Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Sherifi: Jacques Lacan, disa kujtime me psikoanalistin e famshëm francez

 

JACQUES LACAN, disa kujtime me psikoanalistin e famshëm francez.

Si e ka dominuar gjatë tri dekadave gjithë psikoanalizën franceze?

Takimi i çuditshëm mes një Maestro ose Guru, i idolatruar apo i urryer në Paris dhe një Malësori anarshist antiko-avanguardist, i aventurave poetiko-humaniste?

 

Skënder SHERIFI

 

Ah, miq të nderuar, kur më rikujtohet akoma sot Jacques Lacan, më vjen për të qeshur gati me lot, sepse në fillim nuk kemi pasur asnjë element të përbashkët, por gjatë atij episodi tim aq të bukur dhe të pasur në Paris, ai njeri më ka dashur, më ka kuptuar, respektuar dhe në disa raste edhe më ka ndihmuar me këshillat e tij, gati si babë.

Ndoshta, sepse i kishte antenat e psikologut, i luhaste energjitë, misteret, heshtjet, nëntesktet e shpirtit njerëzor? M’i kuptonte konfuzionet, paradokset, shthurrjet dhe shpërthimet, guximet dhe anën aventureske, eksploruese, kuriozitetin fëminor, i pafund, i etshëm, pasionet, dëshirat e shprehura dhe të pashprehura, revoltat…

Ndoshta, pse i pëlqenin përrallat e mia të odave antike malësore, ngjarjet në kohën e Zogut, peripecitë e babait tim në Shqipëri, mistika e nënës sime shqiptaro-malazeze nga Plava dhe Gucia, rapsoditë mbi Jakup Ferrin dhe Ali Pashë Gucinë?

Ndoshta, sespe si strukturalist, pa tek unë një destrukturim marramendës, një liri të çmendur, pa ligje e korniza, pra një subjekt interesant analize… “Kush është ky i egër albanez, plot talente natyrore autodidakte, por totalisht i krisur… dhe çka bën konkretisht tek Pierre Seghersi? A është me mbretin apo me dreqin”? Kush e di? I thoja: “Shikon miku im PSI – jam me gjithkënd që m’intereson ose me askënd dhe nganjëherë, as me vetveten, se më lodh emri dhe indentiteti im”!

Por për nga babai im oficer, më ka ngelur si republikan, një simpati relative evidente mbretërore ndaj Zogut të Parë… ngaqë e ka pasur një personalitet interesant!

Më tha: “Edhe unë kam qenë dikur me mbretërinë në Rininë time dhe me Charles de Gaulle”! Ju përgjigja: “Mos i kushton shumë rëndësi, o Jacques, sepse simpatitë vijnë dhe shkojnë, si dashuritë mbi Senën e Parisit, të kënduara nga Apolineri… në realitet nuk jam me askënd, as me vetveten, por veç me jetën, me tokën dhe me lirinë e lirë… jam në një udhëtim miku im, si eksplorues. Tani, si ish mbretëror, po ta tregoj një anekdotë: Gjatë një takimi me Hergé-në, alias Georges Rémy, krijuesi i personazhit TINTIN me famë botërore, ngaqë thoshte vetë De Gaulle, që është shumë më i njohur sesa unë… më tha autori i tij, që për librin e vizatuar me titull ‘Tintin et le sceptre d’Ottocar’ (seriali numër 8, më duket) – jam inspiruar pjesërisht nga historia e Mbretit tuaj Zog. Por sot, në Shqipërinë komuniste, zoti Lacan, mund të them që jam ‘marksist alla Groucho Marx’. Për fat të madh, më ka adoptuar Pierre Seghersi, sa për ta shijuar në maksimum këtë qytet aq magjik dhe për të takuar njerëz monumentalë dhe sublim, sikurse ti… A e di që t’i kam pas lexuar disa shkrime të botuara në vitin 1966, nëse nuk gaboj tek shtëpia parisiane, Le Seuil – dhe lexuar me kujdes gjithë çka kanë shkruar të tjerët mbi ty. Sepse, duke qenë vet në konfuzion dhe në revolucion total, me veten, me familjen dhe me gjithë dynjanë, i kisha me dhjetëra pyetje permanente, që m’u sillnin nëpër kokë, si një album i Pink Floydit apo i Led Zeppelinit – por pa asnjë përgjigje dhe dikur u shndërrova në qenie vullkanike – por nuk e kisha Ingrid Bergman, buzë Strombollit, për t’u pajtuar me të dhe me veten. Me plaçkitur banka dhe furgone me Jacques Mesrinin ose Marc Hamersin, nuk isha i talentuar… me dinamituar disa lagje me një ton tritol, m’u dukte anti-njerëzore dhe kështu vendosa për t’i lexuar rreth 200 vepra të Psikologjisë apo Psikoanalizës, si autodidakt me dy ditë shkollë, shkrim e lexim dhe një universitet jetësor, të firmosur nga Pleqtë e Malësisë. Shpalosa me vëmendje librat e Freudit, Jungut, Adlerit, Wilhem Reich, Mélanie Klein, Françoise Dolto, teoritë anti-psikikatrike dhe eksperimentalizmin në fushat psikiatrike dhe pedagogjike, me Neil, Bazaglia, Freinet, Decrolly, Montesori… vetëm për ta kuptuar sesi funksionoj unë dhe pse i kam këto nyje dhe kontradikta dhe nga më vijnë gjithë këto konfuzione dhe luhatje misterioze? Desha ta kuptoj veten, siç thoshte gjyshi im Sokrat, para se me i kuptuar të tjerët”.

“Bravo të qoftë, zoti Sherifi, eja e të përqafoj, se më ke impresionuar me këtë histori. Ke bërë një veprim të paparë dhe krejt intuitiv! Të ka udhëzuar diçka, apo jo? I ke patjetër disa antena, qysh e supozoj unë? Por me thuaj, nga të kanë ardhur? E di mirë, që ju të Ballkanit keni shumë zona të paqarta dhe e kultivoni mjegullën… bile nuk e kuptoj, pse nuk ballafaqoheni me realitetin objektiv? Kur të kesh problem, më thrret dhe eja tek unë? Se do mësoj edhe unë diçka prej teje, në këtë shkëmbim”! E shoh që ke diçka të lindur…

Okay, faleminderit zoti Lacan, por më fal, o mik, se nuk kam lekë për të paguar seanca psikologjike… dhe me i pas thënë babait tim malësorë – eja për t’u konsultuar me mua në kabinet, se ke nevojë për një kurë psikologjike – të kish ra pushkë në ballë! Do kish thënë: “a po më merr për një të çmendur, një I luajtur që nuk është në rregull”? Do e kishte përjetuar si një ofendim, diçka që e prek në nder dhe në sedër. Duhet ta dish që tek neve në Albanie, miku im, nuk e kemi as traditën, as trashëgiminë, as kulturën psikologjike, bile as filozofike në thelb. Nuk merremi fare me ççshtjet e shpirtit njerëzor, me variacionin e humoreve dhe konfliktet mes instinktit dhe arsyes racionale. Ne funksionojmë racionalisht dhe praktikisht si Kaubojtë dhe Pionierët e Amerikës, në materializmin ekstrem, në aventura, lojëra, bixhoze, biznese legale dhe ilegale, në grada, lekë, pushtet dhe seks. Jemi mjaft primarë dhe bazikë në fakt… Nuk i dojmë thellësitë, misteret dhe botërat e panjohura! I mbajmë problemet intime dhe shpirtërore, emocionale apo fëminore për veten tonë, si sekret absolut dhe i mbyllim dikund në sirtarin e subkoshiencës. Por, unë jam pak special dhe jashtë normave. Kam lindur ndryshe dhe me një program tjetër, të cilin ndoshta nuk e kam deshifruar akoma tamam. E kam atë damarin e artistit dhe të poetit, gati të lindur, si forcë natyrore, dhunti e Zotit.

Trashëgiminë mistike apo spirituale për nga nëna ime sufiste, e lidhur direkt me forcat qiellore, gati e diktuar nga lart… dhe karakterin burrërror apo guximin, me siguri nga babai im, i cili ka pasur sjellje shembullore në burgje dhe në situata super të komplikuara, siç kanë dëshmuar të gjithë shokët e tij.

Por, mua vetë, më ka shërbyer dhe ndihmuar shumë psikologjia dhe psikoanaliza. Dhe e di, që ti je sot një lider në këtë fushë, një referencë madhore për Parisin. Por nuk mund të paguaj, o zotëri… Terapia e ime, ka qenë penda, arti, kultura dhe femrat, macat, vera franceze ose peizhazhet, apo më kupton. Nuk jam as unë vetë si amerikanët, për ta mësy psikoanalistin e tyre, për një po ose jo, për një pordhë”!

Dhe ti je sikurse Freud-i, në VIENË – qëllimisht i shtrenjtë… pra, merru me borgjezet e pasura dhe unë po merremi me jetën dhe me poezinë, me esencën e gjërave!

Eja tek unë kur të duash dhe pa problem dhe do flasim mbi eksperiencat tona respektive, mbi aktualitetin kulturor dhe do shohim se çka do ndodhë?

Okay, faleminderit i dashur Jacques!

Më kujtohet ajo banesa e tij luksose, në numrin 5, rue de Lille, nga Parisi 7, nëse nuk gaboj, me një derë të madhe, mes blu turkuazës elektrike të mbyllur dhe të gjelbrës, e harkuar dhe mjaft e gjërë, në atë lagje super të qetë parisiane dhe më vonë në rue d’Assas, në Paris-in, 6 – aty, ku ka vdekur në vitin 1981, disa muaj pas arritjes së zotit François Mitterand në pushtet, në maj 1981, si Presidenti i parë, i së majtës franceze pas disa dekadave regjime të djathta. Me një qeveri të koalizuar brenda një lloj programi të përbashkët socialo-komunist dhe me 4 ministra bolshevikë në qeveri.

Ishte një revolucion politik i paparë në mes të Europës Perëndimore! Pak kush mund ta imagjinon shqetësimin ndaj asaj situate politike në kancelaritë evropiane të BE-së dhe aq më tepër në Washington – ku Amerika ishte në prag të krizës nervore.

Bile agjencite e shërbimëve amerikane – CIA – NSA, etj, siç bëjnë rregullisht me ata dhjetëra mijë funksionarë që punojnë për ta, për çdo ditë, duke hartuar plane dhe skenare për të gjitha shtetet e botës dhe duke i depozuar si dokumente apo dosje top sekret nëpër arkivat e tyre… e kishin pas programuar si plan, një invadim ushtarak masiv të Francës, për ta rrëzuar qeverinë socialo-komuniste, me idenë që do e sjellin Rusinë armike në zemër të NATO-s, të cilin plan, ja kishin detajuar me gojë edhe Presidentit Ronald Reagan. Pastaj, nën presion maksimal, u detyrua Presidenti francez Mitterrandi, me shkuar për një vizitë sqarimi ekspres në Washington, sa për ta garantuar Amerikën, mbi besnikërinë e vijes politike franceze ndaj Aleancës Atlantike. Ndërsa, nëna ime Xhevahire Sadria, ishte lutur disa muaj për fitoren e tij në Elizé dhe ndezur 12 qiri dhe e kemi pas festuar me mjaft entuziazëm në Bruksel, ardhjen e tij në pushtet, të ushqyer me ëndrrat dhe iluzionet tona për drejtësi dhe barazi. Ja postova një letër, shoqëruar me një libër me poezi, “Dikund Dikush” dhe na ktheu përgjigjen shkurtimisht duke thënë – “Zoti Sherifi, falënderojeni nënën tuaj për lutjet që i ka bërë për mua, të cilat më kanë ndihmuar me siguri, ndërsa ju jeni i dyti autor shqiptarë, të cilin e kam lexuar, pas Ismail Kadaresë dhe mund të them që jeni një poet origjinal. Me respekt dhe përzemërsisht. François Mitterrand”.

Ja tregova atë karton me shkrimin e tij nënës Xhevahire dhe u gëzua shumë, duke më thënë – a po e sheh, nuk na ka harruar… qenka me të vërtetë njeri i mirë ! Kurse pas një jave, më erdhi një mik i ngushtë francez nga regjioni Cognac, ku prodhohet pikërisht konjaku francez dhe ku mbahet sot Festivali Internacional i Filmit Policor, zoti Fernand Radar, një poliglot që i fliste 12 gjuhë, deri edhe në magjarishtën dhe danishtën, islandishtën, portugalishtën, të cilat janë mjaft të komplikuara. Qëndroi për darkë… dhe na tha, që jam gjenealogjikisht i afërt me Jeronim de Rada, sepse, e kam bërë lisin apo trungun tim me seriozitet, e jo sikurse ju, që nuk e dini kush është gjyshi apo stërgjyshi juaj, e mos të flasim pastaj për Historinë e Kombit.

Dhe zonja Xhevahire – mos u entuziazmoni fare për fitoren e Mitterrand-it, se ka për t’iu dalur shumë shpejt për hundësh, ty dhe sidomos vetë francezëve, sepse është një makiavelist, manipulator i paparë, një personalitet i paqartë me 10 maska, të cilit do ia shihni tymin dhe fytyrën e vërtetë më vonë! Mbajeni mirë në mend, se çka po ju them! Dhe gati ashtu na doli! Por më ftoi 2-3 muaj pas, për ta festuar 14 korrikun, si shenjë kortezie dhe më ndodhi një gjë komplet surrealiste, e cila e do një përshkrim special. Në vend se me thënë 30 sekonda: “rroftë festa dhe ta pimë një gotë shampanje për shëndetin tuaj dhe suksesin e Francës” dhe mirë u pafshim… u shndërrova jashtë çdo logjike dhe parashikimi si avokat amator, i improvizuar, i çështjes së Kosovës nën syrin e gjithë të ftuarëve, që ngelën sy çelur, e gojë hapur. Mirëpo, humbën mendt, humbën dhentë me tha një plak buzë Valbonës… le t’i rikthemi sa më shpejt me avion low coast, RYANAIR, Jacques Lacan-it.

Qysh dhe pse ky person e ka tundur për 30 vite të gjithë psikoanalizën franceze? Ka qenë në epiqendrën e të gjitha debateve mbi këtë fushë, ka qenë profesor, yll, maestro, guru absolut dhe çdo eveniment madhor që është lidhur me atë shkencë të Psikologjisë në Francë, është sillur direkt apo indirekt rreth personit të tij… dhe dikur ka ardhur puna deri ku iu është dashur njerëzve për të zgjedhur: a jeni në favor të Lacanit apo kundër Lacanit… kush e do Maestron dhe kush e urren? Aq shumë ka pasur sukses dhe ndikim, në opinionin francez dhe në rrethet intelektuale dhe shkencore, kontributi i tij si Psikoanalist. Me një fjalë, ose i ka mahnitur njerëzit, ose i ka irrituar në maksimum! Nuk mund ta imagjinoni sot, se sa sukses kanë pasur ligjeratat e tij, konferencat, seminaret nëpër salla hoteli luksi, apo universitete. Shkonin si me e takuar një rock star, një aktor të njohur apo një këngëtar, njerëz që vinin si fansa absolut të Kryemjeshtrit. Shpeshherë, edhe nuk i zinte as salla, apo auditoriumi dhe qendronin njerëzit në këmbë, të ulur në tokë, apo nëpër shkallë. Kurse sot, mezi presin për të dalur jashtë kursit, duke e shikuar 10 herë orën!

Më kujtohet një herë, në Sorbonë gjatë një ligjerate, si provokim duke e ditur që isha aty në sallë, i tha një stundente që ia bëri një pyetje precize – «Pyete zotin Sherifi, miku im poet, që na ka ardhur nga Albania”! I thashë vetes: – “a me ja hudhur një gotë ujë në fytyrë, apo me qeshur…»? Por erdhën më vonë disa studentë për të më pyetur mua për disa sqarime mbi teoritë lacaniane. Ju thashë, që nuk marr vesh asgjë, ngaqë nuk jam specialist i asaj punë… por unë, e kam kuptuar kështu për veten time, nëse ju hyn juve në punë.  Dhe pas seancës, isha pak i nervozuar dhe më tha Lacani: – Po çka ke, o mik, të kanë kapur prapë mjegullat ballkanike… eja tek unë, a mos do rivish përsëri në veti!

E kam pas trajtuar këtë temë me Angjelopoulosin, por më tha që nuk ka zgjidhje.

E dojmë mjegullën, pa qartësinë, se pastaj mund t’i krijojmë përrallat tona për qejfin tonë dhe mitet që na pëlqejnë dhe ushqejnë ne dhe mund t’i përdorim si kartvizitë kundër të tjerëve. Ti e a kupton, që ne nuk na intereson fare e vërteta! Sepse, na frikëson, nuk na konvenon, na nxerr komplet nudo dhe pa asgjë solide për t’u kapur. Ndërsa në mjegulla, jemi Ujku, me shpresën a mos do kapim diçka rastësisht dhe pos asaj, na punon imagjinata për të shpikur legjenda. Se monstri i Loch Nesit paraqitet në mjegullat e Skocisë, por jo nën qiellin blu mesdhetar të ishullit Santorin apo Rodos. A je dakort? Pra, aty ku nuk ka histori të konfirmuar shk3ncërisht përmes fakteve objektive dhe dokumentëve arkivore, ka për ta mbuluar atë zbrastësi tragjike, vetëm me Mite dhe Legjenda. Mirëpo, e keqja është që dikur vjen dikush dhe të thotë “përralla ime është më e mirë, më e vjetër, më e vërtetë sesa përralla jote dhe ka përparësi…” dhe në vend se me qëndruar në fushën puro-artistike apo kulturore, kalon përmes një perversioni të qëllimshëm, në fushën politike apo propagandistike dhe aty pastaj, çdo devijim apo katastrofë është e mundshme, siç e kemi verifikuar me shekuj tek ne, nëpër Ballkan.  Waou, miku im greko-frankofon: çfarë leksioni me disa fjalë dhe me filmat e tu sublim, plot finesë, thellësi, vërtetësi dhe inteligjencë. Të falënderoj për ketë leksion aq brilant!

Shkova tek Lacani, mora një ujë dhe një verë… më tha, shtriju këtu në kolltuk dhe fol mbi mjegullat tua, konfuzionet, humorin e momentit, atë çka të vjen spontanisht!

Më drejtoj minimalisht me disa fjalë, më tepër me pyetje dhe nën pyetje. Dhe dikur e pava që u qetësova dhe m’u ribmushën bateritë dhe fillova për të qeshur.

Më tha: – a e ndie tani vetën më mirë, Sherif? Po, me siguri, thank you Lacan ose Satan, a mos je magjistar? – Jo, jam shkencëtar! – Po, si Zulo shkencëtari, i cili ju thoshte sshatarëve shqiptarë nëpër bjeshkë – «nëna e Mushkut është Gomari»!

– Me të vërtetë, je një rast limit, por edhe komik, e kjo të shpëton! Më tha Zhaku…

A po e sheh fuqinë e fjalës, ti mik ? Fjala e përcakton subkoshiencën dhe është çelsi i saj … mbaje mirë në mend dhe ua thua gjithë albanezëve.

Po, po, e ke me të drejtë! Do ua them dikur… kur të mbrri Elon Muski në Mars. Kur të zhduket raporti njerëzor mbi tokë dhe kënga e zogut të fundit…

A e di që do i kisha marrë deri në 250 euro, vetëm për këtë konsultë?

Po, e kuptoj, sepse ta paguajnë emrin! Dhe borgjezët janë pak edhe snobë… Si me e marrur unë për qejf dhe për show Henri Kisingerin si këshilltar politik, apo një avokat super të famshëm, tipa që e kanë 1000 dollarë mos më tepër orën, vetëm me u ulur në zyrën e tyre, të duket si privilegj i rrallë. Me pas qenë në Tropojë tek ne në fshat: do të kisha paguar me një tepsi pite me kunguj, një pulë, një lepur, një kilogram kafe apo sheqer, një thes me gështenjë apo me arra… kaq janë mundësitë tona, miku im!

–  Ha… ha… ha… je unik dhe po më pëlqen jashtë mase si tip. Eja e të përqafoj!

Nuk kam pa personazhe si ti në krejt Paris – ke diçka tjetër si brumë… mister. Porse, je i vetmi që më bën për të qeshur dhe më nxjerr nga rutina e përditshme. Pos, asaj, edhe më pasuron me surprizat e tua… ke diçka surrealiste, por tek ti kanë funksionuar porositë dhe transmetimet. Do të thotë, që ke rrënjë dhe memorie, ndërsa jemi në një epokë, e cila prodhon vetëm amnezi. Kjo është forca jote dhe mbi këtë shtyllë solide, e gëzon gjithë atë liri për të luajtur siç të duash me elementet. Besoj, që kam filluar pak me të kuptuar!

Mirë e ke zoti Lacan, jam dakort në parim, por formulën alkimike, sekretet e kuzhinës sime intime shpirtërore, do i mbaj për veti, nëse nuk të pengon. Po e shtoj që i kemi disa miq apo të njohur të përbashkët në Paris – si për shembull Michel Leiris, Balthus, Pierre Klossowskin, Simonën, etjerë…         Edhe mua personalisht, më ka pëlqyer antikonformizmi yt dhe gjithë ai kuriozitet që ke pasur në jetë, ndaj botërave dhe fushave, të cilat nuk i ke pas njohur më parë… Dhe për mua, kjo të ka bërë super interesant dhe tepër origjinal. Sepse, dikur ke shpikur diçka tënden me gjithë këto elemente. Ke qenë, sikurse unë në poezi, një farë blete: ke huazuar kudo dhe e ke bërë tëndën, e ke bluar perfekt dhe e ke lidhur me çka ke dashtë për të shprehur.

Ka ndodhur disa herë, që jam shtrirë për qejfin tim tek Jacques Lacani, gati si t’ishte një lojë fillimisht, një ritual mes nesh, për një seancë psikoanalize të improvizuar, krejt cool dhe pa protokoll, porse e kam ndier veten më mirë. Një farë çlirimi dhe çlodhje mendore, shpirtërore, e nevojshme. Dhe e kuptova që e ka ajo punë, një sens të thellë dhe që nuk është vetëm cirkus dhe teatrologji. Porse duhet me qenë e menaxhuar nga një mjeshtër i vërtetë, e jo një sharlatan, apo një pseudo-doktor i Psikologjisë, me një diplomë të blerë në Tiranë, si djali i Finit, i qeverisë italiane. Një terapi përmes fjalëve me një mësues gjenial të madh. Si një rrëfim tek Frati, apo tek një Plak në odë. Sinqerisht, kur e mendoj sot, me famën që kishte ai Njeri në Paris, ishte për mua, një privilegj madhor, gati i paparë. Imagjinojeni në një film të Bergmanit: një malësor i psikoanalizuar nga zoti Lacan, psikoanisti më i famshëm i Francës dhe ndoshta edhe i Europës gjatë 30 viteve, po themi prej 1945 e deri në 1980 afërsisht. A nuk është kjo një eksperiencë e rrallë dhe një përjetim unik, për një shqiptar? Shyqyr që nuk më kanë pa prindërit, se do kishin thirrë një Hoxhë apo një Prift, për të më rikthyer në rrugën e zotit, ose do e kishin telefonuar William Friedkinin, për të ma sjellur ekzorcistin Max von Sidow tek shtëpia, e rrethuar me hudhra tek oborri dhe dera. Ha… ha… ha… Motor! Action!

Mirëpo tani, më duhet për t’ua prezantuar pak më mirë bashkatdhetarëve të mi, se kush ka qenë saktësisht Jacques Lacan, cili ka qenë kontributi i tij në Francë, çfarë roli ka luajtur, pse ka qenë një figurë qendrore, e rëndësishme dhe referenciale e psikoanalizës franceze? Unë mendoj sot, që një pjesë e jetës është e shkruar, e programuar dikund nga lart, ndërsa pjesa tjetër është e zgjedhur lirisht nga ne.

Jacques Lacan lind në Paris në vitin 1901, nga një familje e borgjezisë së mesme franceze, e cila nuk ka qenë e klases elitare intelektuale, por më tepër tregëtarë që janë pasuruar gjatë periudhës 1890–1915, që është quajtur «La Belle époque» ose Epoka e Bukur, sepse janë shënuar në atë moment kohorë shumë progrese teknike, shkencore dhe ka funksionuar biznesi për mrekulli, gjer në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Bile po në atë kohë si korolar i atij revolucioni dhe zhvillimi industrial, lind edhe në fushën artistike, rryma “Art Nouveau” ose Art Déco, e cila vazhdon edhe pas luftës, me disa artistë të cilët e përfaqësojnë, sikurse Alfons Mucha (piktorë, prof, grafist dhe ilustrator çek, i famshmi Gustav Klimt, Hector Guimard (arkitekti më i madh i atij stili) siç ka qenë edhe Viktor Horta në Belgjikë… pastaj, e keni piktorin prestigjioz të kabareve franceze Henri de Toulouse Lautrec, i cili ka lënë gjurmë edhe në kinematografinë botërore, Louis Majorelle (artist, dekoratorë, ebenist, piktorë… e keni Vilën Majorelle në Francë dhe në Marrakesh të Marokut, me një kopsht gjenial, ku ka jetuar gjeniu i modës Yves Saint-Laurent disa dekada), Gerda Wegener (ilustratore dhe piktore franko-daneze ), tjetri danez Kay Nielsen, i cili ka punuar për studiot Whalt Disney, Koloman Moser, piktor dhe dekorator austriak, i cili ka vepruar në Vienë dhe arkitekti i njohur italian nga Palermo, zoti Ernesto Basile. Pastaj keni Emile Gallé, René Lalique, Viktor Prouvé, të cilët kanë lërë gjurmë kudo në dekoracionin tipik të arteve të reja.

Gjyshi i Lacanit, zoti Emile, tregtar i rëndomtë, e sharmon dhe martohet me vajzën e pronarit të një firme të njohur franceze, e cila prodhonte uthull, në qytetin mjaft pro mbretëror Orléans. Nëna e Jacques Lacanit, zonja Emilie Baudry, është vajza e një dembeli, i cili nuk punon fare, ngaqe ka fituar lloton (ha… ha… ha…) është mjaft e mbyllur dhe zhytet në fé për t’u pajtuar me fatin e saj të mjerë. Ndërs, babai i tij është përgjegjësi financiar i prodhimeve të uthullës, të firmës Dessoux në Paris. Ngaqë, gjithë familja e tij notonin në uthull, në mesha, në formalizëm dhe rregulla strikte mjaft absurde, ja lanë në kujdestari djalin e tyre Jacques Lacanin, një mamice, ose pseudo governatore edukative, siç bënin dikur mbretëritë dhe arsitokracitë.

(Kurse mua, ma ka pas dhënë gjirin një nënë e dytë simbolike në fshatin Begucë, të Vitisë, kur mori mëhalla vesh, se nëna ime Xhevahiria kishte marrur tuberkulozin. Prej, asaj dite, jam thelluar pak a shumë, në historinë e gjirave femërorë).

Lacani e ka ruajtur një kujtim të hidhur nga fëmijëria dhe nga familja e tij, çka mund të kuptohet dhe e urrente atë lloj ambienti të rëndë mortuar, si në disa filma të Bergmanit, apo të Michael Hanneke, të cilët të çojnë në prag të depresionit kronik.

Janë 4 fëmijë, Zhaku është i madhi, pastaj i dyti do vdes nga një hepatit, kurse vëllai i ri do bëhet murg në një manastir (pas kongresit të gjuhës shqipe) duke e ndryshuar edhe emrin dhe tani e thrasin kafexhinjtë e lagjes: «po si dukeni Baba François»?

Mund të themi lirisht, që i shkreti vjen nga një familje me disa burma mangu!

Jacques Lacani shkon në shkollën fillore dhe të mesme në kolegjin e njohur katolik Stanislas të Parisit 6 – dhe është serioz dhe i suksesshëm si nxënës. E kap një flutur të bardhë si bora dhe ia ofron një shoqje klase, e cila e puth për ta falënderuar. Ndërsa, në moshën 14 vjeçare, e zbulon etikën e filozofit holandez Spinoza (një vepër madhore referenciale, e shkruajtur në gjuhën latine mes viteve 1661 dhe 1675 dhe e botuar pas vdekjes së tij në vitin 1677) dhe ajo vepër e ka një ndikim të madh në formimin e tij… siç e ka pasur tek unë në të njejtën moshë, Artur Remboja.

Spinoza, e propozon një lexim apo interpretim gati puro matematik, me logjikë të ftohtë analitike dhe deduktime racionale, të çëhtjeve madhore filozofike apo metafizike. Është një interpretim linear, që duket i thjeshtë, por është mjaft kompleks në praktikë: arsya – pasojat ose konsekuencat – dhe aktet (ose si duhet me vepruar, çka duhet për të bërë, për t’iu përgjigjur dy të parave)? Thënë ndryshe: ndodh një eveniment, një ngjarje IKS… do të thotë vjen ashtu papritmas, gati arbitrarisht, pa na pyetur ne fare, porse na imponohet… Pse? Sepse, vjen nga natyra apo nga zoti (këtu natyra mund të jetë zoti dhe anasjelltas, tek Spinoza) dhe tani na detyron ajo ngjarje për t’iu përgjigjur me një veprim të caktuar. Mirëpo ai veprim, ose akt që do e bëjmë ne, na imponohet si pasojë e atij evenimenti që ka ndodhur, pra, na është diktuar e jo që e kemi pas zgjedhur apo planifikuar ne vetë, me një skicë intelektuale… vetëm që i përgjigjemi situatës, kaq… d.m.th. Zotit apo Natyrës. Pra, kjo është pak a shumë, nëse e kam kuptuar edhe unë, ideja e filozofit. Pastaj, prej nga viti 1918, Jacques Lacani ndahet definitivisht me rrethin e tij familjar dhe i len të zihen në kazanet e provincave të mbyllura dhe pa perspektivë. Në kurset e filozofisë, lidhet me profesorin e tij, Jean Baruzi (filozof, historian i feve dhe më vonë do emërohet profesorë në shkollën prestigjioze dhe elitare franceze, le Collège de France në vitin 1933 – ku libri ‘Mein Kampf’ i Hitlerit do bëhet një best-seller). Ajo shkollë është gjigante në historinë e Francës, sepse është hapur që në vitin 1530 nga mbreti François 1er. Aty kanë kaluar Georges Charpak (fizikant, me çmim Nobel në 1992), Jean François Champollion (gati babai i egjiptologjisë, me famë planetare, ngaqë i ka deshifruar hieroglifet faraonike), Giuseppe Ungaretti, poeti italian, Claude Bernard (profesor i mjekësisë), Umberto Eco (profesor në vitet 1992-93) bashkë me Bronislaw Geremek, Claudio Magris (autori italian), Maurice Bloch… pra, të gjithë kanë qenë dikur pedagogë në atë shkollë prestigjioze.

Babai i Lacanit rikthehet i dëmtuar dhe gjysmë i lujtur nga Lufta e Parë Botërore.

Zhaku merr distancat me botën fetare dhe shkon rregullisht te libraria e poeteshes franceze Adrienne Monnier, e cila organizonte takime dhe mbrëmbje letrare. Po aty takon André Bretonin dhe Philippe Soupault, themeluesit e surrealizmit, të cilët do i flasin për eksperimentet e tyre letrare dhe për shkrimin automatik, në bazë të hipnozës, ëndrrave apo drogave stimuluese. Bile do e ilustrojnë në librin e tyre:         «Fushat magnetike».  E kam pasur një miqësi të rrallë dhe të thellë me Soupault-në, për të cilin do ju flas një herë tjetër, pas emisionit «Dancing with a Star» në Top Channel.

Jacques Lacani fillon studimet e tij në Mjekësi në vitin 1919, në lagjen e njohur emblematike të Parisit, «le quartier latin» epiqendra e gjallërisë, sidomos gjatë asaj periudhe 1920 dhe deri në vitin 1929 në Amerikë, pak para depresionit ekonomik e social dhe kriza delirante, që quhej CRASH i vitit 1929, falimentimi financiar, ku leku nuk vlente asgjë dhe ku me një valixhe plot me letra, e bleje një bukë ose e ndizje kaftorrin në dimër me 30.00 dollarë… ha… ha… ha… A nuk është situatë surrealiste dhe dadaiste kjo? Fillonin njerëzit, kapitalistët e rrënuar për t’u ngjuajtur nga buldingjet amerikane dhe për të bërë vetvrasje, sikurse Lemingat, apo Delet e pa mend. (I kap një stres i pakontrolluar, një çorientim i busullës së tyre biologjike dhe veprojnë verbërisht apo mekanikisht të diktuara nga një instinkt thanatosi, vdekjeje, sikurse Rajhu III Gjerman, që mendonte për ta sunduar gjithë botën).

Më kujtohet një film i vëllezërve Ethan dhe Joel Cohen – ‘the big Lebovski’ i vitit 1998 më duket ose Fargo, ku pas një këshilli administrativ, në katin e sipërt të një kulle amerikane gjigante, hidhen të gjithë bosat në ajër për nga dritaria. Ndërsa, në Francë vazhdon hajgarja globale deri nga vitet 1931… Mirëpo, ai interval 10 vjeçar quhet për opinionin publik “les années folles – ose vitet e marra” ku ka qenë liria në kulm, bota e natës, e klubeve, e seksit, e shpikjeve artistike… një lloj para majii 1968 në fakt. Por kriza ekonomike dhe sociale e thellë, zhvillimi i forcave të errta fashiste dhe komuniste nëpër botë, krijuan një atmosferë ankthi dhe depresioni gjeneral dhe na plumbosën ambientin festiv, deri pas Luftës së Dytë Botërore, nga vitet 1946, me bodrumet e Saint-Germain-des-Prés, me jazzin, twistin dhe rockun amerikan.

Gjatë vitit 1923, për herë të parë dëgjon Zhaku emrin e Freud, themeluesi i psikoanalizës në Vienë, të cilin e demonton pamëshirësisht filozofi Michel Onfray, duke ia shpalosur të gjitha mashtrimet dhe manipulimet e tij në Vienë, në një libër biografik, që ia ka kushtuar (ka shumë elemente të vërteta, pa dyshim, mirëpo është tepër ekstrem dhe i një anshëm, sepse, nuk ja njeh meritat e tij… pos anëve të ulëta që i ka pasur realisht në jetë, ngaqë ishte egocentrik edhe abuzues)!

Jacques Lacani është gjermanist i shkëlqyer, i aftë për ta lexuar direkt Niçen, në gjuhën gjermane dhe fasinohet nga vepra e tij “Përtej të mirës dhe të keqes” e botuar në vitin 1886. Po ashtu, e lexon edhe Ulisin e James Joyce. Pastaj, në vitin 1924 është mjaft konfuz, kontradiktor, e kapin disa ethe dhe delire.

Mendon për ta braktisur Fakultetin e Mjekësisë dhe për të shkruar si aventurist në Afrikë, nga Senegali (ku ka pas lindur shoqja e ish presidentit normal dhe anormal, François Hollandë, i cili debatonte me një cigane shqiptaro-maqedone, 15 vjeçare, mbi të drejtën e emigracionit, një farë Leonarda dhe e turpëronte funksionin e tij dhe Republikën – e kisha fjalën si dekonstruktivist i lindur – për Segolène Royal, të cilën e mundi Nicolas Sarkozy, në zgjedhjet presidenciale me 53 për qind të votave).

Lacani afishonte një simpati për mbretërinë, si një pjesë e Mërgatës së Qyqeve.

Takohet me gjeneral Weygand, anëtar i Akademisë Franceze dhe me shkrimtarin dhe politikanin francez Léon Daudet. Është në atë periudhë pak nacionalist dhe mbretëror i djathtë. I beson teorisë së ‘determinizmit’ do të thotë që çdo gjë është e shkruar, e diktuar apo e përcaktuar, sipas principit të arsyes (pse ndodhi kjo gjë, nga na erdhi) dhe të efektit të saj, ose pasojes (çfarë pasoje la tek ne), cilin efekt e shkaktoi) me idenë që çdo eveniment rrjedh si pasojë apo si rezultat i një evenimenti tjetër, i cili ka ndodhur para tij… pra është i diktuar, i kondicionuar.

Me atë logjikë, kuptohet që vetvendosja e jonë, liria e veprimit, është mjaft e reduktuar dhe tingëllon më tepër si një ëndërr, si një iluzion, sesa si një realitet. Pra, e kundërshton aty teorinë e René Descartes mbi “Le libre arbiter”.

E bën po ashtu të vetën analizën e antropologut më të famshëm botëror dhe babai i strukturalizmit, miku im Claude Lévi Strauss, sipas të cilës, zhvillimi i psiqikës individuale, varet nga rrethanat, pra, nga struktura sociale dhe kulturore nga e cila vjen ai individ. Konkretisht, nëse rritesh në Savanat afrikane apo në xhunglat amazioniane, nuk do zhvillohesh tamam, si një amerikan i Manhatanit në New York apo një francez i rritur në Paris. Do të thotë që rrethanat IKS e YPSILON, kushtet, backgroundi, do e përcaktojnë më vonë zhvillimin e filan individi dhe deri dikund pastaj, edhe zgjedhjet e tij personale, vendimet e ti në jetë (por me një përqindje më të vogël). Tani e kam pyetur shpeshherë veten: a do isha Skënder Sherifi i sotit, po të isha rritur, edukuar dhe shkolluar në Shqipërinë e Enver Hoxhës, si djalë i një familje të kataloguar armike, reaksionare dhe anti-komuniste? Absolutisht, që jo!

Tani Jacques Lacani, rikthjellohet pak me veten e tij, e harron Afrikën, mitin klishé të eksploratorit të bardhë që sjell civilizimin dhe i rivazhdon studimet e mjekësisë. Punon në spitalin super të njohur të psikiatrisë franceze, SAINT-ANNE, që egziston prej vitit 1867 me dëshirën e Napoleonit të tretë. E ka për shef dhe më vonë mik, profesorin me famë ndërkombëtare, zotin Henri Claude. Mirëpo, Jacques Lacani, është super kurioz dhe jo aq i kornizuar vetëm në disiplinën e tij profesionale. Dhe do interesohet nga afër, edhe bile duke ndjekur kurse, stazhe, seminare, për arritjet e reja në fushën e linguistikës, me teoritë e Ferdinand de Saussure dhe Roman Jakobsonit dhe po ashtu në filozofinë krijuese të dadaistave dhe të surrealistave, por edhe në tezat e filozofive strukturaliste dhe fenomenologjike.

Për momentin Zhaku jeton te rue de la Pompe, në Paris-in, 16, me dashnoren e tij, Marie Thérèse Bergerot, 15 vite më e pjekur se ai… ec e kuptoje pse? E pyeta ambasadën shqiptare marksiste-leniniste, që ishte aty afër: «a bën dikush qebapë dhe suzhuk Prizreni këndej; a e dini me çka po merret zoti Lacan, që e keni komshi; a mos e keni një dosje mbi të? Por më thanë – nuk e njohim, or zotëri dhe mos u duk më këndej, se nuk merremi me zogista, as me ballista, por me Nasho Jorgaqin dhe Isuf Emurlain, i cili hante dhe pinte qyl, në odat e emigracionit shqiptar në Bruksel. Pastaj, nga viti 1929, e merr për mikeshë të rastit, gruan e dytë të autorit depresiv pro fashist, Pierre Drieu la Rochelle, miku i ngushtë i Arragonit, një farë Olésia Sienkiewiecz, një artiste polake, i cili tani e ka gjetur një mecene të pasur nga Argjentina, shkrimtare dhe botuese me emrin Viktoria Okampo. Pas kësaj tangoje të Gardelit, pa tlyen… vazhdon duke u zhagitur nëpër klubet letrare dhe artistike të kryeqytetit francez, ku takon autorin e zi dhe nihilist Georges Bataille. Në vitin 1930, pasi që e lexon librin “Gomari i qelbur” i piktorit të famshëm katalan Salvador Dali, shkon për ta takuar në banesën e tij disa herë, sa për t’ia sqaruar në detaje, çka ai e quante, «teorinë e tij mbi metodën paranoiako-kritike» dhe si ka ndikuar praktikisht në krijimtarinë e tij artistike, në pikturë dhe në skulpturë?

Dhe siç ju thash më parë, duke i amalgamuar dhe sintetizuar të gjitha këto informata, duke ua gjetur ndonjë lidhje së bashku, fillon për ta formuluar një mendim të tij origjinal, mbi psikologjinë dhe psikoanalizën, duke e fituar gradualisht një autoritet dhe një famë, dhe duke e krijuar ashtu një «shkollë mendimi». Kështu, që në vitin 1931-32, do bëhet realisht lideri i një shkolle lacaniane në fushën e psikoanalizës franceze, një lloj Maestro, një Guru, një Personalitet referencial, të cilin një pjesë e inteligjencës do e adhuronte në ekstrem, ndërsa pjesa tjetër do e urrente dhe do e luftonte, po ashtu gjer në fund. Porse, do jetë ky vetë, epiqendra e të gjitha debateve, diskutimeve, prononcimeve, deri në atë shkallë, ku çdokush do detyrohet për t’u pozicionuar dikur, ose në favor, ose në të kundërtën, me teoritë psikoanalitike të Jacques Lacanit. Pra, e ka dominuar skenën psikoanalitike franceze në aspektin ideologjik, pedagogjik dhe kulturor gjatë 30 viteve, mjedisin e Parisit.

Në vitin 1932, i pranohet teza e doktoraturës mbi temën: «Psikoza paranoiake dhe marrëdhëniet e saj me personalitetin» duke e cituar filozofin Spinoza në fillim dhe në mbarim të punimit të tij. Në një farë mënyre, e afron mendimin filozofik të Spinozës, anën matematike dhe deduktive (sesi rrjedhin gjërat automatikisht në fakt, të diktuara nga urgjenca e rrethanave dhe e ngjarjeve), idenë e disharmonisë ose e frakturës freudiane, mes UNIT të dyzuar (i cili do përjeton në konflikt të hapur mes realitetit objektiv të jashtëm, të cilit UNI racional do i përgjigjet normalisht dhe logjikisht dhe urgjencave pulsionale apo instinktive që rrjedhin nga subkoshienca, një botë e panjohur dhe tepër irracionale, do të thotë e rrezikshme, sepse e dalur komplet jashtë kontrollit racional të individit … gjithë mjeshtëria është për ta gjetur ekuilibrin e duhur mes të dyjave, dosazhin e saktë).

Tani, një pjesë e madhe e psikoanalistave francezë ja hedhin atë tezë poshtë dhe e luftojnë radikalisht. Dhe çka është më e çuditshmja, vijnë për ta fuqizuar disa artistë me reputacion, autorë, apo filozofë, që janë komplet jashtë atij profesioni. Persona sikurse  Paul Nizan, René Crevel, Salvador Dali, Jean Bernier, të cilët e ngrenë në qiell dhe deklarojnë që ky është kryemjeshtri absolut i Psikoanalizës franceze. Lacani fillon për t’u interesuar ndaj filozofisë fenomenologjike, e themeluar nga gjermanët Husserl dhe Heidegger, via specialistit të asaj fushe, një filozof francez me origjinë ruse, Alexandre Kojève, i cili e ka riaktualizuar komplet Hegelin në Francë.

Takon edhe Koyré, Paul Eluard, Man Ray, të cilët i kërkojnë që të prononcohet si psikoanalist mbi procesin apo gjykimin e motrave Papin, të cilat kishin vrarë pronaren e tyre dhe që riskonin dënimin me vdekje, pra giotinës. Dhe me këtë rast, vjen Lacani përmes Hegelit dhe Spinozës, për ta argumentuar veprimin e këtyre motrave, si diçka e diktuar nga Revolta e Klasave (ekspluatorë, persekutorë – dhe të ekspluatuar, të përsekutuar, që dikur do revoltohen! Një logjikë puro marksiste!

Gjatë vitit 1934, martohet me piktoren Marie Louise Blondin dhe hap një kabinet për konsultime psikologjike në bulevardin Malesherbes, që e kalon Parisin 8 dhe 17, lagje të pasura mjaft borgjeze. Një vit pas, e takon mikun tim, po ashtu depresiv dhe nihilist Michel Leiris, poet, etnologë dhe autor i Afrikës së Lugetërve, mbi Dogonët. E ndjek seminarin e Aleksandre Kojève, filozofit, në shkollën e studimeve të larta (école des hautes études). Aty e takon Raymond Aron, kundërshtuesi kryesor, bashkë me André Camus, me argumente plot të drejta, i Jean Paul Sartrit në fushat politike dhe sociale, me disa pozicionime mjaft debile, sikurse ato të Luis Aragoni. Bisedon me Merleau-Ponty, Georges Bataille, Raymond Queneau, Henri Corbin dhe me mikun tim Pierre Klossowski, të cilin e kam njohur nga afër, duke i ndarë disa aventura delirante me të, bashkë me vëllain e tij Balthus, piktor dhe shkrimtar, filozofiko-erotik dhe transgresiv, me origjinë nga Polonia, ku nëna e tyre, artiste ishte dashnoria e poetit fantastik gjerman Rainer Maria Rilke… ndërsa unë, u lazdroja me Zazinë, nëpër Metro të Parisit.

Jacques Lacani, do i ketë 3 fëmijë dhe do okupohet personalisht në spitalin Saint-Anne, për autorin, aktorin dhe dramaturgin pak të krisur, poet sublim, aktor hipnotik dhe i pashëm, shpikësi i shkollës teatrore – «teatri i egërsisë, ose i pamëshirësisë – théâtre de la cruauté» zoti Antonin Artaud, edhe ai mu ka dhimbur shumë si figurë e djegur dhe e sakrifikuar. Për ta harruar atë dramë njerëzore të pa përshkrueshme, dashurohet me shoqen e Georges Bataille, që e favorizonte një erotizëm makabër bodlerian, me aktorën delirante por të gjallë, Sylvia Bataille, e cila kishte merita për ta duruar atë spektër hamletian. Me 13 qershor 1940, kur hyn trupat gjermane në Francë, Jacques Lacani ikën në zonën e lirë në Marseille, ku e takon autorin e madh André Malraux, i cili ka marrë pjesë direkt në luftën civile spanjolle, një ndër të vetmit persona, që e ka admiruar edhe Charles de Gaulle, duke e ftuar rregullisht si mik intim tek shtëpia e tij private në Colombey les deux Eglises. Kurse unë, isha më tepër i koncentruar në këngën e gjinkallave, në blunë e detit mesdhetar, në dolce vitën feliniane dhe në vajzat që defilonin duke buzëqeshur në shëtitore. Lexoja më tepër Marcel Pagnolin dhe Jean Giono për t’u ambientuar, ndërsa sot ka ndryshuar ambienti, sidomos në lagjen 11 të Marseilles, ku kartelet e improvizuara qërojnë hesapet e tyre si në filmat serialë B – amerikanë, me kallashnikovë të blera në Ballkan, për pak lekë. Bravo, çfarë evolucioni… për ta mahnitur Oksfordin dhe Harvardin!

Kurse Lacani do e ketë një vajzë ilegale me Silvën… në vitin 1941, pavarësisht që janë të dy të martuar. Çka e detyron Georges Bataille për të divorcuar… Lacani, rifillon punën e tij si psikiatër në spitalin Saint-Anne dhe shkon për t’u instaluar tani në numrin 5, rue de Lille, në Parisin 7, një lagje super e qetë në këtë kryeqytet francez. Del nëpër klube, kafe, bare dhe takon Jean Paul Sartrin, Simonën e rrethuar me disa admiratorë të Sorbonës, Raymond Queneau, Pierre Reverdy, fotografin Brassai, aktorën gjeniale Maria Casarès, e dashuruar në autorin fenomenal Albert Camus. Ah, shyqyr që na kaloi edhe kjo Luftë e Dytë Botërore muti!

Silleni shampanjën dhe ta festojmë duke vallëzuar Shotën dhe vallen e Rugovës…

Tani jemi pas viteve 1945: kush është sjellur mirë, kush na ka tradhëtuar? Kënd duhet për ta celebruar, kënd duhet për ta qethur, ngjuajtur me gur, apo pushkatuar?

A ka dikush ndonjë karton, për të dëshmuar që kam qenë rezistent anti gjerman?

Do ua shpërblej me napolona ari dhe bizhuteri të vjedhura tek Hebrejtë…

Franca e pas luftës, ka qenë kulmi i ultësisë dhe i hipokrizisë, diçka e paparë.

Nuk e di, a kanë pas rezistuar seriozisht 5 deri në maksimumi 10 për qind tamam?

Vetë Charles de Gaulle, ka qenë i gërditur dhe deklaron një ditë në dëshprim:- shikoni, nuk kemi tjetër alternativë, o miq dhe me këta horra duhet ta ndërtojmë tani një shtet demokratik dhe profesional, duke i kontrolluar aq sa mundemi… sepse, përndryshe, duhet që t’i përjashtojmë apo pushkatojmë 90 për qind të francezëve.

Sa njerëz janë bashkangjitur realisht me mua në Londër dhe në lëvizjet e rezistencës franceze brenda territorrit? Ne, të gjithë e dimë realitetin… por na duhet për ta mbyllur tani atë kapitull të zi të historisë sonë!

Lacani lidhet tani me Mélanie Klein, psikoanaliste austro-britanike, e cila ka krijuar një farë fame në Europë. Ndërsa në vitin 1949, do botohet një vepër referenciale shumë me rëndësi për Lacanin, që quhet «Strukturat elementare të lidhjes familjare – Les Structures élementaires de la parenté» të antropologut Claude Lévi Strauss, i cili e ka pas lexuar me shumë vëmendje Sigmund Freudin.

Sipas psikoanalistit francez, fenomeni i nënvetëdijës ose subkoshiencës, i shpëton fushës puro biologjike, sepse përben edhe ai, një strukturë gjuhësore të tij… ndërsa fenomeni Edipian është universal dhe simbolik e jo natyror.

Në vitin 1951, kur arratiset ilegalisht babai im nga kufiri i Tropojës, përmes bjeshkëve të veriut, për në Gjakovë, tek Jugosllavia e Titos, si refugjat politik, në kohën e Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviçit, zoti Jacques Lacan e blen një pronë të madhe me kopshtë gjigant, terren dhe një Pallat, në regjionin e Yvelines, ku punon çdo të diele, konsulton disa pacientë të privilegjuar dhe organizon mbrëmje, dreka, darka, takime me Muharrem Bajraktarin, Abaz Kupin, Nik Sokolin, Shpend Sherifin. Koleksionon vepra arti,dhe çka pak kush e di, e ka pasur tek shtëpia e tij, veprën skandaloze të Gustave Courbet «Origjina e Botës». Po ashtu, kishte disa vepra të Balthusit, Renoir, André Masson, Derain, Monet, Giacometti; disa vizatime të Pablo Pikaso dhe plot statuja të periudhës aleksandrine të Egjiptit dhe greko-romake, pa folur për 5000 libra, me botime origjinale. Mund ta imagjinoni ju vetë, se në çfarë niveli ka qenë? Kush mundet për ta pasur sot, një koleksion të tillë? Pos, çka më ka mahnitur gjithmonë tek personalitetet franceze madhore që i kam njohur, përkundër Beneluksit, Zvicrës, Gjermanisë, pa folur për Ballkanin, është fakti, që e vendosnin artin dhe kulturën në epiqendrën e bisedave dhe të preokupimeve të tyre, ishte çelsi për t’u afruar me ta, në fakt dhe pos asaj, pos fushës së tyre profesionale, të cilën e zotëronin perfekt, nuk do mend… e kishin të gjithë një diapazon kulturor tepër të pasur, të gjerë, ngaqë ishin të etshëm për dije dhe kuriozë mbi çdo gjë të re, të cilën nuk e njihnin.

Çka për fat të keq, nuk e kam përjetuar kurrë në Belgjikë, edhe me elitën e vendit, as në Shqipëri, apo në Kosovën e sotit (ndërsa, deri dikund, por në një nivel më të ultë natyrisht, e kam pas përjetuar gjatë qëndrimit tim në Prishtinë, pranë Ibrahim Rugovës dhe disa prej shokëve të mi intelektualë apo artistë të asaj kohe, me çiftet e Fadil Hysaj, Agim Sopi, Ismail Ymeri, Rexhep Ferri, Rexhep Ismajli, Qani Mehmedi, Tahir Emra, Musli Mulliqi, Xhevdet Xhafa, Xhevat Mustafa, Fehmi Agani, e ca të tjerë… biseda dhe debate kulturore me orë) gjatë vitëve 1976-80, kurse sot, ka mbaruar përfundimisht ajo epokë (psikologjia mund të thuash post-studenteske, ose nostalgjia e kampuseve universitare) … vijnë dhe të takojnë formalisht apo mekanikisht për një kafe, duke e shikuar orën, kinse janë super të angazhuar dhe personalitete tepër të rëndësishme. Pra, kanë ndryshuar radikalisht raportet njerëzore, me një çoroditje… por jo aq për mirë, sipas meje!

Tani, për sa i përket fushës psikoanalitike, e cila më ka pas pasionuar edhe mua, në rininë time, Jacques Lacani e merr bazën e teorive freudiane, ose thelbin e Freud-it, atë çka i duket profesionalisht e pranueshme, por e kontekstualizon, e modernizon, e ri-interpreton përmes teorive të linguistikës, të cilat i ka huazuar tek Saussuri dhe Jakobsoni, përmes teorike filozofike të strukturalizmit dhe të fenomenologjisë, me Hegelin, Sartrin, Heideggerin, Claude Lévi-Strauss-in dhe Ramadan Byberin nga Ponasheci… por edhe nga eksperimentet dadaiste dhe surrealiste, me hypnozën, me shkrimin automatik, apo me deliriumet e Salvador Dalisë… dhe tani, të gjitha këto inspirime dhe huazime, i vendos në shërbim të shkollës freudiane, sepse i duket që Freudi është baza profesionale e psikoanalizës (edhe pse ai vetë ka pas devijuar në shumë pika, porse e kanë keqkuptuar, shpeshherë me fajin e tij). Mirëpo, tani vjen Lacani, për ta pasuruar dhe strukturuar pak ndryshe… dhe kështu, lind gradualisht ajo çka quhet sot në Francë «shkolla Lacaniane e psikoanalizës», e cila e ka dominuar gjithë skenën kulturore dhe shkencore franceze gjatë 30 viteve.

A u kuptuam siç duhet, si burrat e Malësisë? E keni një birrë prej meje!

Jacques Lacani e zhvillon idenë e tij, (Le Stade du Miroir) mund të themi «Etapa e Pasqyrës», por jo si një farë Narcizi, i cili e admironte vetveten në pasqyrë…

Por duke na shpjeguar që kur çdo fëmijë, i cili fillimisht nuk është fare i vetëdijshëm mbi egzistencën, trupin, apo imazhin e tij (çka është e logjikshme) kur e sheh për herë të parë, pastaj të dytë, të dhjetë, imazhin e tij në pasqyrë, pos efektit që i shkakton (e kam verifikuar me macen time siameze havana, pro Fidel Castro), fillon për ta kuptuar që e ka një trup specifik të tij dhe një imazh që i korrespondon dhe është dikur koshient që trupi i tij, sikurse edhe imazhi, dallon me trupat e tjerë të familjës. Pastaj më vonë, vjen ideja e «dëshirës, tërheqës, i atij pulsi të erosit, ndaj nënës… ah, po më bën mirë kur po më përkëdhel dhe përqafon nëna, por paralelisht, po e dëshiron edhe babain tim (burrin e asaj), pra trupin e babait… E pra, nuk qenkam i vetmi, i privilegjuar në një marrëdhënie fuzionale shkrirëse me nënën time dhe po m’u dashke për ta ndarë nënën time me babain tim… i cili më do dhe e dua, deri në një shkallë të caktuar, por njëkosisht, edhe është rivali im. E këtu, jemi tamam tek ideja e Freudit, në bazamentin e tij psikoanalitik. Lacani e perfeksionon atë teori të pasqyrës, me mbështetjen e profesorit Henri Vallon (mjek, psikolog, politikan, profesor në shkollën e famshme, le Collège de France) dhe të mikut të tij filozof, Alexandre Kojève. E mban një fjalim të dallueshëm në Romë, në vitin 1953, për t’i argumentuar pikëpamjet e tij mbi shkencën psikoanalitike. Ndërsa kushëriri im Fellini gjiron filmin «I Vitelloni», me Alberto Sordin, të cilin e kam pas takuar në Bruksel dhe Michelangelo Antonioni: «Zonja me Kamelia» me Gino Cervi, Alain Cuny dhe Lucia Bose. Ec e merrni vesh sepse, por kinematografia më ka ndjekur gjithë jetën, hap pas hapi, kudo që kam qenë dhe ndoshta më tepër sesa letërsia… jam dikund, një regjisor i dështuar, Motherfucker!

Të shkoj për një konsultim ekspres tek Jacques Lacani, për ta zbërthyer këtë nye, këtë mjegullnajë ballkanike. Mirëpo, në vitin 1955, ishte në Fribourg të Zvicrës, duke pi kafe me Martin Heidegger. Ishte me siguri më interesant, sesa një pirat poetik ilirian i Valbonës. Ja huazon me delikatesë idenë mbi «hulumtimin, dëshirën për t’iu afruar së vërtetës» në paralel me «lindjen dhe zhvillimin e dëshirës» si vjen ai proces i dëshirës dhe në të cilat etapa kalon për t’u realizuar? Po ashtu, e ka bërë të njëjtën gjë me konceptin e Ferdinand de Saussure: «Le signifiant et le signifié » qysh mund ta integroj në teorinë time mbi psikoanalizën? Pra, dallimi mes fjalës së shkruar, me germa, silabe, morfema, shenja alfabetike, po atë fjalën e shkruar që e shohim me sy, sipas një konventi leksikor dhe gramatikor… E sheh fjalën e shkruar «tavolinë apo shtëpi» e pastaj, «le signifié» është interpretimi simbolik i asaj fjalë në kokën e Njeriut, qysh e sheh ai vet konkretisht atë fjalë, qysh e koncepton, si e përfytyron, etjera…? Pra, kur e prononcon fjalën «shtëpi» :çka i vjen në kokë, si sens, si imazh, si domethënie konkrete? Ndërsa për Lacanin, idenë linguistike: «le signifiant» e intepreton në sferën e tij psikologjijke, si elementin «gjuha» pra, një mjet komunikimi esencial (ku ka akustikë, tinguj, fonetikë, por edhe simbolikë konceptuale). Dhe aty, i vjen me siguri ajo ideja, e cila mua, m’u ka dukur mjaft gjeniale: “subkoshienca apo nënvetëdija është strukturuar si një gjuhë në vete”.

A ju thashë që gjuha është mjet komunikimi? Po! Por edhe të çmendurit, psikotikët, paranoiakët, skizofrenët komunikojnë nëpër azile, përmes gjuhës së tyre, apo jo? Kemi dëgjuar çfarëdo lloj deliri, jam Napoleoni, Papa, Zoti, kam bërë këtë e këtë… disa, edhe kanë shkruar tekste të çuditshme, kanë bërë vizatime fantastike, piktura… Por, si mund të futesh ti, si intelektual, si psikolog, si filozof, në botën e tyre për të tentuar me i kuptuar deri dikund? Si mund të deshifrohet çmenduria e tyre… tamam si me i deshifruar hieroglifet apo shkrimet etruske? Natyrisht, vetëm përmes gjuhës, si instrument komunikimi. Është krejt evidente, porse Jacques Lacani e ka thënë dhe e ka teorizuar perfekt, e këtu qëndron ajo madhështia e tij. Pastaj, në vitin 1938 e takon dhe lidh një miqësi të gjatë dhe besnike me Françoise Dolto, e cila na ka lënë një gjurmë madhore, në studimin e psikologjisë fëminore dhe e ka mbështetur këtë teori të Lacanit mbi «strukturën gjuhësore të subkoshiencës»  – pra, si artikullohet, si zhvillohet, me luhatjet dhe nuancat e saj? Kur më thoshte për shembull në Bruksel, gjyshi im shpirtëror, zoti Marash Tushi nga Nikaj-Mërturi – «More djalë, ti nuk e di se çfarë lufte të ashpër kam bërë në malet tona me një kuçedër 6 metra gjatë… jam kacafytur me të me orë, deri sa mezi kam shpëtuar gjallë»!  Në të cilën botë ishim? E çka me i thënë? Me e thirrur shpejt Lacanin në telefon? I thashë: “Bravo të qoftë, se e ke nderuar Malësinë e Gjakovës”!

Mes vitëve 1953 deri në 1963: Jacques Lacani mban për çdo javë një lloj seminari të improvizuar mbi lloj-lloj teme intelektuale të ditës, një farë banketi post sokratik të shekullit 20… edhe kjo, m’u ka dukur mua një idé mjaft gjeniale, sepse, e kam  pas ëndërruar këtë gjë me vite, për në botën tonë shqiptare, por kam folur në ajër. Ideja e AGORES helenike… për t’u mbledhur si burrat me të gjitha dallimet dhe specifikat tona respektive, për të shkëmbyer ca ideja së bashku, rreth një tavoline, simbolikisht një sofre me pjata dhe pije, sa për të biseduar miqësisht, debatuar mbi problemet e kohës, por duke e respektuar njëri-tjetrin paraprakisht. Por LACANI, e ka realizuar gjatë 10 viteve së paku dhe ka qenë gati një laborator idesh dhe hulumtimesh të llojllojshme. Imagjinojeni, Jacques Lacanin për çdo javë,  i rrethuar me miqtë e tij të fushës psikoanalitike, me disa shkrimtarë, piktorë, dramaturgë, sociologë, filozofë, linguista, muzikanta… tamam, si në odat shqiptare. Imagjinojeni nëse dikush i ka regjistruar, filmuar, apo shënuar rezultatet e të gjitha atyre seminarëve miqësorë lacanianë? (Janë në minimum mes 400 ose 500 takime). Kurse tek ne mezi mblidhen 3 shqiptarë rreth një tavoline. Më lehtë i mbledh po themi 3 pleshta, siç thoshte Fishta më duket, apo dikush tjetër! A është normale? Sa herë ua kam shpjeguar bashkatdhetarëve të mi këtë problematikë qëndrore. Si janë shpikur rrymat, shkollat e mëdha filozofike apo artistike, si për shembull: kubizmi, fovizmi, dadaizmi, surrealizmi, kobra, bauhaus, pop arti i Wahrolit, nouvelle vague kinematografike franceze me Godarin, vala e ré gjermane me Fassbinder-in, Wim Wenders-in, Schlondorfin, Werner Herzogun, Alexander Kluge, arkitektura e destrukturuar me Frank Ghery për shembull, muzika eksperimentale me Pierre Boulez dhe Olivier Messianin, ekzistencializmi, strukturalizmi, e ca rryma të tjera…?

Sepse, 5 deri në 10 persona kanë vendosur për t’u takuar rregullisht së bashku gjatë disa vitëve, për t’i konfrontuar miqësisht idetë e tyre, nëpër kafe, restorante, shtëpi, kinemateka, qendra artistike dhe pastaj si rezultat konkret, kanë dalur këto inovime, revolucione estetike dhe shkolla, që kanë përforcuar dhe pasuruar shekullin 20. Pse nuk doli asgjë e ré tek ne? Më thoni, çka kemi shpikur konkretisht? Asgjë! Pse? Sepse, funksionojmë komplet për dallash, me shkollën negative të shejtanit, sistematikisht njëri kundër tjetrit e jo njëri me tjetrin, me një ego absurde të sëmurë, të cilën nuk e justifikon aspak fillimisht, niveli i veprimtarisë sonë personale. Me logjikën e atij seminari, kuptohet mirë, pse Jacques LACANI mbretëron, si figurë qendrore e inteligjencës franceze për disa dekada? Sepse, e ka orkestruar vetë me shumë mjeshtëri atë punë! Prandaj, gjithë historia e psikoanalizës moderne aktuale, fillon me pozicionimin fillestar «a jeni me Lacanin zotëri, apo kundër Lacanit»?

Nuk e di a ekziston një intelektual tjetër francez, i cili e ka mbrri atë statut në Francë? Ndoshta, deri dikund Jean-Paul Sartri, por jo në atë shkallë… po ashtu, Jean Luc Godard, në film (a jeni pro apo kundër Godarit)? Nuk ka debat kulturor në Paris, që nuk kalon heret apo vonë gjer tek citimi i Lacanit. Bile, shkon puna bukur thellë dhe me disa kriza madhore. Si pasojë e gjithë kësaj rrëmuje do anulohet, do shkrihet Shoqata Franceze e Psikoanalizës (S.F.P). Këto janë pasojat lacaniane…

Dhe do ju duhet 10 vite, për të qenë akoma të pranuar dhe të njohur nga shoqata internacionale e Psikoanalizës, të cilën e zotërojnë më tepër amerikanët dhe anglo-saksonët (I. P. A – International Psikoanalitik Association), e cila shoqatë, ju kërkon për t’i njohur dhe anëtarësuar, që ta ekskludojnë përfundimisht Jacques Lacanin dhe Françoise Dolton prej grupit të tyre së pari dhe bile t’ua ndalojnë për t’i formuar si pedadogë, studentët e ardhshëm të fushave psikologjike. Si rezultat praktik i kësaj kërkese radikale, plas komplet dhe përçahet psikoanaliza franceze në dy grupe: «kush është me Lacanin dhe kush është kundër»? Gjithë këta që janë prononcuar kundër, do e krijojnë më vonë me liderin zotin Daniel Lagache, «Shoqatën Psikoanalitike të Francës». Ndërsa, këta që kanë qendruar besnikë ndaj ideve të Jacques Lacanit, i cili është tani 63 vjeçar, do e themelojnë në emrin e tij “Shkollën freudiane të Parisit” të cilën do e drejton ai vet, gati si Guru dhe pak autokrat, Maestro absolut. Filozofi fenomenologjist François Wahl, do ia botoje “Shkrimet – Ecrits” në shtëpinë e njohur parisiane, «Le Seuil» në vitin 1966 dhe libri korr një sukses pranë inteligjencës franceze, duke e afruar psikoanalizen lacaniane me strukturalizmin.

Kështu, që Jacques Lacani do bëhet emër prestigjioz  dhe referencial, si emblemë madhorë i strukturalizmit, me Claude Lévi Strauss, Roland Barthes dhe Michel Foucault, të cilët, duke qenë ikona të adhuruar, e kanë pasur një influencë shumë të madhe në skenën parisiane dhe mund të thuash edhe planetare. Duke përfituar nga kjo famë, shkolla freudiane e Lacanit, ka një sukses të paparë, saqë nuk mund t’i pranon të gjithë studentët e interesuar. Dhe natyrisht ata që studiojnë në atë shkollë, e konsiderojnë Lacanin, si Majkëll Xheksonin apo Princin, gati si Zotin. Fenomeni i guruve dhe i star sistemit amerikan… ose shoqëria e spektaklit permanent! Si zotëri Shpendi, i cili mbretëronte nëpër Odat e Brukselit, dhe hynte pa pagesë, në romanin e Nasho Jorgaqit. Fama e Lacanit kalon çdo kufi, ngaqë e admirojnë edhe ata të majit ’68, grupet e majta maoiste, kurse në realitet, ishte pak më konservator i djathë dhe mbështeste sikurse unë De Gollin, por dikur edhe unë, u lodha me stilin e Babë Gjyshit, më hyri rock and rolli në gjak… dhe dëshiroja me dalur pak mendsh!

E themelon në Universitetin e Vincennes në Paris 8, departamentin e Psikoanalizës, të cilin do e drejton dhëndrri i tij, zoti Jacques Alain Miller, që do jetë edhe botuesi i të gjithë seminareve që ka dhënë Lacani në Francë dhe në botë, të cilët janë të dokumentuar apo të evidentuar dikund. Mirëpo, në skenën parisiane, vazhdojnë përsëri krizat dhe përplasjet, pro dhe kundër Lacanit dhe ia sulmojnë rëndë shkollën e tij freudiane, po ashtu edhe veprimet brenda Universitetit në Vincennes, ku kanë ndodhur disa anomali dhe skandale. Dhe dikur do detyrohet për ta mbyllur shkollën e tij freudiane të Parisit, në vitin 1980. Dhe në moshen 80-vjeçare, vdes nga pasojat  e një kanceri gjatë vitit 1981, në banesën e tij të fundit, numri 74, rue d’Assas, në Parisin 6. Tek botimet e Freud-it, Lacani i ka pasur po themi këto 3 vepra si referencë ose si kult: «Interpretimi i ëndrrave – Psikopatologjia e jetës së përditshme – dhe Marrëdhënia e fjalës me subkoshiencën», bile dy prej tyre, i kam pas lexuar…

Pastaj, e ka pasur si referencë madhore edhe veprën e mikut tonë të përbashkët, antropologun me prestigj planetar, zotin Claude Lévi Strauss, çuditërisht i lindur në Bruksel në vitin 1900… vepër me titullin “Strukturat elementare të lidhjeve familjare – Les structures élémentaires de la parenté”.

Ndoshta, filozofia lacaniane në psikoanalizë, mund të përmblidhet me këtë formulë farmaceutike: “Një orkestrim magjik i teorisë strukturale të dëshirës, dhe të formulimit të saj, përmes gjuhës? Pra, si lindin dhe si zhvillohen”? Sepse pulsi i dëshirës, është i shënuar që në esencën e Njeriut, është puls jete, puls erosi, është i vendosur në epiqendrën jetësore, si motorr, si karburanti esencial. Pra, jetojmë për të dashur diçka dhe për ta realizuar, konkretizuar. Jeni dakort? Kurse në fazën e dytë: e kemi gjuhën, si instrument komunikimi mes nesh, si mjet përshkrimi, por edhe si element për t’u futur në botën misterioze të ëndrrave, të fantazisë dhe të subkoshiencës tonë të thellë dhe të errët, pra, për të hyr në zonën e paformuluar deri tani me fjalë, por që vetëm gjuha mund ta formulojnë dikur. Këtu, jemi në thelbin e filozofisë lacaniane, siç e kam kuptuar unë, me antenat e mia.

E kishte atë teorinë e tri rregullave: « le réel – le symbolique – et l’imaginaire – pra, realiteti – symbolika – dhe imagjinata « me idenë sipas mendimit tim, i pa shkollë…

Realiteti, realja: ajo që është, që ekziston paraprakisht, gati bruto, natyrshëm, por që nuk mund të emërohet menjëherë.

Simbolikja: është mjeti gjuhësorë, me të cilin komunikojmë dhe i përshkruajmë gjërat apo fenomenet e jetës, një botë shenjash, tingujsh, fjalësh, leksikesh, kodesh që simbolizon diçka precize, dhe të cilën e kemi ndërtuar dhe artikuluar ne si njerëz tokësorë, sipas një rangu, një rregulli arbitrarë dhe simbolik dhe në bazë të vlerave që i kemi dhe në të cilat besojmë. Pra, pse e kemi thirrur këtë gjë, kështu me këtë fjalë, e jo ashtu ndryshe, me një fjalë tjetër?

Imagjinarja: është ana subjektive, emocionale, se si individi e percepton vetën dhe boten që e rrethon, në marrëdhënie me të tjerët dhe përmes përdorimit të gjuhës?

Nuk e di sesa isha i qartë, or miq dhe mikesha, se nuk jam specialist i asaj fushe. Specialist i verëve dhe i djathrave francez me Jusuf Vrionin, i piteve dhe i flijeve në Tropojë dhe Kosovë, i qoftëve dhe i pilavëve malësore. Ma bëfshi natën e mirë!

Tani, po ua lë këtë temë për doktoraturë. Por, nuk kam kohë, as durim për të qenë mentor tezash, as tezesh… paguajeni dikënd tjetër, për sevap, se më duhet tani së paku 6 muaj meditim në TIBET, me Dali Lamën, për të ardhur në vete.

Disa filozofë e kanë dashur dhe mbështetur Jacques Lacanin, sidomos marksisti i njohur Louis Althusser dhe Michel Foucault. Në Amerikë, e ka popullarizuar një filozofe e Universitetit Berkeley, zonja Judith Butler. Ka interesuar jashtë mase edhe filozofen franko-bullgare, specialiste e çadrave të helmuara, Julia Kristeva, pastaj François Regnault, Philippe Labarthe, Jean Luc Nancy, Barbara Cassin, Catherine Clément, filozofin sloven mjaft në modë Slavoj Zizek dhe marksitin Alain Badiou. Mund të themi që Jacques Lacani ka influencuar në një mënyrë direkte apo indirekte edhe disa personalitete të tjera sikurse, Philippe Sollers-in, Jean Bertrand Pontalis Roland Castro, Antoinette Fouque, Françoise Giroud, Félix Guattari, Dora Maar, një ndër shtatë shoqet e Pablo Picassos, Mariane Oswald, François Perrier, François Wahl dhe autorin belg, çmim Goncourt zoti François Weyergans. Ka qenë i pranuar dhe i diskutuar edhe ne meset militante feministe.

Në veprat e tij kryesore mund të citohen:

De la psychose paranoiaque dans ses rapports avec la personnalité – Le Seuil 1975

Ecrits  – Le Seuil – 1966

Le Séminaire  – Le Seuil … vepër e paraparë në 20 volume – filluar në Paris – 1973

Autres écrits  –  Le Seuil – 2001

Pas tout Lacan – Ecole de la cause freudienne de Paris – në 2012

Pastaj, ka aty-këtu intervista televizive, dokumentarë, incizime të seminarëve dhe të leksioneve nëpër universitete apo salla ku ka qenë i ftuar…

Unë personalisht e kam dashur jashtë mase atë njeri dhe me ka kthyer për mirë. Më ka këshilluar, kam kaluar momente të bukura, humoristike dhe të afërta me të. E di, që na ka funksionuar energjia pozitivisht, ngaqë ishim dikund të dy, pak rrebelë dhe antikonformistë. Me ka qetësuar kur isha i mbushur me nerva dhe me energji negative. E donte sinqerisht artin, muzikën, pikturën dhe poezinë… Ishte pak teatral dhe aktorial, por jo me mua në privatësi intime… e bënim njëri-tjetrin për të qeshur, sepse e dinte mirë, që ja kam asimiluar tryqet, manovrimet në shoqëri… sharmonte çdokënd, nganjëherë disa e urrenin në ekstrem, por pa e ditur as vet sepse? Filozofia e tij psikoanalitike, nuk ka qenë aq e lehtë për ta kuptuar qartë, ngaqë ai e shprehte me qëllim, në një mënyrë tepër teknike, zhargonike dhe universitare. Kur ia formuloja unë vetë, në një stil më të thjeshtë dhe popullor, më thoshte: shiko, ti mik, nuk duhet me vepruar ashtu, sepse kur Pleba i asimilon të gjitha këto dituri, kush do na bindet dhe do na respekton neve për elitë? Pleba, ishin populli, apo proletarët e kohës romake. Pra, për ta mbajtur rangun universitar të dijes, duhet për ta komplikuar në maksimum formulimin e ideve tona teorike. Por, unë nuk isha dakort. Më thoshte, duhet mundim dhe djersim për të mbrri deri në këtë shkallë.

Dija meritohet dhe nuk ofrohet ashtu krejt falas, pa asnjë sakrificë apo investim!

Kurse unë, isha si Dervish Luzha, për të thjeshtësuar dhe për të ofruar çdo gjë falas.

Ka qenë person super i rafinuar dhe i kultivuar dhe unë e falënderoj sinqerisht për gjithçka më ka ofruar mua në jetë. Janë kujtime që nuk mund të fshihen kurrë…

Ndoshta, në botën tjetër, mund të ma rezervosh dikur, për t’i kuptuar më mirë disa enigma dhe absurditete tokësore, ndonjë seancë psikoanalize të improvizuar alla Sherifi. Më merr disa herë malli për shikimin tënd, plot pikëpyetje dhe buzëqeshje, atë ironinë anglo-saksone, në momente kundërshtimi… All the best my dear friend, nga ana ime dhe e futbollistit aventurier Georges BEST! Edhe kjo është kulturë…

Mund të përfundojmë me këngën e Tina Turner: Let’s go… «Simply the best»!

Me 1 janar 2023 në Bruksel

Skënder SHERIFI

Gëzuar viti i ri, zonja dhe zotëri! Ma hapni një shishe shampanje franceze!

Please follow and like us: