Dr. Jorgji Kote: Buzëqeshjet poetike në dy kohë të Eden Babanit
Eden Babani njihet si gazetar, publicist dhe prozator. Atij iu mohua profesion-pasioni i tij i hershëm si mësues më 1968, pas një fletërrrufeje prej dy nxënësve të nxitur nga dikush për shkak të “ceneve” në biografinë e tij. Themi kështu, sepse Edeni, i cili 25 vitet e fundit jeton në Bruksel, ka shkruar 6 romane dhe vëllime me tregime.
Fletoret me vjersha të zakonshme i ruante në dhoma në shtëpi, ndërsa ato “me zarar” i siguronte me shumë kujdes në vende të fshehta, si në tufat e druve të zjarrit ose i “dërgonte mysafire” te një teze dhe te xhaxhai.
Poezia e pare i takon vitit 1955, kur ishte 20 vjeç.
Pas vitit 1991, kur demokracia i riktheu, jo vetëm buzëqeshjen e vërtetë por mbi të gjitha të drejtat e qytetarisë të mohuara në mënyrë fare absurde, filloi me shumë kujdes t’i mblidhte dhe t’i sistemonte poezitë e hallakatura sa andej këtej.
Me sugjerimin e shokëve dhe dashamirësve, kohët e fundit i botoi në vëllimin poetik “Buzëqeshje në dy kohë” nën kujdesin e miqve të vet, Lek Pervizi, një monument i gjallë referues i vuajtjeve dhe trajtimeve çnjerëzore nën diktaturë me gjithë familjen për 45 vite rresht dhe gazetarin e njohur, kritikun letrar, Gjovalin Kola.
Vëllimi ka 43 vjersha dhe poezi me një tematikë të larmishme. Ai gëlon nga mbresa të shumta, emocionuese dhe prekëse, të shpalosura në dy epoka diametrialisht të kundërta. Poeti ka qenë i vetëdijshëm për pasojat që mund të sillnin përjetimet e tij poetike; për shkak të biografisë së papërshtatshme për regjimin monist, Babani bënte pjesë në listën e personave të padëshiruar. Kjo e detyroi të mbyllej në vetvete dhe të kalonte periudhat e vështira duke bashkëbiseduar e duke “qarë hallet“ me poezinë, me reflektime të thella mbi realitetet e hidhura. Këtë e tregon me emocion, vërtetësi, sinqeritet dhe nostalgji qysh te poezia e parë “Poeti jashtë Lidhjes“ kur shkruan me dhimbje, keqardhje dhe trishtim të thellë shpirtëror:
“I varfëri unë/
Poeti i vetëquajtur/
fatkeqi poet i natës së zezë/
poeti jashtë Lidhjes/
që marr guximin dhe mëtoj të shkruaj poezi/
kur nxin gjithçka nga errësira/
dhe mua rrezikziun s’më dëgjon njeri”!‘
Mirëpo të ishe “jashtë Lidhjes” nuk ishte aq e thjeshtë, sepse ajo përcaktonte fatin e artistit në jetë, mbijetësën e tij, madje jetën, vdekjen ose burgun.
Këtë e tregon historia tragjike e poetëve “jashtë Lidhjes“, martirëve të demokracisë, Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Genc Leka e të tjerë, të cilët e paguan me jetën e tyre pasionin poetik dhe disidencën anti-komuniste, ndërsa Visar Zhiti, Frederik Rreshpja e të tjerë me vite të gjata burgimi.
Megjithë vuajtjet dhe peripecitë e jetës, në poezitë e Babanit nuk gjen urrejtje, inat, zemërim ndaj njerëzve që me dashje a pa dashje i bënë keq në jetë; aty ndjen keqardhje, mëshirë njerëzore dhe natyrisht qëndrim dhe denoncim të fortë politik të sistemit që i detyronte dhe njerëzit e pafajshëm të bëheshin të këqinj ndaj njeri-tjetrit. E sheh këtë qartë të “Unë dhe lufta e klasave“ në tri poezi tejet domethënëse dhe sintetizuese: “Gjak për liri“, kushtuar xhaxhait të tij dëshmor në luftën për çlirimin e Krujës; “Gjak për demokraci” për gjyshin e tij të pushkatuar nga regjimi më 1948 dhe “Mes dy gjakrave“ ku tregon pozitën e tij delikate njerëzore përballë atyre dy gjakrave dhe dilemën hamletiane, veçse jo thjesht “të jesh apo të mos jesh” por se ç’duhej të bënte e si të qëndronte në ato momente për jetë a vdekje.
“Muri” i madh që ndan dy epokat, sidomos për Babanin janë “Pesimiste 1972” dhe “Optimiste 1991”. Buzëqeshja në rastin e parë ishte me zor, nga halli, ajo fshihte trishtim, mjerim, vuajtje, pasiguri për të ardhmen, për mbijetesën, kur sapo kishte filluar të binte shpata dragoniane mbi grupet armiqësore dhe po zhdukej dhe ai minifllad liberalizmi në art, kulturë dhe ekonomi. Kjo duket qartë te “Baritja nëpër errësirë” që tregon dhimbjen e poetit për fatin e shokut të tij të rinisë, Burim Kokoshi, i cili u dënua për të dytën herë si i burgosur politik në fillimin e viteve ‘60. Këto ndjenja shfaqen dhe “Në agimin e demokracisë” si një homazh për dëshmorin e demokracisë, Artur Lenja, i cili u vra nga patrullat ushtarake më 24 prill 1991.
Krejt ndryshe shkruan Babani 19 vite më vonë, te ”Optimiste 1991”; mjafton këto pak vargje për të treguar këtë realitet të ri epokal:
“Sikur të ngjalleshe moj nënë/
pa të të shihje ç’nur që më ka rën/
të shihje si u bëra një me djemtë dhe çupat, si m’u kthye në fytyrë buzëqeshja, si u shporrën tutje brengat, psherëtimat, heshtja”!
Në vëllim kanë shumë vend reflektimete pse jo dhe çapkënllëqet rinore, mbi të gjitha, kërkimi drejt dashurisë dhe lumturisë, përkushtimi ndaj familjes, nënës, vëllait, gjyshit… që i sillnin fat në pafatësinë e tij.
Te poezitë “Në kërkim të lumturisë” dhe “ Ende çapkën” kalohet në nota të bukura lirizmi, kur poeti “arratiset” sa andej e këndej, në romantizmin e vet për të gjetur lumturinë; derisa ai e kupton se kjo fjalë dhe gjë e madhe mund të gjindet thjeshtë dhe te përqafimi i një miku, në njëputhje rinore, në një fllad vjeshte dhe kudo, mjaft të jesh i lirë në trup, në mendje dhe në shpirt.
Nuk kishin si mungonin vjershat kushtuar pasionit të tij të parë, mësuesisë që i ka mbetur i pashuar, ndaj kolegëve të vet mësues, nxënësve të vet që dhe tani i kujton me mall, kudo ku shërbeu plot devocion, në fshat dhe në Kavajë derisa ia prenë në mes ëndrën e vet.
Disa shokë ia kishin ruajtur me fanatizëm dhe vjershën “Dhurata e vitit 1968” kur ajo qëndronte në Tabelën e Murit të shkollës në Kavajë. Ndonëse siç e pohon vetë autori, pa ndonjë vlerë të mirëfilltë artistike, ajo të ngjall mall dhe nostalgji për ato vite të vështira të mësuesisë. Aty tregohen me gëzim dhuratat e thjeshta për Vitin e Ri, sepse Krishtlindjet ishin ndaluar me ligj.
Në fund, në një kapitull të veçantë janë renditur disa vjersha në formë bejte, por me vlera edukative për jetën dhe shoqërinë. Ato kanë të bëjnë me shoqërinë, besën e dhënë, miqësinë, etj. Këtu dallohen “Ariu dhe bariu”, “Macja dhe miu” etj.
Në përfundim, të 43 poezitë përfaqësojnë copëza mbresëlënëse nga historia e vendit dhe e bashkëmoshatarëve të autorit; ato janë plot frymëzim, sepse të ftojnë të shijosh jetën, ashtu si të vjen ajo, me “diell por dhe me shi”, të shpresosh, të kesh vullnet dhe kurajo për të kapërcyer situatat e vështira dhe fatkeqësitë, me besimin se ditë më të mira do të vijnë.
“Buzëqeshje në dy kohë” përcjell mesazhe të dobishme optimizmi, pozitiviteti, shprese, etike dhe respekti për Atdheun, për gratë, nënat dhe motrat tona, familjen, shkollën dhe bashkë atdhetarët.
Botimi i tij është një shembull tjetër që tregon se qytetarë si Babani dhe poezia e tij nuk njeh pleqëri, se ai do të vazhdojë të jetë korrier, mesazhier dhe kronikan i kohërave dhe epokave të ndryshme, ku më në fund triumfon e mira, liria dhe lumturia e vërtetë.
I urojmë autorit shëndet dhe jetë, begati të mëtejshme krijuese dhe buzëqeshje të tjera në çdo kohë.