Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Shikoni dyshekun me euro të Klosit, jo fshesën dhe pastruesen

 

 

I gjithë opinioni i është vërsulur pastrueses, vodhi, vodhi, vodhi. Ore lëreni pastruesen, se duhen nerva çeliku kur fshesa të kap shuka eurosh, jo letra dosido. Ka bërë llogari të thjeshta e ururara grua, unë pastroj e marr kaq kurse kjo zonja nëpunëse e shtetit i merr me thasë. Biles e ka kuptuar shpejtë atë që, nuk janë para me djersë se po të ishin vendin e kishin në bankë dhe jo poshtë dyshekut. Sidomos për nënpunësit e shtetit që duhen t’i nënshtrohen deklarimit të pasurisë apo të të ardhurave mujore dhe vjetore. Pyesni se çfarë do ndodhi me pikërisht nënpunësen e shtetit, jo me pastruesen. I qëndroni një logjike të thjeshtë se, kur ka para me shumicë, bruto, kesh, në shtëpi një nënpunëse e shtetit, e mendoni se sa ka shefi i saj. Janë të gjitha para të vjedhura nga ato taksat tuaja. Janë paratë tuaja o derdimenë. Prandaj i keni rrogat e ulta, pensionet po ashtu dhe për më zi akoma, përkrahjen sociale. Ja ato para janë. Në vend që të shkojnë tek ju, shkojnë tek shtëpia e nënpunëses së shtetit. Tashmë ajo del e larë, kurse pastruesja hajdute, mashtruese etj. Ngrihuni e shpalleni edhe armike apo kulake. Madje degdiseni. Dhe kurrë mos u shqetësoni e të pyesni se çfarë është ekonomia informale? Çfarë është korrupsioni në shtet? Përse i keni pagat aq për ibret? Përse tenderimet publike kurrë nuk janë të mjaftueshme në një investim etj? Ja, ku e keni përgjigjen. Janë ato shumat 20%  nga fondet që jepen gjoja për investime publike. Shkoi policia herën e parë e i gjeti pastrueses 120 mijë euro, bizhuteri floriri etj. Shkoi herën e dytë dhe i gjeti edhe 404 mijë euro të tjera plus bizhuteri flori, po të shtrenjta ama. Plus makinat e shtrenjta me para nga pastrimi në shtëpinë e nënpunëses së shtetit etj., pra afro 1 milion euro të thata në shtëpi. Tani kur ka 1 milion euro të thata në shtëpi nënpunësja, merreni me mend vet se sa duhet të kenë njëshat. Kjo drejtësia jonë sot, madje edhe webet, i mëshojnë pastrueses sikur të jetë jetë ajo origjina e krimit. Dhe për më keq akoma ju të gjithë që grishni fytyrën dhe ja bëni uaaa, sa turp. Nuk është turp ore jo, është revoltë. Ka disnivele sociale që të vësh duart në kokë etj. Shto problemet e tjera. Nëse e doni veten dhe vendin tuaj, duhet të qartësoheni një herë e mirë, ndiqni burimin e parave, jo fshesaxhinjtë.

Please follow and like us: