Sulejman Mato: Po vjen Naimi…
Shkruar ditën e kthimit të eshtave të N. Frashërit
Po vjen Naimi dhe malet hapen me gjëmime,
Qajnë me kuje vajtojcat e Shqipërisë,
lëkunden në erë lisat,
lumenjtë zhurmërijnë,
drejt deteve rrjedhin
si lotët e dashurisë.
Kaq vjet larg atdheut,
i vetëm dhe i përmalluar,
Zemra s’i mbajti dot,
dhe iu tret si qiri.
Po eshtrat… Si mund të treteshin vallë?!
Prisnin e prisnin,
drejt teje të rendnin një ditë si veri.
Nënë! Po vjen ai…
Zjarri hyjnor i maleve te tua
Zërin ia dha një bilbyl gjyzar
me bukurinë e pyjeve i mrekulluar,
mallin ia fali një fyell i vetmuar
i majemaleve të tua.
Gjatë rrugës së kthimit
eshtrat e tij
këndojnë si fyej të përmalluar.
Please follow and like us: