Odise Kote: MËRMËRIMË GURI…
Mërmërimë guri, ç’dimër i acartë prej cikme dhe ere,
mërmërimë pendimesh, stuhi, mërmërimë përvëluese.
Labirinthe spërdredhëse, ndjesi shkretimi ndë vete,
zbrazëtia, këmbanë – orakulli me qartësi verbuese.
Fakte shfaqur turbull, në botë pëshpërimash, gri,
rend i fshehtë, muzg, truk i parrokshëm, i pasaktë.
Shpleksur në fundaja shungullimash, tej në thellësi,
largim prej skëterre, shtjella, dritësime zigzag.
Histori kokëposhtë, lojë fantazmash e gjakim,
mbuluar mjegull, lodhje e beftë që mpin çdo dëshirë.
Diç e paformë, e frikshme, llohë e akullt, zemërim,
pritet të bjerë mbi çdo shkrepje syri, mbi çdo zgjim…
Kohë absurdi, buste plasteline, figurina prej letre,
zbrazëtia, këmbanë – orakulli me qartësi verbuese.
Mërmërimë guri, ç’dimër i acartë, prej cikme dhe ere,
rikthen tek gjurmët, qashtëri shpërthimesh rrebeluese…
Vëllimi ‘PENGJE TË GURËVE’, 2021.
Please follow and like us: