Albspirit

Media/News/Publishing

MUSTAFA KRUJA: A KA SHQIPTARË… ME BISHT?

(Parathënia e Mustafa Krujës, përkthyes i librit “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha” i kryeministrit serb Vlladan Gjorgjeviq, botuar nga Botimet Klubi i Poezise Tirane. Sponsor Flamur Hoxha, redaktor Izet Duraku, botues Rexhep Shahu).
Shumë prej nesh, ndoshta, kemi ndie se nji autor ballkanik, nji burrë shteti i përmêndun, njeri i letrave në mos edhe i shkencave, ka zbulue nji të vërtetë të pa njohun e të pa besueshme: ka shqiptarë me bisht! Por rrallë kush – flasim gjithnji për shqiptarë – ka pasun kuriozitetin të pyesë êmnin e këtij zbulimtari të famshëm e aq mâ pak me marrë e me këndue librin e tij. “Shpifje e poshtër prej nji halabaku serb!” ka thânë… dhe ka dalë përtej, pa e vramë mendjen mâ aspak me tê.
Me të vërtetë qi nga nji herë âsht kohë e humbun me këndue disa shkrime, të cilat s’kanë short mâ të mirë as meritim mâ të madh se me mbarue në kosht e në pluhnit porsa të kalojnë prej fantazís s’autorit injorant nëpër duert e tipografit tregtar.
Por veprës së Dr. Vladan Gjorgjeviqit, ish-kryeministrit dorë-hekur të shtetit sërb, sigurisht nuk mund t’i takonte nji short i këtillë. Ka shkrue dokrra? Fantazí shpifarake? S’ka pasun marre me mbërrie deri tu bishti i shqiptarëvet qi jetojnë tash sa mijë vjet n’Evropë pa pasun kush fatin, pos tij, me u a pamë deri në këtê ditë? Ka pasun guximin e tmerrueshëm me pretendue, asgjamangut se Skênderbegu ishte “thjesht sërb”, dhe jo veç ai vetë por edhe të tânë ushtarët qi kanë luftue për 25 vjet rresht bashkë me tê?
Mirë. Por êmni i tij, titulli i librit Shqiptarët e Fuqítë e Mëdhá, dhe mâ në fund koha psikologjike e momenti politik qi autori ka zgjedhun për t’a botue vëllimin e tij, kanë mjaftue qi njerëz të ç’do vêndi e të ç’do rendi t’a këndojnë me kujdes e, edhe mâ me kuriozitet në qoftë se mâ parë u ka tokue me ndie gojë më gojë ndonji argument të rrallë, si bishtin e shqiptarëvet për shêmbëll, të cekun n’atê vepër kryesisht politike!
Jo vetëm aq. Shkruem origjinalisht në gjuhë gjermane prej autorit, kur, mbas luftës turko-ballkanike, Fuqítë e Mëdhá po dajshin fatin t’onë në konferencën e Londrës, “Shqiptarët e Fuqítë e Mëdhá, nji herë më vetvete nuk mund të rrijshin pa ua tërhjekun vërejtjen qarqevet intelektuale mâ të gjâna t’Evropës. Vepra me atê qëllim ishte përpilue. Por për t’ia shtue kënduesit e për t’i dhânë nji rândësí edhe mâ të madhe librit ndër qarqet politike e diplomatike, nji personalitet tjetër, mâ i naltë se vetë autori, i përvishet punës me zellin e tij patriotik dhe e përkthen menjiherë nga gjermanishtja edhe në gjuhë frânge. Ky personalitet shum’ i shquem ishte nji princ i shtëpís mbretnore sërbe, N. T. Princ Aleksi Karagjorgjeviq.
Në qoftë pra se nji popull ka interes të dijë se ç’mêndojnë për tê të huejt, sidomos ata të huej me të cilët pozita gjeografike e shtrëngon me qênë në përpjekje t’afër e në marrëdhânie të përditshme, libri i Dr. Vladan Gjorgjeviqit, i nderuem edhe me êmnin e nji misi të dinastísë sërbe, sigurisht vjen në radhën mâ të parë për me u këndue prej né shqiptarëvet.
* * *
Në vjetin 1922-23 më kishte çue fati me banue në nji qytet të vogël të Shumadís, në Gornji Milanovac. Pa punë tjetër, u vûna me nxânë gjuhën e vêndit. Në krye të disa muejve isha në gjêndje me e kuptue sërbishten dhe diçka me përkthye prej saj.
Nji ditë të marsit 1923 më zuni syu në vetrinë të nji librarie t’atij qyteti, jo mâ se 3.000 frymësh, me gjithë qi qêndër prefekture, nji libër me këtê titull: Arnauti i Velike Sile; edicionin sërbisht të veprës së Gjorgjeviqit, qi un disa vjet mâ parë e kisha këndue në përkthimin frângisht te Princ Aleksit. Autori, tue dashun me ndriçue jo vetëm opinionin e huej, par edhe atê të popullit të vet mbi shqiptarët, ka pamë nevojë me e botue librin e tij edhe sërbisht.
E bleva, e këndova dhe pa tjetër u vûna me e përkthye. Në krye të nja pesë jave, përkthimi qe gati për t’ u kopjue për shtyp.
* * *
Qysh atëhere kanë kalue plot pesë vjet. Prap në papunësí të mërgimit diçka kam lakmue me përkthye e me shkarravitun në këto tri vjet. Por sa për botim, punimi i përparshëm, Shqiptarët e Fuqítë e Mëdhá, kishte të drejtën e primogjeniturës dhe nji aktualitet politik në favor të tij.
Letërsia politike sërbe âsht plot me argumente qi interesojnë thellësisht kombin t’onë. Dhe Shqiptarët e Fuqítë e Mëdhá nuk janë ndoshta gjykimi mâ i ashpër qi bota politike e popullit fqinjë ka shfaqun kundra nesh. Në qoftë se ndokush ka me dashun të kërkojë nji tendencë politike të veçantë në këtê përkthim prej anës s’ême, në qoftë se do t’i pëlqejë ndokuj me kujtue se un kam zgjedhun me qëllim nji vepër politike sërbe kaq të pa shpirt për racën, popullin dhe shtetin t’onë, i përgjigjem se do të jem i lum me përkthye e me i a paraqitun opinionit shqiptar nji libër tjetër qi të më tregohet si mâ i favorshmi për né e qi, të ketë dalë prej pêndës së nji sërbi me nji farë pozite, me nji farë rândësie politike n’opinionin e vêndit të tij. Si do qi të jetë, vetë sërbët duhet të mbesin së paku të kënaqun, sepse un i shtoj edhe edicionin shqip nji vepre politike të tyne, qi ata e kanë botue e përhapun në trí gjuhë tjera e me êmnat e nji ish-kryeministri dhe të nji princi të shtëpís mbretnore të tyne. E nuk âsht as nevoja t’a siguroj autorin se ky përkthim ka m’u kuptue fare mirë si në të dý Gegniat e tij e në Toskëní, ashtu edhe prej shqiptarëvet të Kalabrís e të Siqilís qi do t’a këndojnë, sa do qi ai pretendon se këta flasin “pesë gjuhë krejt të ndryshme”!
***
Shqiptarët, po t’a këndojnë me kujdesin qi meriton, do të mësojnë shumë sende të dobishme prej këtij libri.
Mâ së pari do të kenë para sýsh nji pasqyrë të kthjellët, dokumentin mâ autentik t’opinionit politik sërb mbi ta.
Së dyti do të shohin se si punojnë bota, e në rasën konkrete sërbët, për interesat e nalta të kombit të tyne. Të bashkuem të tânë si nji trup në fushën e armëvet, sërbët, fitojnë luftën bashkë me aleatët e tyne ballkanikë kundra turqvet dhe kthehen e luftojnë prap me triumf aty për aty kundra nji aleati e vëllai të racës së vet … Krejt opinioni publik përkrah veprën politike të qeverís së tij qi përpiqet me nxjerrë frytin mâ të madh prej fitimit t’ armëvet … nji ish-kryeministër vên në dispozitë të kombit të vet pêndën e tij të zjarrtë e mâ të pa skrupull se armët qi bâjnë namin në fushat e Kosovës e të Maqedonís… dhe nji Naltësí Mbretnore i shoqnohet atij në ndihmë të qeveritarëvet qi janë kapërthye në luftë diplomatike kundra krijimit të nji shteti shqiptar.
Së treti, na gjêjmë në Shqiptarët e Fuqítë e Mëdhá nji shêmbëll tipike se si luftohet nji anmik i përjashtëm në fushën e politikës e të diplomatís me armën mâ insidjoze të propagandës. Dr. Vladan Gjorgjeviqi, për me shkrue nji libër propagande kundra shqiptarëvet, nji libër qi do të shërbente si nji exposé gjysëmzyrtare për kabinetet e Fuqívet të Mëdhá e për opinionin publik t’Evropës, ka këndue gati krejt bibliografín e tyne, gjithë ç’ âsht shkrue e botue deri sod mbi vêndin e racën t’onë, ka zgjedhun ça ka qênë shkrue mâ zi për këtê popull prej autorëve mâ tendenciozë të botës e sidomos të botës sllave, ka falsifikue me habilitetin e talentin mâ të madh të nji mêndjeje të hollë si ajo e tij – nji tjetër ndoshta do të thoshte trashanikisht e poshtërisht – edhe shkrimet e miqve mâ të mëdhâj të kombit shqiptar, dhe mâ në fund ka trillue e ka shpifun ça i ka shkue për mêndsh si ndjekës mâ i bindun i motto-s: “Calomniez, calomniez: il en restera toujours quelque chose”.
Mâ në fund, s’ka dyshim se si për njeriun më vete ashtu edhe për nji popull qi dëshiron me dijtun e me qortue të mêtat e veta, opinioni i anmiqvet âsht tepër i dobishëm. Edhe nga kjo pikëpamje pra ky libër âsht i interesueshëm në gradën mâ të naltë për né shqiptarët. Na zêmërojnë e na indinjojnë pa dyshim shpifjet, aq mâ tepër kur kemi para sýsh qi na bâhen për të na minue ekzistencën t’onë si komb, për të na skllavnue, për të na shue farën. Por nuk duhet të na idhnojnë aspak të mêtat reale qi na përmênden, makar të zmadhueme e… të zbukurueme me sarkazmat e ironít e gjuhës së nji Vladan Gjorgjeviqi. Nji katalog mâ komplet të mungesavet t’ona kombtare, si edhe të gjithë sa shpifjeve qi mund t’ i bâhen nji populli, s’ka mundun bir nâne tjetër me na e vûe përpara kurrë në fytyrë të kësaj toke. A pak shërbim âsht ky? … Anmiku detyrën e vet e ka krye. Ndashti âsht detyra e jonë me përfitue edhe prej nji vepre të këtillë : me qortue gabimet, me ndrequn të mêtat e me u lamë para botës nga shpifjet.
* * *
Sod po ndiejmë do fjalë me të cilat s’na kanë qênë mësue veshët, andej kah veriu. Fjalë qi duen të tregojnë se nji tjetër erë ka fillue me frye në kryeqytetin e Vladan Gjorgjeviqit. Por … a thue? Si me besue? A s’kemi të drejtë me qênë skeptikë? Ata qi deri dje bânë ç’mos, prej autoritetit mâ të naltë e deri n’ ushtarin e në xhandarin, për mos me lânë, mâ parë, qi të krijohej, e mbasandej, qi të mëkâmbej e të forcohej nji shtet shqiptar, a ka se si me qênë të sinqertë sod në simpatín qi po rrëfejnë për indipendencën e këtij shteti? Ç’mrekullí ndodhi vallë për me sjellë gjithë këtê ndryshim të madh menjiherë? Asgjâ s’âsht e pa mundshme në këtê jetë. Por kush âsht djegun nji herë me qumësht do t’i fryjë edhe kosit. Na shqiptarët nuk jemi për njimênd aq të këqij sa mos me besue kurrgjâ në botë. Veçse mbas kaq vjet faktesh e provash të liga, fjalët e mira, vetëm, janë tepër pak për me na e mbushun mênden. Vuejtjet, pësimet e pa drejta e të pa reshtuna na kanë bâmë të gjithë Sh. Toma!
Zara, më 4 maj 1928.
Please follow and like us: