Albspirit

Media/News/Publishing

Ilmi Kasemi Beati: NANA TEREZE SHENJTORE, JO GUNGSJA BEFAN

(Statuja është në argjil, e fotografuar sot, gati në përfundim për t’u derdhur në allçi dhe është në dimensionet 120 X 60 X 60 cm).
Tre herë e kam bërë.
E para ishte, sepse tani nuk është më, konceptuar në një minimalizëm formal dhe u bë diku në vitin 1995.
Qe një “kolonë” cilindrike në bronz, që zhvillohej e zgjerohej në pjesën e sipërme, duke u finalizuar me portretin realist. Mbaj mend që doja të krijoja një formë simbiotike të Nanës Terezë dhe shpendit pëllumb. Natyrisht nuk mungonin vijat tipike të veshjes së saj.
Kaluan vite edhe pse ishte kuruar formalisht, nuk po më tërhiqte siç ndodhi në kohën kur u bë, të ashtuquajturën epokë e “lirisë mendore e demokracisë estetike”.
Më dukej vetja që nuk paskësha qenë në vete, sepse kuptova më pas, kur erdha në vete, se nuk ishte problemi i integrimit në artin modern, por i integritetit vetiak në raport me integrimin konceptual universal.
Nëse do të vazhdoja të gjeja strehën e përshtatjes me modën formale të përshtatjes me formulën “në tre volume dy jo një po”, do katandisesha në një skulptor dizajni e më tej prodhues formash aerodinamike ex nihillo dhe një krijues dekoresh urbane.
Fundi do ishte “pare pa hesap”.
Por edhe fundi i kësaj “skulpture” ishte “thyerja”.
Ruajta vetëm portretin, ndërsa pjesa tjetër e “trupit të saj si pëllumb”, u nda në dy pjesë dhe u saldua në statujën e Fishtës, në një nga palat e zhgunit që ju vendos pasi kishte neojë për një shtesë të ripunuar në bronz.
E dyta u bë në Itali, në vitin 2000, në të njëjtin dimension, 80 cm., por tashmë në konceptin e pasqyrimit të realitetit total formal trupor, të veshjes dhe fizionomisë.
E derdha në bronz në Vicenza dhe ia dhashë kritikut brescian G. Valzelli, të cilit i detyrohesha për shkrimin që ai bëri në katalogun e ekspozitës “Ritirato di familia”.
Kur shkova për një kafe në shtëpinë e tij, që ndodhej tek “Castello”, më tha se “Madre Terezën ia dhurova kishës këtu pranë dhe më tej prifti i kësaj kishe, miku i tij, e kishte dhuruar po në një kishë tjetër, por në Sudan”.
Kopjen në allçi e solla në Tiranë, në një konkurs që u bë në Galerinë e Artit, po që nuk fitoi.
Më mirë që nuk fitoi.
E treta është kjo që bëra këtë javë, saktësisht këto gjashtë ditë dhe nesër në “të shtatat” do bëj edhe unë pushim.
Të dielën në mbrëmje, mata me gjatësinë e celularit një karton të presuar, që ishte në një kornizë druri, si suport vizatimi a pikturë, por pa gjë.
Duke e matur thashë; përse të vizatoj në letër, kur edhe kartoni i presuar është një “carta dura” dhe mban jo vetëm laps e ngjyrë, por edhe gomë e zumpare. E mora me vete në shtëpi dhe vizitova Nanën Terezë në moshën më vitale, më të frymëzuar e më ngadhnjyese të saj.
Në vend të një fëmije apo një të rrituri të vobektë e të sëmurë, në prehrin e saj vendosa një kryq me Krishtin.
U bë një “Pieta”, por jo një nënë që mban birin e zbritur nga kryqi, por një nënë që mban birin ende të gozhduar në kryq.
Ky ishte frymëzimi dhe mesazhi humanist i saj.
Në këtë statujë devijova nga përfytyrimet standarte, nga rifotografizimi i nënës plakë dhe me kurriz të dalë.
Ajo vërtet erdhi plak në vendin e origjinës, por vepra e artit nuk duhet të ndjek as fotografitë as televizionet, as fundin e kronikës, që më së shumti i japin hov emocional fizikut të saj, shtatit të vogël, duke e shndërruar në një “Bruta Befanë” Epifanie, së cilës i mungon vetëm bishti me gjithë fshesë në dorë.
Një mikut tim para se ta nisja i thashë me humor se: Nuk duhen bërë më skulptura, por vepra arti.
Proporcionet fizike të kësaj figure nuk janë ato realet.
Ngjajshmërizmat sipërfaqësore, kostumet e gjestualitetet veriste, nuk kanë vend parësor, ato i duhen kronikës, por nuk i duhen veprës së artit, aq më shumë një figure monumentale si Nanë Tereza.
Gjatë punës mendja më shkonte çdo ditë në Sheshin “Nënë Tereza” që ka mbetur “jetim”.
Në qendër të tij, statuja në bronz në përmasa jo të zakonta e të kursyera nga “shtati” i vërtet i saj dhe në hyrje në njërin nga podiumet gjithashtu “jetim”, si fillim mund të vendoset një Shën Gjergj dhe me radhë gjithë statujat e papëve me origjinë shqiptare.
Kjo statujë mund të rri në kishë, por jo në rrotonda, në parqe e as në kthina e rrëza sheshesh minore.
Perëndia më ruajtë mend e kokës e më dhënt fuqi mua dhe mend atyre që shtrojnë sheshet me bojna e dekore të personalizuara nga ato të “qilimave persianë”.
Tironë. 14.1.2023.
Please follow and like us: