Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Mund…

Foto ilustruese: Modelja Oriola Marashi

 

Mund të pikturoj sytë e tu të bukur,

Edhe dritën që të ndriçon këta sy,

Po buzëqeshjen tënde të kristaltė,

Si ta pikturoj, si?!

 

Mund të pikturoj bluzën tënde të hollë,

Të holle si lëkurë pjeshke,

Mund të pikturoj edhe buzët e tua prej flake,

Që digjeshin në heshtje.

 

Mund të pikturoj rrugët nga ke shkuar,

Është shumë e thjeshtë të pikturosh rrugët

I jam lutur majit të hedhë mbi to lule,

I jam lutur erës mos të t’i fshijë gjurmët.

 

Mund të pikturoj edhe ëndrrat e tua,

Ëndrrat që mbetën veç ëndrra në këtë jetë,

U shpërndanë si zogjtë kur i tremb dikush,

U shpërndan si retë.

 

Mund të pikturoj edhe flokët e tua.

Flokët e brishtë rreth gushës të strukur,

Por kam frikë se vjeshta do të ndihet keq,

(Se vjeshta nuk është kaq e bukur).

 

Mund të pikturoj sytë e tu kaq të bukur,

Edhe dritën që të ndriçon në këta sy,

Po buzëqeshjen tënde të kristaltė,

Si ta pikturoj, si?!

Please follow and like us: