Eneida Jaçaj: Islamizimi i shqiptarëve gjatë periudhës së pushtimit osman
Perandoria Osmane ishte një perandori kozmopolite, me një ekonomi dhe ushtri të fuqishme, sidomos gjatë shekujve 16-të dhe 17-të, me një influencë të madhe midis Lindjes dhe Perëndimit. Perandoria Osmane u krijua në vitin 1299, në Veriperëndim të Azisë së Vogël, dhe kishte për qëllim pushtimin e tokave që kontrolloheshin nga Perandoria Bizantine. Madje, për të arritur qëllimin e tyre, osmanët patën hartuar planin për ekspansion më të gjerë drejt Perëndimit. Pas ardhjes së Sulltan Muratit të Parë në front, i cili kreu shumë fitore, u krijua menjëherë përshtypja se kjo perandori vështirë të ndalej në synimet e saj për të pushtuar Europën. Shqipëria ka qenë 500 vjet nën sundimin osman, në vitet 1384 dhe 1912, deri kur Perandoria Turke u dobësua për shkak të luftës me Rusinë, kur katër vilajetet shqiptare u bashkuan në gusht të 1912, dhe, më pas triumfoi akti i pavarësisë së trojeve shqiptare, nga babai i kombit, Ismail Qemali.
Osmanët kanë hyrë në tokat shqiptare, përmes Bullgarisë dhe Maqedonisë, në një kohë kur princat shqiptarë, Topia dhe Balsha II, ishin në konflikt me njëri-tjetrin për të marrë nën administrim sa më shumë toka shqiptare. Balsha II ishte fuqizuar së tepërmi dhe kjo bëri që Karl Topia të xhelozojë, duke bërë një gabim të madh që Shqipëria të shndërrohej në vasalitetin e Perandorisë Osmane për 500 vjet. Pra, Karl Topia i thirri osmanët për t’iu kundërvënë Balshës II, në Betejën e Savrës në vitin 1384, e cila përfundoi me vdekjen e këtij të fundit, por, këtu nisi pushtimi i territoreve shqiptare nga Perandoria Osmane. Osmanët shfrytëzuan mosmarrëveshjet e princave shqiptarë, për të pushtuar tokat shqiptare, dhe për t’u shtrirë më gjerë drejt Europës.
Islamizimi i shqiptarëve
Pushtimi osman në tokat shqiptare, zgjerimi i Perandorisë Osmane drejt Perëndimit, është një faqe shumë e gjerë e historisë, e cila nuk nisi brenda një dite. Për të folur për pushtimin osman në trojet shqiptare dhe më gjerë, janë bërë studime të shumta në, nga autorë të huaj modernë dhe të antikitetit, por do të ndalem në një pikë tjetër, në islamizimin e shqiptarëve gjatë periudhës së pushtimit osman. Shumë debate, diskutime, artikuj të ndryshëm janë hapur dhe shkruar sa i takon islamizimit të shqiptarëve, gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. A janë islamizuar shqiptarët me dhunë apo me dëshirë? Përse Serbia dhe Greqia nuk janë konvertuar në fenë islame? Diskutimet janë nga më të ndryshmet, ku disa mbrojnë me fanatizëm tezën se osmanët kanë ushtruar dhunë te shqiptarët për të ndryshuar fenë e tyre; pjesa tjetër shprehen se në librat e historisë në shkolla është shkruar një gënjeshtër e madhe, pasi, jo vetëm që nuk kanë ushtruar dhunë, por as gjuhën shqipe nuk e ndaluan, pasi, në rast të kundërt, sot, askush nuk do të mundtte të fliste shqip.
Sipas njohësve të mirë të kësaj fushe, profesionistëve të osmanologjisë, konvertimi i shqiptarëve në fenë islame është kryer në një situatë komplekse, dhe nuk mund të ketë një përgjigje përfundimtare për të dyja proceset, me dhunë apo me dëshirë, ose mund të thuhet se janë aplikuar të dyja situatat. Sa i takon shqiptarëve që u islamizuan me dëshirë, kanë ndikuar shumë faktorë si ekonomikë, psikologjikë dhe politikë. Në bazë të të dhënave historike dhe osmanologëve të fushës, elita shqiptare ishte e para që pranoi islamin, për t’u integruar në Perandorinë Osmane dhe për të ruajtur tokat e tyre. Pra, ata shqiptarë që donin të bënin karrierë dhe të kishin privilegje, e pranuan islamin si fenë e tyre.
Sipas të dhënave historike, shumë shqiptarë dhe kushërinj të Skëndërbeut u islamizuan; ata ishin pararoja e ushtrisë osmane kundër tij. Në defterët e Epopesë së Skëndërbeut, të Matit dhe të Dibrës, gjen shqiptarë të islamizuar, që kanë patur shumë privilegje. Ata kanë qenë spahi dhe kanë patur tokat më të mira që ua ka dhënë shteti. Te feja islame shikonin të gjenin sa më shumë privilegje, të mos paguanin taksa dhe të mos kishin probleme me Sulltanin. Por, sigurisht mund të themi se ka patur edhe vrasje përderisa kjo ishte një luftë fetare, në periudhën pas pushtimit. Siç është bërë e ditur, në një nga rastet e dhunës, dy françeskanët e parë që erdhën në vitin 1636 në Shosh, Pader Kerubino ngaa Vallebonas dhe Pader Bonaventura nga Pallazuola, u kërcënuan me vdekje dhe u larguan. Në vitin 1644 janë ngulur në hunj të gjallë dy fretër në Shkodër dhe janë vrarë dy fretër në Kelmend në buzë të lumit Cem. Nga viti 1620 deri në vitin 1750, janë vrarë 11 fretër vetëm në dioqezat e Pultit dhe Shkodrës.
Serbët dhe grekët nuk u islamizuan, pasi ata kishin Kishën e tyre Autoqefale; nuk e ndërruan fenë, por u lanë dorë të lirë osmanëve në tokat e tyre. Popullsia e krishtere ishte e mbrotjur nga Sulltani, por me një kusht; ose do vinin të luftonin përkrah ushtrisë osmane, sa herë të kishte nevojë, ose do paguanin taksa. Vendi ishte vasal gjatë sundimit osman, pra, princat ruanin autoritetin e tyre administrativ, por në politikën e jashtme do t’i bindeshin Sulltanit. Arkivat turke përmbajnë shumë dokumente të vjetra historike, që i përkasin harkut kohor nga viti 1664 deri më 1914, gjatë periudhës kur Shqipëria qeverisej nga Porta e Lartë. Në dokumentet arkivore nuk përmendet asnjë rast dhune në konvertimin e shqiptarëve në islamë. Madje, shqiptarë që kanë punuar në arkivat turke, e mohojnë rreptësisht se është ushtruar dhunë.
Albanologu gjerman, Peter Bartl, thotë se vitet e pushtimit osman nuk mund të quhen kurrsesi si vitet më të errëta. Studiuesi i njohur ka theksuar se shqiptarët kanë bashkëjetuar me osmanët, pasi ishin pjesë përbërëse e perandorisë osmane, dhe ky përfaqësim ishte i madh në proporcion me numrin e popullatës shqiptare. Më shumë se 30 vezirë të mëdhenj ishin me origjinë shqiptare. Shumë shqiptarë kanë mbajtur detyra të larta drejtuese në administratën shtetërore të Portës së Lartë, si kryeministra, ministra, deputetë, etj. Një ndër ta ishte Ismail Qemali, i cili, gjithë përvojën e tij si funksionar i lartë në administratën turke, e përdori për të krijuar shtetin e parë shqiptar.
Osmanologu turk, Ilber Ortayli, në një prononcim që ka dhënë për një media, është shprehur se shqiptarët e kanë pranuar besimin islam pas pushimit osman. “Perandoria Osmane, që nga fillimi u zgjerua në vendet e Rumelisë, Perandorinë Romake, jo greke, sepse europianët emrin Rum e përkthejnë si Kisha Ortodokse Greke. Zgjerimi i Perandorisë, në bazë të administratës kozmopolite, natyrisht ka qenë myslimane, natyrisht gjuha ka qenë turke, por ka pasur edhe minotitete të tjera, dhe këto minoritete nëse kanë pasur gjuhë apo origjinë tjetër, kurdo që e pranuan islamin ata nuk patën probleme. E këtillë ka qenë edhe gjendja e shqiptarëve, sepse shqiptarët kanë filluar të konvertohen në fenë islame pas pushtimit, dhe askujt nuk i ka interesuar etnia e tyre”, thotë ai.
Toleranca e besimeve fetare
Sipas të dhënave historike dhe osmanologëve të fushës, Perandoria Osmane kishte tolerancë në besimet e tjera. Duke u gjendur përballë fakteve të shumta, se Perandoria respektonte besimet e tjera, pjesëmarrja e shumë shqiptarëve në administratën dhe ushtrinë osmane, mendoj se ato vrasje ndaj të krishterëve mund të jenë kryer në fillim të pushtimit osman, ose në ato raste kur janë hasur në rezistencën e tyre për të ruajtur tokat dhe kulturën fetare. Megjithatë, pushtimi ishte i padëshiruar dhe nuk kishte asnjë reagim dhe interes nga Fuqitë e Mëdha, për të nxjerrë Shqipërinë nga një pushtim kaq i gjatë; arsyet gjithmonë janë për interesa politike ashtu siç veprohet edhe sot. Gjithmonë, sipas njohurive historike, Perandoria kishte marrë Kostandinopojën, e cila kishte një patriark që ishte shefi i krejt besimtarëve ortodoksë. Detyrat e patriarkut dhe të sulltanit ishin të ndara. Sulltani i kërkonte patriarkut jo rebelim ndaj besimit islam, dhe të mblidhte taksat. Defteri arvanit, i vitit 1431, thotë se në mesin e timarxhinjve kishte edhe të krishterë, pra Perandoria respektonte prakticizmin e riteve fetare.
Madje, një dokument turk thotë se shteti perandorak pati ndihmuar me 75.000 guru përfundimin e punimeve të Kishës në Shkodër. Ndërkohë, edhe osmanologu turk, thotë se ka patur tolerancë në besimet fetare dhe gjuha shqipe është folur, pra nuk është ndaluar. “I kanë rekrutuar fëmijët e krishterë, por normalisht shërbyesit civilë dhe madje anëtarët e ulemasë dhe tarikatit, të cilët kanë qenë shqiptarë, në ato lloje shërbime, natyrisht i kanë përdorur gjuhët shqipe dhe turke, si në Maqedoni, Tetovë, si edhe në Shqipëri. Psh, bektashinjtë janë shqiptarë, por e përdornin edhe turqishten, sepse ky ka qenë komuniteti i tyre, duhet të flsinin të dyja gjuhët. Prandaj, shtrirja e perandorisë, para së gjithash, bazohet në këto llojë kozmopolite turke. Ata i ulën taksat. Përfundoi eksploatimi. Para pushtimit”, shprehet osmanologu turk.
Rekrutimi i shqiptarëve, në ushtrinë osmane
Interesi i osmanëve ishte që të konvertoheshin sa më shumë shqiptarë në fenë myslimane, në mënyrë që në radhët e tyre të kishin njerëz sa më të besuar, duke fuqizuar sa më shumë ushtrinë turke. Kështu, kemi raste kur osmanët rekrutonin shqiptarë në ushtrinë osmane, duke i joshur me para. Nga gjendja jo e mirë ekonomiko-sociale, shumë prej tyre pranonin jo vetëm të hollat, por edhe islamin. I gjendur në këtë situatë, Skëndërbeu ndoqi një politikë të brendshme dhe të jashtme shumë aktive. Hapi i paë ishte tubimi në një Kuvend i të gjithë fisnikëve të vendit dhe zotëruesve të tokave. Kuvendi u mbajt më 2 mars 1444, në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Ishte kjo një bashkësi e gjerë kombëtare, një bashkërenditje për t’i rezistuar synimeve osmane për pushtimin e tokave shqiptare.
Skëndërbeu, në burimet osmane, paraqitet si një personalitet shumë kompleks dhe i avancuar për kohën. Ai ishte luftëtar dhe komandant i jazhtëzakonshëm. Historia e njeh edhe si diplomat të shkathët. Sulltan Murati 2 dërgoi tre ekspedita ndëshkuese më 1455/1488 që të mposhtte Skëndërbeun, por që të tria u thyen keq nga heroi shqiptar, i cili po mahniste princër dhe mbretër të Europës për karakterin e tij të fortë dhe taktikat e luftës.
Shkollat shqipe
Të gjithë e dimë se shkolla e parë zyrtare shqipe është hapur më 7 Mars 1887 në Korçë, kur Naim Frashëri ia kërkoi Portës së Lartë. Por shkollat shqipe kanë ekzistuar akoma më herët, gjatë pushtimit osman. Këtu, misionarët katolikë kanë luajtur rol thelbësor në edukimin fetar dhe social të popullsisë shqiptare. Shkollat kanë qenë në gjuhën shqipe, ndërsa programi ka qenë osman. Sipas dokumenteve dhe studimeve që janë bërë, priftërinjtë hapën shkolla që datojnë nga viti 1585; në Kurbin më 1632; shkolla e Pllanës dhe të Blinishtit në vitin 1644; shkolla e mesme në Janjevë të vitit 1670; shkolla e Rrjollit, e hapur nga Pjetër Bogdani me mësues Marin Gjini, në vitin 1675; shkolla e Shkodrës, e hapur nga Filipi, nga Shkodra, në vitin 1698, e shumë shkolla të tjera.
Kështu, në vitet e pushtimit osman, mësimi i gjuhës shqipe bëhej në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në vitin 1584, në Stubëll të Kosovës, pastaj në Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (Kosovë) (1665), në Akademinë e Re në Voskopojë e në Medresenë e Bushatllinjëve në Shkodër, etj. Gjendja e shqiptarëve në dy dekadat e fundit kur Perandoria u largua nga Ballkani, ishte e keqe dhe nuk kishin bërë asnjë investim. Thuhet se në vitet 1500-1600, infrastruktua, ekonomia, ishin shumë më lartë në Shqipëri, por kur filloi të dobësohej Perandoria, ra edhe niveli ekonomik. Pas shpalljes së pavarësisë, popullsia shqiptare vuajti një pushtim akoma më të egër, copëtimin e trojeve dhe përjetoi varfërinë ekstreme, duke u futur në një tjetër kapitull historik pasmesjetar.