Çerçiz Loloçi: Përtej mesazhit të urimit nga Presidenti Klinton
Çerçiz Loloçi
1.
Ka disa vjet që marr çdo fundviti një mesazh urimi nga ish presidenti Bill Klinton, tashmë drejtues i një fondacioni së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e vet. Është një mesazh kortezie, që u shkon edhe shumë të tjerëve që janë të informuar dhe kanë pasqyruar veprimtaritë e kësaj organizate jofitimprurëse në vende të ndryshme të botës dhe që më vjen edhe mua në postën personale elektronike (www.clintonfoundation.org.).
Si president i 42-të i SHBA në periudhën 1993-2001, përfaqësues i Partisë Demokratike për dy mandate rresht (mori detyrën presidenciale nga George H. W. Bush dhe ia dorëzoi të birit, George W. Bush), Klinton ka qenë më parë Prokuror i Përgjithshëm i shtetit të Arkansasit në 1977-1979 dhe guvernatori i po këtij shteti në vitet 1979-1981 dhe 1983-1992. Së bashku me paraardhësin dhe pasardhësin e tij, ai konsiderohet ndër personalitetet më të dashura për shqiptarët në të gjitha viset, sepse pikërisht në periudhën e tij ndodhi ngjarja më e madhe: ndalimi i genocidit serb në zemër të Europës.
Bill Klinton ishte i pari president amerikan që priti në takim të veçantë në 1998 në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësin e LDK-së, Ibrahim Rugova dhe politikani që ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Luftën e Kosovës në 1999.
Klinton ka pasur fëmijëri dhe jetë të vështirë, por falë konkurencës që është në themel të demokracisë amerikane dhe aftësive profesionale, ai arriti të bëhet një simbol i demokratëve jo vetëm brenda hapësirës së këtij kontinenti, po edhe në shkallë botërore. Ai vetë dhe gruaja e tij, Hillari Klinton, Sekretare e Shtetit nën presidencën Obama janë shumë të respektuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi apo në atë që quhet hapësira e natyrshme; shumë fëmijë të lindur në këto vite kanë emrat e tyre, përveç që ka edhe një mori statujash e portretesh nga artistë amatorë.
Do të ishim të padrejtë të pohonim se ajo që ndodhi me shqiptarët në mijëvjeçarin e ri është vetëm fryt i përkujdesjes amerikane në nivelet më të larta; këtu kanë dhënë ndihmesën e tyre edhe mjaft aktorë të tjerë, përfshi një personalitet të pangjashëm me askënd si Nënë Tereza, fituese e Nobelit të Paqes në 1979, emri më i shquar i letrave shqipe Ismail Kadare, komunitetin e mendjeve të ndriçuara në SHBA me dy drejtorët e ‘Zërit të Amerikës’, Frank Shkreli dhe Elez Biberaj, një grup i senatorëve dhe kongresmenëve amerikanë me origjinë hebreje, përpjekjet e orientimit properëndimor të Rugovës dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
2.
Shteti që konsiderohet si kampion i demokracisë ka një kufizim mandatesh për presidentët dhe ndalime të tjera ligjore dhe personat që përfundojnë detyrën kthehen në punët e tyre private ose mund të kenë fonacione ose biblioteka me emrin e vet. Kjo tashmë është normë në SHBA dhe në të gjitha shtetet europiane, por kjo gjë nuk ndodh në viset tona.
Shqiptarët kanë fituar shumë në shekullin e ri (Shqipëria në NATO dhe shumë afër pranimit në familjen europiane, Maqedonia e Veriut me një popullsi të konsiderueshme shqiptare dhe bashkëpërgjegjëse në qeverisje, gjithashtu në NATO dhe pranë bashkësisë së kontinentit, Mali i Zi me një pjesë shqiptare po ashtu në NATO), ata janë sot një faktor rajonal që kontribuon për paqen dhe mbrojtjen e vlerave euro-atlantike.
Megjithatë në të gjitha këto vise të populluara prej tyre, ata kanë edhe klasën më të papërgjegjshme, më të korruptuar, partitë janë si çeta bashibozukësh, pa demokraci të brendshme, pa konkurencë, pa zgjedhje të ndershme e demokratike, pa shtyp të lirë, me institucione false dhe jo të pavarura dhe kjo është vërtet dëshpëruese. Me institucione të vjetra apo të reja të drejtësisë ka një fakt bërtitës: pasurimin e menjëhershëm të oligarkëve të politikës, që kurrsesi s’mund të ndodhë me rrogat fikse shtetërore, por askush nuk është ndëshkuar ose do të ndëshkohet pa një fillim të ri.
Shoqëria shqiptare e ka mëse të nevojshme ribërjen e saj, me emra dhe gjenerata të reja për të rikthyer shpresën, për të kryer më së pari reformimin e forcave politike, largimin e kryetarëve pa anëtarë, kufizimin e mandateve dhe sidomos me vënien para përgjegjësisë të protagonistëve që kanë bërë ç’kanë dashur me financat publike./alb-spirit.com
Presidentët e SHBA nga viti 1789 e deri në ditët e sotme
- Xhorxh Uashington (1789–1797)
- John Adams (1797–1801)
- Thomas Jefferson (1801–1809)
- James Madison (1809–1817)
- James Monroe (1817–1825)
- John Quincy Adams (1825–1829)
- Andrew Jackson (1829–1837)
- Martin Van Buren (1837–1841)
- William Henry Harrison 1841)
- John Tyler (1841–1845)
- James K. Polk (1849–1850)
- Millard Fillmore (1850–1853)
- Franklin Pierce (1853–1857)
- James Buchanan (1857–1861)
- Abraham Lincoln (1861–1865)
- Andrew Johnson (1865–1869)
- Ulysses S. Grant (1869–1877)
- Rutherford B. Hayes (1877–1881)
- James A. Garfield (1881)
- Chester A. Arthur (1881–1885)
- Grover Cleveland (1885–1889)
- Benjamin Harrison (1889–1893)
- Grover Cleveland (1893–1897)
- William McKinley (1897–1901)
- Theodore Roosevelt (1901–1909)
- William H. Taft (1909–1913)
- Woodrow Wilson (1913–1921)
- Warren G. Harding (1921–1923)
- Calvin Coolidge (1923–1929)
- Herbert Hoover (1929–1933)
- Franklin D. Roosevelt (1933–1945)
- Harry S. Truman (1945–1953)
- Dwight D. Eisenhower (1953–1961)
- John F. Kennedy (1961–1963)
- Lyndon B. Johnson (1963–1969)
- Richard Nixon (1969–1974)
- Gerald Ford (1974–1977)
- Jimmy Carter (1977–1981)
- Ronald Reagan (1981–1989)
- Xhorxh H. Bush (1989–1993)
- Bill Klinton (1993–2001)
- Xhorxh Uokër Bush (2001–2009)
- Barack Obama (2009–2017)
- Donald Trump (2017–2021)
- Joe Biden (2021–vazhdon)