Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: STACIONI I VJETËR

Tregim i jetuar
Nuk po rehatohesha kursesi në stolin e drunjtë të vagonit të vjetër, sado që rrotullohesha nga të dyja anët e brinjëve. Mase nga të ftohtit e muajit dhjetor, kur na liruan nga hekurat e burgut, prej erës së hidhur që hynte si me vërshëllimë nga xhamet e thyera, po ndofta edhe nga dërrasat e buhavitura nga lagështira, nga ku kutrubonte lirshëm era e rënduar e mykut. Që natën e parë në liri, duke kërkuar një strehë aty, nën urën e Lanës, përbri Hotel ‘Dajtit’, ku zura atë ‘shtratin’ e kashtës së asaj putanës së rrugës, pa e ditur se kush e kishte sajuar atë ‘shtrat mbretëror’, duke pandehur se gjeta një ‘vend qiellor’, ajo bushtra kur erdhi, më goditi me majën e këpucës, ngaqë i kisha zënë vendin, i cili qe disi më i ngrohtë, edhe pse era e qelbur ishte akoma më e rëndë se krupa që sillte vetë ajo… Ëndërro sa të duash, po ato ëndrra mbeten! Edhe të fantazosh nuk qenka gjë, kur ‘filli i jetës’ të është këputur për fare… Edhe në burg isha më mirë se këtu, nën qiellin e hapur, kur të tërë të shohin si një shfaqje fantazme, kur edhe gruaja që ke patur dikur të mbyll derën e shtëpisë tënde e kur ai zyrtari i komitetit me emri Lushi të thotë që “të vesh në të sëmës!” e mos të guxoja më që t’i delja përpara! Bëhej ngado e kudo, e njëjta politikë tmerronjëse… Njerëzit vdisnin çdo ditë si njerëz…
Kështu u rrotullova gjithë natën, si ndonjë kafshë e plagosur nga saçmat e një gjahtari… Po kjo “pikë e zezë”,-thashë me vete, ç’është kështu me mua që, u mësoka njeriu me të keqen, edhe më zi si tek kafsha! Sa isha aty, brenda telave me gjëmba, doja të isha jashtë tyre e të merrja frymë nën qiell të hapur, ndërsa tani dashkam të vete më mirë aty brenda e ta ngrys jetën që më ka mbetur! Isha mbledhur si kërmilli rreth vetvetes, kur u hodha përpjetë i trembur nga klithma e një gruaje tjetër e rrëzimi i një teneqeje bosh mbi dyshemenë me dërrasa të vagonit! Një mesogrua e zeshkët si ciganet, me flokët e mbledhura në një shami dalëboje, qe shtangur dy metro para meje e unë po ashtu mbeta! ”Qyqja, mi çuno,-brriti ajo,-qysh paske ardhë e fjetë, nji ktuna, a nuk din kurgja se a e ndalueme me hy n’stacion trenit?! E ku? Nji ktu, ku lejm veglat e punës”! U meka edhe nuk dita si t’i thoshja, ashtu me duar e duke rrotulluar kokën e përgjumur dhe pastaj s’di si më doli nga goja shprehja “nga halli, moj motër”! Dhe pastaj ngeca përsëri. ”Uaaa, po si qënka kjo punë, xhanëm, si s’paske shpi Zotrote, goxha burrë e i majtun”? Nuk i thashë që jam i burgosur politik,-e me ç’politikë zeza,-ashtu për një dryn me i vue gojës! Dhe shtova që ime shoqe u tremb, sa jam khye prej andej…, po jooo, nuk jam i arratisur, po i falur, medemek i pafajshëm,-nëse beson ZOT E KRISHT,-moj motër… se pata një sherr me gruan time e ajo më përzuri nga shtëpia! Më quajti edhe ajo “armik”, kur unë kam tani në xhep një kartë, më ndryshe, se nuk jam i tillë! Vetëm kaq. Dhe ajo sikur u zbut e ndjeu njëfarë keqardhje… Pas pak heshti e më pa me vërejtje nga koka në këmbë. ”Po ti, or burri dheut, paske ngri tan natës, pa nji batanie përsipër, nji ktu-ma, ku t’përlan era e Dajtit, nofta edhe pa ngranë nji kafshitë buke! O ho hoooo… Po rri, rri, shtrihu, se po ta sjellë Sania nji batanie, nji pagure uji e nji byrek taze, pa merak, nji tash”, tha ajo dhe rrëmbeu kovën, fshesën e nje leckë të pastër e zbriti menjëherë shkallët e vagonit të braktisur.
E gjithë dita që pasoi kaloi me një ecje pafund ndër brigjet e “Lanës”, anës pemëve e nën akaciet (që do të shkuleshin afro 10 vite më pas, për t’i zëvëndësuar me kioska të panumërta, kur “freri i kalit” e kishte marrë “uratën e Perëndisë”)! Dola andej nga fundi i saj i betonuar dhe e ndoqa rrjedhën e këtij përroi tekanjoz, sa fillon e hapet në natyrë, më përtej Yzberishit, derisa dola në afërsi të Bërxullit, për të mos parë më fyfyra të njohurish që kthenin rrugën të friguar e më rrëfenin kurrizin! Po ajo rrjedhë e gurgullimë e po ai kutrubim që të çponte hundët e sa vente dhe bëhej më e fortë, gjersa shpërndahej në zallishte, ku e i kanë izbat e tyre edhe romët… E dija se andej e kishte barangën e tij të improvizuar edhe Panoja, ish i burgosuri tjetër politik,-e ç’politikë zeza!,-po nuk doja ta kërkoja që, mos t’i bëhesha “barrë” edhe me hallet e mia, kur edhe ai të njëjtat probleme jete pati, pasi doli nga burgu,-sikundër do t’i mësoja prej tij, vite më vonë, tek kafe “Europa” e do më dhuronte librin e tij të ri, me poezi “të burgosura”… Njëlloj si do më ndodhte me Frederikun, që më la tasin e tij të burgut si kujtim, si doli prej andej, para meje, Lazes dhe Zydiut, që do ta merrte veten më mirë, po që do ta merrte vdekja edhe më shpejt, si qe shprehur me disa botime romanesh e poezish të trishta, ashtu si edhe Frederiku, me librin e tij brilant e të pikëlluar njëherësh: “Vetmia”,-sikundër qe, për djall, e gjithë jeta e tij… Tani, edhe unë po provoja vetminë time nga “Bregu i Lumit” e u riktheva përsëri tek vagoni i braktisur i Stacionit të Vjetër të trenit, kur ra mbrëmja, për të mbetur i “padukshëm” dhe e ndjeva lagështinë të më futet nëpër gjymtyrë, gjer në palcë. E njoha vagonin tim, të lidhur prej një lokomotive që nxinte në errësrë e mezi dallohej ndryshku nga rrezatimi i një projektori shtylle nga ana e pistës, nga ku kisha zbritur prej trenit të mallrave, i strukur midis dy arka amballazhi, me rrobat që pata veshur 10 vite më parë e me një trastë me libra që i mbaja gjithmonë me vete, si reliket më të çmuara. Në po këtë pistë betoni, më patën përcjellur drejt internimit nxënësit e mi, fshehtazi, një ditë marsi të vitit 1966, pa zbardhur dita akoma…
Më në fund, pas kaq ditësh rroptjeje e “ec e jake”, që mjerë këpucët e mia të burgut veshur, provova edhe gjumin e natës së dytë në liri, me gjithë këpucë, në kryeqytetin që nuk ishte më i imi. Batania që më kishte sjellur Sania qe një velenxë e vjetër, që nëna ime e quante “çëkorsë e leshtë”, që më karfosi në gjumin e thellë, edhe pse kishte një erë të rënduar myku e vjetërsie, ndofta asnjëherë e larë. Nuk e ndjeva më brymën rrëqethëse,- cingërimën e malit e të fushës, në këtë natë të gjatë dhjetori, po kjo gjë e leshtë më afroi me ëndrrat e me gjysmëvdekjen!… Po andej nga pasmesnata, dikush më shkundi me tërsëllimë e një dritë e fortë elektriku dore, me bateri, m’i verboi sytë dhe vendosa bërrylin para tyre… “Edhe këtu nuk më lini rehat!? Kush jeni ju”? “Ti kush je?… Se ne jina nji kta që kina qenë, qi ina nji tash e qi kina me qenë gjithmonë d.mth. Mund me na njohë ma mirë, me mujt, d.m,th, me hapë sytë”! E ndjeva se cilët mund të ishn dhe mezi munda t’i vështroja me bishtin e syve të lodhur e të verbuar prej dritës së fortë. Ishte një patrull policie, që e pata “peshqesh” edhe këtë natë dimri, nga qeveria që mbahej ende në këmbë a nga Sania,-të më ndjejë nëse gaboj me këtë hamendje nate,-kjo pak rëndësi kishte, po mua më duhej t’i sqaroja përsëri këta persona me uniformë se, nuk isha ndonjë keqbërës, kriminel a diversant, nga qielli a deti, po një artist që nuk ua thoshja dot se si e kisha pësuar e nga kush, se më kishin ndëshkuar e dënuar, pa asnjë të drejtë morale e penale, po që,megjthatë e kisha shlyer dënimin që ma dhanë (?!), me vuajtje e s’kishte pse të vuaja akoma, se kisha me vete edhe një shkresë lirimi prej një Amnistie që ishte bërë para një jave e që e kishte marrë vesh edhe e gjithë BOTA dhe se, nuk qe për t’u habitur, që ndodhesha aty, ngaqë, nuk mjaftonte që më kishin prishur jetën, po më kishin “marrë” edhe shtëpinë! Sepse, po përfundoja për “dhjamë qëni”… E këtu ngeca e pushova, ngaqë mund të gjeja përsëri belanë, po edhe duke pandehur se do më linin të flija nën atë çëkorsë me erë të keqe, që po më dukej mbulesa më e mira në botë, që të më ngrohte pakëz, jo vetëm trupin po edhe shpirtin… Të paktën, le të më linin ta shijoja edhe unë një natë të qetë në liri… Kryepolici (i ardhur si nga koha e Gjon Buzukut!), nuk e ndërpreu ligjëratën time, po pasi e pa edhe shkresën përcjellëse, me një pozë prej prokurori,- tha se “ktu, d.m.th, qe nji objekt shtetnur dhe nuk lejohen vërtitjet, d,m. th, edhe “strehimet” për individa me preçdenca panale e as pa preçedenca d.m.th… Që do me thanë, d.m.th, se nuk asht Hotel. A për trena! Pranaj çohu, ene eja me ne n’rajonin ma t’afërt t’Policisë e ça t’thotë shefi, d.m.th, ka me u ba”! “A e din ti, d.m.th, -shtoi ai,- sikur kishte harruar gjënë më të rëndsishme, se shteti ka ligje, qi e mbajnë ngrefun d.m.th, apo nuk ke haber fare, d.m.th”?
E dija se edhe një polic i “pagdhëndur e pa shpirt”, mund të fliste në emër të një shteti! Bile edhe të një populli! Do të ngrihesha me përtesë nga stoli prej druri të buhavitur, do ta palosja velenxën me kujdes, do vija mbi të atë byrekun-shollë, tre lekësh, qe e ruajta ta haja në mëngjesin e asaj dite, do të veja pas tyre në Rajonin e Policisë, përmes një shiu-dëbore, që kulloi i tëri mbi qafën time e u var mëtëposhtë zverkut, ku do kaloja edhe gjysmën tjetër të asaj nate të egër, në qelitë e rajonit, prej muresh betoni edhe ato, nën sipërfaqen e tokës e fare pa dritare, ku do të prisnim të gdhihej dita e të vinte shefi i madh, me një tufë keqbërësish të mbledhur asaj nate, rrugëve të metropolit… E, pas të njëjtit dialog që do përsëritej edhe me shefin e polisicisë, që do qëllonte edhe ai nga veriu i vendit, do të merrja përsëri “reston ligjore” që kishte mbetur edhe për ”kontigjentin” e sapo dalur nga burgjet e Shqipërisë, që ishin të detyruar ta lironin, me presionin ndërkombëtar e të “merrnin udhët”, në një “drejtim të panjohur”,-sikundër edhe thuhej shpesh në komunikatat standarte të policisë, për të rrëfyer ata që i bëjnë krimet reale dhe pastaj “largohen lehtësisht”, gjer edhe në cepat më të largëta të kësaj bote… Më e pakta, për të mos u ndodhur asnjëherë përball ndonjë të “njohuri”… Si i thonë,”Inkognjito”?!
Po do të ndodhte e kundërta. Ashtu si në të gjithë jetën time… Andej nga gjysma e paradites së zymtë, dikush qëndroi para meje e po më shihte me vëmendje. Më shëmbëlleu me Hetuesin tim që më thërriste vetëm në mesnatë e priste një copë herë të shprehesha unë i pari, nëse më kujtohej ndonjë nga “komplotistët” që pyeste dhe i pandehte ai, apo jo!?… U drodha! Qenë vite frike e dhune akoma, në “kapërcyellin” e 80-ës…“Ti je filani”? “Unë, o mos qofsha”! Dhe më fton për një kafe aty karshi, duke shkallmuar kështu gjithë befasinë e frikën që pata, kur as që e prisja një gjest të tillë, aty ku ndodhej njera nga ato lokalet e shpejta e me banak përpara dhe me një dërrasë këndore të fiksuar nëpër mure. Klientët nuk dalloheshn nga njëri-tjetri, në atë gjysmëerrësirë, si të ishin “kunja shkrepsesh” brenda kutisë së tyre. Ai shikonte mua e unë atë! Befas më përmendi emrin e më pa butësisht… Si është e mundur që kanë mbetur edhe “njerëz të mirë!”,-thashë me veten time… Si më njohu kështu, xhanëm, ky njeri i lartë nga fshati im, që m’u duk, megjithatë, si i “bërë xurxull” dhe që dikur, njëherë e një kohë, edhe ai qe dikushi: Zv, Ministër në një Dikaster e më pas Drejtor i një kombinati, nga më të mëdhenjtë e vëndit: Barba Neçua! Porositi një kafe për mua e një konjak “Korçe”, për vete. U mbështetëm te dërrasa e murit në këndin e lokalit të zhurmshëm dhe tha se kishte dalur në pension të parakohshëm, prej lodhjes e stërmundimeve të gjata, po edhe nga problemet shëndetësore që kishin përparuar befas! Nuk donte të dinte asgjë prej meje, po edhe unë u mjaftova tek problemi im kryesor: “gjetja e një pune, sido që të ishte”, duke u kujtuar se ishte po ky kuadër i lartë nga fshati ynë, partizan i vjetër, po edhe shpirtmirë, si ZOTI NË QIELL, që kishte tërhequr nga fshati djemtë më të mirë e puntorë, duke i rregulluar ata edhe me shtëpira, gjersa thuajse të gjithë u bënë aty në Tiranë edhe me familje… Po ndofta ky njeri fisnik nuk mund të mos e dinte edhe problemin tim, kur ai tha se qe punë që ndreqet ajo që kërkoja dhe menjëherë bile!,-tha ai i vendosur. “Eja pas meje,-shtoi pas pak, si rrëkëlleu në fyt pikat e fundit të konjakut,- e të vemi te Kamberi, Drejtori i Komunales, këtu afër… Ai kërkon punëtor e nuk i venë… Po kësaj ç’i thua!? Mos u ndruaj fare, e kam mik të vjetër”!
U ndodha kështu befas, në një “rol teatri” aspak të këndshëm, po aq të domosdoshëm e jetik, që nuk i ngjante fare personazheve që pata njohur më parë edhe unë, regjisori e profesori i Artit Skenik! U ngjitëm në një palë shkallë të drunjta, të një ndërtese dy katshe të Rrugës së Kavajës e ai trokiti në derën e mikut të tij, që për fat e gjetëm vetëm dhe me humor të mirë, tek u përqafuan me njëri-tjetrin. Dhe pyeti me një ton, po kaq miqësor se, mese donim që të na qeraste, duke i përmëndur të gjitha llojet e pijeve. Unë nuk doja asgjë, ndërsa Barba kërkoi përsëri një gotë konjak a raki, ç’të kishte dhe e rrëkëlleu me eks… Dhe pastaj i tha mikut të tj se “këtë djalin e kam timin e dua ta ndreqësh me ndonjë punë, sido që të jetë, se ka kaluar ‘njëfarë problemi’ e ‘më the e të thashë’, që as duhen përmëndur fare, se e di edhe unë më mirë këtë gjë…”. Kamberi më pa ngultas, unë kërkova nëpër xhepa shkresën përcjellëse dhe ia vendosa përpara në tryezë, duke ndjerë se po më përvëlonin duart prej një ‘zjarri’ a rrufeje, po ai e palosi përsëri e ma ktheu, pa e lexuar fare. ”Nuk është fare nevoja të ma thuash… Se kam këtu edhe një ‘qerre’ me të tjerë si puna jote, që unë nuk i shaj kurrë. Se kë nuk e zë ‘çarku’ e nuk e haq,-shtoi ai, me sytë mbërthyer nga Barba Neçua… Se janë njerëz të gjallë, dua të them…E hu ha…! Gjëra që ndodhin në jetë dhe gjëra që ‘ndreqen’!… Po të duash, do të vë edhe të punosh me ta ose afër tyre, që mos të të çojë aq larg, bie fjala në guroren e Dajtit, në Linxë, po këtu në qytet, me Muçin, atë shkrimtarin e “Greminës së Dashurisë“ ose me Luarasin, regjisorin e një fastivali… Që të dy punojnë si bojaxhinj e janë bërë edhe specialistë të mirë, mjeshtra!…”. Jo, jo, më mirë me ço në Linxë,-thashë unë menjëherë… Është më mirë për mua të merrem me gurët”! Barba Neçua me Drejtor Kamberin, panë njëri-tjetrin të habitur…
Të nesërmen, që herët, do të dilja para Kinostudjos, do t’i hypja një “Skode” rrangallë dhe, pas një gjysmë ore, do të isha në Guroren e Linxës, të mbuluar nga dëbora e freskët e asaj nate. Edhe bredhat qenë ngarkuar me dëborë, edhe koka ime e qethur që zbardhte tashmë, në pragun e një viti të ri që nuk mundem ta harroj kursesi…
Athinë, fillim viti 2023.
Please follow and like us: