Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Bici: Tundimi…

 

Ti tundon brendësinë time

Nuk ke më rrugë për të bërë

As unë…

Jam dashuruar me veten.

 

Kjo lëkurë syetur

joshur ledhatimeve të papërmbajtura

plas dëshirën të përpijë të tërin.

Unë bëj dashuri me veten

mbështjellë magjisë merimangë

Se gjithkush më duket ti.

 

Gjithkush përpëlitet rrjetës time

Dikur u pengova

shpërndarë copash

Dikush me duar të stërgjatura

pa këmbë pa kokë

i mblodhi për t’i tharë

brenda një guve

Më pas

mbodhi mbi to

rrënjë trëndafilash

si puhizë ia fali dritës

trupin e ri.

 

Fillova të njoh veten

shtrënguar e ngritur duarve

të hijes pa këmbë pa kokë.

duke kërkuar dashurinë…

 

Ah moj grua

Se paske harruar

Tharë mbeti botës së egër

Tani je lule, je tjetër!

 

Ah moj grua

Gjithë botën e nxin

Gjithë botën e ndrin

Fuqi mbi perëndinë

Shembëllyrë të dashurosh dashurinë

Trëndafil i ferrit

Ndezur ngjyrash territ!

(mimozabici@ “Shembëllyrë dashurie”, poezi , Tiranë, janar 2023).

 

Please follow and like us: