Endri Misku, djali nga Prrenjasi që punon me kompanitë e rinovimeve në SHBA
Endri Misku jeton prej 20 vitesh në SHBA ku punon në kompanitë imobiliare si dhe ato të rinovimeve. Familja e tij nga qyteti i Prrenjasit u largua në vitin 2003 për një jetë më të mirë në kontinentin amerikan dhe Endri në atë kohë ishte vetëm 9 vjeç. Ai ka studiuar në degën e ekonomisë dhe është një djalë me ambicje dhe vullnet për të ecur përpara. Një nga pasionet e Endrit është dhe fitnessi, madje ai shpreson që së shpejti të sjellë dhe një libër për fitness-in në gjuhën angleze. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për jetën në SHBA, lidhjet me vendlindjen si dhe projektet e tij.
CMG: Kur jeni larguar për në SHBA dhe sa vjeç keni qenë atëherë?
Endri Misku: Familja ime është larguar në vitin 2003 dhe unë kam qenë 9 vjeç atëhere. Unë tre vitet e para të shkollës i kam bërë në Shqipëri, pastaj klasën e katërt e kam vazhduar këtu sepse kemi ardhur në muajin gusht këtu dhe klasën e katërt e kam filluar në SHBA.
CMG: Si ishte integrimi me jetën në ditët e para të mbërritjes?
Endri Misku: Vështirë që të mbaj mend detaje të tepërta, por e mbaj mend që kemi ndenjur te shtëpia e kushërinjëve për disa ditë, pastaj kemi pasur shtëpinë tonë me qira që na e kishin gjetur ata. Mbaj mend që apartamenti ku kemi jetuar ka pasur shumë shqiptarë nga Kosova dhe zona të ndryshme të Shqipërisë. Mund të them që u ndje diku natyrale sepse kam pasur shokë të fëmijërisë moshatarë, komshi dhe hynim e dilnim me njëri- tjetrin, duke krijuar shoqëri bashkë.
CMG: Pra e keni ndjerë mungesën e bashkëmoshatarëve tuaj?
Endri Misku: Nuk është aq e lehtë dhe nuk di si ta krahasoj me qytetet e tjera sepse unë jam nga qyteti i Prrenjasit, një qytezë e vogël dhe njiheshim të gjithë me njëri- tjetrin. Mbaj mend që kur jemi ndarë, siç ndodh zakonisht vijnë dhe të takojnë fqinjët dhe unë mendoja të bëja si i fortë dhe mos të qaja edhe pse isha vetëm 9 vjeç, por momenti kur erdhën të gjithë për të më takuar kishte shumë emocione dhe kam qarë. Kështu që ka qenë e vështirë edhe pse u mundova të mbaj kontakte dhe ndihej një farë afrimiteti. Nuk e di si ta spjegoj, por njerëz që ke njohur që nga fëmijëria dh e ke një farë ndjenje që nuk e gjen lehtë tek njerëzit e rinj që njeh sepse ke kujtimet e fëmijërisë, të pafajësisë dhe ndjeja shumë mall. Mundohesha të mbaja kontaktet, por me kalimin e kohës u rralluan dhe pse akoma kam njerëz që kam mbajtuar kontakte edhe pas 20 viteve.
CMG: Keni pothuajse 20 vite që jetoni në SHBA, por si kanë qenë këto vite për ju?
Endri Misku: Nuk kanë qenë keq, unë nuk vij nga familje e pasur dhe jam munduar që ta ndërtoj vetë gjithçka. Unë kam mbaruar shkollën për ekonomi dhe kam qenë shumë i mirë në shkollë, nuk po them perfekt por që kam qenë student i mirë sepse i kuptoja shumë mirë dhe lëndët e vështira si matematikë dhe shkencat. Pasi mbarova shkollën u gënjeva sepse po shikoja shqiptarët e tjerë që po dilnin shumë mirë nga ana financiare sepse punonin me rinovime. Edhe unë iu futa kësaj rruge dhe fillova të bëj dhe unë rinovime. Gjithashtu kam punuar dhe në industrinë e kompanive imobilare ku kam dy vite eksperiencë. Edhe pse më është rritur biznesi ose puna që bëj me rinovimet, është shumë e lodhshme dhe kam dëshirë që së shpejti të shkëputem dhe t’i rikthehem kompanive imobilare. Nëse ajo nuk ecën ashtu siç dua unë ta ndërtoj dhe nëse nuk arrij qëllimet e mia mundem t’i kthehem diçka me shkollën që kam mbaruar.
CMG: Pra ju keni provuar shumë punë në SHBA dhe keni mundësi zgjedhje atje?
Endri Misku: Është e vështirë që ta krahasoj me vendet e tjera sepse vetëm këtu jam rritur, por duhet pak guxim që t’i futesh disa gjërave, ku sa herë që fillon diçka ke një qëllim madhështor dhe ka njëfarë rreziku. Ka njerëz që nuk duan t’i futen sepse nuk është e garantuar që do të eci dhe nëse do kesh mjaftueshëm punë apo ta bësh punën ashtu siç duhet. Kështu që ka njëfarë rreziku, por mendoj në përgjithësi që përderisa shqiptarët vijnë këtej, them se duhet të ketë më shumë mundësi se vendet që kemi lënë. Kjo është përshtypja ime.
CMG: Vini shpesh në Shqipëri dhe a shikoni ndryshim?
Endri Misku: Nuk kam ardhur aq shpesh të them të drejtën. Hera e fundit ka qenë në tetorin e fundit ku kam qëndruar pesë muaj dhe kjo ka qenë hera e parë që kam qëndruar kaq gjatë sepse çdo herë ka qenë dy javë deri në një muaj. Ndoshta mund të kem ardhur pesë apo gjashtë herë në këto 20 vite. Kam vënë re ndryshime nga qendra e Tiranës ku kam ndenjur më shumë, ku ka pasur shumë zhvillim përsa i përket modernizimit, Tirana duket shumë moderne, por pashë që nëse del pak në periferi duket varfëria apo rrugët e pashtruara.
CMG: Ju pëlqejnë udhëtimet dhe ku keni udhëtuar?
Endri Misku: Përsa i përket udhëtimeve nuk kam udhëtuar aq shumë. Kam parë disa vende të SHBA-së, kam jetuar një vit në Teksas si dhe kam vizutuar dhe pjesën e jugut të SHBA-së. Gjithashtu kam qenë në Kanada dhe kur shkoj me pushime zakonisht shkoj nëpër resorte të vendeve tropikale si Meksikë apo Republikën Domenikane. Të them të drejtën që të dal dhe vizitoj shumë vende nuk e kam bërë akoma.
CMG: Po në bregdetin shqiptar ke ardhur për pushime verore?
Endri Misku: Kemi ardhur familjarisht ku më shumë kam ndenjur me familjen dhe nuk e kam përjetuar nga ana e një djali të ri që ta shijoj nga ai aspekt. Shqipëria ka plazhe shumë të bukura.
CMG: Cilat janë planet tuaja në të ardhmen në SHBA?
Endri Misku: Tani do i rikthehem kompanive imobilare sepse jam i licencuar për dy vite, nuk jam i ri në profesion por mu desh që t’i rikthehem kompanisë time të rinovimeve sepse kështu ndodhi ngaqë isha në Shqipëri për kohë të gjatë dhe pata një shkëputje nga puna. Shpresoj që shqiptarët të më mbështesin duke punuar me mua në të ardhmen. Ky është një qëllim, por përveç kësaj kam dhe disa hobe që ndoshta mund të kem të ardhura. Kam shumë vite që merrem me fitness dhe kam dëshirë që të shkruaj një libër për fitness që spjegon konceptet bazë dhe ta promovoj duke bërë disa shitje. Nëse shikoj një mundësi që mund të kem fitime në këtë lloj drejtimi, atëhere do vazhdoj këtë dhe sigurisht është dhe mundësia që mund t’i bëj dhe në anglisht. Tani po mundohem të hedh hapat e para në këtë drejtim përveç punëve që përmenda më sipër.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Endri Misku: Ju përshëndes të gjithëve dhe qëndroni pozitiv. Unë e vlerësoj shumë mbështetjen dhe njerëzit dhe dua vetëm gjëra të mira për shqiptarët sepse jam shumë patriot.
Intervistoi: Gazmend Agaj