nuk i lihet asgjë në dorë, madje as edhe një laps i thjeshtë. Lapsi ishte mjeti që shkrimtari t`iu jepte brengave trajtë, t`i shkarkonte së paku në letër, e cila nuk i lejohej: ankthin, ëndrrat, përfytyrimet, trazimet e shpirtit. As dhe kjo mundësi, që ta mbështillte perin e pafund të kohës djerrë, nuk iu lejua poetit:

“Lapsit tim

ia nxorën zemrën

Ja dëgjova ofshamën e kaltër

Oh!

 

S`lejohet këtu të shkruhen vargje.

 

Ato nuk m`i gjeti dot gardiani

i kapërdiva shpejt

si letrën sekrete ai partizani”. 

Funksioni stilistik i shkrimit

Përballjet gjithnjë mizore me trajta dhe forma të ndryshme  torturash, që i përplaseshin subjektit të gjallë të kësaj poezie, në vjershat “Lapsit ia nxorën zemrën” dhe në tjetrën “Vëllezër të Prometeut”, durimi dhe qëndresa marrin trajtë ngadhënjimtare dhe, autoritetet ndjehen të mundur, të dështuar:

“Plasin nga inati ata:

Shqiptojeni së paku një Oh!”

Karakteristikë themelore e këtij vargimi sprovash të poetit Avdush Canaj, është lehtësia dhe qartësia e kapjes dhe trajtësimit të kumtit, me të gjitha pleksjet figurative të ndjenjës, të idesë, të ritmit, tablove të përfytyrimeve, efekteve të perceptimit, të receptivit dhe të përjetimit estetik. Rrjedha e lehtë nëpër qartësinë e vargut, nuk do të thotë, që vargu merr rol vetëm përshkrues, pasqyrues i syprinave, i gjësendeve, i dukurive, i frymorëve, i pamjeve të gjalla jetëdhënësetë natyrës së ngurtë. Assesi.

I tërë fjalori i vëllimit poetik “EDHE ËNDRRAT NË PRANGA”, veçohet për shprehjet e sakta, të përshkuara me ndjeshmëri të thellë çiltërie, pa kurrfarë ndërlikimi hermetik, pa lejuar rrëshqitje euforike e gufime të skajshme emocionale, por veçse brenda natyrës të arsyes njerëzore. Vargu i Avdush Canajt në vazhdimësi, nuk bëri salto morale, as salto mortare. Ai ruan masën e njerëzores dhe, e gjen veten tek një standard disipline të admiruar; kryesisht brenda shtjellimesh të shkurta të idesë arrin të thurë sinteza domethëniesh ideore, metaforike, me tekst të hapur e nëntekst për thithje, që ngjallin përfytyrime dhe, të lë të meditosh më gjatë për jetën e zgripet e saj:

“Bojë kemi gjakun

penë gishtat

fletore me katër fleta

muret e qelive.

 

Ndonjë rreze përbirohet

dhe lexon vargjet tona

për diellin e pranguar”.

Autori i kësilloj stili zotëron bindshëm mjeshtërinë e përdorimit të përmasave zmadhuese e zvogëluese, mes këtyre përmasash lëvizin pamjet dhe joshet kureshtja, të cilat të bashkuara ngrenë figurat dhe kuptimin artistik të shkrimit.

Ideja e lënies gjurmë me penën e gishtave të ngjyer me gjak, shkruar në “muret e qelive”, padyshim eshtë një trajtim mbresëlënës. Mirëpo, kjo nuk është shkathtësi e qëmtimit fiktiv, është përvojë e jetuar e sprovës; dhimbje e drejtpërdrejtë jashtë kopertinave të ndonjë libri. Është një shkëputje dhe hedhje në letër fshehurazi e filozofisë së flijimit, borxhlinjve tanë të përhershëm. Kësisoj, shenjtërohet tragjikja e krijuesit të flijuar për ideale, të cilave shoqëria e konsumit mund t`ua kthejë shpinën e t`i lërë të dergjen prapa Diellit!

Duke lexuar dhe nënvizuar ngërthesat emocionale-figurative-ideore dhe stilistike,  mund ta zbërthejmë diskursin e të paktës, që thotë shumë, të shumtën që thotë pak. Pikërisht në këtë model e shohim zbatimin e këtij parimi stilistik, të cilit çdo shkrimtar do t`ia kishte lakmuar. 

Veshjet metaforike dhe ironia

Vjershat e shkurta janë strukturuar në vazhdën e stilit figurativ-metaforik,  me shumësi idesh. Vargjet pozicionohen asisoj që të jenë  në pozitë dhe opozitë të thënies. Situatat paradoksale janë befasuese, porse jo larg logjikës  për t`i konsideruar absurde.

Në poezinë “Gjarpërinjtë” poeti ngre lart mitin e lirisë:

“Na i lëshojnë

edhe gjarpërinjtë.

 

Ata bien të ngordhur

Nga gjaku ynë.

 

Gjak lirie.”

 

Këtu shohim se si miti i lirisë shndërrohet në serum pra, kundër helm i helmit të gjarpërinjve! Qëmtime të këtilla vargjesh gdhendin emblema të bukura, simpatike për prirjen qëmtuese të art-shkrimit. Pritja e plagëve të reja, të befasishme, përshkallëzimet e marrëzisë autoritare, i hapin mundësi varianteve të ironisë:

“Ç`është ky zë? – pyeti roja

Qielli,

qielli po guguron

për lirinë e tyre

thanë trishtueshëm gardianët.

 

U dha urdhri:

Të vritet qielli!”

 

Ironia humb logjikën tokësore  dhe i jep kahe absurdit e marrëzisë, asaj marrëzie larg çdo logjike të realitetit dhe të së njerëzishmes!

Gjatë gjithë hapësirës poetike specifike të këtij libri, hasim formulime vargjesh emblematike, si:

“S`ke të drejtë! – krrokati  një korb

Unë qesha si liria” 

Letërsia shqipe e burgut

Kapitull më vete i letërsisë shqiptare është letërsia e burgut. Disa nga penat e vlefshme të kësaj letërsie, qoftë në Shqipërinë Perëndimore nën diktaturë të djathtë a të majtë, qoftë    në Shqipërinë Lindore të ndarë e të copëzuar nëpër shtete sllave të jug-lindjes së Ilirikut, pa statuse shtet-ndërtuese: si në Kosovë, Maqedoni Perëndimore, Luginë e Preshevës, në Mal të Zi, përjetuan trajtimet më të egra të burgut!  Një lagje e shkrimtarëve shqiptarë i ngjyen penat e tyre në gjakun e ferrit të burgjeve tiranike, si: Haki Stërmilli, Musine Kokalari, At Zef Pllumi, Kasëm Trebeshina, Pano Taçi, Visar Zhiti, Fazli Greiçeci (Heroi i Flamurit), Adem Demaçi (Mandela i Kosovës), Murteza Xajë-Nura, Mehmedali Hoxha, Rexhep Elmazi, Jakup Ceraja, Zeqir Gërvalla, Teki Dervishi, Vezir Ukaj, Fatmir Salihu, Mehmetali Rexhepi, Bajram Kosumi, Hydajet Hyseni, Merxhan Avdyli, Prend Buzhala, Halil Matoshi e të tjerë.

Këtij mozaiku shkrimtarësh ngjitet edhe AvdushCanaj. Të gjithë këta shkrimtarë dhe moria e të papërmendurve këtu, letërsisë shqipe ia shtojnë këtë kapitull të veçantë, të dhimbshëm dhe me vlera të pakontestuara, që ia falën letërsisë tonë,  të  emërtuar si letërsia shqiptare e burgut. 

Gjilan, dhjetor 2022.

Please follow and like us: