Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Ndre Mjeda për vllavrasjen

 

 

 

VLLAVRASI

 

 

DON NDRE MJEDJA (1866 – 1937)

 

Neper terr qi lëshote nata,

Ngarkue teshat kaliboç,

Per nji pyllë ku s’ ra kurr spata,

Ndiqte rrugen nji djaloç.

 

Landët e pyllës si’j ujk ju dukshin,

Qi prei ujet n’ mal ulron,

Cuba t’ rrebtë, qi n’ prit’ u strukshin,

Gjethët e lisave kujton.

 

O Shqypni ! Gjimote i shkreti

Male, mbushë me gjuetarë plot,

Kësoll’ e bardhë, ku por si mbreti

Shkon barija dit’ e mot.

 

O ju lugje të Prevezës !

Këtu mue zemra po m’ vajton,

Te ju hana me dritë t’ rrezes

Shtigj’t udhtarit ja kallxon.

 

Fis i dashtun, ku n’ dritë dola

Afer detit t’ papshtjellim;

Shpi e bardhë ku s’ parit fola

N’ prehen t’ nanës tui gjetë pshtim.

 

Njashtu thot’ e me trimni

U nis udhës shtegtari prap:

Fishklloj landa tu’ u perzi

E prei frigës ngau djali vrap.

 

Por nji cub mbas gardhit hasi;

Ndalu, i thotë, nuk ke ka mban

Nji kobure n’ bri ja rrasi

E mbi tokë permbyz e la.

 

Ah! Nanë shkreta !  – I shuemi briti,

E permbyz u lëshue mbi ‘j curr;

Per tre muej e shkreta m’ priti,

E tekëndej nuk m’ shef ma kurr.

 

“Po jot’ amë”, si per qesti,

Ja ban gjaksi me idhnim plot; –  

“Ti m’ difto ku rri me shpi,

Fjala jote nuk hupë dot”.

 

“N’ skaj t’ Shqypnis shkon vorfnisht jeten,

E pa djelm e mjera mbet;

Dy ma t’ mëdhajt nder luftna i mbetën,

E këtu i treti qé po jèt.

 

Pat nji tjeter… Fija e zanit

Ju kput djalit e gjimoj;

U dridh gjaksi, e aj farë luanit

Pushken n’ tokë me ‘j herë e lëshoj.

 

“Pat njitjeter, qi ajo e dote

Permbi dritë të syve t’ vet;

Kurr prei prehnit nuk e lëshonte:

Shokë nder cuba vojt e gjet”.

 

“Vlla” – i përgjegji zëmervshtiri, –

Njitu t’ vrava e këtu po des;

Nuk kam sy me m’ pa ma njeri,

Ngryk’ me ty njitu po jes”.

 

 

“Jo, ti shëndosh e fill te shpija,

Te nanë zeza fluturo;

Pa asnji fëmij, e mbytë vetmija,

E mbëlon skami: Mos e lësho!

 

“Shka t’i tham mandej nanës ngratë

N’ kjoftë se pvetë per ty ndo’j send ?” – 

Thuej se mora nji rrugë t’ giatë

Se bashkë n’ Qiell dikur xam vend”.

 

 

Shënim nga Fritz Radovani: Pershtatje nga Don Ndre Mjedja ma shumë se perkthim.

Idea asht marrë nga një poet italian. Asht botue tek Juvenilja.

Këte kangë e kam ndigjue sëpari në vitin 1954, nga Don Mark HASI, kur u pat lirue nga burgu i parë i dënuem shtatë vjet. Një parandjenjë e Don Markut, i cili u dënue në vitin 1967 dhe, vdiq në kamp shfarosje në 1981.

Kjo poezi sot botohet në pragun e vitit të ri 2023, kur Rinia Shqiptare po i merr rrugat e mergimit, pa dijtë Nanat e tyne ku i kanë fëmijtë e vet.

Kështu ngjet kur shtetin e drejton vllavrasësi i Shqiptarve!

Melbourne, 30 XII 2022.

 

 

Please follow and like us: