Odise Kote: Duke parë në sy shiun e mëngjesit…
Duke parë në sy shiun e mëngjesit,
si një kapriçio të natyrës,
nuk e di nëse jam bërë gati për të kuptuar
se dashuria është një dhuratë
që zoti na i ka fshehur …
Askush nuk e di në të vërtetë
cila është shkurrnaja nga shkon dashuria.
Sepse fundi është gjithmonë në fillim,
dhe në trup nuk ndjen aq dhimbje sa në zemër,
si në lojën që natyra luan me njeriun.
Kur zotin që takoj rrugës, më thotë
në mirëbesim se është ateist,
e paparashikuara qëndron mbi mua.
Të mbetesh vetëm është e ardhme e
padurueshme, ndaj bindem që s’më urren.
Atëhere zemrën pse ma bëri të guximshme?
Duke parë në sy shiun e mëngjesit,
i vërtetoj vetes që kaq pak nuk mjafton,
pasi dashuria është diçka e nxehtë.
Dhe janë kaq shumë gjëra që duhet t’i dish…
Duke parë në sy shiun e mëngjesit…