Albspirit

Media/News/Publishing

Një mesazh nga Odhise Porodini dhe lamtumirë

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Një mesazh dhe amanet nga kryeveterani…

Gazeta “Kushtrim Brezash” e ditës së premte më 30 dhjetor 2022 botoi një mesazh-urimi të kryetarit të Komitetit të Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”, të Odhise Porodinit drejtuar të gjithë Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ, duke uruar gëzuar Vitin e Ri 2023, shëndet e lumturi për të gjithë dhe suksese të mëtejshme në misionin e lartë atdhetarë që jemi duke kryer…

Më tej në urimin-mesahz thuhej se mbyllëm një vit të ngjeshur me veprimtari të larmishme gjithëpërfshirës ku u festua jubileu i 65 vjetorit të krijimit të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ, u organizuan ceremoni mbresëlënëse, u bë bilanc i arritjeve dhe përvojës të cilat na shërbyen si busull orientuese për të ardhshme. Shënuam një hap cilësor në rritjen e gjithë treguesve të veprimtarisë së Organizatës, u përkujtua 80 vjetori i “Debatik-ut”, viti jubilar i Heroit të Rinisë Qemal Stafa dhe i Heronjve të Popullit të Shkodrës, të Topanasë në Vlorë, të Mihal Durit, Misto Mames dhe Shyqyri Ishmit.

Me vlera kanë qenë dhe aksionet në shkallë vendi për rregullimin dhe pastrimin e simboleve të LANÇ, të varrezave të dëshmorëve, përgatitja e dekorit historik në çdo bashki të vendit, botimi i librit “Veteranet tregojnë” dhe festimi i 30 vjetorit të gazetës “Kushtrim Brezash”.

Kjo përvojë e fituar në këto veprimtari dhe kontribut i gjithë Organizatës le të shërbejë për realizimin me sukses të objektivave të vitit 2023. Viti 2023, ka plot ngjarje të shënuara, veçanërisht 80 vjetorët e formacioneve të mëdha partizane, të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane, të brigadave sulmuese, të cilat do të përcillen me organizime e ceremoni dinjitoze sikurse e meritojnë, me pjesëmarrje të gjërë dhe veçanërisht të moshave të reja.

E ndërsa po lexonim këtë urim vjen dhe lajmi për ndarjen nga jetë të luftëtarit të paepur Odhise Porodini

Si u kalit dhe u formua Odhise Porodini

Ai lindi më 20 gusht 1930, në fshatin Labovë e Vogël, të krahinës së Rrëzës, por rritur në fshatin e nënës, në Karjan të krahinës së Lunxhërisë, Gjirokastër. Mbaroi shkollën fillore dhe e nisi luftën që herët. Në moshën 11 vjeç për të nxjerrë bukën e gojës, u detyrua të punonte punëtor krahu në Vlorë, ku pushtuesit italianë po ndërtonin fushën e aviacionit. Aty përjetoi rropatjen, por dhe urrejtjen ndaj pushtuesit italian. Disa punëtorë të rinj që e mbanin pranë, i kultivuan ndjenjën antifashiste.

Kur u kthye në fshatin Karjan të Lunxhërisë, gjeti një gjendje më të rëndë. Kishte nisur Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në moshën 13 vjeç, i deleguari i qarkorit të Gjirokastrës, Sofo Papajani, për zonën e Lunxherisë krijoi Organizatën e pionierit antifashist “Debatik”, ku e zgjodhën në krye të saj. Kryen veprimtari së bashku me 6 shokë pionierë debatikas. Detyra ishte të mblidhnin informacione mbi lëvizjen e armikut, çonin letra në fshatra, grumbullonim materiale për partizanët, çonin partizanë në baza, etj.

Në Tiranë, nëpërmjet Polo Vasilit u lidh me Grupin e Dytë partizan të Pezës. Ky grup vepronte në qytetin e Tiranës e në Pezë, ku si baza kishin shtëpitë e Bajram Hetës, e Spiro Kolxhionit. Odhisesë ju besuan detyra të thjeshta dhe të rrezikshme, si lidhja me pjesëtarët e grupit, shpërndante komunikata, grumbullonte armë e municione dhe i nisnin për në Pezë, merrte kontakt me ushtar italianë të mbetur pas kapitullimit, duke i nisur për në Pezë.

Me çlirimin e Atdheut, mori pjesë në aksionet e rinisë për rindërtimin e vendit, sidomos në ndërtimin e rrugëve dhe të hekurudhave të para në Shqipëri. Kishte nisur beteja për rindërtimin e vendit, ku mori pjesë intesivisht në veprimtari të organizatës së rinisë. U zgjodh kryetar lokaliteti në krahinën e Lunxherisë, u inkuadrua në forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mori pjesë në luftën kundër bandave që tentonin të rrëzonin pushtetin e popullit. Mbaroi Fakultetin Juridik në vitin 1962 dhe për më shumë se 40 vjet punoi në detyrën e rëndësishme të juristit. Me daljen në pension u aktivizua me organizatën e veteranëve të luftës, duke qenë në kryesinë e përgjithshme të kësaj organizate dhe në vitin 2010, Odhise Porodini do të mbante detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Komitetin Kombëtar të Veteranëve të LANҪ-it, dhe në vitin 2021 u zgjedh në postin e lartë të kryetarit të Komitetit të Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ. Ai është vlerësuar për merita lufte dhe pune me 10 urdhëra e medalje. Mban titullin “Krenaria e Qarkut të Gjirokastrës” dhe “ Nderi i Organizatës së LANҪ-it “Nderi i Kombit”, etj.

Në Organizatën e Veteranëve

Nisur nga anëtar i thjeshtë i organizatës, drejtoi për shumë vite së bashku me Rustem Peçin, organizatën e Veteranëve të Shqipërisë. Punuan e luftuan në këto vite të tranzicionit të tejzgjatur shqiptarë për të konsoliduar Organizatën dhe u vendosën në krye të luftës për mbrojtjen e vlerave të LANÇ-it dhe për të ruajtur të pastër figurën e partizanit, të komandantëve dhe të komisarëve, si dhe të gjithë kuadrove drejtuese të kësaj lufte të madhe e epope në historinë e Shqipërisë.

Kudo zëri dhe shkrimet e Odhise Porodinit totalish ishin në mbrojtje, në lartësimin e historisë të kësaj lufte, të cilën kërkonin të ulnin dhe ta poshtëronin forcat e errta që erdhën në Shqipëri pas vitit 1990.

Kuadrot dhe veteranët e organizatës u vunë totalisht në mbrojtje të figurës së partizanit, në mbrojtje të figurës së dëshmorëve dhe të heronjve të kasëj lufte madhështore të bërë nga mbarë populli shqiptar për rifitimin e pavarësisë dhe çlirimin e vendit me forcat e veta. Kanë qenë vite lufte, por veteranët qëndruan stoik, edhe pse me moshë të thyer dhe të poshtëruar nga njerëz pa din dhe iman, të cilët i përbuzën, i ofenduan, i denigruan, por veteranët ruajtën dinjitetin, pasi edhe këtë luftë e fituan. Lufta që bënë kur ishin të rinj dhe lufta që bënë kur u plakën, do të jenë dy vlera që pasardhësit e tyre do ti mbrojnë dhe do t’i çojnë më përpara. Ky ishte dhe amaneti që na la në prag të vitit të ri kryeveterani Odhise Porodini.

Lamtumira për Odhisenë…

Zemra 92 vjeçare e Odhisesë pushoi së rrahuri. Ajo ishte zemra e një shqiptari dhe një veterani lufte. Lavdi e pavdekshme për partizanin e luftëtarin trim të LANÇ-it, të kuadrit të përgatitur në beteja lufte, të birt të shquar të Shqipërisë, Odhise Porodini do të jetojë në shekuj.

Veteranët dhe pasardhësit nga e gjithë Shqipëria dhe nga trojte shqiptare me mirënjohje, me nder dhe me respekt u përulën para partizanit Odhise Porodini. Ai lindi në luftë dhe jetoi gjatë gjithë kohës në luftë. Si partizan, si luftëtar, si patriot dhe njeri i thjeshtë e simbol i veteranit u përcoll mes heshtjes dhe lavdisë… kështu ju dha lamtumira Odhisesë…

Please follow and like us: