Altin Sh. Kajtazi: Poezia e Najwan Darwish
POETI NAJWAN DARWISH SHPALOS MOSFSHEHJEN E ASAJ QË ËSHTË FSHEHUR
Najwan Darwish e artikulon poezinë mjeshtërisht dhe njëkohësisht brenda vargjeve e ‘mbron’ popullin palestinez. Ai e ndërton poezinë argumentueshëm ku dallohet finesa filozofike me shprehje letrare/estetike. Najwan Darwish është i mishëruar me popullin e tij, i angazhuar maksimalisht dhe perceptues i koncepteve deri në thelb.
Ai erdh natyrshëm për lexuesin e gjerë dhe ka një fuqi unike, e shprehur më mendimet, dhe ndjenja të qarta, ku në mënyrë poetike argumenton thjeshtë dhe bindshëm.
Ngjarjet dhe personazhet që ‘zhvillohen’ brenda veprës poetike: “Është një vend që quhet këngë”, përcjellin mesazhe dhe e shohim se autori shkruan më një ndjeshmëri poetike, ku synon të tregojë, se esenca e poezisë është art i të mundshmes mbi themelin e së vërtetës.
Poezia e Najwan Darwish është autobiografike dhe asnjëherë nuk e fshehë këndvështrimin personal dhe përvojën e tregon në mënyrë të logjikshme dhe me një gjuhë filozofike/identitare.
Darwish, në këtë vepër, shpalos qëndrimet e tij personale të preokupuara që moti. Ky preokupim nuk u shua asnjëherë nga ai dhe brezi i tij, duke kërkuar më të shtrenjtën: lirinë.
Titulli i veprës “Është një vend që quhet këngë”, tregon guximin e shpërfaqur para lexuesve dhe vjen më një ‘zë kënge’, që unë e shoh si një idiomë, ku gjuha bie në prehër që përhapet duke inkurajuar çdokënd me kuptimin dhe fuqinë e vet.
Çdo varg ka një kuptim dhe është përmbajtjesor. Forma e tij është rregull i fshehur, që poeti depërton edhe përtej kufijve. Çdo varg tek ky autor ka diçka të përtejme dhe merr kuptim të veçantë.
Kufijtë e formës se shprehjes përmes vargjeve shkojnë përtej tyre, nga e ardhmja e imagjinuar thoshte poeti dhe e përjetuar si përvojë personale, ku shprehet më vargjet:
Kam vetëm këngët që kam harruar
Dhe disa kujtime:
një grusht kripë që është zëri i nënës
një pupël zogu që është lot i babës
dhe hole e fëmijëve ‘që vetë u theren’.
Autori vjen më një zë bashkëkohor. Origjinaliteti i tij vërehet në imazhe. Përmes tyre shpalos një hapësirë të mëtejshme dhe hetohet se çfarë do të thotë të jesh njeri dhe për të inkurajuar lexuesin dhe jo vetëm. Ai e di përgjegjësinë dhe rreziqet që mund të vijnë, por e shtynë gjithnjë individin ka vetë-reflektimi.
Poezia e tij është e thellë, mbresëlënëse. Ai përmes vargjeve ‘tërheq’ lexues dhe studiues anekënd botës. Ngjarjet e paraqitura nuk janë të mbyllura, përkundrazi poeti e mbron kauzën e të qenit të lirë.
Në poezinë e tij trajton problemet aktuale, duke i rrahur me një nivel estetik dhe shpirtëror të jetës, që nga lashtësia e deri në ditët e sotme.
Poezia e Najwan Darwish ka kontribuar në zhvillimin e mëvetësishmes, me një përvojë të sigurt, duke e kontrolluar të brendshmen individuale, për të shpërthyer mbi rezultatin e dobishëm kulturor.
Në çdo ndarje të cikleve autori është kërkues. Veprat e mëdha lindin nga vuajte të mëdha! Ketë e dëshmon edhe përmbledhja me poezi: “Është një vend që quhet këngë”. Andaj, lirshëm mund të themi se poezia lind nga ‘ankthet’, kjo është e kuptueshme për autorin, por e pashpjegueshme mbi situatat ekstreme që poeti vuan dhe zhytet në të.
Kësisoj, në ciklin e parë: “Ai trokiste në derën e fundit”, Najwan Darwish sheh një shpresë, së do të dal pavarësisht asaj që ndodhi dhe çfarë erdhi prej saj. Njeriu s’mund të jetë refugjat gjatë gjithë jetës, ai shprehet se është i gatshëm të sakrifikojë për t’u kuptuar, se si qenia njerëzore ka nevojë për të marrë frymë lirisht në këtë tokë.
Gjatë leximit të librit poetik, fjalët sjellin një kuptim të situatës, jo vetëm të ngjarjeve të përjetuara, por edhe të emocioneve që intuita e tij spontane e rishfaq atë.
Çfarë do të thotë dhe çfarë do të ndodhë më pas, e shohim në ciklin: “Do të ngrihem një ditë”, është e pashmangshme çështja e vendlindjes së autorit dhe është bërë qendrore në punën e tij krijuese.
Poezia e Najwan Darwish ka përbrenda edhe histori. Ai prek tema të ndjeshme gjatë gjithë kohës, duke i artikuluar me ide e leksik të pasur.
Stili i veçantë i poezisë së Najwan Darwish e ka prodhuar lëndën e parë, siç e quan ai në ciklin e radhës: “Fabrikime” më vargjet:
ndaj nuk dal fare në rrugë,
më mjafton ta shikoj detin
anash prej dritares…
Këto shkëputje të vargjeve na quan në sqarimin e mendimeve të autorit, duke sjellë një ndjenje harmonie dhe rregulli në të.
Të cikli i radhës, “U lodhën të varurit”, sjell emocionin e shtypjes dhe është lirik në vetvete. Lexuesit ndeshen më titujt, direkt më vdekjen, “I fjetur në gur”, “Ndonjëherë zgjohem”, “Një ditë”, këto janë poezitë që e bëjnë rrugën e gjatë të tij.
Poeti i rikthehet fushës së hapur që ka rrezik “Kur i afrohem stuhisë”. Megjithatë, po përmendim disa tituj poezish tek ky cikël: “Një vend që e vërshuan shirat”, “Ftohti”, “Çdo herë që i afrohem stuhisë”, në fund autori është pranë shtëpisë dhe duke mbrojtur atë.
Aspektet e autorit në ciklin “Nuk je poet në Granadë”, shkruan për vuajtjet duke e lënë brenda qenies njerëzore aspiratë e shprehjes që dëshiron që gjerat të jenë ndryshe. Me fjalë të tjera, në mbështetje të dinjitetit të tyre.
Vetëm ata rrinë në dhomat e natës
Me kujtimet e stërgjyshërve
(kjo është mënyra e tyre për ta përballuar vdekjen)
Shprehjet individuale në vargje u bënë plane gjuhësore, shprehje personale të zemërimit dhe asnjëherë poeti nuk harroi kontekstin historik ani pse ndryshimin, e di, por është aty “që këndon nën dritaret e njerëzve”, dhe qyteti është një violinë, “ku njerëzit u bien telave me këmbët e tyre”.
Vendi im është këngë
Kur ndalet bëhem përsëri refugjat.
Artikulimi i poetit lidhet me besimin se si në poezi ndërtohet dhe rindërtohet me fjalë dhe ide. Cikli i fundit: “Kur u zgjuam njëherë në parajsë”, poeti gjen lumturinë, duke e gjetur vetveten. Ai dëgjon të brendshmen e popullit të tij: Palestinës, dhe e shpreh natyrshëm përmes vargjeve:
Unë jam veç njëri prej tyre
Ç’pashë më mjaftoi
Të shkoj e të mos kthehem më.
Në fund, poezia është mimetike në atë që krijon një paraqitje të objekteve dhe ngjarjeve në botë, thoshte filozofi i njohur Aristoteli. Këtë më se miri e qasshëm e ka paraqitur autori Najwan Darwish, në përmbledhjen më poezi: “Është një vend që quhet këngë”.