Albspirit

Media/News/Publishing

Vlora Obertinca: Mbi dashurinë dhe intimitetin…

“Kur kontratat shpirtërore në mes çifteve mbarojnë, duhet mbyllur ai kapitull, në mënyrë që Universi të na hap rrugën për përjetimin e kapitullit të radhës”, Vlora Obertinca.

“Kur njeriu dashurohet përjeton mbase gjënë më të bukur në jetë. Do të ishte bukur sikur kjo dashuri të ishte e përjetshme. Por, ja që asgjë në këtë jetë nuk është e përjetëshme. Në kulturën dhe traditën tonë kanē munguar gjithmonë manualet reale nē lidhje me dashurinë dhe intimitetin në mes të çifteve. Ka qenë turp të flitet publikisht për gjënë më të bukur, që ka rrëzuar edhe perandoritë më të mëdha në historinë e njerëzimit.

Duke heshtur prapa mureve ka ndodhur çdo gjë sepse është e pamundur të ndalosh diçka që është pjesë e jetës normale. Kështu duke i mbajtur ndodhitë e dashurive në heshtje, ato shpërthejnë vetvetiu si vullkan brenda kodeve morale dhe jo vetëm.

Në ditët e sotme, lidhjet intime ndodhin, prej të cilave disa kurorëzohen e shumë të tjera dështojnë.

Shpeshherë vijnë personat e tretë në mes dhe lindin ndjenjat, prej të cilave vijnë edhe fëmijë të pa fajshëm në jetē. Natyrisht, nën rrethana ku ndjenjat pushojnë në mes të një çifti, duhet të ndodhë ndarja paqësore dhe jo me inate, sepse dashuria nuk vjen me dhunë. Sikur edhe të rrijë bashkë një çift pa dashuri, jeta do të kalojë në vuajtje të mëdha. Pse të vuajmë, kur ka zgjedhje të arsyeshme?!

Nē mungesë të edukimit familjar dhe shkollor, përballemi me dhunë të pa parë gjatë ndarjeve, madje edhe deri te vrasjet. Kjo dukuri e trishtë duhet të zhduket dhe manualet familjare duhet të aktivizohen dhe t’ju shpjegohet fëmijëve që dashuritë janë të përkohëshme dhe të vullnetit të lirë.

A ia vlen për një njeri që nuk të do, ta shkatërrosh jetën tënde pyesim me veten?! A ia vlen për një njeri që kemi lidhur kurorë dhe kemi krijuar familje, ta humbim pjesën tjetër të jetës, sepse partneri ka zgjedhur një person të tretë ta vazhdojë jetën. Më mirë të bëhet ndarja publike, se sa tradhëtia në heshtje. Fëmijët në mes e pësojnē më së keqi, nëse çifti rri në lidhje pa dashuri. Fëmijët mësojnë çdo gjë nga prindërit dhe në këto raste ata rriten me praninë e dhunës dhe si pasojë e kësaj traumat psiqike kanë për t’i ndjekur një jetë të tërë.

Andaj nuk duhet të jemi egoistë dhe të mendojmë vetëm për veten tonē. Ndarjet duhet ndodhur, por kujdesi ndaj fëmijëve të pafajshëm duhet të jetë permanent, gjë që me ndarjen e çifteve, fatëkeqësisht rrallë ndodh.

Jeta është e gjatë, bashkë me të rrejdhin edhe takime të shumta me njerëz. Dikush që deri dje ishte i huaj, na bëhet partner i jetës, e kur dashuria mbaron ai njeri shndërrohet sërish në njeri të huaj sepse, dashuria është konsumuar. Nuk është fundi i botës ta lëmë të lirë njeriun e huaj sepse nuk është pronë e jona.

Dashuria është pa fund dhe toka ka mbi 7 miliard njerëz, ku sigurisht mund të gjindet një dashuri e re, madje edhe shumë e mirë nga ajo që kemi pasur. Jeta është sprovë, por kur ajo tejkalohet dhe njeriu mbetet i qëndrueshëm e me besim të fortë se meriton dashuri të mirëfilltë, Universi e sjell dashurinë e ëndërrave“.

Please follow and like us: