Saimir A. Lolja: MENDËSIA E TURMËS MBART ASKUSHMËRI
Saimir A. Lolja, Fakulteti i Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës, Bulevardi Zogu I, Tiranë 1001, Shqipëri.
Përmbledhje
Ky studim shqyrton njeriun në lidhje vetveten, sundimtarin e turmës, pjesëtaret e dhe kushtet e saj. Studimi heton shkakun dhe kushtet pse njerëzit krijojnë një turmë psikologjike përreth një sundimtari. Sa më e madhe të jetë turma aq më shumë njëshi venitet përbrenda e përjashta saj. Njeriu në turmë e shndërron veten në një narcist dhe njëkohësisht në një roje ndaj të tjerëve. Uni i tij është sipër çdo gjëje dhe kështu ai dëshiron të behët një sundimtar ose sunduesi i turmës. Përtej tij, forca tërheqëse e animit të përbashkët si turmë dhe frika prej frymës së turmës e shndërron atë në një askush të ndjeshëm dhe të lig. Ai humb shikimin në turmë dhe ndërsa arsyeja e tij shuhet menjëherë tërbimi i tij ndizet.
Qëllimi
Ky hulumtim shërben për një shoqëri të udhëhequr prej arsyes ku njerëzit jetojnë në harmoni dhe paqe. Duke përfshirë mendimin shkencor të mëparshëm, ky studim heton më tej shkakun dhe pasojën e mendësisë së turmës.
Mjeti i arsyes
Dyshja Turmë-Sundimtar është shqyrtuar sipas përvojës ndërsa trazimet në ndjenja në anëtaret dhe sundimtarin e turmës janë hetuar sipas sjelljeve dhe veprimeve të ditura.
Gjetjet
Kuptimi i dyshes Turmë-Sundimtar është një çështje e ndjeshme sepse nëse udhëheqësit dhe vendim-marrësit kanë këtë dyshe si një fanar, atëherë shoqëria pëson shkatërrim. Gjithashtu, mendësia e dyshes Turmë-Sundimtar mund të ndeshet si sjellje e pahijshme çdo ditë në jetë dhe punë. Një mjet i thjeshtë për të shmangur shndërrimin në askush është jo të menduarit, folurit e shkrojturit me “Ne”.
Veçantia
Së pari studimi kqyr shkakun e lindjes së turmës dhe pastaj përvijon pasojën e turmës mbi dallueshmërinë e anëtareve të saj që në fund të fundit është askushmëria.
Fjalët kyçe: Turma, Sundimtari, Udhëheqësi, Njëshi i vogël, Mbinjëshi, Askushmëria
Hyrje
Një turmë njerëzish është një bashkësi e cila ka tipare fizike (p.sh. hapësirë, shpejtësi të rrjedhjes, kohëzgjatje, shpërndarje densiteti) ose është një njësi shpirtërore (psikologjike) e cila mund të shtrihet edhe përtej kufijve fizikë. Shpirti i turmës bashkëjeton me njeriun. 1-5 Sjellja e përbashkët ndryshon nga sjellja e njeriut të vetëm dhe të dyja varen nga kushtet e ambientit. Njëkohësisht ato ndikojnë mbi njëra-tjetrën dhe të dyja kanë vulat e kulturës dhe epokës. 2, 4-15 Turma është tipar i historisë njerëzore, sepse njerëzit në mënyrë të natyrshme janë qenie shoqërore që kërkojnë përherë të shoqërizohen. 12, 14 Porse njohuria për të dhe përkujdesja ndaj këtij shpirti me qëllim për të shfrytëzuar të tjerët përbën anën tjetër të medaljes. 4, 10, 11, 14 Çështja madhore është se sa i theksuar është shpirti i turmës brenda një grupi shoqëror, sepse njeriu i brumosur me një mendësi të tillë ka në themel të mendjes së tij çiftin Sundimtari dhe Turma. 1, 2 Kjo është çështje madhore sepse mendimet dhe ndjenjat janë shfaqje të shpirtit të njeriut dhe janë pikërisht ato që përcaktojnë sjelljen e tij shoqërore. Sa më e pakët të jetë arsyeja, aq më i shpejtë është veprimi. Mendimet dhe emocionet përbëjnë kufirin ndarës midis të mirës dhe të keqes. 1, 5 Sjellja dhe puna e njeriut janë dy gjëra të ndryshme por që njëkohësisht plotësojnë e bashkëshoqërojnë njëra tjetrën, ngase në fund të fundit ato bashkëshoqërojnë njeriun. Sjellja shoqërore është ajo që përcakton ngjarjet shoqërore, sepse njeriu bën atë që dëshiron të bëjë. 1 Më tej, një Sundimtar nuk është doemos një Udhëheqës dhe anasjelltas. Prandaj, studimet mbi sjelljen dhe veprimet e turmës nuk ndalojnë. Ky hulumtim përqendrohet mbi turmat e mëdha psikologjike. (Shënim: “Ai” nënkupton edhe “Ajo”).
Shkaku i Turmës
Njeriu në turmë e ka të pamundur të pranojë se jo çdo gjë është apo i përket çdonjërit dhe jo çdo njeri është për çdo gjë. Një mendësi e tillë nuk arrin të pranojë se veç punës së tij është e duhet të jetë edhe puna e të tjerëve dhe nuk vozit në mënyrë të atillë që puna e tij të plotësojë punën e të tjerëve ose puna e tij të plotësohet prej të tjerëve. Për një shpirt të tillë i mirë është, domethënë duhet të jetë, vetëm guri i tij dhe jo muri i përbashkët. Ai vetëgjykon se është i pa zëvendësueshëm dhe ka edhe raste që ai përpiqet ta prishë murin e përbashkët, sepse ka një shpirt të pabesë me aromë kalbëzimi. Një shpirt i tillë nuk përcjell respekt për të tjerët e midis të tjerëve, biles për të nuk është dhe nuk duhet të jetë edhe mendimi ndryshe. 1, 4, 5, 15 Ai nuk arrin të kuptojë se kur respektohet mendimi ndryshe edhe bashkimi është më i fortë. E thënë më gjërë, një shpirt i tillë nuk pranon ndryshimin dhe ndryshueshmërinë, domethënë harmoninë, dhe si rrjedhim nuk pranon përparimin, madje e urren atë. Njeriu në turmë kthehet pa e kuptuar në një narcist. Si i tillë ai kërkon me këmbëngulje në turmë vetëm pasqyrime të vetvetes. 1 Të tjerët janë njësoj për të, duhet të jenë kështu ose përndryshe të shndërrohen në të tillë. Pëlqyeshmëria për vetveten duke parë dhe prekur vetveten nga të gjitha anët e në tërë turmën është e pakufishme. Ndërsa narcistit të lashtësisë i duhej të qëndronte tërë ditën mbi një pellg të vogël me ujë të patrazuar për të parë vetëm vetveten e pasqyruar me qëllim që t’i avullonte kënaqësinë e pëlqyeshmërisë së vetvetes, për narcistin e turmës pasqyra e vetvetes shtrihet në të katër anët e pafundme për sa kohë që është turma e tij. Si e tillë kjo pasqyrë e nderë bëhet njëkohësisht mjaft e brishtë, lehtësisht e thyeshme dhe e thërrmueshme nga çasti në çast për shkak të madhësisë e shtrirjes së saj. Një kënaqësi e tillë e dhënë nga një pasqyrë e pafundme nuk mund të lëshohet apo të harrohet. Për ta ruajtur këtë gjendje, mjetet e vetme të narcistit të turmës janë: vigjilenca, cmira, urrejtja dhe dhuna ndaj çdo drithërime të sipërfaqes së pasqyrës ujore, ndaj çdo tingulli sadopak të ndryshëm të dëgjuar. Narcisti i turmës hidhërohet thellë dhe mbushet me dëshpërim e urrejtje kur vëren ndonjë të mirë që i shkon apo i ndodh tjetrit. Për të, njëshat e tjerë në turmë nuk e meritojnë dhe nuk duhet t’iu ndodhin të mira. Ay i përqesh të tjerët kur shprehen e shfaqen ndryshe, i pengon ato të ndryshojnë dhe të përparojnë. Për të, vetëm sundimtari i turmës, idhulli i tij, vetvetja e tij e dëshiruar, meriton të mira, prarim, vezullim e lartësi. 1-3 Një shpirt i tillë i jep vlerë vetëm të qënit mundues për të tjerët, i jep vlerë vetes vetëm duke ia ulur vlerën të tjerëve, i jep vlerë vetes duke përdhosur vlerat qytetare, kulturore dhe kombëtare të shoqërisë që i përket. Një shpirt i tillë njeh vetëm egërsinë e pakufishme. Ay është shpirtërisht pjesëmarrës në krimin apo tradhtinë që sundimtari (Mbinjëshi) i tij kryen. Ai nuk arsyeton për këtë dhe nuk e arsyeton mbinjëshin e tij, sepse ay vetë është sundimtari i ëndërruar. 1, 5 Ai dallon vetëm të për veten e tij; për të është vetëm liria e tij dhe jo e të tjerëve. Biles, kur mbaron ai duhet të mbarojnë edhe të tjerët. Një shpirt i tillë është i pangopur, i pakënaqur, i paqetë dhe rrjedhimisht mizor për të mbajtur gjallë pangopshmërinë e tij. Ai vetmendon se është i pa gabueshëm, i pa cënueshëm, me të drejta absolute e liri të pafundme. Ai nuk mban dhe nuk ndjen përgjegjësi për veten dhe të tjerët. 15 Një shpirt i tillë synon që çdo gjë me vlerë të jetë brenda derës së tij. Ai dëshiron dhe përpiqet të ndërtojë vetëm ishullin e tij, kullën e tij me frëngji. Atij nuk i intereson ambienti përreth dhe madje ai e sheh me armiqësi këtë ambient, sepse atij nuk i interesojnë gjërat e përbashkëta. Një shpirti të tillë i pëlqen të ndërtojë ishullin e tij të thepisur. Ai ngazëllehet kur prish urat lidhëse dhe pret telat ndërlidhës për të ngritur garth përreth vetes së tij. Atij nuk i pëlqen bashkëjetesa paqësore, sepse ai nuk respekton tjetrin dhe pjesën e tjetrit. Ai është një fqinj i keq; ai urren dhe i erren sytë për çdo ndryshim të vënë re tek “të barabartët e tij”. Njëkohësisht, ai vrojton se ç’bëjnë të tjerët që të bëjë të njëjtën gjë e të mos ngelë mbrapa në ndjenja. 2, 3, 5, 9 Njeriu i turmës është i paqetë po nuk e pa figurën dhe dëgjuar pa pushim e kudo zërin e mbinjëshit të tij. 1 Figura e stampuar e mbinjëshit të tij mishëron pasqyrimin e vetetes për njëshin e vocërr dhe si e tillë tek kjo figurë ai gjen kënaqësinë dhe dehjen më të madhe për veten e vet. Ajo është ëmbëlsia për shpirtin e tij të idhtuar. Karrigia dhe bëmat e sipërnjëshit i krijojnë njëshit të vocërr një rrymë të atillë jehonash pa të cilën as makina njësh nuk punon e as njëshi nuk ndjen vetveten. 1 Njeriu në turmë rrëshqet në vogëlinë e fëmijërisë e tij kur ëndërronte të ishte i madh, mbinjësh i frikshëm, dhe papërgjegjshmëria fëminore i jepte shijen e kënaqësisë pakufi. 1, 2, 4, 8, 9 Prandaj, besimi i tij shkon andej nga fryn era, andej nga burojnë valët e tingujt që e mbajnë të vogël atë. Ai lëviz andej nga shfryn sundimtari i turmës dhe brenda lugut ku rrjedh turma. 1, 3 Kopeja kërkon njerëz të vegjël, grimca rëre, që prodhojnë stuhi. 1, 5, 13 Si një vocërrak, ai gjykon vetëm duke thërritur për ndihmë paragjykimet e paharrueshme të vogëlisë. Duke përfytyruar, ai e kthen veten mbrapa në kohë dhe mburret me këtë. Kështu, me dashje e pa dashje, ai e shuan zgjuarsinë e tij, bëhet i paaftë të dallojë dhe kuptojë të vërtetën. Ai e ul veten aq poshtë sa të mos njohë rrotën dhe të mos dijë sa bëjnë 1+1; dhe shpejt e shpesh bën keq dhe gabime. 1, 3-5, 8 Njeriu në turmë e ka të pamundur të kujtojë apo vrojtojë vetveten. Si rrjedhim ai e ka të pamundur të kujtojë apo t’i lidhë veprimet e ndodhitë e shkuara. Kujtesa e njeriut në turmë është vetëm e çastit. Ai kujton vetëm çfar dëshiron në çast të kujtojë ose çfar i shkon për shtat shpresave dhe frikave të tij. Njeriu në turmë arsyeton mbi bazën e vetarsyes së shtypur të njëshit. 1, 2, 11, 15 Domethënë, ai kërkon njësha për mendjen e tij të ngathët, sepse ai ka frikë çdo njësh, mundimtarin e mundshëm të tij, dhe mendon se edhe ai njësh e ka frikë atë për të njëjtën arsye. Ay është një sundimtar i gurosur, sepse vetëm kështu mund të jetë njësh. 1 Dhe si i tillë nuk pranon të dallohen njësha të tjerë në turmë. Kur ia dënojnë të këqijat, ai kërkon vetëm njësha të tjerë që t’i fajësojë. Ngase ai nuk e kupton se pse i sulen, atij nuk i intereson bashkëpunimi porse vetëm mbinjëshi që e sundon shpirtërisht. 1 Pavarësisht sa larg është, ai gjithmonë vigjilon që mbinjëshi, sundimtari i tij me të cilin i mburret vetvetes, të mos cënohet, të mos iki, të jetë i përjetshëm e i paprekshëm. 2-4, 8, 9, 11 Urrejtja e bën atë gjithmonë gati të bashkohet me shpirtra të tjerë të tillë për t’iu sulur mizorisht “të barabartëve të tij”, për t’i plaçkitur e përdhosur ato, për t’i tradhtuar ato, sa herë që mbinjëshi kërkon një gjë të tillë. Njerëzit në turmë janë të egër e të dhunshëm. 1 Shpirti i tyre i përbashkët dhunon dhe kërkon të dhunohet. Me fjalë të tjera shpirti i tyre është i skllavëruar. Skllavërimi i është bërë karakter, zakon, kërkesë, dëshirë dhe mënyrë të jetuari. Njeriu në turmë shndërrohet në një skllav me dashje; ai nuk rron dot pa vuajtur. Ai nuk ka nevojë më për zinxhirë që ta mbajnë të tillë, ashtu si fizikisht. Sa më shumë koha kalon, aq më shumë ai e adhuron skllavërinë e tij dhe aq më shumë mburret me të. Ky shpirt as nuk pranon as nuk respekton ndryshim tek “të barabartët” e mendjes së tij. 1 Ndërkohë ai kërkon të dhunohet. Kështu e vetmja zgjidhje e vlefshme për të është të dhunohet e skllavërohet nga sundimtari i pashpirt i turmës. Pra, ai kërkon nga idhulli i tij atë që ia dëshiron shpirti i tij. Meqenëse ky shpirt i egër është i pasjellshëm ndaj “të barabartëve të tij”, meqenëse ky shpirt nuk pranon të renë dhe ndryshimin e harmonishëm tek “të barabartët e tij”, ai ka vetëm një shtysë mendimi: skllavërimin, dhe vetëm një gjuhë veprimi: dhunën. Egërsia i shkakton dhimbje therëse në shpirt kur sheh harmoni në rrethin e “të barabartëve të tij”. Vetëm dhuna e më të fortit, e më mizorit, e më të egrit, e më të poshtrit, e atij që ka të drejtë të dhunojë e përdhosë të tjerët, e sundimtarit të turmës, mund t’ia fashitë dhimbjen e instinkteve të egra të tij. Vetëm kjo dhunë madhore, vetëm ky sundimtar turme me të vetmen të drejtë fjale e veprimi, mund t’ia shtypë egërsinë, shkaktaren e dhimbjes, t’ia qetësojë shpirtin e tij të thartë dhe t’ia dehë emocionet. 12 Ky shpirt nuk e çmon dhe nuk e kërkon mëvetësinë, ndryshimin në lidhje me të tjerët. Më e shumta që dëshiron ky shpirt është të bëhet një vasal mizor. 1 Edhe kur e shtyjnë në liri të përkufizuar për të gjithë, ai nuk mund të shkëputet nga e kaluara e skllavërimit dhe dhunimit mbi të. Liria për të është dhuna, rasti për të shfryrë egërsinë e emocioneve të tij. Ai po me dhunë kërkon të kthehet në skllavërinë e shkuar, me të njëjtat kushte e mundësisht me të njëjtin sundimtar mizor për turmën. Shpirti i tij qan pa pushim për egërsinë e sundimtarit të shkuar. Shpirti i tij i idhnuar psherëtin për mungesën e munduesit të tij të egër, humbjen e të cilit e ndjen shumë herë më të madhe se humbjen e vetvetes apo “të barabartëve të tij”. Ai dëshiron përherë që munduesi të ringjallet dhe shpreson në këtë.
Pasoja e Turmës
Njeriu në turmë ia lejon vetës pa e kuptuar të përgjumet (hipnotizohet). Urdhri nga jasht se çfarë të mendojë ushqen narkozën e tij mendore dhe i lehtëson peshën e frikës që i vjen prej zgjimit. Të qënit i përgjumur iu ka bërë zakon. Përgjumja tashmë i ka kaluar poshtë ndërgjegjes dhe busulla e tij nuk kontrollohet më prej ndërgjegjes së tij por prej një sipërnjëshi përvëlues. 1-5 Ai është gjithmonë në kërkim t’i bashkëngjitet një kopeje ku i krijohet përgjumja më e thellë, ku tingujt dhe fjalët përgjumëse veç rrjedhin. Domethënë aty ku arrihet zhytja më e thellë dhe ndjenjat e tij shkatërrimtare notojnë në puset më të zymtë. Njeriu në turmë ka një shpirt të ndrydhur, të pa lirë e të pa larmishëm dhe duke qenë në gjendje të tillë ai kundërvepron duke i lindur dëshira në skutat e shpirtit të tij për ta parë veten në krye të turmës. 7 Shpirti i tij ngashëron, kredhet përqark, i friksuar mban sytë e veshët hapur te të tjerët, frigon e idhtohet nga e mira e tjetrit, i sheh të tjerët detyrimisht të barabartë me vetveten, sheh në të tjerët aspak ndryshim nga vetvetja ose në rastin më të mirë ndryshime të parëndësishme. 5 Ai ndjehet njësh me “të barabartët e tij” dhe vet përfytyrohet si përfaqësues i tyre. 1, 15 Ky shpirt i ngujuar në mënyrë natyrale kërkon hapje, liri dhe vet-dallueshmëri. Prandaj ai e anon ndërgjegjen e tij drejt njëshit, drejt unit, drejt vet kuptimit me ndjenja të forta që ky vetnjësh kështu nuk ka vlerë. Si rrjedhim atij i mbin dëshira që të duket mbi të tjerët ose, e thënë sipas mendjes së tij, mbi “të barabartët e tij”. Zgjidhja më e lehtë për të është mburrja ose bërja e tjetrit me turp. Ai gjithmonë është në kërkim të rastit për t’u mburrur ose bërë tjetrin me turp, sepse ai ndjehet keq dhe i turpëruar kur nuk mburret apo kur nuk e turpëron tjetrin. Me ligësi, ai gjithmonë është në kërkim të thashethemit për tjetrin, sepse edhe vetë ai është një thashethem. Kështu, njeriu në turmë harxhon pa ndërprerje vëmendje dhe energji e tij për emocione të panevojshme dhe hamendje të papëlqyeshme, për ngacmime nervore të nxituara, për ëndërrime me sy hapur dhe thashetheme të pashtershme. 1 Njeriu në turmë nuk ka forcë shpirtërore dhe gjithnjë bëhet akoma edhe më i pa aftë të përtërijë pavarësinë që natyra ia ka dhënë. Aftësia të pyesë apo të gjykojë vetveten venitet plotësisht. 3, 4, 15 Fuqia që të shkëputet prej kthetrave të brendshme dhe të shmangë varësinë nga të tjerët nuk vlen më. Ai e pranon përjashtimin e vetvetes dhe nuk mundet të përdorë ndonjë shkëndijë kuptimi lindur tek vetvetja. Njeriu në turmë është një askush. Ai nuk ka kureshtje kush është, nga vjen e ku shkon dhe pse. Ai mendon sipas modës së turmës, sipas propagandës zyrtare. Ai përqesh çdo gjë që është ndryshe nga ajo modë. Njeriu në turmë guroset pas mbinjëshit dhe shndërrohet në fanatik. 1, 8 Njeriu në turmë i ngjan një cifle hekuri të cilën vetëm fusha magnetike e mbinjëshit e mban drejt, të ngritur lart. Pa këtë fushë magnetike jetike, ai bie përdhe e shkon me pluhurin. 1, 3 Një njeri me shpirt të tillë është qenie emocionale, nervore, një tifoz, një vocërrak i cili përgjërohet për naltmadhninë e tij. Ay qëndron në turmë për shkak të urrejtjes që ka ndaj të tjerëve që njeh. Mbinjëshi është shpirti i tij, ndjesia dhe kënaqësia e tij, sepse prej hyjniut mbinjësh dhe urrejtjes që ai mbjell është turma ku mund të bëjë pjesë. 1 Urrejtja dhe pickimi i emocioneve që i shërbejnë kësaj urrejtje janë ato që e mbajnë turmën bashkë. Mbinjëshi i ushqen vocërraket me urrejtjen dhe ndjesitë e dëshiruara pa të cilat njeriu në turmë do vinte në pikëpyetje praninë e tij. Përndryshe, ai nuk do ta ndjehej i pa kënaqur dhe do rropatej deri sa të gjente një turmë tjetër ku helmi i mbinjëshit t’i ëmbëltonte përsëri ndjenjat. 1, 3 Turma e tij është bota e tij, e kuptimtë për të qenë, në brigjet e së cilës përplasen botë (turma) të tjera, të huaja dhe armiqësore. Njeriu në turmë shndërrohet në një makinë dhe si e tillë ai nuk e njeh dhe nuk mundet ta njohë vetveten. Ashtu si makina, ai bëhet i papërgjegjshëm për veprimet e tija dhe as dëshiron e as kërkon të dijë apo të kuptojë. 1, 9, 15, 16. Kështu ai shndërrohet në një njeri mekanik me të cilin çdo gjë ndodh. Duke qenë se skllavërimi shoqëror varet tek frika, sundimtari i turmës ia ushqen pa pushim asaj frikën dhe mos pëlqyeshmërinë për çdo gjë ndryshe, të re apo të panjohur. Makinat janë të verbëta dhe të pavetëdijshme; ato s’mund të jenë ndryshe dhe veprimet e tyre duhet t’i përgjigjen natyrës së tyre. Njeriu në turmë, njeriu mekanik, i plotëson këto veti të makinës. 2 Si i tillë, ai nuk është njeri I lirë, mbartës i mirësisë dhe qytetarisë. 1, 2, 5, 15 Që të lirohet atij i nevojitet së pari të arrijë lirinë e brendshme, të vetëdijshme, të virtytshme, të ndërgjegjes dhe mëvetësisë së tij shpirtërore. Përndryshe ai ngec i skllavëruar shpirtërisht sepse ai, para së gjithash, as nuk e njeh dhe as nuk e kupton vetveten e tij. 9, 15 Prandaj njeriu në turmë e humb dhe nuk e kujton vetveten, sepse ai edhe jeton e vepron duke qenë në gjumë të thellë ndonëse me sytë hapur edhe nuk bën përpjekjet e duhura për t’u zgjuar dhe për t’u shkëputur prej hipnozës. 1-3 Askushmëria është një ndjenjë e skajshme shoqërore që në situatë paniku e fut njeriun në ankth dërrmues dhe e zvetnon. Nën ndrydhjen e skajshme të shpirtit të tij, nën hutimin dhe kotësinë që pëson shpirti i tij, nën zhvleftësimin e historisë në mendjen e tij, i dalldisur nga pa arsyeshmëria, fillon të ndriçojë në shpirtin e tij të tymosur një flakë pishe e zbehtë në degëzën e askushmërisë. Askushmëria bëhet për të frymëmarrje, liri dhe shkak veprimi. Ai bëhet kështu një makinë që nuk ka fillim e qëllim rruge, një makinë pa busull, apo një barkë pa timon që valët e detit e përkundin në kotësi dhe shtyhet vetëm prej erës ose baticës së rastit. Duke harruar me dashje ose pa dashje, ai humb vetveten dhe fshin nga mendja vlerat dhe historinë në origjinën e tij, rrënjët. Ai nuk e dallon më veten nga tjetri. 1, 2, 4, 15 Ndërkohë ai kërkon të mbushet me vlera të reja, por nuk arrin të kuptojë se ato janë të pathemelta tek ai, janë si gjethet të cilat zverdhen dhe nuk dihet se ku i flak era. Ashtu si natyra nga ku ka lindur, shoqëria njerëzore përmban në vetvete ndryshueshmëri. Domethënë, njerëzit ndryshojnë nga pamja, mendimi, gjatësia, vendlindja, dëshirat, kënaqësitë, aftësitë, dituritë dhe biles brenda një grupi shoqëror (kombi) ka ndryshime në të folurat vendore e në veshje. Përtej kombit, ndryshimet shtohen në tiparet e jashtme, ngjyra e lëkurës, gjuha, etj. Grupet shoqërore (kombet) dhe nëngrupet shoqërore (brenda një race) kanë edhe gjëra të ngjashme dhe të përbashkëta, por nuk kanë gjëra të barabarta. Nëse respektohet natyra, duke përfshirë edhe shoqërinë e larmishme njerëzore, atëherë jeta është e paqshme. Në të kundërt, përpjekjet për të krijuar fantazma barazie përbëjnë dhe prodhojnë krime njerëzore dhe natyrore. Edukimi me detyrim për barazinë shoqërore dhe ndërkombëtare është kundër natyrës. Ky i bën njerëzit të bashkë mblidhen dhunshëm mendërisht dhe fizikisht. Synimi është për të krijuar të ashtuquajturin “njeriu i ri”, domethënë askushin e dëshiruar të edukuar me shpirtin e turmës. Për askushin e mirë është askushmëria dhe e keqe është çdo gjë tjetër e arsyeshme, jo-paemër dhe me formë e përmbajtje të qartë. Ai nuk e kupton pse është në një detyrë zyrtare dhe çfar do të thotë ai emërim, çfar pritet e duhet të bëjë, çfar të thotë e çfar të kërkojë. Askushi nuk di as çfar, pse e kë të emërojë dhe as pse është emëruar. Ai pret urdhër nga mbinjëshi për të zbatuar një ligj që është ligji vetë. 1. 16 Gjithashtu, ai është një vjedhës pune, vendi pune dhe vote. Ai nuk e kupton çfar përfaqëson kombi e flamuri kombëtar ose çfar duhet të bëjë për festën kombëtare. Ay shndërrohet në spiun, vjedhës i vetvetes dhe brejtës apo shkatërrues i “barabartëve” të të tij. Shpesh, askushmëria e vozit askushin në tradhti, sepse për të qenë një njësh dikushi, një sundimtar i përmalluar, ai i hyn rrugës së krimit dhe bashkëpunimit me armiqtë. I rrethuar nga shembuj të këqij, ai zhytet gjithnjë e më shumë në keqësi. Ai vetëm keq sheh, uron apo dëshiron, sepse ai vetë është keq dhe të keqen ka si pikë krahasimi. Ai flet për gjëra të paarsyeshme e të pakuptueshme dhe biles ai nuk dallon ngjyrat… Askushit të turmës i humbet madhështia njerëzore, shqisave të tij iu humbet mprehtësia dhe ai bëhet i paaftë për të spikatur natyrën e gjërave. Çdo gjë që ai shtrëngon gjithnjë e më shumë është e pavërtetë, jo e tija, jo e ndjerë prej tij, një vegim i çrregullt i çastit. Morali, ndershmëria, mirësjellja janë mbuluar prej errësirës tek ai. Ay nuk vendos më për vetveten. 16 Ay nuk ka krahë t’i stivojë dëshirat apo të shuajë përvëlimin e ndjenjave të tija. Virtytet e besës, urtësisë, sinqeritetit, durimit, zemërgjerësisë, ndihmës, respektit dhe buzëqeshjes nuk janë më kambanat e tij. Shpirti i turmës dhe askushmëria të vështruara tek njeriu i veçuar nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë. Por meqenëse shpirti i askushmërisë lind prej shpirtit të turmës dhe ndërthuret mjaft me të, atëherë kur ata bëhen tipare shoqërore të përhapura dhe të njëkohshme, atëherë ai grup shoqëror është nën rrezikun e madh të mashtrimit. Rreziku bëhet akoma më i madh dhe pësimi prej tij më i shpejtë kur armiqtë e këtij grupi shoqëror ia njohin këtë shpirt të dyfishtë dhe përkujdesen t’ia përforcojnë. Në këtë rast, pasoja është e paqartë për çastin por e qartë pas një periudhe të gjatë kohe. Si rrjedhim, ai grup shoqëror vet shkatërrohet, humbet vlera njerëzore, shpirtërore, kulturore dhe materiale. Ose në rastin më të mirë, ai vazhdon të përtiqet në kufijtë e mbijetesës duke ngelur i prapambetur, i vet penguar në përparim dhe i pa qetësuar. Ngulmi i këtyre dy mendësive i mban njeriut ndezur ëndrrën e barazisë. Si rrjedhim, mbartësi i tyre cënon dhunshëm gjërat që s’i përkasin ose që janë të ndryshme nga ëndërrimi i tij. Ndikimi negativ mbi shoqërinë i të dyja mendësive zvogëlohet nëpërmjet ndriçimit të shpirtit me vlera morale dhe mendjes me ide. Mbështetja vjen prej shkollimit shkencor, edukimit të njeriut si e pse të përdorë arsyen, dhe mbjelljes të virtyteve tek njerëzit nëpërmjet shembujve. Të gjitha këto kanë qëllim përparimin dhe përkufizimin e mirësjelljes shoqërore ndaj vetvetes, të tjerëve dhe ambientit. Këtu i shtrohet rruga një shoqërie të udhërrëfyer prej dritës së arsyes dhe urtësisë. Kjo domethënë ecjen drejt një shoqërie që mbështetet dhe kënaqet tek e vërteta dhe e cila e përfytyron të vërtetën nëpërmjet arsyetimit.
Përfundime
Sa më e madhe të jetë turma fizike ose psikologjike aq më i vogël është njeriu në të. Njëshi në trumë është një qenie emocionale dhe ngase nuk mendon ai nuk është mendërisht. 1, 3, 5, 9 Ai nuk është një kokë e arsyes por një trup nën magji për qëllime përdorimi. 1, 3, 4, 8, 15 Sa më i ulët të jetë arsyetimi aq më shumë ndodh veprim prej pickimit të ndjenjave. Ai vepron prej ndjenjave dhe pastaj përpiqet të arsyetojë (me logjikën e tij) si t’i japë vlerë veprimeve apo vendimeve të tij. Ai dëshiron gjëra gati për mendjen e tij dhe prandaj ai pranon urdhra. Meqenëse përmirësimi paraprak pritet të ndodhë brenda shpirtit vetjak, fshirja e mendësive të turmës dhe askushmërisë në çdo rast është e thjeshtë: njëshi nuk duhet të mendojë apo të flasë me NE. Ai do të nisë të jetë sepse ai do të fillojë të mendojë dhe të jetë i lirë të zgjedhë. Në këtë udhë ai do fillojë të zgjohet, të kujtojë të shkuarën e tij, dhe të mendojë për të ardhmen. Kështu ai do nisë të dallojë vlera tek virtytet dhe dashamirësia.
Botimet e cituara
- Le Bon, G. (2001). The Crowd: A Study of the Popular Mind. Project Gutenberg. Batoche Books. (Original book published in French 1895, in English 1896). https://socialsciences.mcmaster.ca/econ/ugcm/3ll3/lebon/Crowds.pdf
- Freud, S. (1965). Group Psychology and the Analysis of the Ego. (J. Strachey, Trans.), Bantam Books. (Original book published 1921) https://archive.org/details/grouppsychologya01freu
- Stäheli, U. (2011). Seducing the Crowd: The Leader in Crowd Psychology, New German Critique, 38(3), 63-77. https://doi.org/10.1215/0094033X-1340048
- Drury, J. (2014). Crowd Psychology. Crowd Psychology. In T. Teo (Ed.), Encyclopedia of Critical Psychology (p. 341-343). Springer, New York. http://dx.doi.org/10.1007/978-1-4614-5583-7
- Drury, J. & Reicher, S. (2020). Crowds and collective behavior, Oxford Research Encyclopedia of Psychology. https://doi.org/10.1093/acrefore/9780190236557.013.304
- Vicsek, T. (2003). Crowd control, Euro-Physics Neës, March-April. http://dx.doi.org/10.1051/epn:2003202
- Chiang, Ch.-Sh. (2009). Hoffmann, Ch., Mittal, S., Emergent Crowd Behavior, ComputerAided Design and Applications, 6(6), 865-875. http://dx.doi.org/10.3722/cadaps.2009.865-875
- Zeitz K.M., Tan H.M., Zeitz C.J. (2009). Crowd behavior at mass gatherings: A literature, Prehospital & Disaster Medicine, 24(1), 32-38. https://doi.org/10.1017/S1049023X00006518
- Maeng, A. & Tanner, R. J. (2013). Construing in a crowd: The effects of social crowding on mental construal, Journal of Experimental Social Psychology 49, 1084–1088. http://dx.doi.org/10.1016/j.jesp.2013.07.010
- Swathi, H. Y., Mohana, H. S., Shivakumar, G. (2017). Crowd Behavior Analysis: A Survey, International Conference on Recent Advances in Electronics and Communication Technology, India. https://doi.org/10.1109/ICRAECT.2017.66
- Fiala, P., Hanzelka, M., Čáp, M. (2017). Electromagnetic Waves and Mental Synchronization of Humans in a Large Crowd, Proceedings of 11th International Conference (p. 241-244). Smolenice, Slovakia. https://doi.org/10.23919/MEASUREMENT.2017.7983581
- Templeton, A., Drury, J., Philippides, A. (2018). Walking together: behavioral signatures of psychological crowds, Royal Society Open Science, 5(7), 1-14. https://doi/10.1098/rsos.180172
- Bellomo, N., Gibelli, L., Quaini, A., Reali, A. (2022). Towards a Mathematical Theory of Behavioral Human Crowds, Mathematical Models and Methods in Applied Sciences, 32(2), 321-358. https://doi.org/10.1142/S0218202522500087
- Raineri, A. (2022). Applied Crowd Science. In G. K. Still (Ed.), Crowd Safety and Crowd Risk Analysis: Essays and Case Studies (p. 30-35). CRC Press.
- Campbell, J. K. (2021-2022). The Crowd is Untruth, INSPIRE-TheWIM Review, 47(3), 50-51.
- Krause, J., Romanczuk, P., Cracco, E., Arlidge, W., Nassauer, A., Brass, M. (2021). Collective rule-breaking, Trends in Cognitive Sciences, 25(12), 1082-1095. https://doi.org/10.1016/j.tics.2021.08.003