Albspirit

Media/News/Publishing

Ermal Mulosmani: Unë, Televizioni Shqiptar, Giti dhe Hitparade

Në kapërcyellin e viteve mes komunizmit dhe post-komunizmit, në një tranzicion kaotik ku mund të ngryseshe varfanjak e i pashpresë por të gdhiheshe i pushtetshëm e plot të ardhme, edhe unë e pata momentin tim të lavdisë. Ambicia flinte brenda meje siç flen topi te futbollisti apo frymëzimi te poeti. Të njohur të mi, shokë e miq, përditë e më shumë i gjeja në hierarkinë plot çudira të administratës së re. Shumica prej tyre “as krahasoheshin gjëkundi :)” në fluturimet e mia ëndërrimtare me “aftësitë” dhe “intelektin” tim. Qoftë edhe si formim profesional e lëre më për atë të përgjithshëm ku mendjemadhësia ime djaloshare merrte përpjestime të frikshme.
Nga marazi që nuk po gjeja vendin tim në “hierarkinë e vlerave të reja”, rrija i heshtur kur fati më takonte me ish-shokë të mij që kapardiseshin zyrave dhe më ftonin për kafe kur më shihnin: “Kam refuzuar nja tre oferta se jam në pritje të së duhurës:)” – thoja vazhdimisht kur më pyesnin për punën (në fakt punoja si ekonomist i thjeshtë në Qytetin Studenti falë mikut tim të gjithkohshëm Gjin Progni). Puna më rrinte ngushtë dhe vërtetë çdo ditë mendoja se si do zbriste një ofertë nga lart “Ermal, si thua për në filan detyrë, e kemi menduar si të përshtatshme me aftësitë e tua:)”.
Në PD-në e kohës kisha boll të njohur (mbase gjithë të njohurit) por nuk shkoja kurrë! Isha betuar që do prisja aty, në Qytetin Studenti, i bindur që dikush do kujtohej që e kemi lënë “një kapacitet të paangazhuar;)”.
Nganjëherë më dukej vetja si personazh letrar në kokëfortësinë time periferike e qesharake. “Në daçin mirë, në mos daçin punë e madhe” –i thoja vetes.
Ndonjëherë luaja tavëll me rojen e godinës dhe mendoja “Në të ardhmen ky roje do ketë arsye t’u tregojë shokëve të vet, dikur kam luajtur tavëll me Ermalin. Ka qenë djalë i mirë:)))”.
Nga këto ëndërrrime fluturake bëhesha edhe më i mirë, e pyesja për prindërit, historinë e familjes, të ardhmen.
Kombinimet e rrethanave dhe sesi momenti erdhi te unë janë të parëndësishme dhe përiferike për atë që do shkruaj. Përfundimisht, në Qershor 1994 unë emërohem Zv/Drejtor i Televizionit Shqiptar.
Isha vetëm 24 vjeç!
Në memorien time ka shumë regjistrime të atyre kohëve. Herë pas here ngre krye një kujtim e herë një tjetër.
Drejtori i Televizionit i atëhershëm, zoti Qemal Sakajeva, më mbajti afër, më trajtoi me mjaft afërsi e pa paragjykim. E kujtoj gjithmonë me mirënjohje.
Dalngadalë, me shumë përkushtim e përulësi po futesha në ingranazhet televizive. U njoha me shumë prej figurave publike të atyre viteve, kisha bashkëpunim të frytshëm me shumë prej tyre. Me disa ruaj miqësi edhe sot e kësaj dite…
Në godinën e zdërhalltë e të keqmbajtur të Televizionit, banorët (të punësuarit), në shumicë ishin trashëguar nga koha e parë, komunizmi. Ata, thellë brenda vetes ruanin nostalgjinë për kohën e tyre të lavdishme kur institucioni i propagandës ishte njëkohësisht edhe një çerdhe pëllumbash ku mund të vegjetoje, ku kishte intriga, udhëtime jashtë shtetit, famë dhe rehati. Ata ndiheshin (përshtypja ime) si të shpronësuarit që jetonin në shtëpinë e tyre, me qera, kishin njëfarë mllefi ndaj të rinjve që u kishin pushtuar shtëpinë. Mirëpo edhe nuk guxonin ta shpallnin hapur, frika e zhdukjes nga shtëpia (ndodhte vazhdimisht) i bënte të ishin të përmbajtur e shpesh edhe “miqësorë” me të rinjtë. Në mes tyre pastaj ishte tjetër gjë, aty lëshonin gjithë dufin e vetëpërmbajtjen.
Kategoria tjetër ishin të përshtaturit me kohën. Këta menjëherë gjetën fijet e duhura dhe vazhduan njësoj punën. Ata e dinin se për të realizuar atë që kishin pasion duhej të bënin kompromis me “zotët e rinj” të godinës. Edhe “të rinjtë” duhej të gjenin medoemos bashkëpunëtorë mes ish banorëve sepse vetë nuk ia kishin fort idenë punëve.
Të rinjtë nga ana e vet kishin ishullin e tyre. Kryesisht rrinin bashkë. Ata përflitnin “korrupsionin”, vjedhjen e “të vjetërve”, “mamuthëve”, “profesorëve të komunizmit”. Kontrolli financiar dhe njëfarë terrori psikologjik ishte mjet që ua lehtësonte pak urrejtjen. Ishte një luftë “e ftohtë” klasash praktikisht.
Në këtë luftë nervash unë shihesha me bezdi nga të gjithë pothuajse. Të rinjtë më shihnin si kompromisaxhi me të vjetrit, të vjetrit me dyshimin se jam “i infiltruari i atyre”. Nejse, ishte situatë interesante dhe unë nuk është se e çaja fort kokën.
Një ditë, korridoreve shoh një personazh misterioz, një femër sharmante që po ngjiste shkallët. Një ecje e çliruar, vetbesuese, shpërfillëse gati delirante. Para se t’i shoh fytyrën u impresionova nga takat e saj dhe ecja ritmike plot zhurmë. Unë mund të isha duke zbritur nga kati i katërt ndërsa ajo duke ngjitur të parin. Sa më shumë afrohej zhurma aq më shumë shtohej kurioziteti im për të zonjën e atyre takave. Në sheshpushimin e katit të dytë e pashë. Një grua e bukur, jashtëzakonisht ndryshe nga të gjitha femrat që kisha pa në Televizion deri atë ditë. Me pantallona lëkure e xhup meshini të zi, me një të kuq buzësh mavi e makiazh të theksuar por mjaft interesant, ajo u ngjit pa m’i hedhur sytë për t’u ngjitur në studio e montazhit…
Unë zbrita direkt në zyrën e një mikut tim që gjendej në katin e dytë.
“Ç’a ishte kjo që u ngjit lart mo burrë, një yll i veshur e tëra me të zeza që tronditi gjithë godinën me takat dhe mospërfilljen vrastare”? e pyeta me një kërshëri të pafshehur unë.
“Hahahaha, është Giti”, më tha miku im. “Giti është univers më veti” – vazhdoi ai.
Nuk kisha sesi të mos pajtohesha me të.
Giti e pushtonte godinën pa i pyetur as të vjetrit e as të rinjtë e as të përshtaturit. Ajo thjesht futej me çizmet me taka dhe sharmi, eleganca e vetbesimi i saj bënte të stepeshin të gjithë. Mundej që ta kishe inat për mospërfilljen, mundej ta xhelozoje për sharmin por nuk mundej të mos e admiroje. Ajo kishte një pushtet të jashtëzakonshëm, pushtetin e bukurisë të mbarsur me mister. Giti kishte diçka që shkonte përtej kohës së sotme e njëkohësisht buronte nga e shkuara. Mund ta kërkoje në aktoret e filmave italianë, në personazhet e rokut amerikan por, jo më pak më vinte edhe si personazh kadarean, i fshehur në skutat e komunizmit për të shpërthyer dufin në kohën e lirisë. Më dukej si vajza e plakës Nurihan që jetonte në bodrumet e sikterisjes, e painfektuar nga virusi i moralit komunist. Ajo ishte e lirë edhe kur nuk kishte liri. Emri i saj nuk mund të ishte ndryshe veçse Ingrid! Ajo nuk mund të ishte emër shqiptar, ajo duhej të kishte një emër kaq të ngjashëm me intrigën. Në mendtë e mia ashtu e quaja, Intrigë, aq tërheqëse ishte gjithçka që buronte prej saj…
Giti nuk ishte këngëtare, gazetare, montazhiere apo grimiere. Nuk merrej as me spektaklet, as me rininë e as me kronikën e stereotipet e atëhershme. Giti nuk kishte as zyrë as shef e as redaksi. Ajo solli në TVSH-në e atyre viteve, paradën e hiteve botërore të muzikës, një program që shkëlqente ekranin tonë po aq sa Giti godinën shkatarraqe, të vjetëruar e dembele…
Please follow and like us: