Greta Tahiraga: Piktura më ka tjetërsuar
Greta Tahiraga ka lindur në Shkodër dhe ka kryer studimet e larta për cikël të ulët në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Aktualisht ajo është mësuese pranë shkolles speciale “3 Dhjetori” në Shkodër, shkollë që edukon femijë me aftësi ndryshe. Një nga pasionet e saj të fëmijërisë është vizatimi dhe piktura. Piktorja Greta Tahiraga është pjesëmarrëse në një numër ekspozitash brenda dhe jashtë vendit, duke sjellë me pikturat e saj një copëz të së përditshmes shkodrane. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ajo tregon për fillimet e saj në pikturë si dhe ekspozitat personale dhe kolektive ku ka marrë pjesë me veprat e saj.
CMG: Keni vite që ushtroni profesionin e mësueses së ciklit të ulët. Pse zgjodhët këtë degë?
Greta Tahiraga: Ky profesion si duket erdhi ngaqë e pëlqeja shumë mësimdhënien. Faktikisht më ka pëlqyer shumë gjuhë-letërsia, por më doli dega për cikël të ulët. Pas mbarimit të studimeve nuk e ushtrova profesionin tim të mësuesisë, por si shumë shqiptarë të tjerë familjarisht morëm rrugën e emigracionit dhe kam jetuar në Firence të Italisë.
CMG: Pasioni për piktuarën ishte një ëndërr në fëmijërinë tuaj?
Greta Tahiraga: Arti i pikturës më ka tërhequr vazhdimisht, dhe që në fëmijëri mbaj mend që vizatimi ka qenë lënda ime e preferuar, që më ka shoqëruar gjithmonë. Më vonë mbaj mend që në shkollë të mesme ishte vizatimi teknik, ku isha ndër nxënëset më të të mira. Si lëndë nuk ka qenë aq e lehtë dhe këtë e vinte re dhe profesori i vizatimit teknik ku ma vinte në dukje që kisha shumë dorë për vizatim. Pastaj me kalimin e kohës nga vizatimi kurrë nuk jam ndarë dhe kanë qenë skicat, dizenjimet të cilat ishin pikënisjet e mia të hershme. Unë e kam lidhur shumë pjesën e vizatimit me kreativitetin, ku kam dekoruar gurë të ndryshëm me bojëra akrilik e më vonë ndonjë picture, por jo të publikuara, thjesht për kënaqësi.
CMG: Kur e keni hapur ekspozitën tuaj të parë?
Greta Tahiraga: Pas kthimit nga Italia fillova punë në një shkollë në qytetin e Shkodrës, një shkollë speciale ku mësojnë fëmijë me aftësi të kufizuara. Ndoshta nga përvoja profesionale me këta fëmijë, mendova që veç orëve mësimore t’i fusja në botën e artit dhe ngjyrave. Kjo pati atë efektin e vet sepse me anë të ngjyrave unë arrita të zbuloj botën e tyre të brendshme, dhe hartova një projekt me titullin “Sjellim ngjyrat tona”, që zgjati 6 muaj derisa e realizova me fëmijët dhe e finalizuam tek biblioteka “Marin Barleti” në Shkodër. Të them të drejtën kjo ishte si një pikënisje e imja ku më vonë mori një hov tjetër pjesa e krijimtarisë time personale. Pjesën time të pazbuluar që qëndronte e fshehtë, këtë vokacion timin të brendshëm dhe të hershëm e nxori në pah një profesor shumë i nderuar i qytetit të Shkodrës, skulptori Ferid Kola të cilit i jam shumë mirënjohëse. Ai më tha që unë kisha talent dhe nuk duhej ta lija deri këtu, por të vazhdoja të ecja përpara dhe mund të isha ndër piktoret më të mira të qytetit. Ai më dha shumë inkurajim dhe më mbështeti shumë ku mora disa mësime të artit. Megjithatë edhe kur kam jetuar në Firence kam ndjekur orë për pikturë mbasditeve. Ndoshta gjithë ky pasion i imi sikur donte dalëngadalë të merrte një hov tjetër ose unë të pozicionohesha në një dimension krejt tjetër. Kështu fillova që t’i përkushtohesha pikturës me një punë të jashtëzakonshme dhe dalëngadalë puna sistematike e gjithë kësaj që kisha së brendshmi mori rrugëtimin e vet në art derisa unë finalizova ekspozitën time të parë të pikturës personale “Pedal”.
CMG: Përveç ekspozitave personale ju keni marrë pjesë dhe në ekspozita kolektive në vende të ndryshme të botës.
Greta Tahiraga: Ky hov vazhdoi në mënyrë të pandërprerë dhe kështu pasuan ekspozita të ndryshme. Ekspozitat e mia të para kolektive kanë qenë në Muzeun Historik Kombëtar të titulluar “Pranverë art” dhe është viti i gjashtë që marr pjesë te kjo ekspozitë midis artistëve të pikturës në mbarë shqiptarinë. Pastaj kam marrë pjesë në ekspozita kolektive në Kosovë, Malin e Zi, Turqi, Itali dhe së fundi në Monte Carlo ku jam dhe fituese e çmimit atje.
CMG: Si jeni ndjerë me vlerësimet e marra në ekspozitat tuaja jashtë vendit?
Greta Tahiraga: Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe besoj se kjo ka ardhur falë punës time të pareshtur. Jam krenare fillimisht për veten time, jam krenare për fëmijët e mi që më kanë mbështetur gjtihmonë. Gjithashtu u jam shumë falenderuese artistëve të qytetit tim që më kanë mbështetur, miqve dhe dashamirësve të artit që më kanë bërë të besoj tek pasioni im, te piktura ime dhe talenti im.
CMG: Edhe pse ju nuk keni studiuar për pikturë, talenti juaj ka bërë që tashmë të jeni një piktore profesioniste. Cili është zhanri juaj në pikturë?
Greta Tahiraga: Unë e përmenda dhe më lart që kjo ka ardhur ndoshta falë punës time. Do të thoja që piktura përkon me impulsin shprehës dhe më përmbush. Mua piktura më ka tjetërsuar në çdo këndvështrim ku e shoh botën krejt ndryshe. Peneli më është bërë një mjet personal me të cilin arratisem nga një realitet në një dimension krejt tjetër. Unë jam një piktore e zhanrit të natyrës së qetë, më pëlqen edhe peisazhi. Kjo natyra e qetë është ajo natyra ku unë pasurohem shpirtërisht ose ndjehem e kompletuar në çdo aspekt. Subjektet e mia të para, por jo të fundit kanë qenë lulet dhe janë lulet, sepse dihet që Shkodra identifikohet me lulet, janë ato lulet që gjithësecilin nga ne e gjallërojnë vetëm nga bukuria, estetikja, aroma e gjithçka dhe mua gjithmonë më kanë tërhequr emocionalisht. Pastaj vijnë edhe qelqet, enët tradicionale dhe një gamë e gjerë subjektesh të cilat padyshim mundohem që t’i pasqyroj ose t’i hedh në penel dhe telajo.
CMG: Mund të rrini dot pa pikturuar?
Greta Tahiraga: Ka pasur momente që kam pasur shkëputje, patjetër kur vjen sezoni i verës kam nevojë dhe unë për pushim, por mund të zgjasë një deri në dy javë thjesht për efekt të lëvizjeve që mund të bëj. Unë dhe piktura jemi bërë si pjesë e pandashme.
CMG: Cila ka qenë ekspozita juaj e fundit dhe projektet tuaja në vazhdim?
Greta Tahiraga: Ekspozita ime e fundit u mbajt në galerinë e arteve në Shkodër, salloni i vjeshtës me titull “E kuqja”. Në këtë ekspozitë kolektive morën pjesë mjaft figura të shquara të artit pamor nga gjithë Shqipëria dhe jo vetëm, të përzgjedhur sigurisht nga kuratorët e ekspozitës. Unë u paraqita me një vepër të quajtur “Përthymja” dhe mendova të zgjedh të kuqen, duke rënë në përthymje tek qelqet. Kam zgjedhur mbi 15 lloje të ndryshme shishe qelqi dhe gota dhe doja të shikoja sesi një dritë e kuqe përthyhet dhe si transformohet apo përftohet nga ana vizive. Kam punuar fort për këtë pikturë ku më është dashur një kohë relativisht dy-tre muaj derisa e finalizova.
Jam e lumtur sepse është pritur mirë dhe kam marrë shumë komplimente dhe vazhdoj të marr për pikturën. Normal që kjo është një kënaqësi për artistin kur piktuara pritet mirë. Faktikisht jam duke punuar për projektet në të ardhmen, ku kam ndërmend të sjell diçka ndryshe, jo se do shkëputem nga natyra e qetë por do ta sjell natyrën e qetë ndoshta në një formë krejt tjetër. Dihet që Shkodra është një vend i bukur me një natyrë të egër dhe me vende të virgjëra. Shkodra ka oaze pafund dhe bukuri natyrore dhe unë dua të sjell liqenin me lulet dhe bimësinë e tij në kohë dhe stinë të ndryshme, por kjo kërkon një punë afatgjatë. Thjesht jam duke e përqafur si ide dhe projekt timin në të ardhmen.
Intervistoi: Gazmend Agaj