RRUGËTIMI I POLICISË SË SHTETIT SHQIPTAR NË 110 VITE
(Në kuadrin e njëqindedhjetë vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit shqiptar 13.01.1913–13.01.2023, si një udhëtim në kujtesë në një prej institucioneve jetike të shtetit shqiptar).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe zgjedhja e organeve ekzekutive dhe legjislative të shtetit ishin aktet sublime në 1912-tën. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali bëri njoftimin e gjashtë Fuqive të Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, për këtë akt madhor të shqiptarëve. Njoftuan gjithashtu dhe shtetet ballkanike si: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të shqiptarëve. Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha trevat shqiptare. Pavarësia si akt madhor përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve, fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të të gjithë shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës. Vetëm një javë më vonë u formatua qeveria, ndërkohë që nevojë imediate ishte rendi, qetësia dhe siguria e brendshme. Struktura e qetësisë ishte një prej obligimeve të para të qeverisë së Vlorës. Ndjenja patriotike e shqiptarëve ishte pishtari i ndezur i atdhetarisë për tu mbrojtur nga rreziqet. Policia e Shtetit është struktura që e kërkon koha në të gjitha epokat. Krijimi i policisë së shtetit për herë të parë u bë bazuar në vizionin e themeluesit të shtetit, i cili në ditët e para të vitit 1913 thoshte: “Përpiquni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik…”, “Duhet pra,…të mësohet puna e xhandarmërisë dhe e policisë në duar të ndershme dhe të stërvitura, të zgjidhni xhandarë dhe policë me kujdes të madh dhe të një rregulli të shtrënguar!”. Porosia e kryeministrit Ismail Qemali ishte për gjithë prefekturat dhe bashkitë. Për herë të parë në një qeveri shqiptare nisi të funksiononte Zyra e Sigurimit Publik, që thënë ndryshe ishte Drejtoria e Policisë Shqiptare, me detyra administrative dhe gjurmuese, ndërkohë që shkollimi ngeli një ide në letër. Kështë më 13.1.1913 Qeveria e Vlorës mori vendimin për krijimin e Forcave të Rendit, të Policisë dhe Xhandarmerisë, (DPAQSH. Fondi dokumentar 245/II, dosja 69, faqe 1). Detyrat e forcave të rendit, që rridhnin nga Kuvendi i Vlorës, do t’i kryente një xhandarmëri me Alem Tragjasin, Hysni Toskën, Sali Vranishtin dhe Hajredin Hekalin, ndërsa në funksionin administrative policor, drejtor i parë ishte Halim Gostivari. Më 4.5.1913 u krijua Shtabi madhnuer, nga i cili varej xhandarmëria me tre batalionet e saj të Vlorës, Beratit dhe Elbasanit, ndërsa më 3.6.1913 u miratua “Rregullorja e Milicisë shqiptare të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës”. Në një periudhë kohore 110 vjeçare Policia e Shtetit ka pasur historikun e saj të zhvillimit, në përputhje me politikat shtetërore të paqëndrueshme. Policia ka qenë dhe ka ngelur domosdoshmëri jetike e shtetit dhe kërkesë e publikut, për misionin principial që policia luan në shërbim të rendit, qetësisë, sigurisë, komunitetit si dhe në zbatueshmërinë ligjore. Organizimi i parë i Policisë u bë në bazë drejtorie me qendër në Vlorë. Drejtuesi i parë i policisë shqiptare në shtetin e Ismail Qemal bej Vlorës ishte Halim Jakova – Gostivari (1878-1927) nga Gjakova, ndërsa pas tij Fehmi Mezhgorani nga Tepelena. Në planin historik Policia Shqiptare është ngritur nga vetë shqiptarët dhe më vonë edhe është mbështetur e këshilluar nga ekspertë e specialistë hollandezë e më tej edhe britanikë, edhe pse është ruajtur tiparet dhe identiteti i misionit civil të Policisë, formati i evropian, por dhe me norma juridike për gjurmimin, hetimin, arrestimin, mbrojtjen e të drejtave e të lirive të individit, ndalimet e hyrjeve me forcë në shtëpitë e qytetarëve, grumbullimet pa armë etj.
Përvoja botërore e policimit dhe policimi në fillesat e shtetit shqiptar
Shqiptarët kishin deryra më imediate për sigurinë e shtetit, se sa reformimi mbi bazën e eksperiencave botërore të policimit. Ndërkohë që bota e përparuar kishte bërë reforma të shumta për policim në vendin tonë rithemelimi i shtetit dhe policimi formal. Bota e përparuar njihte tashmë një emër të njohur Robert Peel, nismëtar për miratimin mbretëror Britanik të Aktit të Policisë Londineze më 19.06.1829, duke vendosur policinë e Londrës nën kontrollin e Sir Robert Peel, ishte një zgjidhje për shkak të frikës së publikut në lidhje me vendosjen e forcave të ushtrisë në çështjet e brendshme. Ai ishte i pari Sekretar i Brendshëm në botë që organizoi forcën policore përgjatë linjave civile, në vend se forcave paramilitare. Për tu dukur neutrale, uniforma ishte porositur dhe prodhuar qëllimisht në ngjyrë blu, sesa e kuqe, e cila ishte atëherë një ngjyrë ushtarake, së bashku me oficerët të armatosur vetëm me një shkop druri dhe një raketë për të sinjalizuar nevojën për ndihmë në rast rreziku. Së bashku me këtë, radhët e policisë për kohën nuk përfshinin tituj ushtarakë, me përjashtim të gradës së rreshterit. Forca policore prej 1000 djemsh, ose sikurse quheshin “Bobsat”, për nder të krijuesit të tyre, Robertit, nuk mbante armë zjarri, megjithëse Sir Robert Peel autorizoi Komisionerin të blinte pesëdhjetë pistoleta xhepi, për t’u përdorur në rrethana të jashtëzakonshme, siç janë ato që përfshinin përdorimin e armëve të zjarrit. Karakteristikat e bobsave ne syte e publikut ishin “helmeta, shkopinjte dhe bilbili”. Në atë kohë, në Londër dhe jo vetëm vjedhjet ose thyerjet e shtëpive, ishte një problem i zakonshëm për policinë. “Shkelësit e shtëpive” ishin zakonisht të armatosur. Atëherë ishte gjithashtu e ligjshme (sipas projektligjit të të drejtave 1689) për anëtarët e publikut që ishin protestantë, siç ishin shumica, të zotëronin dhe të përdorin armët e zjarrit. Pas vdekjes së oficerëve me armë zjarri në rrethet e jashtme të metropolit dhe debatit publik për armatosjen e forcës, Komisioneri i kërkoi Robert Peel për autorizim për të furnizuar oficerët në rrethet e jashtme me revolverë. Autorizimi u dha me kushtin që revolverët të lëshoheshin vetëm nëse, sipas mendimit të oficerit të lartë, oficerit mund t’i besohej ta përdorte me siguri dhe me përgjegjshmëri të lartë. Robert Peel në mendjen e njerëzimit ka ngelur si “babai” i policisë së botës. Eksperienca britanike u përhapën në mbarë botën. Era e policimit mbriti deri në Shqipërinë tonë të vogël, por me aspirata të mëdha të shtetformimit. Së pari me tiparet e policimit janë grupi i xhandarmërisë hollandeze me Gjeneral De Veerin dhe kolonel Tomsonin, ndërkohë që pas viteve ’20-të vështrimi u hodh edhe përtej kufirit administrativ shqiptar. Në maj 1923 Kolonel Frank Sterling mbriti në Shqipëri. Ndërsa më 29.9.1926, vendin e inspektorit të përgjithshëm, që mbante gjenerali anglez Frank W Sterling e zuri gjenerali anglez Xhozelin Persi (1871-1952). Më 1933, në krye të Xhandarmërisë ishte nënkolonel Shefki Shatku, i cili ishte një nga oficerët më të përgatitur të kohës, por në të njejtën kohë mbretëria e brishtë shqiptare në ndihmë të Xhandarmërisë, kishte vendosur në dispozicion gjeneralmajorin anglez në pension Sir Jocelyn Percy. Policimi në Shqipëri kishte kaluar edhe në “rrugë të pashkelura”, që misionin e policimit e kryente Garda dhe Xhandarmëria shqiptare, si elemente të sigurisë së brendshme deri në prillin e ’39-ës, kur pushoi së ekzistuari. Misioni i policimit i Xhandarmërisë shqiptare më 1936 kishte një kolonel, katër nën/kolonelë, 8 majora, 16 kapitena të parë, 32 kapitena të dytë, 40 togera, 43 nëntogera, me 144 oficerë gjithësej me 3.250.000 franga ari buxhet të përgjithshëm. Në këtë periudhë pati përpjekje që policimi shqiptar të institucionalizohej përmes çeljes së kursit të policor më 21.5.1938, pararendëse e arsimimit policor në vemndin tonë.
Policimi në periudhën e pavarësisë së dytë të Shqipërisë
Vitet ’20-të janë ndër më decizivët për ardhmërinë e shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës, Lufta e Vlorës dhe sidomos pas konferencës së Versajës, shqiptarët kaluan ndër momentet më të rëndësishme historike të shtetformimit. Në vitet 1919-1920, qeveria vlerësoi rëndësinë e Policisë. Ajo organizoi Drejtorinë e Përgjithshme të Qetësisë Botore dhe u dha kompetenca nënprefekturave e prefekturave që të organizojnë zyrat e Policisë dhe të caktojnë policët në detyrë. Strukturat e Policisë në atë kohë u shtrinë në 14 nënprefektura, që kishte një efektiv prej 5 komisarë, 8 nënkomisarë, 43 policë, që ishin emërtuar “komiseri”. Ishte hera e parë në historikun e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë pati buxhetin e saj, që në Nëntor 1919, buxhet i cili u rrit më tej më 1920, në masën 30%. Paga e punonjësve të policisë shënonte rritje me argumentin se do të ndikonte në përmirësimin e gjendjes dhe rritjen dhe ndërgjegjësimin e policëve të shtetit të riformatuar shqiptar. Viti 1920-të ishte viti i riorganizimit të Policisë shqiptare me drejtori policie në prefektura dhe shtimin e limitit organik të saj. Drejtorë të rinj të policisë dhe komisarë policie të rinj ishin sikurse administratorët vendorë e drejtuesit në strukturat e xhandarmërisë, ushtrisë e milicisë. Më 1921 roli i Policisë u fuqizua dhe iu kushtua kujdes i posaçëm i aftësimit për kryerjen e veprimeve proceduriale që në çastin e njoftimit për ngjarjen, ndjekjen me shumë përgjegjësi të ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin rigoroz të tyre në një raport në çdo dy javë. Kontrolli i territorit ishte detyrë e rëndësishme dhe në metodën e policimit u kufizua e drejta e veprimit arbitrarisht ndaj individëve.
Policimi në vitet e Republikës së parë, Mbretërisë dhe policisë popullore
Në vitet 1927, 1928 në vendin tonë kishte përpjekje për organizimin e Policisë Shqiptare sipas modelit italian dhe në zbatim të ligjit për Administratën Civile, duke synuar dhënien e të gjithë kompetencave prefektit për kontrollin e policisë. Në dhjetëvjecarin 1928-1938 ka pasur zhvillime progresive të policisë e xhandarmerisë, ku futen elementë modernë perëndimor ne fushën e strukturave dhe legjislacionit të policisë dhe xhandarmerisë. U krijuan për here te pare disa lloje policish si policia bashkiake më 1928, policía rurale më 1929, policía kufitare më 1930, policía e sigurimit publik më 1938, roja mbretërore e kufirit më 1939 dhe xhandarmëria qytetase me atributet e policisë urbane, etj. Periudha e viteve 1939-1944 ishte në peshën e LIIB, ndërsa Policia në më të shumtën ishte strukturë e qetësisë e rendit në rrethana specifike të luftës. Fillimisht ajo ishte pjesë e trupës së armatosur e Policisë në Shqipëri, në varësi të kryesisë së Këshillit të Ministrave, por e inkuadruar në trupën policore të Mbretërisë së Italisë. Në strukturën organizatave të saj spikatin Drejtoria Qendrore e Sigurimit Publik, zyrat e prefekturave, zyrat në nënprefektura dhe zyrat e kufirit dhe të post-porteve tokësore e detare. Gjatë LIIB strukturat e policisë e xhandarmërisë në pjesën me të madhe u asimiluan dhe u profilizuan sipas interesave të shteteve pushtuese. Gjate dy pushtimeve, policia u integrua në strukturat ushtarake me emërtimin “Trupa e Armatosur e Policisë”. Në vitin 1943, në zonat e çliruara, u krijuan strukturat partizane për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike: Komandat e Qarkut, Komandat e Vendit dhe rojet vullnetare. Pas Luftës së Dytë Botërore organizimi dhe strukturimi i policisë është bërë sipas modeleve lindore. Për periudhën e pushtimit Italian policia ishte në mbikëqyrjen e këshilltarit të përhershëm të policisë italiane dhe shumë funksionarëve të tjerë italianë, ku kjo periudhë pati fuqizim të policisë dhe rritje të gamës së përgjegjësive të saj. Çlirimi nga pushtimi nazifashit i vendit solli politika të reja në misionin dhe funksionin e policisë. Bërthamat e njësive policore të krijuara në zonat e çliruara gjatë luftës ishin të gatshme të merrnin përgjegjësinë e mbajtjes së qetësisë në vend. Më 14.5.1945 u bë riorganizimi zyrtar i ri i policisë, për gjithë strukturat ushtarake të komandave të qarqeve dhe njihet si krijimi i Policisë Popullore, si strukturë e MPB, që varej nga Drejtoria e Policisë dhe në periudhën 1946-1948 limiti organik ka variuar nga 2286 deri në 3766 vetë. Deri më 1982 limiti organik i Policisë së Shtetit ka qenë i pandryshueshëm në shifra, ndërsa zhvillimet ndërkombëtare dhe ato të brendshme ndikuan në rritjen e limit organik të Policisë aq sa në vitin 1991 shifra e punonjësve të rendit e të qetësisë arriti në kufijtë deri 21000 punonjës. Në fillimin e këtyre viteve kanë zanafillën krijimin e strukturave të forcave speciale, shtimi i masave të shumta të sigurisë për VIP-at dhe sidomos rritja e numrit të policisë kufitare.
Era e policimit dhe sigurisë së brendshme në demokracië shqiptare
Periudha 1992 e në vijim u shoqërua me reformimim e strukturave, personelit, standarteve të policimit dhe përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës. Nëse bëjmë bilancin e rrugëtimit 110 vjeçar të Policisë Shqiptare, së pari kemi obligimin moral e shpirtëror të përulemi në shenjë të thellë nderimi e respekti para varrezave, lapidarëve, memorialëve të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës në emër të sakrificës sublime në përmbushje të misionit ligjor për të garantuar rendin e qetësinë publike në Shqipëri, sepse “gjaku i policisë është gjak i shtetit”. Në një shekull e dhjetë vite të ekzistencës së Policisë shqiptare vlen shumë nderimi dhe vlerësimi i pjesëmarrësve të ndershëm të Policisë, të gjithë ata që kontribuan dhe sakrifikuan në përballje me elementët kriminalë, në çdo skaj të atdheut, larg familjeve, në kushte jo të favorshme pune e jetese por me bindjen e brendshme dhe pasionin e lartë për t’i shërbyer me rigorozitet ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve me jetën e tyre dhe garantimit e të ardhmes së qetë e të sigurtë në Shqipëri. Policia Shqiptare është në krah të policive moderne evropiane, pse jo, e barabartë dhe në frontin e përbashkët kundër krimit të të gjithë llojeve të tij. Policia sot ka të gjitha potencialet intelektuale e profesionale të Policisë Shqiptare janë të nivelit dhe standarteve që sigurojnë efikasitet të lartë në përmbushjen e misionit të saj, në përmbushje të kryerjes së detyrimeve ligjore e profesionale të përgjegjësive, si në fushën e krimit të organizuar ashtu edhe në atë të policimit në tërësi. Policia e Shtetit sot ka një bazë të sigurt të arsimimit modern, të kualifikimit dhe trajnimeve që është Akademia e Sigurisë tashmë edhe e akredituar zyrtarisht nga viti 2022 e në vijimësi. Këtu vlen të përmendim edhe një bashkëpunim i nivelit bashkëkohor me Finlandezët, Estonezët, Austriakët, Italianët etj. Në ligjin për Policinë e Shtetit, nr. 108/2014, në nenin 37, parashikohet që Policia të ketë institucionin e saj arsimor përgjegjës për formimin, specializimin dhe kualifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit të nivelit operues, administrativ e menaxherial. Në zbatim të këtij neni, me VKM nr. 185 datë 25.2.2015, u krijua Akademia e Sigurisë, tashmë përgjegjëse edhe për edukimin dhe trajnimin e punonjësve të strukturave të tjera të sigurisë në vend. AS-ja ka në dispozicion edhe një Qendrën Kërkimore Shkencore dhe të Projekteve, që ka realizuar disa projekte kërkimore shkencore, konferenca shkencore ndërkombëtare e kombëtare, ka publikuar 28 revista shkencore “Policimi dhe Siguria”. Ndërkohë që institucioni unik i Akademisë së Sigurisë po punon fort për përmbushjen e misionit dhe të vizionit, ku veprimtaria në fushën e edukimit dhe kërkimit shkencor është vlerësuar në vazhdimësi nga publiku dhe autoritetet më të larta të ekzekutivit e legjislativit. Misioni themelor i Akademisë së Sigurisë është zhvillimi dhe transmetimi i dijeve me anën e mësimdhënjes dhe kërkimit shkencor, në fushën e rendit dhe sigurisë për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera ligjzbatuese. Strukturat e vartësisë akademike si FSH, KPFP, QKSHP-ja janë aset dhe domosdoshmëri për përmbushjen me sukses të detyrimeve në Policinë e Shtetit, për ardhmërinë e sigurt të lufts ndaj krimit, për rendin dhe sigurinë në vend. Arsimimi policor është futur në hollinë e plotë të aplikimit të ligjit të arsimit të lartë dhe ligjit për policinë e shtetit në një sinkron ekspicit dhe mirëkuptues institucional. Policia e Shtetit është plotësisht e inkurajuar nga partnerët ndërkombëtarë, është në bashkëpunim të ngushtë me shumë institucione ligjzbatuese dhe ka standarte por dhe kapacitete të mjaftueshme për realizuar mjeshtërisht metodat më bashkëkohore të hetimit si dhe disponon teknologjinë e informacionit e aplikon sistemet bashkëkohore në strukturat decizive të policimit. Policia e Shtetit meriton nderim e mirënjohje edhe në këtë 110 vjet të rrugëtimit përmes flakëve të përzhitura të krimit dhe triumfeve mbi vështirësitë, duke shpalosur profesionalizmin, vlerat e larta njerëzore. Policia, djemtë dhe vajzat e popullit nga të gjitha trevat e Republikës meritojnë padyshim falënderimet e përzemërta sepse janë mbrojtësit e garantuesit e jetëve njerëzore, në shërbim të qytetarit, të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, në zbatimin rigoroz të ligjit.
*
Drejtorët e Policisë së Shtetit në 110 vite
Me rastin 110 vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit shqiptar, (13.1.1913 – 13.1.2023) në mënyrë të përmbledhur po paraqesim biografi të reduktuara të 44 Drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që nga 13.01.1913, kur u formua policia shqiptare e deri më sot në ditën e 110 vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, më 13.01.2023. Lidershipi policor në një përmbledhje si më poshtëvijon:
1.Halim Bej Jakova-Gostivari ka lindur në qytetin e Gjakovës në vitin 1878, në vitin e LSHP-së. Ka kryer arsimimin në vendlindje dhe më tej ka ndjekur studimet e larta në degën “Drejtësi”, në kolegjin amerikan “Robert Kolezh”, Stamboll. Halim Jakova është kthyer në Vlorë me kërkesë të Ismail Qemalit dhe më 13 janar 1913 deri më 24 maj 1913, kur ka qenë në moshën 35 vjeçare. Pra ka qenë drejtori i parë i Policisë për ruajtjen e rendit e qetësisë në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Këtë detyrë e ka kryer edhe nga 28 gusht 1919-1 shkurt 1920; 1 shkurt 1920-17 dhjetor 1920; 22 prill 1922-1921 si dhe në gusht 1922 (3 vjet e një muaj). Ka kryer detyra të tjera si, deputet (1922-1923); në funksione si drejtor më 1921- 1922; prefekt (1923-1924). Ishte njohës shumë i mirë i gjuhëve të huaja: osmanisht, serbisht, frëngjisht, italisht dhe gjuhën e nënës, shqipen. Ai emigroi i përndjekur si mbështetës i lëvizjes së qershorit 1924; u pensionua vetëm 40 ditë para vdekjes kur ishte “braktisur” nga shteti republikan. Është shuar më 1.8.1927, në moshën 49 vjeçare. Vlerësimi i tij i duhur si drejtori i parë i Policisë Shqiptare është bërë pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri.
2.Fehim bej Mezhgorani (Tepelena) i datëlindjes 12.8.1874, në fshatin Mezhgoran, Tepelenë. Ishte me arsim të lartë për Drejtësi, në Stamboll. Kreu detyrën e drejtorit të dytë të policisë nga 24 maj 1913 deri më 30 janar 1914 (për 8 muaj), kur ishte në moshë 39 vjeçare dhe më tej edhe detyra të tjera: delegat i Tepelenës dhe përfaqësues i klubit “Bashkimi” të Janinës në shpalljen e pavarësisë, më 1912; kryeredaktor i gazetës “Zgjimi”; më tej ndihmës ministër i Drejtësisë; kryeprokuror i Tiranës në vitin 1925; prefekt nga 1929 deri 1930. Zotërues i gjuhëve turqisht, frëngjisht, greqisht. Është shkruar se është vetëvrarë më 4.2.1930, me dyshime se është vrarë pabesisht nga ordinanca e tij. Vendvarrimi i tij ka qenë deri vonë jashtë varrezave të qytetit të Peshkopisë; më 2012 u vlerësua “Qytetar Nderi” i Tepelenës.
3.Veli Vasjari ishte lindur më 12.4.1887 në Vasjar të Tepelenës, kishte kryer gjimnazin “Vefa”, në Stamboll, ndërkohë që koha e qëndrimit në detyrë kaqenë nga 1 prilli i vitit 1914 deri më 30.6.1914; 11.01.1922- 22.04.1922 (7 muaj e 11 ditë), mosha në detyrë: 27 vjeç, si dhe ka kryer edhe detyra të tjera si nënprefekt në disa rrethe në periudhën 1916 – 1921 dhe 1923 – 1927; kryen detyrën e prefektit deri në ditën e pushtimit të vendit nga Italia më 7.4.1939. Njohës i gjuhëve të huaja si osmanisht (turqisht) e frëngjisht; është vrarë më 12.5. 1944, në zonën midis Grabovicës dhe Çërravës, në Korçë.
4.Sulejman Kërçiku ishte lindur më 1873 në Tiranë. Kishte arsim të mesëm ushtarak në Stamboll, ndërkohë që koha e qëndrimit në detyrë ka qenë nga 2.10.1914 deri më 27.1.1916, pra një vit e katër muaj; mosha në të cilën ka kryer këtë detyrë të rëndësishme ka qenë rreth 41 vjeç, por ka kryer edhe detyra të tjera si, nënprefekt në Tiranë. Përveç gjuhës së nënës fliste dhe shkruante edhe gjuhën turqisht. Pas largimit të Esad Pashë Toptanit nga Shqipëria, më 27.1.1916, u tërhoq në jetën e tij private. Por edhe tre djemtë e tij u shquan në shërbim të vendit. Sulejman Kërçiku është shuar më 12.8.1940 në Tiranë.
5.Ahmet Sinani ishte lindur më 1873, në qytetin arsimdashës të Elbasanit. Ka studjuar në degën “Drejtësi” në kryeqendrën e perandorisë në Stamboll; koha e kryerjes së detyrës ka qenë nga 17.12.1920 deri më 10.1.1922, pra një vit e 24 ditë, ndërkohë që në këtë periudhë ka qenë në moshën 47 vjeçare. Ahmet Sinani ka kryer edhe detyra të tjera në interes të shtetit si, prokuror në Turqi dhe Elbasan; gjyqtar i apelit në Berat. Ishte njohës shumë i mirë i gjuhëve greqisht, frëngjisht, turqisht. Është një ndër drejtuesit që punoi fuqishëm për legjislacionin policor, por duke qenë se nuk kishte marrëdhënie të mira me ministrin e Brendshëm, Mehdi bej Frashëri, pas lirimit nga detyra nuk jetoi gjatë, u shua në vitin 1925, në Elbasan.
6.Musa Çelepia ishte i vitlindjes 1895 në qytetin e Shkodrës. Kishte përfunduar arsimin e “Idadije ushtarake”, po në qytetin e Shkodrës, ndërkohë që ka qëndruar në detyrë nga datë 21.8.1922 deri më 26.12.1922, pra vetëm për katër muaj e pesë ditë. Në detyrë ka qenë me moshë relativisht shumë të re 27 vjeçare, ndërkohë që ka kryer edhe detyra të tjera shtetërore më 1923, nëpunës i shtetit, po në vendlindjen e tij. Përveç shqipes dinte edhe turqisht. Fakt është se u dënua nga qeveria zogiste, dhe emigroi pas dënimit, duke qenë se ka qenë i kërkuar nga shteti por nuk u gjend kurrë si dhe nuk ka informacione mbi fatin e mëtejshëm të tij, pasi ka vdekur në mërgim.
7.Hamza Isa Isaraj ishte lindur më 10.5.1872 në Vlorë. Pati fatin që të studjonte për shkenca Politiko-Juridike-Administrative, në Stamboll dhe koha e qëndrimit në detyrë ka qenë nga 10.12.1924 deri më 26.12.1924, që përkon vetëm me 16 ditë. Në kohën e kryerjes së detyrës në këtë periudhë shumë delikate ka qenë 52 vjeç, por kishte kryer edhe detyra të të tjera si një prej aktivistëve në shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912, por edhe si mësues, kryekomisari i parë i qeverisë së Vlorës. Ishte njohës shumë i mirë i gjuhëve italisht, greqisht, frëngjisht, turqisht, anglisht. U detyrua që të emigronte në dhjetorin e vitit 1924, i përndjekur nga rregjimi që erdhi në pushtet, por u fal pas disa vitesh si dhe u imponua që të mos merrej me politikë; pas vitit 1924, rezulton i dekoruar me disa medalje e urdhra. Ka ndërruar jetë më 8.12.1940, ndërkohë që Shqipëria ka qenë nën pushtimin italian.
8.Qazim Bodinaku ishte lindur më 1893 në Tiranë, ndërsa gjimnazin e kreu në qytetin e Durrësit. Në detyrë ka qenë nga 24.2.1926 deri më 7.7.1926, pra 4 muaj e 16 ditë dhe në detyrë ka qenë në moshën 33 vjeçare. Përveç kësaj detyre ka qenë edhe kryesekretar i gjyqit të apelit në Tiranë, nënprefekt e prefekt në disa rrethe të vendit. Dinte përveç shqipes edhe gjuhën turqisht. Është eleminuar me vrasje më 6.7.1939, nga dy persona me të cilët kishte pasur më parë probleme për shkak të detyrës, kur po shkonte për t’ju bashkuar shpurës mbretërore për tu larguar nga Shqipëria.
9.Rrustem Ymeri i vitlindjes 1897 në Dibër. Studimet e larta, i kreu në Selanik të Greqisë, por nuk e përfundoi shkollën dhe kthehet në atdhe. Ka kryer detyrën e drejtorit në moshën 29 vjeçare, nga 20.12.1926 – 21.10. 1927. Ka kryer gjithashtu edhe detyra të tjera si kryesekretar i gjyqit të apelit në Tiranë, nënprefekt, prefekt dhe kryetar bashkie në disa rrethe të vendit. Ka qenë një njohës shumë i mirë i gjuhëve të huaja si gjuhë frënge, italisht, serbokroatisht dhe turqisht. Për shkak të bindjeve të tij politike por më shumë për shërbimet që kishte kryer në kohën e republikës së parë dhe të mbretërisë u internua disa vite nga ish rregjimi i kaluar, deri sa ka ndërruar jetë në vitin 1972, në qytetin e Durrësit.
10.Hilë Mosi ishte lindur më 22.04.1885 në qytetin e Shkodrës. Ka marrë arsimimin bazë në vendlindje dhe më tej ka ndjekur studimet në Klagenfurt të Austrisë. Ka qenë në krye të policisë shqiptare në moshën 29 vjeçare, nga data 1.2.1914 deri më 30.3.1914, si dhe nga data 3.9.1928-1929. Në shërbim të shtetit shqiptar ka kryer gjithashtu detyra të tjera si, prefekt, senator, deputet, ministër i Arsimit, gazetar, poet etj. Në vitet 1916-1918 ishte shef/drejtor i Policisë në Shkodër, detyrë të cilën ja kishin ngarkuar rregjimi i kohës i pushtimit nga austro-hungarezët. Ka qenë njohës shumë i mirë gjermanisht, frëngjisht, italisht, serbokroatisht dhe bullgarisht. Është fakt se Hilë Mosi nuk është njohur vetëm si drejtor Policie, por si atdhetar dhe poet. Ai vdiq i ri në moshën 48 vjeçare, më 21.2.1933 në Tiranë, dhe u varros në Shkodër, duke u cilësuar si mason nga klerikët e mençur katolikë shkodranë.
11.Zef Kadarja është i datëlindjes 7 janar 1892 dhe në dokumentacionin e shtetit shqiptar vendlindja e tij është Shkodra. Ai kishte përfunduar arsimimin në kolegjin e jezuitëve, në Shkodër. Detyrën e drejtorit të policisë e kreu në moshën 48 vjeçare, dhe koha e kryerjes së detyrës ka qenë nga data 31.8.1940 deri më 23.3.1942 (1 vit e shtatë muaj). Ai kishte kryer gjithashtu edhe detyra të tjera si: sekretar, kryesekretar dhe ndihmës anëtar i gjyqit të fillimit, nënprefekt, prefekt, ministër i Brendshëm, inspektor i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Njihte gjuhët e huaja: italisht dhe gjermanisht. Është dënuar në mars të vitit 1945 dhe është pushkatuar në prill të vitit 1945 me vendim të Gjykatës së kohës.
12.Theodor Stamati ishte lindur më 12.3.1896 në qytetin e Durrësit. Kishte marrë arsimimin bazë në vendlindje dhe më tej kishte ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake në Modena, në Itali. NBë moshën 46 vjeçare ka kryer detyrën e drejtorit të policisë nga data 23.3.1942 deri më 26.11.1942, ka kryer edhe detyra të tjera si: shef sektori në Ministrinë e Luftës, komandant xhandarmërie në disa rrethe, nënprefekt, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Administrative e Konsullore në shërbimin diplomatik, nënkomandant i Përgjithshëm i Karabinierisë nën pushtimin fashist italian. Ishte njohës i gjuhëve të huaja: italisht, greqisht, frëngjisht e turqisht. Ai emigroi jashtë vendit si dhe u shpall armik nga regjimi komunist. Ka ndërruar jetë në vitin 1954 në emigracion në Itali.
13.Shyqyri Borshi ishte lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1895. Kishte kryer arsimimin bazë në vendlindje dhe më tej kishte vijuar studimet në lice në Stamboll, si dhe Shkollën e
Trupave të Regjimentit të 10-të të Këmbësorisë, në Bari të Italisë. Në moshën 47 vjeçare ka kryer detyrën e drejtorit të policisë nga data 26.11.1942 deri më 4.6.1943 (6 muaj e tetë ditë); ka kryer gjithashtu detyra të tjera: aktor, dramaturg, përkthyes, këshilltar ushtarak, qarkkomandant xhandarmërie në disa rrethe të vendit. Ishte njohës i gjuhëve të huaja si italisht, gjermanisht, turqisht, frëngjisht. Është dënuar në mars të vitit 1945 dhe është pushkatuar në prill të vitit 1945 me vendim të Gjykatës së kohës.
14.Gjush Deda ishte lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1896. Është arsimuar në gjimnazin e Shkodrës si dhe ka kryer një kurs ushtarak në Budapest të Hungarisë. Në moshën 47 vjeçare ka kryer detyrën e drejtorit nga data 4.6.1943 deri më 30.8.1943 (për tre muaj). Ai ka kryer edhe detyra të tjera si qarkkomandant në disa rrethe, nënprefekt, inspektor pranë Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë. Njihte gjuhët italisht dhe gjermanisht. Pas çlirimit të vendit është dënuar me pushkatim më 10.5.1947.
15.Kolë Radovani ishte lindur më 5 shkurt 1903 në Shirokë, Shkodër. Ka kryer arsimimin në Shkodër dhe më pas ka kryer edhe disa kurse ushtarake, ndërkohë që në detyrën e drejtorit ka qenë në moshën 40 vjeçare mha data 1.9.1943 deri më 13.10.1943 (një muaj e 15 ditë). Ka kryer gjithashtu edhe detyra të tjera si, rrethkomandant në disa rrethe të vendit, komandant i xhandarmërisë qytetase. Ai ishte njohës i gjuhëve Italisht dhe Gjermanisht. Është vrarë në Tiranë, gjatë bombardimit të aviacionit anglez më datën 13.10.1943; eshtrat e tij prehen në Shkodër.
16.Skënder Selmanaj i lindur në vitin 1902, që edhe pse ka të dhëna të cunguara dhe shpesh kontradiktore ka qenë i arsimuar në të gjitha nivelet, përfshi edhe arsimin e lartë juridik për “dega Drejtësi” të përfunduar në shtetin fqinj Itali. Mosha në të cilën ka kryer detyrën ka qenë 42 vjeçare, ndërsa koha e qëndrimit në detyrë: 15 tetor 1943 – 11 janar 1944 (3 muaj), ka kryer edhe detyra të tjera si ndihmës gjyqtarit i Paqit dhe kuestor. Njihte gjuhën italiane, ndërkohë që më datën 18 shkurt 1944, u lirua nga detyra dhe nuk ka të dhëna të plota të njohura për fatin e mëtejshëm të tij.
17.Tahir Kolgjini ishte i datëlindjes 24 prill 1903 në fshatin Lamshejtë të Lusnës, Kukës. Arsimimin e kishte kryer në Medresenë “Darulhilafetulaliyye” në Turqi dhe detyrën e drejtorit e kishte kryer në periudhën e pushtimit gjerman në moshën 41 vjeçare, nga 10.1.1944 deri më 24.11.1944 (10 muaj e 13 ditë). Ka kryer detyra të tjera: kryemësues, sekretar/shkrues gjyqi, prefekt, publicist, studiues, letrar, gjuhëtar (leksikolog, etimolog,
komentar, dialektolog, gramatolog) e toponomast. Njohës i gjuhëve të huaja: turqisht, gjermanisht, serbisht. Ai u burgos dhe internua nga regjimi mbretëror, emigroi në fund të vitit 1944, u cilësua armik nga ish rregjimi, si dhe ka ndërruar jetë më 12 dhjetor 1988, në Turqi.
18.Namik Xhafa është i vitlindjes 1904 në katudin Karbunarë të Vlorës, si dhe ka kryer arsimimin bazë në vendlindje si dhe arsimimin e mesëm në qytetin e Vlorës. Detyrën e ka kryer në moshën 40 vjeçare dhe ka qëndruar në detyrë nga data 29.11.1944 deri më 20.3.1947 (dy vjet e gjysmë). Ka kryer gjithashtu detyra të tjera: prokuror, nënkryetar i
Komitetit Ekzekutiv në disa rrethe, deputet, drejtor i Bankës Kombëtare në Vlorë. Ishte njohës i gjuhës italiane. Ka qenë vlerësuar si veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për kontribut të shquar në formacionet partizane gjatë LANÇ-it dhe deri sa doli në pension ka qenë i nderuar nga regjimi i shkuar. Ka ndërruar jetë në vitin 1980, në Vlorë.
19.Lako Polena (Devolli), i vitlindjes 1915 në Polenë, Korçë. Ka kryer arsimimin bazë dhe më vonë edh edisa kurse ushtarake. Ka kryer detyrën e drejtorit të Policisë në periudhën 24.3.1947 deri më 2.2.1948 (10 muaj e tetë ditë). Ka qenë në moshën 33 vjeçare në kohën e kryerjes së detyrës sikurse ka bërë edhe detyra të tjera si, oficer pyetës, detyra të ndryshme në administratën shtetërore deri në postin kryetar i Komitetit Ekzekutiv, si dhe është vlerësuar si veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, për kontribut të shquar në formacionet partizane gjatë LANÇ-it dhe deri sa doli në pension ka qenë i nderuar nga regjimi i shkuar. Ka ndërruar jetë në vitin 1995, në Korçë.
20.Sali Ormëni ka lindur më 10 janar 1914 në fshatin Tragjas të rrethit të Vlorë. Karsimimi i tioj ka filluar me atë bazë fillestar dhe më vonë edhe në kryerjen e disa kurseve ushtarakë për radiotelegrafist të nënoficerëve të xhenios dhe të tjera trajnime. Detyrën e drejtorit të policisë e ka kryer në moshën 34 vjeçare nga data 16.2.1948 deri më 2.3.1951, (3 vjet e 14 ditë). Gjithashtu ka kryer edhe detyra të tjera si komandant e komisar i çetës partizane, komandant brigade partizane, zëvendëskomandant i Divizionit të Mbrojtjes Popullit, delegat në konferencën e Paqes në Paris në gusht 1946, ka qenë drejtor i Policisë së Qarkut Tiranë, deputet i Kuvendit Popullor, njohës i gjuhës italisht. Ka përfunduar jetën në kushte misterioze me vetëvrasje në kushtet e tronditjes psikologjike pas kundërshtive e debateve me kryeministrin e ministrin e Brendshëm, më 23.2.1951, në Elbasan.
21.Maqo Çomo lindur më 14 mars 1922 në Hoçisht, Bilisht, Devoll të Korçës. Ka kryer arsimimin bazë si dhe disa kurse ushtarake e politike. Detyrën e drejtorit e ka kryer në moshën 29 vjeçare nga muaji mars 1951 deri në mars 1952; ka kryer gjithashtu edhe detyra të tjera si, komisar kompanie partizane, zëvendëskomisar batalioni partizan, komisar Brigade, komisar i Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, ministër i Kontrollit të Shtetit, zëvendësministër i Grumbullimeve, ministër i Bujqësisë, deputet i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë. Ka qenë njohës i gjuhës italiane. Ka qenë i ndëshkuar politikisht duke u lëruar nga postet, internim dhe dënim me burgim. Ka ndërruar jetë më 23.1.1998, në Tiranë.
22.Delo Balili ka lindur më 15 maj 1917 në fshatin Tërbaç, Vlorë. Ka kryer arsimimin bazë, Institutin pedagogjik, disa kurse ushtarake, Akademinë ushtarake në Bashkimin Sovjetik në Moskë, Shkollën e Partisë “Lenin” në Tiranë. Në moshë 35 vjeçare ka qenë drejtor i Policisë nga marsi 1952 deri në muajin maj 1956 (4 vjet e dy muaj). Gjatë LANÇ-it ka qenë komandant çete partizane, komisar çete, komandant batalioni partizan, komisar Brigade, shef i shtabit të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, deputet i Kuvendit Popullor, ambasador në disa vende si dhe njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të huaja si italisht, rusisht e frëngjisht. Gjatë pushtimit fashist ka qenë i arrestuar dhe dënuar nga pushtuesit. Më tej fatin e tij e lidhi me lëvizjen partizane në Shqipëri. Ka qenë i nderuar e vlerësuar nga sistemi komunist, të cilit i shërbeu me devotshmëri, vdiq më 1998, në Tiranë.
23.Xhule Çiraku ka qenë i datëlindjes 10 maj 1916 dhe kishte lindur në fshatin më thellë malor të Vlorës, në fshatin Vermik. Pas luftës ka kryer Akademinë Ushtarake “V.I.Lenin”, në në Moskë. Ka kryer detyrën në moshën 40 vjeçare nga data 1.5.1956 deri më 15.2.1968 (11 vjet e 10 muaj). Gjatë LANÇ-it ka qenë komisar kompanie partizane, komisar batalioni partizan, komisar Brigade sulmuese, komisar divizioni, zëvendësministër i Brendshëm. Ka qenë njohës i gjuhëve të huaja: italisht, rusisht. Ka qenë i arrestuar nga regjimi fashist, dhe është vlerësuar e nderuar si pjesëmarrës i formacioneve partizane. Ka ndërruar jetë më 6.9.1996, në Tiranë.
24.Kasëm Servet Kaso (Kaçi) ishte lindur më 16.6.1927, në Gjirokastër. Ka kryer arsimimin bazë, Institutin Juridik, Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike, në Universitetin
Shtetëror të Tiranës, shkollë Ushtarake Frunxe në Bashkimin Sovjetik.Ka kryer detyrën e drejtorit të Policisë në moshën 41 vjeçare nga 16.2.1968 deri në janar 1980; gusht 1982-31.12.1984 (18 vjet), ka publikuar disa libra për Policinë Popullore. Ishte njohës shumë i mirë i gjuhëve të huaja italisht, rusisht dhe anglisht. Ka qenë i nderuar e vlerësuar për detyrat që ka kryer. Në demokraci ka jetuar në SHBA.
25.Agron Vasil Tafa ishte lindur më 26 maj 1942 në qytetin e Elbasan. Arsimimin bazë e mori në vendlindje dhe më tej kreu shkollën e Ministrisë së Brendshme, Shkollën e Partisë “Lenin”, në Tiranë. Ka kryer detyrën e drejtorit të policisë në moshën 38 vjeçare nga janari 1980 deri më gusht 1982 (2 vjet). Ka kryer gjithashtu detyra të tjera si, anëtar i Komitetit Qendror, zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Ka qenë liruar nga detyra për shkak të disa personave që u arratisen jashtë vendit në zonën e Hanit të Hotit dhe një anieje nga Durrësi. Ka jetuar në qytetin e Durrësit.
26.Dilaver Bengasi i datëlindjes 5 qershor 1944 në Gramsh. Ka kryer arsimimin bazë dhe më tej edhe Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike, Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në moshën 43 vjeçare ka kryer detyrën e drejtorit të Policisë nga data 1.1.1987 deri më 17.7.1990 (4 vjet e shtatë muaj). Ka kryer detyra të tjera si arsimtar, kryetar i Hetuesisë së rrethit Tiranë, kryetarit të Policisë Financiare në Tiranë, avokat dhe është njohës i gjuhëve të huaja rusisht dhe gjermanisht.
27.Fadil Cani ka lindur më 7 janar 1951, në fshatin Varfaj, Delvinë. Pas arsimimit bazë ka kryer studimet e larta në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Polici”, ndërkohë që ka kryer detyrën e drejtorit të Policisë shqiptare në moshën 39 vjeçare nga 17.7.1990 deri më 1.5.1992 (1 vit e 9 muaj). Ka kryer detyra të tjera si Zëvendësministër i Rendit Publik, Drejtor i Policisë Tatimore në Tiranë si dhe njeh gjuhën italiane. Është nxjerrë në reformë në bazë të reformës policore bazuar në nenin 24/1, si dhe ka emigruar pas vitit 1992, i rrezikuar nga regjimi demokratik i kohës, por u rikthye në Shqipëri pas viti 1997, u rikthye në Polici, por përsëri u nxor në reformë, jeton aktualisht në Tiranë.
28.Astrit Mehaj ka lindur më 5 mars 1955 në Rubjekë të Durrësit, ka përfunduar Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në degën “Polici”. Në moshën 37 vjeçare ka qenë drejtor i Policisë nga data 1.5.1992 deri më 22.6.1993 (1 vit e dy muaj); ka kryer edhe detyra të tjera si Zëvendësministër i Rendit Publik. Është njohës i gjuhëve të huaja anglisht dhe italisht.Lirimi nga detyra ka qenë sepse ka kryer detyra që kanë sjellë dënimin e shumë shtetasve në ish rregjimin dhe për këtë edhe u bë çgradimi i tij duke u emëruar shef i mbrojtjes nga zjarri në Tiranë, u lirua nga detyra edhe në kohën e qeverisjes pasardhëse, ndërkohë që ka ndërruar jetë më 17.12.2011, në Tiranë.
29.Sabri Jacaj është lindur më 20 korrik 1962 në Shkodër. Ka kryer Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Polici” si edhe Fakultetin Juridik. Në moshën 31 vjeçare ka kryer detyrën e drejtorit të policisë nga data 22.6.1993 deri më 15.6.1995. Ka qenë edhe me detyrën e zëvendësministër i Rendit Publik, ndihmës i sekretarit të shtetit për rendin publik. Është njohës i gjuhëve italisht dhe anglisht. Ka qenë i liruar nga politika dhe i është hequr grada e gjeneralit, ka qenë shumë vite i papunë dhe më vonë edhe është rikthyer sërish në punë pas reformimin strukturor të Policisë.
30.Agim Shehu është lindur më 9 maj 1951 në fshatin Vasije, Sllovë të Dibrës. Ka kryer studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”; në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Kufi”; ka mbrojtur gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” në fushën e mbrojtjes. Në moshën 44 vjeçare ka qenë drejtor nga data 15.6.1995 deri më datën 30.6.1997 (2 vjet e 15 ditë). Ka kryer edhe detyrën e Zëvendësministrit të Rendit Publik, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Tatim-Taksave etj; është njohës i gjuhëve të huaja serbokroatisht dhe rusisht. U largua nga posti më 30.6.1997, dhe shkoi për rreth tetë vite në emigracion, por njëherazi ka qenë edhe në kërkim, me akuza, që në fakt nga qeveritë që erdhën më mbrapa dhe gjykatave, përfitoi me vendim gjykate të gjithë vleftën e pagave të funksionit që kishte mbajtur për kohën që ka qenë në emigracion.
31.Sokol Baraj ka lindur më 5 gusht 1963, Tiranë. Ka kryer Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Sigurim”; Fakultetin Juridik në Universitetin e Tiranës Koha e qëndrimit në detyrë si drejtor i Policisë ka qenë në moshën 34 vjeçare nga data 3.7.1997 deri më datën 16.5.1998 (10 muaj e gjysmë). Ka kryer detyra të tjera si: zëvendësministër i Rendit Publik, këshilltar i Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare; këshilltar pranë delegacionit kosovar në takimin e Rambujesë, në Francë; këshilltar i ministrit të Brendshëm; drejtor i Përgjithshëm në SHIK. Njohës shumë i mirë i gjuhëve anglisht dhe italisht. Është nxjerrë në reformë me nenin 24/1; por kaloi në detyra të tjera me ulje, deri pedagog në Shkollën e Policisë. Më tej punoi edhe si jurist në një kompani private. Është ndarë nga jeta më 11 Mars 2017. Pas vdekjes i është akorduar dekorata e artë e shqiponjës.
32.Besnik Bregu ka lindur më 29 mars 1955, në Kavajë. Në vendlindje kreu arsimimin bazë ndërsa më vonë dhe Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Polici”. Në moshën 43 vjeçare ka kryer detyrën e drejtorit të Policisë nga 16.5.1998 deri më 4.9.1998, për 3 muaj dhe 18 ditë, dhe ka kryer edhe detyra të tjera në funksione shtetërore si, oficer në grupin e shoqërimit të Presidentit; këshilltar për Policinë i ministrit të Brendshëm. Njeh gjuhët e huaja italisht dhe rusisht. Bazuar në nenin 24/1 ka dalë në reformë, në shtator 1998 u dorëhoq nga detyra, dhe më 2007 u nxor në reformë nga policimi.
33.Hasan Ahmetaj është lindur më 15 korrik 1957 në fshatin Mashkullorë të rrethit Gjirokastër. Ka kryer arsimimin bazë në vendlindje dhe më tej ka përfunduar Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Kufi”. Në moshën 41 vjeçare ka kryer detyrën e drejtorit të policisë mga data 4.9.1998 deri më datën 9.11.1998 (2 muaj e pesë ditë). Ka kryer gjithashtu detyra të tjera si oficer në grupin e shoqërimit të kryeministrit; drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve. Njeh gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, pak greqisht. Ka dalë në reformë policore në zbatim të nenit 24/1, për shkak të ngjarjeve të vrasjes së një deputeti shqiptar, si dhe ka punuar në sektorët e sigurisë në sektorin privat.
34.Veton Gjoliku është lindur më 12 qershor 1964, në Tiranë. Ka kryer studimet në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Sigurim”, në Fakulteti Juridik, “master” në Administrim Publik. Detyrën e drejtorit e ka kryer në moshën 34 vjeçare, nga data 9.11.1998 deri më datën 20.1.1999 (2 muaj e 11 ditë). Ka kryer detyra të tjera, si pedagog në një universitet privat, njeh gjuhët anglisht dhe italisht. Ka dalë në reformë bazuar në nenin 24/1, por u rikthye në polici më 1997, u dorëhoq për papajtueshmëri me eprorët, dhe më tej emigroi jashtë vendit për dhjetë vite në SHBA.
35.Veli Myftari është lindur më 25 dhjetor 1952, në Peqin. Ka kryer Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”; Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Polici” dhe ka qenë drejtor policie nga 20.1.1999 deri më 22.11.2000 (një vit e dhjetë muaj e gjysmë). Detyrën e drejtorit e ka kryer në moshën 47 vjeçare, si dhe ka kryer edhe detyra të tjera si aktivitet privat (SHRSF) deri kur u rikthye sërish në Polici. Zotëron gjuhët e huaja rusisht, frëngjisht, anglisht, italisht. Aktualisht është me detyra shoqërore si Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit të veteranëve të Popullit Shqiptar.
36.Bilbil Shefqet Mema ka lindur më 15.2.1959 në Cakran të Fierit. Ka kryer Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”; Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Polici”. Ka qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së shtetit nga 23.11.2000 deri më 19.8.2002 (një vit e nëntë muaj e 19 ditë), në moshën 41 vjeçare. Ka kryer gjithashtu dhe detyra të tjera si aktivitet privat në fushën e sigurisë; drejtor i bordit të një shoqate të sigurisë publike; mban titullin “Ambasador i Paqes”. Njeh shumë mirë gjuhët anglisht dhe rusisht. Në vitet 2015 deri më 18 Maj 2022 ka qenë Rektor/Drejtor i Akademisë së Sigurisë, ndërsa aktualisht është këshilltar i Drejtorit të Policisë së Shtetit. Mban gradën doktor i shkencave dhetitullin akademik “Prof. Asoc”, që prej vitit 2022.
37.Bajram Ymer Ibraj është lindur më 28.3.1964 në Shëngjin të Lezhës. Ka kryer Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Polici”; Fakultetin e Drejtësisë; ka fituar licencën e avokatit; ka mbrojtur doktoraturën për shkenca politike dhe ndërkombëtare. Në detyrë ka qëndruar nga 12.9.2002 deri më 30.3.2007 (4 vjet e gjysmë e 19 ditë) në moshën 38 vjeçare në këtë detyrë. Ka kryer gjithashtu detyra të tjera si shef i Sektorit të Masave të Sigurimit në Bankën e Kursimeve në Shkodër; “i plotfuqishëm i ministrit të Rendit Publik në Drejtorinë e Policisë së Prefekturës së Kukësit” në periudhën e emergjencës kosovare (1999); “këshilltar i Sigurisë Kombëtare”, i kryeministrit; drejtorit të DSIK; “drejtor” i Departamentit të Sigurisë, në Bankën Amerikane të Shqipërisë, “Intesa Sanpaolo Bank Albania”; mban titullin “Ambasador i Paqes”. Është njohës shumë i mirë i anglishtes. Ka pasur vlerësime të larta për kryerjen e misionit të Policisë. Aktualisht mban titullin akademik “Profesor”.
38.Ahmet Prençi ka lindur më 25.4.1968 në Dibër. Ka kryer Universitetin Bujqësor, në Kamzë; Fakultetin e Drejtësisë; ka fituar licencën e avokatit; Koha e qëndrimit në detyrë: 30.3.2007 deri më 28.10.2009 (2 vjet e gjysmë e 28 ditë). Detyrën e lartë të drejtorit e ka kryer në moshën 39 vjeçare si dhe ka kryer edhe detyra të tjera si inspektor në ILKDP etj.
39.Hysni Burgaj ka lindur më 16.4.1960, në Shkodër. Ka përfunduar Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Kufi”, në Sauk. Koha e qëndrimit në detyrë nga data 28.10.2009 deri më tetor 2013. Ka qenë në moshën 49 vjeçare kur ka kryer detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
40.Artan Didi ka lindur më 27.9.1963 në Tiranë. Ka kryer Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” 1982-1986; më tej edhe Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitet 1991-1996; ka kryer detyrën nga Tetori 2013-tës deri në Prill 2015; ka qenë gjithashtu në karrierën e tij në Polici edhe si komandant i RENEA-s.
41.Haki Çako ka lindur më 4 Prill 1967 në qytetin e Lushnjës, ka kryer arsimimin tetëvjeçar e të mesëm dhe më tej ka ndjekur me sukses studimet në “Shkollën e Policisë” në Tiranë në vitet 1986-1988, si dhe Akademinë e Rendit Publik në vitet 1991-1996 në Tiranë. Ka kryer detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së shtetit. Ka kryer detyra të tjera si shef i Policisë kriminale në Komisarjatin e Kuçovës, më tej në Tiranë, në sektorin kundër akteve terroriste, specialist kundër drogave të forta, Shef Komisarjati në Vlorë, Specialist antiterrorit në Elbasan. Pas katër vitesh në aktivitet privat, më 2010 rikthehet në ploici më sektorin e parandalimit të krimit, shef i sektorit kundër trafiqeve, më tej në drjtor i qarkut Gjirokastër. Në moshën 47 vjeçare, më 31.3.2014 komandohet drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Më tej emërohetnga 1.4.2015 deri më 8.1.2018, drejtor. Zotëron gjuhën angleze. Pas përfundimit të mandatit si drejtor më 2019 emërohet Drejtor i AKMC-së, ku vijon aktualisht.
42.Ardi Veliu ka lindur më 2 mars 1972 në qytetin e Delvinës. Nga viti 1987 deri 1991, ka ndjekur studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Në 1991-1993 kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, Tiranë. Nga 1993 deri më 1994 kryen studimet në Akademinë e Policisë,Tiranë. Ka ndjekur studimet në Akademinë e Policisë në Ankara dhe në vitin 1998 diplomohet “Oficer Policie”. Është diplomuar dhe në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, më 2004. Në 2011 ka përfunduar studimet “Bachelor” në Fakultetin e Drejtësisë. Formimi i tij akademik, plotësohet përgjatë karrierës së tij, nga kurset e trajnimit në SHBA, Poloni, Itali, Hungari, Akademinë e Sigurisë, Tiranë, të organizuara nga PAMECA dhe ICITAP; ka përfunduar kursin 8 javor të FBI-së anë qendrën ILEA, Budapest. Ka ndjekur program Exhange ndërmjet Policive, në Kolegjin e Policisë Europiane (CEPOL), Hungari. Ka kryer detyrën e Drejtorit të Policisë së shtetit nga data 5.2.2018 deri më 6.10. 2021. Ka kryer detyra profesionale si: Komandant i “Postës së Policisë”, Shefi i Policisë së Rendit, Shefi i Sektorit të “Policisë me Uniformë”, Shefi i Sektorit të Shërbimeve të Përgjithshme me Uniformë në DVP, Shefi i Sektorit të Rendit, Shefi i Zyrës së Policisë së Rendit, Shefi i Sektorit të Rendit dhe Sigurisë Publike, Specialist i Kontrollit të Shërbimeve, Shef i Sektorit të Rendit dhe Sigurisë Publike, Shef i Komisariatit të Policisë, Durrës; Zv/drejtor për Sigurinë, Drejtoria e Policisë, Drejtor i Shkollës Bazë në Akademinë e Sigurisë, Drejtor i Policisë Rrugore në DPSH; Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Me VKM Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me gradën “Drejtues Madhor”, për 4 vite. Është njohës shumë i mirë i gjuhës angleze dhe turke.
43.Gledis Agron Nano ka lindur në Shkodër, në vitin 26.8.1981, me origjinë nga Skrapari. Diplomuar në Akademinë e Policisë, më 2002, si “Specialist i Lartë i Policisë” Më 2002 ka filluar karrierën policore në Seksionin e Policisë Kriminale në Policinë e Korçës; më tejka qenë me detyra të ndryshme duke punuar në funksione të ndryshme në qytetet e Tiranës, të Vlorës dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në Drejtorinë e Antiterrorit. Prej vitit 2016 deri më 6.10.2021, ka shërbyer në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Antiterrorit, duke mbajtur gradën policore “Drejtues i Parë”. Ka kualifikime profesionale siç janë kursi i Sesionit të 268-të, në Akademinë Kombëtare të FBI-së, Quantico, Virginia, Ëashington DC, SHBA. Është vlerësuar me Medaljen e Artë “Për rezultate të shkëlqyera në ndjekjen e studimeve në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit” Budapest, Hungari; ka përfunduar “Programi i Drejtuesve në Studimet e Avancuara të Sigurisë (LPASS)”, Programin mbi studimet e Terrorizmit dhe Sigurisë (PTSS)” në qendrën për Studimet e Sigurisë “George C. Marshall ”, Garmisch Partenkirchen, Gjermani. Ka merituar vlerësimet më të larta në institucionet shqiptare, përfaqësitë diplomatike në Shqipëri, institucione arsimore jashtë vendit, siç janë: “Medalja e Nderit”, “Medalja për Trimëri”. Njohës i mirë i gjuhës angleze, italiane e turke. Detyrën e Drejtort të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me gradën “Drejtues Madhor”, e ka kryer në moshën 40 vjeçare, nga 6.10.2021 deri më 29.8.2022, pasi dha dorëheqjen. Edhe babai i tij ka qenë oficer i lartë i policisë së shtetit.
44.Drejtues Madhor Muhamet Liman Rrumbullaku ka lindur më 1.2.1966, në Krrabë të Tiranës. Ka përfunduar studimet dhe është diplomuar “Specialist i Lartë Policie”, në vitin 1988, në Shkollën e MPB-së, Akademia e Sigurisë; diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe ka marrë titullin jurist më 2010, ka kryer Master Profesional në vitin 2011. Ka kualifikime e trajnime të shumta si kursin për Zhvillimin e Menaxhimit dhe Udhëheqjes për Drejtuesit e Lartë të Policisë, seminarin mbi Parandalimin e Krimit në DPQ Tiranë, kursin për Menaxhim dhe Planifikim të Mbikëqyrjes nga Programi ICITAP, kursin e trajnimit për Antiterrorin, në SHBA dhe në Budapest, kursin Bazë për Hetimin e Narkotikëve, kurs Trajnimi në New Mexico, trajnim mbi aftësimin e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë zgjedhjeve, trajnimin mbi rolin e Policisë në zbatimin e legjislacionit, kursin e trajnimit mbi Policimin në Komunitet, trajnimin mbi aftësitë e Punonjësit të Policisë gjatë zgjedhjeve, kurs trajnimi për Menaxhimin e Lartë Policor, në International Law Enforcment Academy (ILEA), në Budapest, Hungari. Në karrierën Profesionale ka kryer 30 funksione në Policinë e Shtetit nga detyra e Komandantit të Togës, në Repartin Nr. 301, të DPB Burrel deri në detyrën aktuale të Drejtoritë të Përgjithshëm të Policisë së shtetit nga data 7.9.2022. Në karrierën e tij të pasur profesionale, ka spikatur si drejtues i përkushtuar e serioz, profesional, me integritet i vendosur në kryerjen e detyrave.
Lidershipi policor shqiptar është trajtuar nga autorë të ndryshëm në forma nga më të larmishmet, që janë përmbledhur me referenca të plota tek të dhëna nga libri H. Lushaku “Drejtorët e përgjithshëm të policisë shqiptare, 1913-2013”, nga fondet arkivore të DP të AQSH, AQFA-së, AMPB-së, libri Z. Golemi “Forcat e Armatosura në fokus arkivor”, viti 2009, “Të dhëna përmbledhëse mbi Kryetarët e shtetit, Presidentë, Mbret, Princ, Kryeministra, Ministrat e Mbrojtjes, Shefat e Shtabit të Përgjithëshëm, Ministrat e Brendshëm, Drejtorët e Policisë së Shtetit, në Shqipëri nga 28.11.1912 e në vijim”, periodiku i Revistës “Policia Popullore”, periodiku i revista “Policia sot”, periodiku i revista “Kriminaliteti, rendi dhe policimi”, periodiku i Gazeta “Albapol”, gazeta “Ushtria”, Revista “Mbrojtja”, rveista teoriko-shkencore “Policimi dhe Siguria”, Dy rregjistrat e mëdhenj të personaliteteve ushtarake, xhandarmërisë dhe policimit të AQSH-së, Kartelat e ushtarakëve/ xhandarëve/policisë etj të kohës së Republikës së parë dhe mbretërisë ne AQSH, H. Lushaku, Rrugëtimi i policisë shqiptare 1912-1945, Shb “Universiteti Kristal”, 2012; Fjalor Enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, publikime të tjera enciklopedike, etj.