Shaban Murati: Mendja e bukur e Xhulia Kurtit
Njeriu i vitit 2022 duhet të jetë model arritjeje, nxitjeje, pasioni dhe talenti. Ndaj zgjedhja ime për njeriun e Vitit 2022 i takon studentes 21 vjeçare nga Durrësi, Xhulia Kurti, që kapi një sukses botëror, duke qenë ende studente e shkencave kompjuterike në Unversitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Një e re shqiptare, “mendje e bukur” e shkencës informatike, e cila në konkursin botëror të shpikjeve kompjuterike “IAA Mobilitython” të zhvilluar në Gjermani nën kujdesin e Ministrisë Gjermane të Teknologjisë dhe të Infrastrukturës, ku në fazën finale ishin përzgjedhur 26 konkurues nga e gjithë bota, Xhulia Kurti zuri vendin e dytë në botë me shpikjen e saj të aplikacionit të transmetimit të informacioneve pa WiFi.
Vendi i dytë në botë në fushën e informatikës aq shumë të zhvilluar dhe ku konkurenca është e pashoqe dhe e papërballueshme, duhet konsideruar një sukses i madh kombëtar për mendjen e bukur Kurti, por edhe për gjithë shqiptarët, që denjësisht barazohen me botën dhe përfaqësohen në një fushë kaq të avancuar të shkencës dhe të teknologjisë.
Shpikja informatike e studentes së talentuar shqiptare, që fitoi çmimin e dytë në një konkurs botëror të shpikjeve kompjuterike, tërhoqi vëmendjen e njerit nga njerëzit më të fuqishëm të planetit dhe shpikës i “Mikrosoftit”, Bill Gates, i cili i bëri një suprizë shpikëses së talentuar shqiptare duke i dhuruar me dedikim librin e tij ende të pa dalë në treg dhe me një mesazh përgëzimi për suksesin e merituar.
Bill Gates thekson në mesazhin e tij se Xhulia Kurti është shqiptarja e parë që e merr librin e tij me dedikim nga ai.
Unë nuk kam informacion nëse qeveria dhe institucionet shtetërore e kanë vlerësuar siç duhet dhe nëse i kanë krijuar mendjes së bukur shqiptare kushtet e duhura për punë dhe për kërkime të mëtejshme. Di të them që Xhulia Kurti meriton nderim, përkujdesje dhe vlerësim të veçantë nga qeveria dhe shteti dhe një vend nderi në podiumin e sukseseve shqiptare.
Në 4 dhjetor 2022 Xhulia Kurti mori çmimin e parë në “Smart Cities Program”. Dhe në 2022 ajo krijoi edhe kompaninë e saj teknologjike me emërin “Decimal”.
E reja Xhulia Kurti, e famshme dhe modeste, shfaqet si model suksesi dhe nxitjeje në një kohë më të nevojshme se kurrë për rininë dhe për shoqërinë shqiptare:
1-Mendja e bukur Xhulia Kurti jep modelin e duhur dhe të kërkuar nga një shoqëri në stanjacion, ku janë bjerrur idealet dhe ku shumica e të rijve dhe të rejave e kanë vështrimin te gomonet apo te linjat ajrore për ta braktisur sa më parë vendin për të gjetur veten jashtë kufijve.
Xhulia Kurti me arritjet dhe punën e saj fton bashkëmoshatarët ta gjejnë veten në Shqipëri dhe të zbulojnë te vetvetja mundësitë që të konkurojnë me homologët e tyre europianë apo ndërkombëtarë në të gjitha fushat, përfshirë edhe shkencat kompjuterike.
2.Mendja e bukur Xhulia Kurti jep modelin e saj të ndritur përballë modelit fals të shkëlqimit të rremë dhe të Sodomës dhe Gomorras , që ofrojnë përnatë ekranet televizive, duke injektuar helmin e zvetënimit dhe të degradimit për rininë shqiptare.
Figura e Xhulia Kurtit ngjall optimizmin për të ardhmen e rinisë dhe të shoqërisë shqiptare. Ndaj mendja e bukur Xhulia Kurti meriton të shpallet njeriu i vitit 2022.