Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Barrikadat e vërteta të Kosovës

Sot, të gjithë fëmijët e Europës pushojnë, por jo edhe fëmijët e Kosovës, të cilët janë të detyruar të shkojnë në shkollë, pa dëshirën e tyre dhe me siguri pa vullnetin e mësimdhënësve, sepse qeveria e tyre mediokre nuk ka kurrfarë ndjeshmerie për ta e as për sistemin arsimor.
Ministria e Arsimit përmes një vendim të poshtër, absurd, ka bërë që fëmijët tanë – ndoshta të vetmit në Europë, me gjasë duke kopjuar një model boshnjak – të mbajnë mësim edhe pas festave të Krishtlindjes, në këto ditë kur krejt Europa pushon, sepse është kohë pushimesh. Dhe kështu ishte në Kosovë deri para pak vjetësh.
E tash arsimi në Kosovë bëhet sikur punon.
E them bëhet, sepse në të vërtetë, ky është një vetëmashtrim i madh.
Mashtrojnë të gjithë.
Jam fort i bindur se Ministria e Arsimit këtë vendim nuk e ka marrë duke u bazuar te ndonjë analizë,
as e nxitur nga nevojë për të mësuar më
shumë apo për të përmirësuar cilësinë në shkolla.
Është vendim i poshtër, hakmarrës dhe antikulturor.
Ne, në të gjitha pikëpamjet, kur bëher fjalë për arsimin, jemi më së keqi në Europë.
Ky vendim, si i tillë lidhet me dofarë ide të marra e dokrra që tufa e shkretanëve të politikës nuk di as t’i gjykojë e as t’ i arsyetojë.
Shkollat në Europë e përfumdojnë mësimin para ose me 24 dhjetor; kështu ishte deri vonë edhe te ne.
Prandaj, e përsëris- është poshtërsi dhe vendim tepër i lig që fëmijët tanë të ndahen prej fëmijëve europianë, prej bashkëmoshatarëve të tyre dhe prej mijëra fëmijëve shqiptarë që jetojnë nëpër Europë, për shkak të tutkunave tanë.
Mësimi ndërmjet festsve s’ është mësim, është iluzion se po mësohet.
Është mashtrim.
Këtë e thonë shumica e fëmijeve dhe këtë fakt e pohojnë prindërit e mësimdhënësit.
Kam lexuar diku një akademik francez që ka thënë se “Ministria e Arsimit është ministri që mbart fatin tonë. Me çfarë duhet të merret me përparësi kombi përveçse me formimin arsimor”?
Nëse Ministria e Arsimit bart fatin tonë, siç thonë të mençurit, imagjinojeni në çfarë mjerimi jemi ne si vend.
Për ne, kjo tingëllon e trishtë, meqë Ministria e Arsimit duket qartë se bartë arrogancë të pashembullt dhe shquhet për mungesë totale vizioni.
Këto janë barrikadat e vërteta të Kosovës.
27 dhjetor 2022.

 

Please follow and like us: