Cikël poetik nga Avdush Canaj
AI
Poeti për fëmijë
S`është si unë,
As si ti,
Është ndryshe.
Ai i di përrallat
E planetit të buburrecave!
Tregun e fluturave
Ku shiten ëndrrat.
E njeh zogun e vogël të kopshtit
Kur na sjell gjumin mbi flatra
Edhe tezet e diellit
Që rrisin barin me përkëdhelje.
Në derë të yllit shkon me lejlekun
Për një kopsë të vargut!
Agimit i troket në dritare
Me lapsin e vjershës.
Bukurinë e mëngjesit e pi
Nën vetull të mollës.
Me kumritë e dallëndyshet
Ditës ia fal puthjen e trëndafiles.
Si ti s`është,
As si unë,
Poeti për fëmijë,
Ndryshe është.
Hejbet me ëndrra
A e di pse vjen nata
këmbëgjata
a e di ti?
Ta sjell kalin që fluturon
me hejbet në shpinë
plot ëndrra për ne.
E pashë mbrëmë atë kalë
vetë e pashë
kur m’i la nën jastëk
katër ëndrra shpendishte
dy për mua
dy për ty.
Potkojtë i kishte prej yjesh
e ujvaren e malit në jele.
Dallëndyshe
Kush ka gjysh
e gjyshe
vetë është
dallëndyshe.