Albspirit

Media/News/Publishing

Vlora Obertinca: Ikja nga palumturia dhe lëndimi emocional 

“Duke e ndryshuar mendimin tonë për veten, ndryshon edhe rrethi në të cilin jetojmë“,  Vlora Obertinca.

“Sa më shumë kontakte të keni me njerëz të ndryshëm, aq më shumë e kuptoni se sa të palumtur janë njerëzit në brendinë e tyre. Nga jashtë duken të veshur bukur, fshehin gatishmërinë dhe afërsinë në 10 minutat e para të bisedës e më pas fillojnë dalëngadalë ta nxjerrin helmin. Bisedat zakonisht sillen rreth pakënaqësive të jetës, bie fjala pakënaqësitë me punën që bëjnë apo edhe nga njerëzit që i rrethojnë.

Dy gjëra që i zgjedh vetë njeriu me dëshirën e vet. Andaj pyesim vallë si mund të dëshëprohet dikush nga gjëra të tilla, aq shumë sa të kërkojë ta braktisë vendlindjen e vet? Si ka mundësi që njeriu të ketë mirëqenie të mirë financiare dhe familare dhe përkundër këtij fakti të kërkojë të shkojë në fund të botës, ku nuk njeh njeri për të gjetur jetë më të lumtur?!

Ne reflektojmë jashtë brendësin tonë. Nëse jemi të lumtur, këtë e reflektojmë te tjerët dhe anasjelltas. Këtë brendësi nuk mund ta ndërrojë askush përveç nesh. Kjo sepse askush nuk ka akses në mendjen tonë.

Ajo mendje që e ka sjellë njeriun në dëshpërim të thellë me gjithë atë mirëqenie financiare dhe sociale, ajo mendje e njejtë mund ta nxjerrë atë nga dëshpërimi.

Kudo që të shkojnë njerëzit e dëshpëruar, atë dëshpërim e marrin me vete. Andaj ndërrimi i rrethit ku jetojnë nuk e ndërron gjendjen emocionale.

Filloni ngadalë të lexoni ose të dëgjoni audio libra motivues dhe riprogramoni brendësinë tuaj, nëpërmjet ndërrimit të mendimit.

Në fund të ditës, ne jemi ata që e paguajmë llogarinë e fundit për zgjedhjen e mënyrës së mendimit.

E kemi një jetë dhe ajo është shumë e bukur. Mos ia dorëzoni askujt timonin dhe drejtimin e emocioneve tuaja. Nëse arsyeja e lëndimit emocional është një njeri që ju ka lënduar dhe vuani në heshtje dhe kështu e fajësoni publikisht punën ose rrethin, atëherë hapni rrugë atij njeriu dhe lëreni të largohet, se kur hapni rrugë, Universi hap miliona rrugë të tjera më të mira për të gjetur lumturinë e brendshme. E kur e gjeni lumturinë e brendshme, ajo ju bën të lumtur ju si dhe rrethin ku jetoni.

Në fund të fundit, do ta kuptoni që lëndimi emocional, ishte vetëm një mendim dhe atë mendim mund ta zëvendësoni me një mendim të bukur për të cilin keni vuajtur shumë gjatë”.

Please follow and like us: