Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Bledar Koçi

DRITËZA

Ca dritëza duken atje.

Oh, ç’dritëza…

Si ato që shihja ëndrrave të mia.

Ja, njëra rrjedh pragjesh.

Një tjetër, është varri i gjyshit.

Tjetra përfund jam unë fëminor që kacavirrem tek retë.

Shihni, shihni…

Kapardisur rrëzëllin dhe një plep.

Qyshkur vetmitar, ulur galiç, fërshëllen melodi të vjetra grigjës nën shpatin e malit.

Ca dritëza…

Ca dritëza duken atje.

Që ikin e vijnë ngaherë.

Atje, atij qielli…

Orakuj derdhur prej malli.

 

HURMË E MALLIT TIM

Përbri një shkallëze – saksí,

mëllagë vazosh, menekshe,

dhe mollës plakur përkarshi,

mes tyre ardhur, nuse e re.

 

Shashtisej kumbulla thartuçkë

tek fshihte gjethesh xhelozi.

Lastar i pjergullës së urtë

po çmendej keq për dashuri.

 

Qershiza tej dhe ti me të,

stolisur hijshëm si dy zonja,

Sekrete shoqesh ndarë nën zë

në mbrëmjet ndezur xixëllonja…

……

Dhe, vdiq lastar i dashuruar.

U tret dhe mollë e ëmbël plakë.

I’u zbehën gjethet kumbulloshes,

nga degë më degë, e pak nga pak.

 

Qershiza humbi nëpër mote

me kokrra malli të pangrëna,

ca rrënjë pa jetë la aty

në ngastra ëndrrash të pathëna.

 

Shkreton gjithçka si në vegime,

pa frymë, pa zogjtë e mi të këngës.

Veç ti e gjallë… Oh, sa kujtime!

Që netësh shtrin në djep të hënës.

 

APOTEOZË BREZASH

U thinja, baba.

Është po ajo bardhësi flokësh si të tuat.

E njëjta baluke, valë deti e shtruar..

Veçse e imja, herë herë, dallgë në stuhi,

trembet dhe shembet.

Grindet dhe çmendet.

Ngrihet sërish prej erërash me emra.. në botë epruvetash

që ngjizin pa breza.

 

Ç’kohëra mbi kohëra…

(E bardhë në të zezë,

e zezë në gri).

 

U thinjëm, baba.

Si gjyshërit e vjetër

etër mbi etër,

dhe unë, dhe ti.

 

UNË DHE TI

U vrenjt kjo stinë, s’rrezon dritë,

nuk ka më diell të na përcjellë.

Një çast harrese që zhurit

më ngjall ndër flakë  një shpirt rrebel.

 

Në ç’shekuj vallë u endëm ne,

në ç’udhë etur çmendurish?

U lind vejushë shpresë e re,

mes ëndrrash vdekur dashurish.

 

Ti shkon përherë e me nxitim,

me ty në sy, të shoh ngado.

S’të lus më tjetër përqafim

as puthje malli tjetre botë.

 

Oh, ç’fate ngjarë që s’rrjedhin lumë…

E largët bëhesh, kthehesh mit.

Rrebele ti, rrebel dhe unë,

mbi çast harrese që zhurit.

 

KONTRAST SHEKUJSH

Ç’dimra të squllët

ardhur të mardhur,

 

Dimrash të vlagët

akujsh të largët..

 

Dimër pa çelur

borës, kristale,

 

(Dimrat e lashtë

treten në varre)…

 

SHPATAT E FËMIJËRISË

Në strehët e vjetra, një shpatë e një kamë,

ç’gëzim që i gjeta… kur isha fëmijë.

Dhe vetja më dukej si trimi me nam

tek tehet i nxirrja dhe fusja në mill.

 

Dhe nisëm një luftë mëhallës përbri

me britma të çjerra që gjakrat i ndez,

djelmoshë të tjerë vërshonin furi

me shpata metali dhe druri, në brez.

 

U çorrëm fytyrash, u premë në faqe,

veç sytë shpëtuam, s’i nxorëm për fat.

Dhe prapë u bëmë tok si brumi në magje,

u rritëm… harruam dhe luftrat me shpatë.

 

Sa afër dhe larg, u pamë e s’u pamë,

të dashur ne mbetëm ndër mote të sertë,

dhe ndoshta ish besa mbi kama që lamë

si mall fëmijërie që shpata s’e pret.

 

TRINI

       – Nëna, bija, hëna –

Parkut të vetmuar, nënë e bijë me gaz,

Me to dorë për dore, hëna u vjen pas.

 

Bërtet vogëlushja shend e ngazëllim:

“Ajo dritëz lart i ngjan mamit tim“.

 

Nëna ndrin e tëra në fytyrë e sy,

Ëmbël ia kthen bijës; “Zemër… të ngjan ty“.

 

Ç’përkëdhelej hëna tek bridhte me ëndje,

Si një kone e zgjidhur, parkut asaj mbrëmje.

 

Një poet më tutje si prej qiejve rënë

Vargje pikturonte po të njëjtës hënë.

 

Kryet ul një çast, buzëqeshi lehtë,

Gjeti, e ç’nuk gjeti, ç’donte një poet.

Nëna, vogëlushja dhe dritëz e hënës,

Ç’trilogji që thuri një poet i këngës.

 

PRAG DIMRI

Gishtërinj të thekur shpuzitën xixash thëngjijtë e mangallit, si të zgjonin e rindiznin një grusht yjesh të fikur.

Ish’ dorë e babait, teksa mbështillesha një ëndrre të ftohtë…

Pranë nënës.

Që, lëmshit të hënës

rënë dritares i shthurte një rreze

dhe palltos sime një komçëz… diç qepte, astarit të grisur.

 

E NDRIRA FJALË…

I moçmi plak më tha në vesh:

“Ndër udhë ti mos u ep.

Ne daltë i ligu, buzëqesh,

dhe gurin mbaj në xhep.

 

E liga, bir, të vë përfund,

lufto me dashuri!

Një zemerbardhë e mposht gjithkund

të zezën ligësi…“.

….

Më humbi jetës ai plak

s’e pashë më ndër të gjallë.

Me thinja zverdhur, e shtatpaktë,

që la të ndrirën fjalë.

 

S’mbaj mend në mbajta gurët pirg,

veç gaz derdha me lot.

Dhe ndofta bashkë me një të lig

Jetova nëpër botë.

 

Ç’e mirë të keqen fort e mund!

Në palcë, gjak e eshtër.

Ndaj buzëqeshni, ju them unë…

Siç tha një plak i vjetër.

 

QYTETI PA VJESHTË

Udhëkryqe,

trotuare,

bordura pa gjethe,

pa vjeshtë.

Njerëz çartisur,

pa ditur ku janë

asfaltesh që ndesh..

Ligustra sforcuar

që stisin gënjeshtra një stine hyjnore,

ç’mundohet t’i veshë?!..

Oh!…

Kjo vjeshtë

pa vjeshtë,

me ngjyra të rreme

larg shpirtit të saj,

qytetin përqesh.

 

NAGI

Eh, ç’më ngacmojnë vitet,

kohëra djaloshare…

Një ruse kam njohur

dikur nëpër bare.

 

Një vështrim i lehtë,

hapin, fort më ndali.

E pyes, “Pos se lene?

– Ego ime, Nagi.

 

Ish’ e bardhë si bora,

sytë prej kaltërsie.

Gjaku ngriu si akull

stepash Siberie.

 

Bari, zhurmon tingujsh,

muzikë mbrëmjesh, nis.

Zgjuar shihja ëndërr

dehur prej magjisë.

 

Më fliste me shenja,

me duart e brishta.

Më la të kuptoja

histori të trishta.

 

Bëj shenjash një lutje,

që gjoksit gulçon.

“Vij e të marr nesër?

Ikim përgjithmonë”?

 

Trembur më shikonte

Nagi aq e mirë.

Flisnin sytë rubin

Nga sot, lamtumirë!

 

Ika asaj nate

territ të verbuar.

Kokën një herë ktheva,

me shpirt përvëluar.

 

Dallgët çmend Egjeu,

zemra ime mardhi.

Era, frynte veshit

“Ego ime, Nagi…”.

Please follow and like us: