Albspirit

Media/News/Publishing

Porti i jahteve, potencial për firmë mashtruese piramidale

AVOKAT BRIKENA BOGDO
“Durrës Yachts & Marina”, një shoqëri e përbashkët mes qeverisë shqiptare (33%) dhe dy shoqërive nga Emiratet e Bashkuara (67%), ka bërë të ditur, zyrtarisht në faqen e saj, më datë 8 dhjetor, se do të fillojë shitjen e apartamenteve. Ndërsa projekti i Marinës së Jahteve, në Durrës, një investim prej mbi 2 miliardë eurosh, nuk ka nisur ende, oferta për shitjen e apartamenteve ka dalë publikisht. Kjo kompani, po funksionon me kontrata të jashtëligjshme, në mashtrim të ligjit. Kontratat e shitblerjes duhet të kenë formën e përcaktuar juridike, që të prodhojë efekte juridike, në të kundërt konsiderohen, absolutisht të pavlefshme.
Në emisionin e tij, i mirënjohuri Adi Krasta më bën një pyetje: Pse po i hyjmë një kasaveti shumë të madh, duke spostuar portin e Durrësit, drejt Porto Romanos? Krahas shumë argumenteve, po arrij në konkluzionin, që çështja është thellësisht e komplikuar dhe po luhen lojra shumë të rrezikshme. Pasi revista “Monitor” publikoi Kontratat e Prenotimit, apo Kontratat Paraprake të Shtiblerjes, po bindem që është një formë e re potenciale, për një piramidë financiare mashtruese, si ato të mes viteve ‘90.
Këto kontrata janë pa lejen e ndërtimit, pa emrin e firmës së ndërtimit (kush do e ndërtojë) dhe pa planimetri të përcaktuar. Planimetria eshte pjese integrale dhe e pashkeputur nga kontratat e shitblerjes, pasi tregon qartë lartësinë e ndërtesës, nr. e apartamenteve, etj. Por, kjo praktikë nuk ekziston për këtë projekt. Në pikën 2.2 të kontratës thuhet: “Planimetria e kateve dhe/ose planimetria e pronave, referuar në këtë marrëveshje janë vetëm për qëllime indikative dhe ilustruese, pasi këto planimetri nuk janë përfundimtare dhe janë subjekt i ndryshimeve”. Në pikën 2.4 të kontratës shkruhet, që planimetria është e ndryshueshme dhe pala e interesuar do të njoftohet për ndryshimet e mundshme të planimetrisë.
Një element tjetër i domosdoshëm në kontratë është kompania ndëertuese, që ka marrë lejen e ndërtimit. Në rastin konkret, kush është firma ndërtuese? Me cilën firmë ndërtuese duhet të kontaktojë klienti? Deri tani, kemi një kompani zhvillimore, aspak një firmë të mirëfilltë ndërtimi, që të mund të verë firmën legalisht në një kontratë, në një zyrë noterie. Asnjë kontratë nuk ka vlerë juridike, nëse nuk është e firmosur dhe e vulosur në një zyrë noterie. Asnjë zyrë noterie nuk mund ta firmosë këtë kontratë, të paraqitur nga kompania Yachts&Marina, Durres. Këto kontrata janë të pavlefshme dhe kjo është, po kaq e vërtetë, sa hedhja në erë e rezidencës “Prestige”, për mungesë të lejes së ndërtimi. Prandaj, kjo kontratë është absolutisht e pavlefshme dhe çdo shitje është mashtrim, zhvatje lekësh të shqiptarëve.
Kjo është një situatë e mbrapshtë, paligjshmërie shtetërore, që mund të gjenerojë konflikte të thella ekonomike, sociale, politike, të modelit të firmave piramidale që kulmuan në vitin 1997, ku firma shumë të dyshimta mblodhën lekët e shqiptarëve, me letra paçavure, për t’u zhdukur më pas me paratë e miliona shqiptarëve.
Investimi i parashikuar në fazën e parë është 595 milionë euro. Kompanive investitore u kërkohet që të mbajnë në llogaritë e tyre një shumë që korrespondon me tridhjetë për qind (30%), ndërsa mund të grumbullojnë të ardhura nga shitjet, apo të fusin bashkë-financues të tjerë. Pra, fatkeqësisht, po lejohet nga shteti, që kjo kompani të grumbullojë para, në mashtrim të ligjeve shqiptare, madje në forma të rrezikshnme, që historia ka treguar, që kanë gjeneruar kaos dhe përplasje civile. Kjo skemë financimi e apartamenteve është e ngjashme me atë që ndodh rëndom në vend, duke mundësuar parapagimet, d.m.th. shitjen e apartamenteve, që në ajër. Në rastin konkret kjo paligjshmëri është e lejuar nga shteti, sepse është palë me kompaninë. Por, nuk bëhet më fjale për disa apartamente, por 12 mijë apartamente dhe tre miliardë euro.
Sipas planit, sipërfaqja dysheme bruto e ndërtimit (Gross floor area -GFA) do të jetë 1.36 milionë metra katror, që mund të arrijë deri në 2 milionë m2, në skenarin më të mirë, në një sipërfaqe neto prej rreth 440 mijë m2. Nga sipërfaqja e ndërtimit, në skenarin e parë (1.36 milionë m2), rreth 93% do të jetë sipërfaqe rezidenciale dhe nga 3.5%, përkatësisht do të jenë hotele e sipërfaqe tregtare. Kjo tregon një projekt banal pallatesh thjesht për zhvatje parash, kurrsesi zhvillimor për Shqipërinë. Në rastin konkret, me propagandë, po shitet sikur ky projekt do të zhvillojë turizmin, në atë vend, për t’i dhënë impakt ekonomisë. Në Itali, një nga vendet më turistike në botë, turizmi nuk zë më shumë se 12%, në ekonomi. FMN-ja sapo ka ngritur alarmin që mund të bien çmimet e apartamenteve. Dhe nëse ndodh ky parashikim i FMN-së, ky projekt do të rezultojë një farsë dhe një falsitet.
Por, investitori strategjik duke qenë shumë koshient për këtë rrezik dhe shumë rreziqe të tjera, e ka siguruar veten, që të mos dështojë dhe të mos dalë i humbur, madje të dalë i fituar në këtë investim. Siguria e tij janë, pikërisht këto kontrata të paligjshme, të cilat po mbledhin lekët e shqiptarëve, pa leje ndërtimi dhe pa filluar ndërtimi. Të ardhurat totale të projektit (nga shitja e ap. parkimeve, hoteleve) është afërsisht tre miliardë euro, ndërsa kosto e përafërt e investimit është dy miliardë euro dhe fitimi total arrin në një miliard. Duke iu marrë shqiptarëve 20 përqind pa marre lejen e ndërtimit dhe 20 përqind pa filluar ndërtimi, pra gjithsej 40% të vleftës së apartamenteve, kompania nxjerr afërsisht koston e investimit pa filluar ndërtimin. D.m.th. ndërtimi behet me lekët e shqiptarëve dhe kompania merr vetëm fitim nga gjithë ky projekt.
Këto tip ndërtimesh, me këste paraprake, pa filluar ndërtimi i kemi parë në fillim të vitet ‘90, ku firmat ndërtuese falimentonin. Mos harrojme gropën e Hajdin Sejdisë, i cili mblodhi milliona lekë dhe u largua pa kthim. Ajo gropë ndenji gjatë, në qendër të Tiranës, sepse me sa duket shqiptarët duhet ta ruanin gjatë në memorje atë, si një makth për të mos u përsëritur më ai mashtrim.
Kontrata e porosisë, ku klientit i kërkohet të paguajë 1200 euro, vetëm për të porositur nje blerje, është një tjetër mashtrim, sepse është në ajër, pa asnjë dokument ligjor, të parashikuar në ligjet e shtetit shqiptar. Durrsakët e dinë shumë mirë rrezikun e kësaj situate, se si në një të ardhme, shumë klientëve, që do t’u erren sytë nga gënjeshtrat e propaganda, do t’u mbeten në dorë çelsat virtual, ashtu si kontratat virtual, pa formën ligjore. Vite më parë, kryeiministri actual u kërkontë shqiptarëve, që të ishin të kujdesshëm në blerjen e apartamenteve, madje mos t’i blinin ato, pa hipotekë në dorë, jo më pa leje dhë kuturu, kujtdo që u del perpara për të shitur ajër, apo gropë.
Është piramidale mënyra se si iu mblidhen lekët shqiptarëve. Në këto kohë krizash mund të ndodhë, minimuni një faliment i firmës apo avullim i investitprit, aq më tepër që diskutohet që janë kompani offshore (nuk dihet ende kush janë pronarët). Pa filluar ende ndërtimi po u merret klientëve 40 % e shumës. Pjesa tjetër prej 60% paguhet gradualisht, gjatë ndërtimit të structures, deri në përfundimin e objektit. Ndërkohë, nuk jepet garancia, se në përfundim do të blesh pronën, sipas vendndodhjes së prenotuar (sepse planimetritë, sipas kontratës, janë të ndryshueshme).
Ta kthejmë memorjen në kohë. Bilanci i vitit 1997, është 3000 të vdekur, 3500 aparatmente dhe shtëpi të humbura, 260 mijë familje të përfshira ose 1.8 milionë shqiptarë të përfshirë të cilët kanë derdhur 1.3 miliardë euro, në firmat[piramidale. Atëhere dihej kush po mblidhte lekët e shqiptarëve. Po tani, kush po kërkon të mbledhë sërish miliarda euro? Kjo shifër, tashmë prej 3 miliarde euro, me Yacht & Marina, Durres, është më shumë se dyfishi i shumës së derdhur në vitin 97. Shteti është në partneritet, vetem 30 përqind dhe nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore per 70% të parave që mund të avullojnë. Me eksperiencat e mëparshme, që kemi si popull, ky projekt tingëllon një minë me sahat, që dikush t’i heqë siguresën, për të shpërthyer një luftë tjetër civile, pasi përfshin shumë apartmente dhe shumë të ardhura shqiptarësh. Vitet ‘90 po kthehen kokëfortë, ikje masive shqiptarësh, tip ndërtimesh me kontrata të pavlefshme ligjore dhe hedhje lekësh në gropa e ajër, si ajo e firmave piramidale, por tashmë beniamin është direkt kryeministri shqiptar. Historia, karma përsëritet dhe na godet sërish, nëse nuk heqim me themel të keqen. Nëse bën sërish të njëjtën gabim ai shndërrohet në faj e më pas në krim, por me përmasa shterore dhe shqiptare. Të shkatërrosh portin e Durrësit si një pikë strategjike, për një projekt krejt banal, ky është krim shtetëror. Të mos kthehemi në recidivistë të krimit. `
Please follow and like us: