Eda Zari: In memoriam, Theofan Stilian Noli
Më 6 janar, por në vitin 1882, ka lindur Theofan Stilian Noli (i njohur si Fan Noli). Është, ndoshta, njëri nga shqiptarët më kontroversë të historisë, duke konkurruar haptazi edhe Faik Konicën. Biografët e tij e karakterizojnë si ateistin që u bë klerik, mendjehapët në të jetuar por tradicional në vlera, oportunist në politikë dhe populist në qeverisje, revolucionar e bohem, që u kthye në një nga shtyllat e shqiptarizmës për emigrantët shqiptarë, sidomos në ShBA. Ajo që më lidhi artistikisht me Nolin janë përkthimet e tij liturgjike, të botuara mes viteve 1908 – 1959, të cilat i përdora në albumin “Entropy”. Kritikët mund të kenë shumë për të thënë për dobitë dhe të metat e punës së tij përkthimore, sidoqoftë, ajo që mbetet në fuqi për mua, është FJALA E BUKUR SHQIPE, e cila shfaqet si thesar i nxjerrë nga pluhuri e shpellat, ndonëse kanë kaluar pak më shumë se 100 vjet që prej përkthimeve të para. Me përkthimet e Nolit më lidh tingëllima e ëmbël toske, që nuk vjen e huaj për asnjë vesh shqiptari, visaret e fjalës, të ruajtura në sepetet e rreshtave, ëmbëlsia e gjuhës që rrjedh si mjalti nga zgjoi i mendjes së tij prej gjeniu. Përsëri dhe përsëri: të falemi, Mjeshtër!
6 janar 2017.
Please follow and like us: