NGJARJET HISTORIKE NDËRKOMBËTARE DHE PËRVJETORËT E TYRE NË 2023
Geron Kamberi
Në këtë vit të ri që porsa ka filluar, bota do të përkujtojë një sërë ngjarjesh historike që kanë patur ndikimin e tyre në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kanë shënuar momente të rëndësishme që vazhdojnë ta kenë jehonën ende në ditët tona… Në këtë listë që kam përmbledhur më poshtë ndoshta ka edhe ngjarje e përvjetorë të tjerë, por kam përzgjedhur ato që besoj se kanë patur më shumë ndikim në historinë botërore.
1 JANAR 2023: 75-VJETORI I ZBATIMIT TË MARRËVESHJES SË PËRGJITHSHME MBI TARIFAT DHE TREGTINË (GATT), 1 JANAR 1948
Nëse do t’u kërkosh ekonomistëve të shpjegojnë bumin e madh të begatisë globale gjatë 75 viteve të fundit, tregtia do të jetë pjesa më e dukshme në përgjigjen e tyre. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, tregtia globale është rritur shumë më shpejt se rritja e përgjithshme ekonomike globale. Kjo nuk është një rastësi. Përkundrazi është rezultat i politikës së vendosur të SHBA-së që doli si rezultat i mësimeve të nxjerra nga mësimet e Luftës së Dytë Botërore. Zyrtarët në administratat amerikane të Roosevelt (04.03.1933-12.04.1945) dhe Truman (12.04.1945-20.01.1953) besonin se lufta ishte pjesërisht pasojë e politikave tregtare që vendet fqinje europiane ndoqën në vitet 1930. Ata argumentuan se promovimi i paqes dhe begatisë në botë kërkon krijimin e një marrëveshjeje shumëkombëshe që kufizon proteksionizmin duke përqafuar Parimin e Kombit më të Favorizuar (MFN-Most Favorable Nation), për të gjithë vendet anëtare që do të ishin pjesë e kësaj marrëveshje. Nuk ishte e lehtë që vendet e tjera të pranonin Parimin e Kombit më të Favorizuar. Britania e Madhe, që kishte qenë fuqia tregtare mbizotëruese e botës përpara luftës, hezitonte të hiqte dorë nga sistemi i saj i preferencave perandorake, i cili diskriminonte vende si Shtetet e Bashkuara që ishin jashtë orbitës tregtare të Komonuelthit. Mosmarrëveshjet midis dy fuqive aleate u zgjidhën vetëm pas negociatave të zgjatura. Kur Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë (GATT- General Agreement for Tariffs and Trade) hyri në fuqi në 1 Janar 1948, kishte vetëm 23 vende nënshkruese. Ky numër u rrit me kalimin e kohës, ndërsa vendet kuptuan se GATT ofronte forumin më të mirë për të ulur tarifat e barrierat e tregtisë mes vendeve dhe për të diskutuar çështjet kryesore të tregtisë. Në vitin 1995, Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë i la vendin më 1 Janar 1995 Organizatës Botërore të Tregtisë- OBT – Word Trade Organization) me qendër në Gjenevë, që ka 164 vende anëtare dhe që përfaqëson 98 % të tregtisë e GDP botërore.
27 JANAR 2023: 50 VJETORI I NËNSHKRIMIT TË MARRËVESHJES SË PAQES TË PARISIT QË I DHA FUND LUFTËS NË VIETNAM, 27 JANAR 1973
Është diçka e zakonshme tashmë që fuqitë e mëdha në raste të caktuara negociojnë daljen e tyre nga luftërat për të cilat pendohen. Një shembull i tillë është Marrëveshja e Paqes e Parisit – Paris Peace Agreement i 27.01.1973 që i dha fund Luftës së Vietnamit (01.11.1955-30.04.1975) mes forcave pro-komuniste të Vietnamit ë Veriut të mbështetur nga BS e Kina e forcave të Vietnamit të Jugut të mbështetur nga SHBA. Negociatat filluan në vitin 1968 pas Ofensivës Tet (31.01-23.09.1968), e cila bindi si Vietnamin e Veriut ashtu edhe Shtetet e Bashkuara se një fitore në fushën e betejën do të ishte raskapitëse. Bisedimet fillimisht u penguan nga fakti se ku do të mbaheshin – Parisi u përzgjodh si vendi i negociatave – dhe nëse Vietnami i Jugut dhe Fronti Nacional Çlirimtar (i njohur si Vietkong) do të merrnin pjesë në këto bisedime. Edhe pasi këto çështje u zgjidhën, negociatat u zvarritën. Në 28 Janar 1969, Presidenti Richard Nixon filloi tërheqjen e trupave amerikane nga Vietnami i Jugut si pjesë e politikës së tij të Vietnamizimit duke synuar më shumë trajnimin dhe armatosjen e trupave të Vietnamit të Jugut sesa përfshirjen e trupave amerikane. Ai gjithashtu përshkallëzoi bombardimet e Shteteve të Bashkuara ndaj Vietnamit të Veriut për të detyruar Hanoin të pranonte tryezën e bisedimeve. Në 1 Maj 1970, ai urdhëroi pushtimin e Kamboxhias, një lëvizje që nuk pati shumë përfitime ushtarake, por hoqi mbështetjen publike për luftën dhe intensifikoi presionin për të negociuar fundin e saj. Në prag të zgjedhjeve presidenciale, 4 Nëntorit 1972, Nixoni iu afrua arritjes së një marrëveshjeje paqeje por Vietnami i Jugut i hodhi poshtë kushtet dhe në këto kushte Marrëveshja e Paqes u nënshkrua më 27 Janar 1973. Marrëveshja e Paqes e Parisit i dha fund përfshirjes së drejtpërdrejtë ushtarake të SHBA-së në Vietnam dhe kërkoi që Vietnami i Veriut të lironte të gjithë të burgosurit amerikanë të luftës. Megjithatë, marrëveshjet nuk garantonin integritetin politik të Vietnamit të Jugut. Kjo pati një ndikim të rëndësishëm pasi më 30 Prill 1975, ushtria e Vietnamit të Veriut pushtoi Vietnamin e Jugut, duke i dhënë kështu fund asaj që u bë e njohur si Lufta e Vietnamit apo Lufta e Dytë të Indokinës, duke patur parasysh se Lufta e Parë e Indokinës ishte zhvilluar 19.12.1946-20.07.1954. Ndërkohë që konfliktet mes fraksioneve komuniste të Vietnamit, Laosit e Kamboxhias vazhduan nga 01.05.1975-23.10.1991 dhe u bënë të njohura si Lufta e Tretë e Indokinës
30 JANAR 1948: 75-VJETORI I VRASJES SË LIDERIT TË PAVARËSISË INDIANE MAHATMA GANDHIT, 30 JANAR 1948
Mohandas Gandhi (02.10.1869-30.01.1948) apo “Mahatma”, që në nderimin hindu do të thotë “shpirt i madh”, i përket një prej figurave më të rëndësishme të shekullit të XX. Ai ishte pionier i praktikës së “satyagraha” ose rezistencës jo të dhunshme që e përdori atë për të arritur diçka që shumë njerëz e kishin menduar të pamundur – Pavarësinë e Indisë në 15.08.1947 nga Britania e Madhe. Por fitorja e Gandit pati një çmim. Pavarësisht kundërshtimeve të Gandit, Britania zgjodhi ta ndante koloninë e saj në dy vende sovrane, një Indi me shumicë hindu dhe një Pakistan me shumicë myslimane. Rezultati ishte migrimi masiv i brendshëm dhe shpërthimi i dhunës së tmerrshme sektare mes popullsive së dy vendeve. Në janar 1948, Gandi filloi një agjërim që ai shpresonte se do të dramatizonte thirrjen e tij për hindusët dhe myslimanët që të jetonin së bashku në paqe në një Indi të re dhe laike. Por për nacionalistët ekstremistë hindu, ai vizion ishte tradhti. Më 30 Janar 1948, një nga ata ekstremistë, Nathuram Godse qëlloi Gandin 78-vjeçar ndërsa po shkonte për në një mbledhje lutjeje në mbrëmje. Rreth një milion njerëz e shoqëruan trupin e Gandit të nesërmen, ndërsa ai u transportua në lumin Jumna ku edhe u dogj sipas traditës hindu. Edhe pse praktika e rezistencës jo të dhunshme e Gandit frymëzoi lëvizjet e mosbindjes civile në mbarë botën, atij nuk iu dha kurrë Çmimi Nobel për Paqe. Komiteti Nobel zgjodhi të mos i jepte atij çmimin e paqes pas vdekjes në vitin 1948. Përkundrazi, vendosi të mos jepte fare çmim me arsyetimin se nuk kishte “kandidat të përshtatshëm të gjallë”. Ndërkohë nobelistë të tjerë si Martin Luther King, Jr (10.12.1964) ashtu edhe Dalai Lama i 14-të, (11.12.1989) e vlerësuan ndikimin e Gandit në punën e tyre përgjatë fjalimeve që mbajtën kur morën Çmimin Nobel të Paqes.
17 SHKURT 2023: 15-VJETORI I SHPALLJES SË DEKLARATËS SË PAVARËSISË SË KOSOVËS NGA PARLAMENTI I KOSOVËS, 17 SHKURT 2008
Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e cila shpalli Republikën e Kosovës shtet të pavarur nga Serbia, u miratua në një mbledhje të Kuvendit të Kosovës që u mbajt më 17 Shkurt 2008 ku ishin të pranishëm 109 nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu (i cili nuk ishte deputet i Kuvendit). Nga pikëpamja kronologjike kjo mund të konsiderohej shpallja e dytë e pavarësisë nga institucionet politike të Kosovës me shumicë shqiptare, për shkak se pavarësia e Kosovës ishte shpallur edhe më 7 Shtator 1990 në atë që njihet si Kuvendi i Kaçanikut. Vendimi u mor pas gati 9 vjetësh që Kosova ishte nën administrimin ndërkombëtar nga ana e OKB (UNMIK- Misioni i Administrimit të Përkohëshëm të Kosovës nga OKB) dhe një trupë ndërkombëtare paqeruajtëse e quajtur KFOR (Forca e Kosovës- Kosova Force) e cila ishte vendosur atje që më 11 Qershor 1999, dy ditë pasi më 9 Qershor 1999 u miratua Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo rezolutë pasoi një marrëveshje të 8 Qershorit 1999 që ishte propozuar nga ish-presidenti finlandez Marti Ahtisaari dhe ish- kryeministri rus Viktor Chernomërdin për ish- presidentin serb Sllobodan Milosheviç, i cili pas fushatës së bombardimeve të Serbisë nga NATO nga 24.03-10.06.1999 dhe në bazë të kësaj marrëveshje tërhoqi të gjitha forcat e ushtrisë jugosllave nga territori i Kosovës. Pas një sërë konsultimesh paraprake me palën shqiptare e serbe ish- presidenti finlandez Mati Ahtisari shpalli më 2 Shkurt 2007 planin e tij për zgjidhjen e statusit final të Kosovës që u emërtua si Plani Ahtisari (Ahtisari Plan) apo Propozimi i Plotë për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (Comprehensive Proposal for the Kosova Status Settlement – CSP). Këtë propozim pala serbe e përfaqësuar nga ish-presidenti i atëhershëm serb Vojsllav Kushtunica e refuzoi duke pretenduar se shkelte Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 ashtu sikurse më 10 Shkurt 2007 pati një protestë edhe nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosja në Kosovë që e kundërshtonin këtë plan. Nga 21 Shkurt deri më 10 Mars 2007 në Vjenë u zhvilluan bisedime mes delegacioneve serbe e kosovare për të arritur në një zgjidhje të përbashkët për statusin e ardhshëm të Kosovës, por bisedimet përfunduan pa marrëveshje dhe Ahtsiari e paraqiti planin e tij për vendimmarrje pranë Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nuk pati vendimmarrje, çka e shtyu Parlamentin e Kosovës të shpallte pavarësinë më 17 Shkurt 2008. Në 8 Tetor 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi që për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës të kishte një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së saj ku 77 vende votuan pro, 6 kundër dhe 74 abstenuan. Gjykata e dha opinionin e saj këshillues më 22 Korrik 2010, me 10 vota pro dhe 4 kundër ku ajo deklaroi se “shpallja e pavarësisë e 17 Shkurtit 2008 nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, sepse e drejta ndërkombëtare nuk përmban “ndalim për deklaratat e pavarësisë”. Si rezultat i këtij vendimi u miratua më 9 Shtator 2010 një Rezolutë e Përbashkët Serbi-BE në Asamblenë e 64 të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila bëri thirrje për një dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës për të “promovuar bashkëpunimin, arritjen e përparimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimin e jetës së njerëzve”. Dialogu rezultoi në Marrëveshjen e Brukselit të 19 Prillit 2013 (First Agreement of Principles Governing the Normalisation of Relations) ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e cila shfuqizoi të gjitha institucionet e Republikës së Serbisë në Kosovë.
7 PRILL 2023: 75-VJETORI I KRIJIMIT TË ORGANIZATËS BOTËRORE TË SHËNDETËSISË – OBSH, 7 PRILL 1948
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara, përgjegjëse për shëndetin publik ndërkombëtar. OBSH është e vendosur me seli në Gjenevë, Zvicër, ajo ka gjashtë zyra rajonale dhe 150 zyra në terren në mbarë botën. OBSH u krijua më 7 Prill 1948 dhe trashëgoi asetet, personelin dhe detyrat e ish- Organizatës së Shëndetit të Lidhjes së Kombeve (League of Nations’ Health Organization) e të ish-Zyrës Ndërkombëtare të Higjenës Publike (The Office International d’Hygiène Publique), përfshirë Klasifikimin Ndërkombëtar të Sëmundjeve (International Classification of Diseases – ICD). Mandati i OBSH-së synon dhe përfshin një aktivitet në mbarë botën për të promovuar shëndetin, njerëzit të kenë më shumë mbulim universal të kujdesit shëndetësor, të monitorojë rreziqet për shëndetin publik dhe të koordinojë përgjigjet ndaj emergjencave shëndetësore. OBSH ofron asistencë teknike për vendet, vendos standarde ndërkombëtare dhe mbledh të dhëna për çështjet globale të shëndetit. Çdo vit OBSH boton Raportin Botëror të Shëndetit (World Health Report) që ofron vlerësime rreth temave të shëndetit në mbarë botën, ndërkohë që shërben gjithashtu si një forum për diskutimet e çështjeve globale të shëndetit. OBSH ka luajtur një rol udhëheqës në disa arritje të shëndetit publik, më së shumti në çrrënjosjen e lisë, në zhdukjen pothuajse të poliomielitit dhe në zhvillimin e një vaksine kundër Ebolës. Prioritetet e tij aktuale përfshijnë sëmundjet ngjitëse, veçanërisht HIV/AIDS, Ebola, COVID-19, malaria dhe tuberkulozi, sëmundje jo të transmetueshme si sëmundjet e zemrës dhe kanceri; dieta e shëndetshme, ushqimi dhe siguria ushqimore; shëndeti në punë; dhe abuzimi me substancat narkotike. Drejtori aktual i përgjithshëm i OBSH është Tedros Adhanom Ghebreyesus nga Etiopia. OBSH mbështetet për financim në kontributet vullnetare të shteteve anëtare dhe donatorëve privatë dhe ka një buxheti i mbi 7.2 miliardë dollarë. Nga fundi i shekullit të 20-të, ka patur një rritje të aktorëve të rinj të angazhuar në shëndetin global si Banka Botërore, Fondacioni Bill & Melinda Gates, Plani i Emergjencave të Presidentit të SHBA për Ndihmën ndaj SIDA-s (PEPFAR) dhe dhjetëra partneritete publiko-private që lidhen me shëndetin global.
10 PRILL 2023: 25-VJETORI I MARRËVESHJES SË SË PREMTES SË MIRË QË I DHA FUND KONFLIKTIT NË IRLANDËN E VERIUT, 10 PRILL 1998
Rasti i kësaj marrëveshje paqe ishte një dëshmi se diplomacia e vendosur mund të sjellë një ndryshim siç e dëshmoi kjo marrëveshje që i dha fundit konfliktit që kishte dërmuar Irlandën e Veriut për gati 30 vjet. Konflikti i kishte rrënjët e saj në trashëgiminë e pushtimit të Irlandës nga Anglia, luftën irlandeze për pavarësi (21.01.1919-11.07.19121) që përfundoi me pavarësinë e Republikës së Irlandës, përveç gjashtë rajoneve në veri të Irlandës dhe luftën për pushtet midis shumicës protestante dhe pakicës katolike në Irlandën e Veriut, e cila mbeti pjesë e Mbretërisë së Bashkuar. Problemet datojnë nga 5 Tetori 1968, kur policët anglezë në Belfast sulmuan protestuesit irlandezo-veriorë kryesisht katolikë që marshonin kundër politikave diskriminuese të strehimit. Qeveria britanike iu përgjigj trazirave në rritje duke dërguar forca ushtarake në Irlandën e Veriut për të shuar dhunën dhe për të kapur anëtarët e Ushtrisë së Përkohshme Republikane Irlandeze (IRA-Irish Republican Army), e cila kishte filluar një fushatë terrorizmi për të ribashkuar të gjithë Irlandën. Lëvizja rezultoi tragjike kur më 30 Janar 1972 parashutistët britanikë vranë trembëdhjetë protestues në një ditë të njohur si e Diela e Përgjakshme (Bloody Sunday). Për rrjedhojë u përshkallëzuan sulmet dhe kundërsulmet mes palëve të cilat përfshinin një bombardim të IRA-s të 12 Tetorit 1984, në një hotel në Brighton, që për pak sa nuk vrau kryeministren britanike Margaret Thatcher. Si rrjedhojë e këtij konflikti për gati 30 vjet u vranë 4000 njerëz. Gjithsesi konflikti i dërgoi të gjitha palët në kërkim të një zgjidhjeje të negociuar. Në vitin 1994, IRA shpalli një armëpushim dhe grupet paraushtarake protestante shpejt ndoqën shembullin. Filluan bisedimet e paqes me ndërmjetësinë e ish-presidentit amerikan Bill Klinton dhe ish-udhëheqësi i shumicës së Senatit të SHBA, George Mitchell u ftua të kryesonte bisedimet e paqes. Këto diskutime përfundimisht dhanë Marrëveshjen e së Premtes së Mirë (Good Friday Agreement). Marrëveshja mori emrin “e së Premtes së Mirë” pasi u nënshkrua në prag të Festës së Pashkëve (Ringjalljes) ku e E Premtja para së Dielës së Pashkëve simbolizon kryqëzimin e Krishtit që çoi më pas në Ringjalljen e tij dhe fitoren mbi vdekjen e mëkatin.
15 MAJ 2023: 75-VJETORI I FILLIMIT TË LUFTËS SË PARË ARABO-IZRAELITE, 15 MAJ 1948
Lufta Arabo-Izraelite e vitit 1948 (Lufta e Parë Arabo–Izraelite, 15.05.1948-10.03.1949) ishte faza e dytë dhe e fundit e ashtuquajturës Luftë e Palestinës (30.11.1947 -20.07.1949). Territori i sotëm i Palestinës dhe Izraelit në atë periudhë ishte nën administrimin britanik për një periudhë 30 vjeçare, në kuadër të sistemit të domioneve ku kishte marrë në zotërim ish–territoret e Perandorisë Osmane që prej vitit 1917. Qeveria britanike e kishte shprehur dëshirën e saj për krijimin e një shteti hebre në territoret e Palestinës, që kishte marrë në administrim kur kishte bërë Deklaratën Balfur më 2 Nëntor 1917, çfarë inkurajoi komunitetet hebreje në Europë e shtete të tjera të zhvendosen gradualisht atje. Ndërkohë në prag të mbarimit të mandatit të kontrollit britanik mbi Palestinë më 29 Nëntor 1947, OKB miratoi Rezolutën 181 për Ndarjen e Palestinës në një shtet hebre, arab dhe qytetet e Jeruzalemit e Betlehemit do të kishin një regjim të veçantë ndërkombëtar. Kjo ndarje nuk u pranua nga palestinezët e shtetet arabe që filluan një konflikt civil me palën hebreje nga 30.11.1947-14.05.1948. Kur forcat britanike që ende administronin territorin u larguan me përfundim të mandatit më 15 Maj 1948, Izraeli deklaroi shpalljen e pavarësisë së shtetit të Izraelit dhe ndërkohë filloi pushtimin e territoreve palestineze që ishin parashikuar nga OKB të përbënin thelbin e shtetit palestinez. Si rezultat edhe shtetet arabe të Egjiptit, Transjordanisë (Jordanisë) dhe Sirisë u përfshinë në këtë luftë dhe u vendosën në territoret respektive të Bregut Perëndimor apo Jeruzalemit Lindor (Jordania), Rripi i Gazës (Egjipit), Lartësitë Golan (Siria). Si rezultat të këtij konflikti , Izraeili tashmë kontrollonte territorin e shtetit të saj që i ishte caktuar nga Rezoluta 181 e OKB e 29 Nëntorit 19147 si edhe 60 % të territorit që ishte propozuar nga OKB për një shtet arab. Nga ky konflikt që për palestinezët u quajt Nakba (katastrofa) pati një fluks prej 700,000 refugjatësh palestinezë dhe pjesa tjetër e palesttinezve u pëqëndrua në Bregun Perëndimor (në perëndim të Lumit Jordan) nën kontrollin e shtetit jordanez dhe në Rripin e Gazës nën kontrollin e shtetit egjiptian. Në Konferencën e Jerikos, një qytet në Bregun Perëndimor që u mbajt më 1 Dhjetor 1948 u ra dakort që të kishte një shtet të unifikur në të dy brigjet e Lumit Jordan, por pushtimi i këtij terrritori në 1967 gjatë Luftës së Gjashtë Ditëve bëri të mundur që ai më vonë të përbëhej nga 165 ngulime palestineze dhe 230 izraelite duke qenë pjesë e debatit e negociatave të paqes.
21 QERSHOR 2023: 20-VJETORI I SAMITIT TË SELANIKUT TË BE ME VENDET E BALLKANIT PERËNDIMOR
Samiti BE-Ballkan Perëndimor i Selanikut që u zhvillua më 19-21 Qershor 2003, gjatë presidencës greke të BE, shënoi një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri; Bosnje-Hercegovinë Kroacia, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Serbia dhe Mali i Zi). Bashkimi Evropian përmes këtij samiti nënvizoi edhe një herë perspektivën e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimir, por duke theksuar se rruga drejt integrimit evropian dhe shpejtësia e anëtarësimit të secilit vend do të varej nga cilësia e reformave. Samiti i Selanikut miratoi propozimet e përcaktuara nga Komisioni Europian në komunikatën e tij “Ballkani Perëndimor dhe Integrimi Evropian” (Western Balkans and EU Integration). Samiti theksoi se kuadri i marrëdhënieve të BE me rajonin do të realizohej përmes procesit të Stabilizim-Asociimit (SAP), por do të pasurohej me elemente të nxjerra nga procesi i fundit i suksesshëm i zgjerimit. Në Selanik vendeve të Ballkanit Perëndimor iu ofruan partneritete të reja europiane sipas propozimeve të Komisionit Europian, të cilat do të identifikonin rregullisht prioritetet dhe detyrimet që duhen përmbushur. Në këtë rast ndihma financiare e BE-së do të drejtohej në prioritetet e përcaktuara në këto partneritete .Për rrjedhojë secili vend do të hartonte një plan kombëtar veprimi për zbatimin e këtyre partneriteteve, i cili do të siguronte një axhendë të qartë kundrejt së cilës mund të matet progresi i secilit vend.
26 QERSHOR 2023: 75-VJETORI I URËS AJRORE TË BERLINIT PËR TË SHMAGUR BLLOKADËN SOVJETIKE NDAJ TRUPAVE ANGLO-FRANKO-AMERIKANE, 26 QERSHOR 1948
Prova më e madhe që mund të përballet çdo lider është të dijë t’ia dalë nga situatat e vështira. Presidenti amerikan Harry Truman u përball me një provë të tillë në 24 Qershor 1948. Tre vjet më parë, në Marrëveshjen e Potsdamit (01.08.1945) ai kishte rënë dakord që Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Bashkimi Sovjetik të ndanin mes tyre Gjermaninë dhe kryeqytetin e saj Berlinin. Sfida ishte se Berlini ndodhej thellë brenda zonës sovjetike të pushtimit dhe marrëdhëniet e SHBA me Bashkimin Sovjetik tashmë kishin kaluar nga miqësore në të tensionuara. Më 24 Qershor 1948, Stalini reagoi ndaj përpjekjeve perëndimore për të krijuar një shtet të Gjermanisë Perëndimore duke bllokuar të gjithë aksesin hekurudhor, rrugor dhe të ujit në pjesët e kontrolluara nga aleatët e Berlinit. Ky veprim ndërpreu aksesin në furnizimet jetësore për 2.5 milionë gjermanët që banonin në pjesën e Berlinit Perëndimor. Udhëheqësit e forcave aleate zbuluan se marrëveshjet që kishin nënshkruar lidhur me ndarjen e Berlinit nuk u garantonin atyre aksesin në qytet përmes rrugëve tokësore apo lumore. Zgjedhja dukej e zymtë: ose të braktisnin qytetin ose të thyenin bllokadën dhe të rrezikonin Luftën e Tretë Botërore. Por zyrtarët amerikanë zbuluan se të katër fuqitë kishin rënë dakord të krijonin korridore ajrore për në Berlin. Më 26 Qershor 1948 filloi Ura Ajrore e Berlinit (Berlin Airlift) ku përgjatë periudhës 26.06.19148-12.05.1949 forcat aleate realizuan në aeroportin Tempelhof të Berlinit më shumë se 270,000 fluturime me avionë transporti mallrash dhe sollën rreth 2.3 milion ton furnizime për banorët e pjesës perëndimore të qytetit. Suksesi i urës ajrore e shndërroi bllokadën në një siklet për Kremlinin dhe më 12 Maj 1949, Bashkimi Sovjetik i dha fund kësaj bllokade.
24 KORRIK 2023: 100-VJETORI I NËNSHKRIMIT TË TRAKTATIT TË LOZANËS, I CILI I DHA FUND LUFTIMEVE MBI TERRITORET E PERANDORISË OSMANE DHE VENDOSI KUFIJTË E TURQISË SË SOTME
Traktati i Lozanës ishte një traktat paqeje i negociuar gjatë Konferencës së Lozanës të 21.11. 1922–24.07.1923 dhe i nënshkruar në Palais de Rumine, Lozanë, Zvicër, më 24 korrik 1923 nga shtetet e Francës, Anglisë, Italisë, Japonisë, Greqisë, Rumanisë, Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe Turqisë. Traktati zgjidhi zyrtarisht konfliktin që kishte ekzistuar fillimisht që nga fillimi i Luftës së Parë Botërore midis Perandorisë Osmane dhe Republikës Franceze, Perandorisë Britanike, Mbretërisë së Italisë, Perandorisë së Japonisë, Mbretërisë së Greqisë dhe Mbretërisë së Rumanisë. Traktati ishte rezultat i një përpjekjeje të dytë për paqe mes këtyre dy vendeve pas dështimit të ratifikimit të Traktatit të Sevrës të nënshkruar 10.08.1920 në Sevre të Francës, por që kishte dështuar edhe për shkak të kundërshtimit nga ana e Lëvizjes Kombëtare Turke (Türk Ulusal Hareketi) ku një nga drejtuesit e saj ishte Mustafa Kemal Ataturku, i cili do të bëhej më pas themeluesi i Turqisë moderne. Traktati ishte rrjedhojë edhe e Luftës Greko- Turke (15.05.1919-11.10.1922) që kishte ndodhur pas përfundimit të Luftës së I-rë Botërore ku Britania i kishte premtuar Greqisë t’i jepte territore nga ato të Perandorisë Osmane në këmbim të ndihmës që monarkia greke i ofroi Britanisë. Në kuadër të kësaj lufte nga pala turke u rimor qyteti i Izmirit dhe u nënshkrua më 11 Tetor 1922, Armëpushimi i Mudanyas. Traktati i Lozanës (24.07.1923) parashikonte shkëmbimin e popullsive greko-turke mes dy vendeve dhe lejonte kalimin e pakufizuar civil, joushtarak, nëpër ngushticat turke siç ishte Ngushtica e Bosforit dhe Dardaneleve që lejonin daljen nga Deti i Zi në Detin Mesdhe e anasjelltas.Traktati u ratifikua nga Turqia më 23 Gusht 1923 dhe të gjithë nënshkruesit e tjerë deri më 16 Korrik 1924 duke hyrë në fuqi më 6 Gusht 1924, kur instrumentet e ratifikimit u depozituan zyrtarisht në Paris.
25 KORRIK 2023: 75-VJETORI I URDHRIT EKZEKUTIV TË PRESIDENTIT TË SHBA PËR NDALIMIN E SEGREGIMIT RACOR NË USHTRINË AMERIKANE, 26 KORRIK 1948
Urdhri Ekzekutiv Presidencial Nr. 9981 datë 26. 7. 1948 bëri të mundur ndalimin e segregimit (ndarjes) racore në forcat e armatosura të SHBA. Ky vendim konsiderohet si një nga përparimet më të rëndësishme në fushën e të drejtave civile në historinë e SHBA. Edhe pse afrikano-amerikanët luftuan pa dallim në të gjitha luftërat e Amerikës që datojnë që nga Lufta për Pavarësi kishte shumë shembuj që vërtetonin se segregimi (ndarja) racor ishte politikë zyrtare në forcat e armatosura të SHBA për më shumë se 170 vjet. Rreth tre milionë afrikano-amerikanë shërbyen në Luftën e Dytë Botërore në trupat e ushtrisë amerikane. Pas kthimit në shtëpi, ata filluan të lobojnë për trajtim të barabartë sipas ligjit në përgjithësi por veçanërisht në ushtri. Përpjekjet e tyre u shoqëruan me raste dhune ku një pjesë e tyre u rrahën ose u linçuan. Megjithatë në këtë rast ish–presidenti amerikan Harry Trumann, megjithëse kishte patur pikëpamje të ndryshme lidhur me këtë çështje, ai e pa edhe si një mundësi për të fituar edhe votat e afrikano-amerikanëve në zgjedhjet e ardhshme. Për këtë arsye përmes Urdhrit Ekzekutiv nr. 9808 datë 05.12.1946 ai krijoi një Komitet të Presidentit për të Drejtat Civile (President’s Committee on Civil Rights) i cili më 06.12.1947 hartoi raportin mbi gjëndjen e të drejtave civile në vend: Për të siguruar të drejtat- Raport i Komitet të Presidentit për të Drejtat Civile (anglisht Report: To Secure These Rights: The Report of the President’s Committee on Civil Rights) që bëri disa rekomandime. Kongresi amerikan nuk lëvizi në bazë të këtyre rekomandimeve, kështu që Truman veproi vetë. Duke përmendur rolin e tij si Komandant i Përgjithshëm i ushtrisë së SHBA ai urdhëroi “barazi trajtimi dhe mundësish për të gjithë personat që shërbenin në Forcat e Armatosura të SHBA pa marrë parasysh racën, ngjyrën, fenë apo origjinën kombëtare”. Mbi bazën e këtij raporti ai nxori Urdhri Ekzekutiv Presidencial Nr. 9981 datë 26.07.1948 që bëri të mundur ndalimin e segregimit (ndarjes) racore në forcat e armatosura të SHBA (Executive Order Nr 9981 Desesgration of the Armed Forces). Forca Ajrore e SHBA (US Air Force), e cila sapo ishte themeluar ishte shërbimi ushtarak që e përqafoi më shpejt këtë filozofi integrimi, ndërkohë që strukturat e tjera të ushtrisë amerikane ishin më të ngadalta. Truman e detyroi sekretarin e Departamentit të Mbrojtjes James Forrestal të jepte dorëheqjen më 31.03.1949 për refuzimin e zbatimit të urdhrit të tij ekzekutiv në forcat e armatosura dhe për rrjedhojë u deshën edhe gjashtë vjet të tjera para se ushtria amerikane ta përfaqësonte këtë qasje të re.
6 TETOR 2023: 50-VJETORI I LUFTËS SË YOM KIPURIT MES IZRAELIT E EGJIPTIT, 6 TETOR 1973
Në histori nuk është një fakt i panjohur që vende të ndryshme ndonjëherë fillojnë luftëra që e dinë se mund t’i humbin. Një shembull është Lufta e Tetorit apo siç njihet ndryshje edhe Lufta e Yom Kipurit mes Egjiptit dhe Izraelit. Në Luftën Gjashtë Ditore të vitit 1967 (05.-10.06.1967), Izraeli mundi forcat e kombinuara të Egjiptit, Jordanisë dhe Sirisë, duke fituar kontrollin e Gadishullit të Sinait, Rripit të Gazës, Jerusalemit Lindor, Bregut Perëndimor dhe Lartësive Golan. Gjashtë vjet më vonë, Anvar Sadat, i cili u bë president i Egjiptit në vitin 1970, arriti në përfundimin se ai mund ta kthente rënien ekonomike të vendit të tij, të hakmerrej për nderin e tij kombëtar dhe të ushtronte presion ndaj Izraelit për të negociuar një paqe të favorshme vetëm duke filluar një luftë që ai e dinte se mund të përfundonte në mënyrë katastrofike. Më 6 Tetor, ndërsa Izraeli festonte Yom Kippur, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit hebraik forcat egjiptiane dhe siriane goditën në dy fronte. Sulmet fillestare patën sukses në veçanti, forcat egjiptiane kaluan Kanalin e Suezit dhe i shkaktuan humbje të mëdha ushtrisë izraelite në Gadishullin e Sinait. Megjithatë, deri më 9 Tetor, forcat izraelite e rimblodhën veten dhe falë ndihmave ushtarake nga SHBA rifituan terren , kaluan Kanalin e Suezit dhe rrethuan ushtrinë gjiptiane. Për të penguar Bashkimin Sovjetikqë të ndihmonte Egjiptit, Presidenti Richard Nixon më 24 Tetor vendosi forcat ushtarake të SHBA në mbarë botën në Kushte Gadishmërie Mbrojtje- DEFCONIII. (Defence Readiness Condition) .Të nesërmen hyri në fuqi një armëpushim. Pasojat e kësaj lufte ishin të thella dhe vazhduan gjatë. Embargoja e naftës që prodhuesit e vendeve arabe të naftës vendosën ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vendeve partnere që mbështetën Izraelin ribëri tregjet globale të energjisë dhe tronditi ekonominë botërore. Diplomacia lëvizëse (shuttle diplomacy) e Sekretarit të Shtetit të SHBA Henry Kissinger ndihmoi në uljen e tensioneve në rajon. Dhe në 19 Nëntor 1977 gjatë vizitës së parë në Izrael të një lideri arab , presidenti egjiptian Sadati drejtua Knessetit (Parlamentit) të Izraelit në Jerusalem, duke kërkuar “të vendoset paqja mes vendeve”. Paqja u pasua më vonë nga Marrëveshja e Kemp Dejvit më 17 Shtator 1978 mes presidentit egjiptian Sadat dhe kryeministrit izraelit Menachem Begin . Por kjo do të ishte një marrëveshje që do ti kushtonte jetën presidentit egjiptian që u vra më 6 Tetor 1981.
1 NËNTOR 2023: 30-VJETORI I HYRJES NË FUQI TË TRAKTATIT TË MASTRIHTIT APO TRAKTATIT TË BASHKIMIT EUROPIAN, 1 NËNTOR 1993
Traktati për Bashkimin Evropian, i njohur zakonisht si Traktati i Mastrihtit, është traktati themelor i Bashkimit Evropian (BE) që hyri në fuqi më 01 Nëntor 1993 pasi u negociua, nënshkrua dhe ratifikua nga 12 shtetet e atëhershme anëtare të Komuniteteve Evropiane. Bashkimi Europian në bazë të Traktatit të Mastrihitit u konceptua i ndërtuar mbi 3 shtylla ku:
1) Shtylla e I-rë ishin Komunitetet Ekonomike Europiane (EC)
2) Shtylla e dytë ishte Cështja e Drejtësisë e Punëve të Brendshme (JHA)
3) Shtylla e tretë ishte Politika e Jashtme e Përbashkët dhe e Sigurisë (CFSP).
Traktati i Mastrihitit u bë i famshëm për ato që njihen si: kriteret e Mastrihit” për të hyrë në Eurozonë apo 5 kriteret e konvergjenvës apo pajtueshmërisë që kërkonin nga cdo vend anëtar i Eurozonës – për bashkimin valuator( 1)inflacioni 2) deficit buxhetor 3) deficiti buxhetor në raport me GDP 4) stabiliteti i kursit të shkëmbimit 5) përqindja e interesave afatgjatë).Traktati i Mastrihtit ka një rëndësi të vecantë për historinë e BE pasi shpalli “një fazë të re në procesin e integrimit evropian” duke vendosur dispozitat që përcaktonin një shtetësi të përbashkët evropiane, futjen eventuale të një monedhe të vetme (Euron) dhe idenë e një politike të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë (CFSP) për BE. Këto elementë parashikonin krijimin e një “Europë federale”, por fokusi i debatit kushtetues u zhvendos në vitet e mëpasme në negociatat për hartimin e Kushtetutës së BE. Por për shkak të vetos Franceze e Holandeze në referendumet përkatëse ky process u përmbyll vetëm me miratimin e Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Europian (TFEU) apo siç njihet Traktati i Lisbonës (2007).
8 NËNTOR 2023: 100-VJETORI I PUÇIT TË DËSHTUAR TË BIRRARISË NGA ANA E ADOLF HITLERIT, 8 NËNTOR 1923
Përpjekja e parë e Adolf Hitlerit për pushtet politik përfundoi në një dështim të turpshëm që çuditërisht ndihmoi në ngritjen e tij. Deri në vitin 1923, braktisja e shkollës së mesme dhe veterani i Luftës së Parë Botërore ishte vendosur si udhëheqës i Partisë Naziste (NationalSozialistische Deutsche Arbeiterpartei – NSDAP) me bazë në Mynih. Një orator i fuqishëm, ai shfrytëzoi trazirat post-ekonomike të Gjermanisë, si dhe poshtërimin kombëtar të shkaktuar nga pushtimi belg dhe francez i rajonit gjerman Ruhrit (11.01.1923-25.08.1925), për të çuar përpara axhendën e tij nacionaliste, antisemitike. I inkurajuar nga turmat e mëdha që u mblodhën për ta dëgjuar atë të fliste dhe i frymëzuar nga marshimi i Benito Musolinit në Romë një vit më parë, Hitleri vendosi të kapte qeverinë shtetërore të Bavarisë dhe më pas të marshonte në Berlin për të përmbysur Republikën e Vajmarit (09.11.1918-28.02.1933). Natën e 8 Nëntorit 1923, Hitleri dhe ndjekësit e tij sulmuan një takim publik në birrarinë Bürgerbräukeller, ku po fliste i deleguari i kryeministrit të Bavarisë, Gustav Ritter von Kahr, një Komisar Shtetëror (Staatskomissar) që ishte caktuar më parë nga kryeministri bavarez Eugen von Knilling për të ndalur trazirat politike në Bavari. Në fillim dukej sikur plani i Hitlerit funksionoi, por në mëngjes, puçi kishte dështuar dhe Hitleri iku për të shpëtuar jetën e tij pasi policia gjermane qëlloi mbi nazistët duke vrarë 16 vetë. Ai u kap dy ditë më vonë, u gjykua për tradhti të lartë dhe u dënua me pesë vjet burg në burgun e Landsbergut. Por fjalimet e Hitlerit në sallën e gjyqit i dhanë atij admirues të rinj dhe ai u fal dhjetë muaj më vonë, më 20 Dhjetor 1924. Ai e përdori kohën e tij në burg për të shkruar veprën Mein Kampf (Lufta Ime) , ku argumentonte për përdorimin e sistemit politik në vend të revolucionit për të fituar pushtetin. Pak më shumë se tetë vjet më vonë, Hitleri u emërua kancelar i Gjermanisë dhe qeverisja e tij do të sillte katastrofë në të gjithë Europën.
2 DHJETORI 2023: 200- VJETORI I DOKTRINËS MONROE, 2 DHJETOR 1823
Politika e jashtme më e famshme e SHBA-së e njohur si “Doktrina Monroe” ishte një qasje e bazuar në analiza të mprehta diplomatike duke përcaktuar në një farë mënyre sferën e influencës së politikës së jashtme kryesihst brenda kontinentit amerikan. Pas përfundimit të Luftërave të Napoleonit (18.05.1803-20.11.1815), Britania kishte frikë se Spanja mund të rimerrte kolonitë e saj në Amerikën Latine, duke i prerë në këtë mënyrë rrugët fitimprurëse tregtare britanike. Kështu që në fillim të vitit 1823, Britania propozoi që Shtetet e Bashkuara të bashkoheshin me të për të paralajmëruar fuqitë evropiane kundër ndërhyrjes së tyre në Amerikën Latine. Presidenti amerikan Xhejms Monroe e pranoi këtë propozim ndërkohë që Sekretari i Shtetit John Quincy Adams kundërshtoi. Ai këmbënguli për një qasje tjetër dhe kjo qasje mbizotëroi. Monroe shkroi në Mesazhin e tij të Shtatë Vjetor drejtuar Kongresit (Seventh Annual Message to Congress), paraardhës i fjalimit të sotëm të Gjendjes së Bashkimit( State of Union), se Shtetet e Bashkuara e konsideronin Hemisferën Perëndimore të mbyllur për kolonizim të mëtejshëm dhe çdo përpjekje për të rivendosur sundimin kolonial në Amerikën Latine si një akt armiqësor. Udhëheqësit evropianë e denoncuan deklaratën si të paturpshme duke pasur parasysh paaftësinë e qartë të Uashingtonit për të mbështetur kërcënimin e tij. Pak njerëz në atë kohë e panë Monroe si themelues të një parimi kardinal të politikës së jashtme të SHBA. Deklarata i tij nuk e fitoi etiketën “Doktrinë” deri në vitin 1852 dhe asnjë president nuk e përdori atë përsëri për gati shtatëdhjetë e pesë vjet. Në vitin 1904, Presidenti Theodore Roosevelt e riktheu Doktrinën Monroe kur deklaroi në se Shtetet e Bashkuara kishin të drejtën të ndërhynin në çështjen e shteteve të Amerikës Latine kur ato kërcënonin sigurinë e Hemisferës Perëndimore.
10 DHJETOR 2023: 75-VJETORI I MIRATIMIT NGA ASAMBLEJA E PËRGJITHSHME E OKB-SË TË DEKLARATËS UNIVERSALE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT, 10 DHJETOR 1948
Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (The Universal Declaration of Human Rights (UDHR) është një dokument ndërkombëtar i miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 Dhjetor 19148 që mbron të drejtat dhe liritë e të gjitha qenieve njerëzore. Deklarata u hartua nga një Komitet i OKB-së i kryesuar nga Eleanor Roosevelt, bashkëshorte e presidentit amerikan dhe u pranua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB si Rezoluta Nr 217 gjatë Sesionit të 3-të më 10 Dhjetor 1948 në Palais de Chaillot në Paris, Francë. Nga 58 anëtarët e OKB – së në atë kohë, 48 votuan pro, asnjë kundër, tetë abstenuan dhe dy nuk votuan. Deklarata përbëhet nga 30 nene që detajojnë “të drejtat themelore dhe liritë themelore” të një individi dhe afirmojnë karakterin e tyre universal si të qenësishëme, të patjetërsueshëme dhe të zbatueshme për të gjitha qeniet njerëzore. Deklarata i detyron kombet të njohin të gjithë njerëzit si “të lindur të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta” pavarësisht nga “kombësia, vendbanimi, gjinia, kombëtare apo etnike”, origjina, ngjyra, feja, gjuha ose ndonjë status tjetër”. Të 193 shtetet anëtare të OKB kanë ratifikuar të paktën një nga nëntë traktatet detyruese të që lidhen me këtë deklaratë.
16 DHJETOR 2023: 250-VJETORI I KRIJIMIT TË PARTISË SË CAJIT NË BOSTON TË SHBA, 16 DHJETOR 1773
Venndodhja e sotme e vendit ku lindi lëvizja në gjysëm e dytë të shek XVIII që çoi në krijimin e Partisë së Çajit (Tea Party Movement) është një bashkim rrugësh në qendër të Bostonit të SHBA. Në Dhjetorin e vitit 1773 në atë vend ndodhej Skela Griffin për shkarkimin e anijeve, ku tre anije angleze prisnin të shkarkonin ngarkesën e tyre të jashtëzakonshme- çajin !Tetë muaj më parë Parlamenti Britanik kishte miratuar Ligjin e Çajit( Tea Act), i cili lejonte Kompaninë e Indisë Lindore (East India Company) të shiste çajin direkt tek kolonitë angleze në SHBA. Ky ligj kishte hasuar në kundërshtimin e kolonëve vendas pasi prekte interesat e tyre tregtare ashtu sikur kishte hasur në kundërshtim edhe Ligji i Pullave (Stamp Act) të miratuar nga Parlamenti Britanik që kërkonte taksë për pullën që i vendosej çdo dokumenti. Këto akte i kishin bindur kolonët anglezë në SHBA se Parlamenti Britanik mund të vendoste ligje pa pëlqimin dhe praninë e tyre. Ndërsa anijet prisnin lejen për të shkarkuar ngarkesën e tyre, tensionet në Boston u rritën. Natën e 16 Dhjetorit 1773, një grup burrash vrapuan në skelë u futën me forcë në tre anijet, duke thyer arkat e çajit dhe duke shënuar krijimin e Partisë së Çajit (Tea Party Movement). Kjo situatë e zemëroi Parlamentin Britanik, i cili shpejt miratoi Ligjet e Patolerueshme ose Detyruese (Intolerable or Coercive Acts) të cilat, ndër të tjera, mbyllën portin e Bostonit, shfuqizuan këshillin bashkiak të qytetit dhe i detyruan kolonët anglezë të mbështesin e mbajnë me ushqime trupat britanike. Duke vepruar kështu, Londra e bëri të pashmangshëm Revolucionin Amerikan (19.04.1775-03.09.1783) i cili do të shpërthente më 19 Prill 1775 dhe do të çonte në shkëputjen e kolonive angleze në SHBA nga kurora mbretërore britanike e për të shpallur më 4 Korrik 1776 pavarësinë e SHBA.