Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Emigranti…

Poezinë “Emigranti” e kam shkruar në vjeshtën e vitit 2010, në Malmoe të Suedisë dhe sa herë kthehem në këtë qytet – apo vizitoj familjarë a miq diku tjetër në mërgim – e përjetoj fort. E përjetoj si atë vjeshtën e mugët, kur meditoja për fatin e trishtë të emigrantit dhe shkruaja këto vargje. E përjetoj fort, sepse e shoh mërzinë në sytë e qindra emigrantëve të hutuar, të trishtuar dhe të dërmuar nga nostalgjia dhe kujtimet.

EMIGRANTI

Ai ka vetëm pyetje.

Përgjigjet i ka të ndrydhura

nëpër xhepat e ndotur

me nostalgji të betonuar.

Ai ka vetëm kujtime dhe ato i sillen rreth qafës.

Si guri i mullirit e tundin një hapa para e disa mbrapa.

Në ujëvarën e rrëmbyeshme e frushkullon kujtesa dhe ia rrëmben kohën-

kohën që kurrë s’e sheh;

kohën që vetëm e ëndërron netëve pa fund.

 

Ai s’është njëri prej tyre nën qiellin plot furtuna,

ku ec, ha, bën dashuri dhe lutet.

 

Atdheu i shpendëve është qielli

i peshqve deti

i emigrantit është pikëllimi-

pikëllimi që i shumëfishohet si retë e zeza kur tërbohet qielli.

Në rrugët e panjohura përkund nostalgjinë

dhe kërkon njëshin zerove të pafundme.

 

Testamenti i Odiseut i digjet në dorë

e gacat e kallin flakë si rreze tropikale.

 

Në Itakën e munguar hedh shikimin mbrëmje e mëngjes.

 

I hutuar shtegton rrugëve të pikëllimit

dhe mbulohet me jorganin e Tokës së Premtuar

dhe çdo natë ëndërron të njëjtën ëndërr: kthimin në njësh,

teksa oaza e shkretinës ia thith dëshirat, kujtimet.

 

Emigrantit kjo dhimbje e madhe,

me thesin e pikëllimit bredh rrugëve të shpresës.

Pret vendime të bahet njësh në zerot e pafundme.

 

Çdo ditë e presin të panjohura në pyllin e dëshirave,

ku i ngrihet shikimi i butë dhe pritja e thellë.

 

Emigrantit kjo dhimbje e madhe,

si zog i mërdhir kërkon folenë e shpresës

dhe mbulohet me batanijen e Tokës së Premtuar.

 

Please follow and like us: