Albspirit

Media/News/Publishing

Arif Molliqi: LUTJA NË NATËN E BUZMIT

LUTJA NË NATËN E BUZMIT
Fragment nga romani “Shënime nga arkiva e qytetit D.” të Arif Molliqit, Botimet Konica.
Vetëm këtë natë e kërkoi borën e bardhë.
Të ftohtit.
Akullin!…
Nga zhurma që u dëgjua, e kuptoi se i gjithë katundi kishte dal ta shikonin këtë natën të begatisë, të rilindjes, kur bota kthehet për së mbari. Kur natyra fillon të mendoi për ringjalljen, që jep frytet e veta në stinën e ardhshëm…
E, Musë Sokoli e shikoi Buzmin, që po tymonte i lazdruar mbi zjarr. Druri i lajthisë iu duk si diçka që duhet të sjellë gëzimin e pritur në familje. Derisa po e kthenin Buzmin në dhomën e madhe të shtruar me qilima festiv, Musa u mundua t’i urojë mirëseardhjen e Tij, duke i thënë: “Urdhëro, Buzmi bujar, ardhsh me faqe të bardhë, me shëndet e bereqet e me të gjitha të mirat e Zotit”!
Këtë dëshirë, Musa e përsëriti disa herë. Pas tij, edhe anëtarët e familjes e vazhduan lutjen derisa tek ai po gëzohej duke e shikuar lajthinë e futur në zjarr. Skaji i lajthisë mbetur jashtë zjarri, dukej i trazuar. Frikshëm, por me një zë që buçiste, Musa i thirri meshkujt e shtëpisë, gratë maxhetorët, Zojën e konakut.
Ishte një pamje tepër e pazakonshme për anëtarët e familjes, që po e prisnin me ushqime në dorë, që vetë Musa ti vendoste. Plaka Zoja, i solli disa qirinj. Oda e madhe, në katin e tretë të kullës, u zhyt në një muzg të skuqur. Ishte një çast magjik. Oxhaku… Zjarri… Mbi oxhak, në raftin harkor, qirinjtë e ndezur. Pak më lart, portreti i Krishtit në një kornizë ari, ngjallte mrekullinë festive.
“Shpejt”,- u tha Musa, – “Ta mbushni Buzmin me ushqime. Bukë, djathë, tambël, mish! Të gjitha i dua”!
Pas kësaj thirrje, Musa e filloi lutjen, një lutje e veçantë nga hera tjera. Ishin të pamësuar ta shikonin plakun në atë gjendje. Askush s´ka mundur ta marrë me mend se Natën e Buzmit, Musa Sokoli nuk do të ishte ai që ishte gjithë jetën. Një qetësi i erdhi derisa i shikoi të gjitha ushqimet një nga një. Lajthia filloi të marrë ngjyrën e tymit, përskaj zjarrit. Asnjë zë nuk dëgjohej. Të gjithë shikonin nga dritarja, ku filloi të fryn. Nga era e fortë që frynte apo nga frymëmarrja e fortë e tyre, asgjë nuk dëgjohej. Asnjë lëvizje.
Dritat e ndezura të qirinjve po shfaqeshin gjithnjë e më fuqishëm në sytë e tyre.
“Po kashtën, e keni sjellë”?!-tha Musa. –“Kashtën”?! -bërtiti.
Gjoni e Sokoli filluan ta hedhin kashtën nëpër dysheme.
Fëmijët filluan t’i imitonin kafshët, shpezët…
Para mesnate, nuset e stolisura, vajzat me flokët kaçurrela, fëmijët e veshur me rrobat e reja e të pastra, me gëzim të dukshëm në fytyrat e tyre, në ecje dhe shikime, u nisën rrugës së ngushtë e të kalldrëmet të katundit. Mes një lëndine të rrethuar me plepa të gjatë, edhe kisha ishte stolisur.
Nata kaloi, e Musa Sokoli vazhdonte duke u lutur për mundimet e Krishtit, për tokën, për qiellin, për diçka që i mungonte Kosovës. Në Librin e Shenjtë kërkoi ta gjej lutjen për Kosovën, për gjithë shqiptarinë… për fëmijët e saj, për bereqetin… për fusha e male, lumenj e liqeje, ara e kullosa…
Lutej e lutej…
Të gjithë në zemrat e tyre kishin të njëjtën lutje. Lutje të brendshme, të fshehura nga njeriu, por që dëshironin Zoti dhe Krishti t´ua dinë.
T´iu ndihmojnë…
Lindja e diellit Musa Sokolin e gjeti në kopsht së bashku me gjithë familjen. Me burra e gra. Ata, po në kopsht, po e punonin një rreth të madh prej kashte. Midis rrethit, një kryq mbi të cilin e vunë një tepsi të madhe, me ushqime, raki…
Gjoni me kujdes i solli unët e Buzmit të djegur. Duke i fërkuar njërin me tjetrin, u duk sikur nga qielli filluan të binin yjet e afërt, që kapen me dorë. Nga unët e Buzmit lëshoheshin shkëndijat e zjarrit.
Gacat e skuqura.
“Sa gaca, aq meshkuj kjo shtëpi, sa gaca-aq dele, sa gaca- aq thasë me drithë!… Sa gaca-aq pushkë për këtë tokë! Fëmijë! O Zot, fal shumë, shumë fëmijë në këtë shtëpi! Falna, o Zot, fëmijë! Do të na duhen!… Edhe fëmijët, edhe pushkët, edhe buka!..“, u lut Musa.
E shikuan Gjoni dhe Sokoli…
E shikuan gratë dhe vajzat…
Vetëm fëmijët nuk e kuptuan lutjen e fundit të Musa Sokolit, që zëri i tij po ushtonte aty ku përmendej toka, fëmijët…
Please follow and like us: