Fatbardh Rustemi: Poezia e Ilirjan Zhupës, provë rezistence përballë rrjedhës së kohës
Në kohën e bunkerëve, “kulla e fildisht”, shihej si vend heretikësh, vetëm se kurajozët eksperimentonin në laboratorin e tyre krijues, ndërkohë që nxitej novatorizmi dhe predikoheshin “shtigjet e reja”. (“Nëse shtegu përpara jush është i shtruar, me shumë mundësi je në rrugën e tjetrit”, shkruan psikologu Junk. Ka shumë poetë, që ecin në rrugën e tjetrit duke kujtuar se e kanë hapur vetë. Ilirian Zhupa bën kujdes, që, të mos ia njoh vetes: rrugën e shtruar nga të tjerët. Në një poezi kushtuar miqëve, do shkruaj jo pa doza trishtimi: “Të gjithë ecin në udhë të vetë, duke më harruar mua”). Të eksperimentoje në art ishte njësoj si të merreshe me magjira, edhe pse lejoheshin parcela eksperimentale në bujqësi apo i ashtuquajturi “revolucion teknik” me ustallarë. Sa absurde ta mendoje: atdheu yt i izoluar, me kufij të mbyllur hermetikisht dhe ti: akuzoheshe për mbyllje në kullën e firaunit?! Në fakt, “kulla e fildisht”, ishte një alibi për demonizimin e shkrimtarëve dhe artistëve, si me qenë një ndërtim pa leje apo “strofkë e armikut”. “Në stola ulen ata që dashurohen/Mbi stola hipin ata që varen”- shkruan Ilirian Zhupa në librin “Të gjallët dhe të vdekurit”, ardhur nga një kohë, ku flitej për të pavdekshmit. (Në stol u ul poeti Zhupa dhe mbi stol u var Havzi Nelaj.) Në raport me stolin ndaheshin: problematikët dhe konformistët, shpirtërorët dhe të angazhuarit, novatorët dhe anakronikët, i anatemuari dhe i preferuari i regjimit. Edhe tek poezia e dashurisë ndahej: liriku me gaztorin. Ai që puthte me zjarr nga ai që lëpihej përulësisht.
Ilirian Zhupa është një poet mbushur me dilema, ku një kohë nuk i mjafton të çlirohet prej tyre, as dhe një regjim i dytë, ngaqë shpirti i mbetet njësoj i trazuar. “Libri ka moshën e tij, por kjo s`është shumë e rëndësishme”-thotë poeti, që ka njësi të tjera matëse, nga ato: ku të tjerët përligjin veten a priori. Nëse brezat ikin dhe ti mbetesh, si përfaqësues i tyre, afërmendsh je i realizuar kundrejt të kompletuarve, pasi nuk është e lehtë, që përmes teje të njihesh me bashkohësit. Të ndjekim dëshminë e tij shprehur në parathënien e librit “Mos më pyesni ku kam qenë”: “Unë hyj në atë grup poetësh që mbetet i etiketuar si ‘brezi i viteve ’80’, ose siç kanë qejf disa matrikullues të mëvonshëm ta etiketojnë ‘Brezi i fundit i socrealizmit’. Pavarësisht se në atë sistem, unë kam kaluar vetëm 33 vjet, aq sa është koha e kryqëzimit të Krishtit. Ndryshe nga shumë bashkudhëtarë të letrave, unë besoj se jam përpjekur të mbrohem me sa kam mundur nga morsa e metodës socrealiste, ndërkohë që nuk kam dhënë asnjë kontribut në konsolidimin e metodës së re të realizmit demokratik”. Reflekton, duke mos marr protagonizëm letrar, në kohën e re, i bindur, se çka duhej bërë tek e tashmja e ka ushtruar tek e djeshmja, duke tentuar të ardhmen. Ai ndahet me të kaluarën, sikurse i ka hije një poeti. “Në gjyqin e gjatë që i kam bërë në heshtje shoqërisë letrare dhe vetes, mendoj se kur flasim për poezinë, metodat letrare janë ose si bizhutë rrezëllitëse që na rrisin artificialisht shkëlqimin, ose si këpucët e drunjta që na vrasin këmbët e na bëjnë të ecim duke shqepuar”. Nuk ankohet, por as dhe trimërohet me të shkuarën e tij. Tek e fundit: fatin e ka të lidhur me poezinë, e cila: nuk varet nga çfarë autori mendon për të, por sa e aftë është krijimtaria të dalë para gjyqit të historisë, se ‘gjyqi i fundit’ është muhabet tjetër. “Kur vendosa ta ribotoj këtë libër “të socrealizmit” (2016)… një botim totalisht të paprekur, riprodhim të botimit të parë në mënyrë integrale, me pikë e me presje, sikurse është botuar në vitin ’88”. Për librin janë thënë shumë konsiderata, por, Zhupa nuk e shoqëron me citime, sepse në çdo rast përballet me lexuesin e sotëm, me të cilin ndërtohet një urë e re komunikimi, ku stolitë e së shkuarës nuk kanë efekte prapavepruese. Vetëm se është kurjoz të dijë: se sa i ri duket një libër ‘i vjetër’? Kjo është sfida, që i bëhet shekullit të ri, me dëshmitë e së shkuarës, duke mos ia njohur vetes fatin e viktimës. E admiroj këtë përballje. “-Prisni të rritem!-dikur u kam thënë/Barit në oborr dhe maces së larme/Maces së larme dhe pjergullës së madhe/Pjergullës së madhe dhe vajzës së rritur”. Pas shumë vitesh, përballë një bote të përmbysur, edhe vlerash, sikurse ndodh në atdheun tonë, a rrezikon t`i shkojë dëm rritja? “Të rritesha unë ata s’paskan pritur/Bari është tharë dhe macja ka ngordhur/Macja ka ngordhur dhe pjergulla është lodhur/Pjergulla është lodhur dhe vajzat janë thinjur”. I gjendur midis dy kohëve: në atë të diktaturës, ku rritja jote i njihej si meritë dikujt tjetër dhe, në pluralizëm, ku poeti figuron i rritur, mos koha ka ecur më shpejt, ngaqë: bari është tharë, macja ka ngordhur, pjergulla është lodhur dhe vajzat janë thinjur? Duket, sikur i mungojnë motivet për të ecur më tej. Mos po i ndodh si Eseninit, kur shkruan si i dorëzuar para fatit: “Ç`të bësh, atdhe/Këtu arriti puna/Kujtoja se me ty jam shkrirë përgjithnjë/Por, sot, s´u deshka arti im, as unë/Me ç`po shikoj, tani s´u dashkam më”. Nuk e fsheh, që është mbajtur me ‘zahirenë’ e poezive të socializmit, por, përkundër dështimit të sistemit dhe metodës së realizmit socialist, ai ka kurajon të sfidojë kohën, jo si i mbjetuar, por, i tillë që: vjen tek e sotmja, si kontributor i së ardhmes.
Ilirian Zhupa është nga të paktët poet, në mos i vetmi, që, nuk e ofron prezencën e tij me sasinë e të shkruarit, por me lëmimin e poezive, që, me zor të madh i lëshon nga vetja. (Nuk vuan nga mania për t`u dukur, por nga dëshira për të lënë gjurmë. Ja dhe shembulli: “-Mos më prek/-më ka thënë një mështeknë në rrugë/- Kam lëkurë të hollë/prekja jote lë gjurmë”). Ta ndjekim dhe pak rrëfimin e tij, që shoqëron si parathënie librin me poezi: “Gjatë këtij çerek shekulli, libri ka ndenjur në sepete, (Aty ku vajzat mbanin pajën dhe gjyshet reliket e tyre. F.R) duke bërë provën e rezistencës përballë rrjedhës së kohës… Ky libër duhet të ishte botuar në vitin 1992, ose mbase në vitin 1993… Në libër janë futur fare pak poezi të reja”. (Është fjala për librin “Të gjallë dhe të vdekur”. Autori është i bindur që në sepete mbante poezi, të cilat nuk i vjetëron koha. Kjo nuk është e lehtë të ndodh, por, ai guxon). Vetëdija krijuese monitorohet nga një karakter i fortë, ku dobësitë e veta nuk ia faturon kohës, sikurse dhe arritjet nuk ia njeh asaj për nder. “Ditës i rrimë përballë/Më pak të vdekur, më shumë të gjallë/Natës përgjojmë të heshtur/Më pak të gjallë, më shumë të vdekur/Vetëm muzgut që tretet dhe agut/U tregojmë plagët”. Nga sepetja e monizmit për tek vitrinat e pluralizmit, plagët nuk kërkojnë dekorata dhe medalje, por, nëse shërohen: lënë shenjë. Po qe se bën një përllogaritje në kohë të poezive të të dy vëllimeve, ato datojnë thuajse në tërësinë e tyre para vitëve `90-të. Nëse kjo nuk do të shënohej, ti i lexon poezitë si të shkruara sot. Poeti këtë ka synuar: “se sa i ri duket një libër “i vjetër”. Dhe kjo nuk është pak, nëse sjelljet e poetit llogariten, si sfidë me kohën, e cila pas `90-ës, nuk po kursen askënd. Ai krenohet që është rritur në heshtje. “Në fund të historisë”, sikurse dhe Lea Ypi, por, me të tjera përjetime. “Dhe unë tashmë kam një strehë tjetër/Dhe një mijë mënyra për të hyrë në zemër”. Rruga e mëndafshit është më e shkurtër nga rruga për të shkuar në zemrën e tjetrit, akoma dhe më shumë të lexuesit, që sa vjen dhe i largohet artit për të keqen e vetes. “Më thërret një pemë! Një zog i ka rënë nga degët,/Duhet të lë çdo punë dhe të shkoj ta ngre”, duke i marr zogut cicërimën dhe jo fluturimin. Sepse Zhupa nuk është nga ata, që fluturon kollaj. “Shtegun që ende s`e shkela, e gjej tek balli”, që i është bërë rrudhë. Vetëm me poetët mund të ndodh, që, tek e tashmja t`i gjejnë vendet e zëna dhe tek e ardhmja i ndesh në rastin më të parë. Ndryshe s`kish si të dilte një varg brilant si ky: “Të humbasësh tek zgavrat dhe të dalësh tek sythet”. I mësuar të jetojë përmes kontrastit; të gjallë e të vdekur, duke mos i dhënë llogari askujt se ku shkon, tërhequr nga intimitete që humbasin në vallen e dritave, duke mos patur fatin e fluturave, që përcëllohen në to. “Ti je një zjarr që më ngroh, e më thek e më djeg/Sa herë që të shoh e sa herë që të prek/Fëshfërimë e hollë ajri që më flet, e më fton e më zbon/Sa herë fikem shpejt dhe sa herë ndizem vonë”. Pasi jeton gjatë me të kundërtat, do mbes pengu i një dileme, një kurth ndoshta që ia sajon vetes: “Të gjallët janë njerëzit e mi, të vdekurit janë njerëzit e mi/Me kë të shkoj? Po rri pak sa të qetësoj të gjallët”. Pikërisht në kohën, kur duhet të mendosh më shumë për veten, përkushtimi shkon tek të tjerët. Edhe pse një i tillë po i rrallohet të sotmes. Heroi lirik i poezive vjen nga koha e socializmit dhe nuk është e lehtë të matesh me të, pavarësisht nevrisë ndaj ‘heroit pozitiv’ të realizmit socialist.
Nisur nga shumë raste, më është forcuar bindja se perëndia i vë në provë poetët, duke u hedhur së pari sëmundjet, si: deliri, mitomania, megallomania dhe, kush i reziston joshjes së sirenave fiton të drejtën për t`iu drejtuar muzës, sa herë që e ndjen të nevojshme praninë e saj. Në një farë kuptimi përzjedhja e një shpirtërori, sikurse është poeti: bëhet lart. Si të thuash janë punët e qiellit. Ilirian Zhupës nuk i ka munguar mbështetja nga instancat e larta të së shkuarën, por ajo do t`i kthehej në bumerang, nëse ai nuk do të kishte një kuptim të qartë, se nga i buron fuqia poetit. “Pak e nga pak do shkoj atje i pafaj që gjërat nuk i bëra dot mirë”-rrëfehet ai, duke iu drejtuar vetes, duke mos e njohur shfajsimin; jo diktatura, jo realizmi socialist, jo s`më lanë apo ma trëmbën frymëzimin?! Nëse ka ndonjë peng, është i kësaj natyre: “Im atë ka dalë kryejashtë nëpër erë/Pa kapelen e premtuar që s’ia kam blerë”. Një qortim, ku gjithkush prej nesh gjen veten. Pengjet, kur ndodhin, askujt nuk i shkon në mend që, do kushtojnë aq shtrenjtë.
S`ka poet, që nuk tërhiqet nga motivet erotike. Ata kanë bindjen se femrën e parë që zoti zbriti në tokë, i ka takuar së pari atyre. Por, secili ka mënyrën e tij, sikurse dallohet dhe në këto vargje: “Dimër për dimër e vjeshtë për vjeshtë/Të kam kërkuar dhe më ke ikur/Sa herë të gjeja s’di pse kam heshtur/Sa herë më ikje s’di pse kam thirrur/Më shfaqeshe befas, vrapoja te ti/…Dhe gjeja dritëhijen e pemëve në muzg…/Përplaseshim rrugës dhe prapë e paprekshme”. Dashuritë të mbetura si kujtim, ku fati nuk merr përsipër rolin e ndërmjetësit, gjithsesi të shoqërojnë, sikurse delfinët ndjekin anijet. “Shpejtove të rriteshe! Ike dhe u bëre imazh”. Bën kujdes që malli, të mos i kthehet në nostalgji. Nuk i duhen relikat, sikurse rrobat e artistëve të mëdhenj që dalin në ankandë, por dëshiron të shkrihet në qënien e së dashurës, ende pa u kthyer në imazh. Imazhet në dashuritë pa fat, janë si mirazhet në shkretëtirë. “I them se vërtet të kam ndjekur e prapë s’të kam dashur/Gjersa të humba një muzg e s’të thirra më kurrë/Ishe vajzë a hije, fanepsje a ngasje/Apo isha vetë i sëmurë”? Në këtë rast nuk dëshiron të bjerë në grackën e ndjenjave, që nuk premtojnë paqe në shpirt. Shtohen argumentet që provojnë natyrën e tij të matur.
Poetët e bregdetit i kënduan detit. Ata të Myzeqesë fushës. Të Tropojës Valbonës. Lasgushi i vetëm liqenit të Pogradecit. Poetët e Tepelenës, Vjosës. Secili në mënyrën e tij i këndoi natyrës duke ngjallur dashurinë për vendlindjen. Naimi nga Stambolli i përvluar nga malli u këndoi të gjithave: me male e lëndina, duke ngjallur dashurinë për atdheun. Kush ishte larg shihte të tërën, kush ishte afër pjesëzën. Në socializëm i harruan lumenjtë dhe i kënduan dritës. Tek malet po shihnin taracat. Tek fushat bereqetin. Zhupa i kushton Vjosës një poemë, ndërkohë kur fati i saj rrezikohej. I shkroi me ëmbëlsi, kur duhej ruajtur egërsia e lumit. “Të akuzonin ty për shkatërrimin e urave dhe strehëve/Të ngarkonin mbi shpinë gjithë ç’u vidhnin maleve/Kufomat e dashurive, lindjeve, vdekjeve/Meitet e talljeve/E ti përpëliteshe në shtratin tënd nga bregu në breg/E ti bije përmbys, mbi fushat e tua të pakta, gjerë e gjatë/Si në një kllapi të keqe, nga plaga e madhe, e thekshme/Vuaje dhe flisje përçart”. Në poemë ai bashkon mbresat e dikurshme me ato të aktualitetit. Vjosa për të është një i dytë, që e ndjek qysh nga fëmijëria deri në ditët e sotme. I pëlqen të identifikohet me të. Ndoshta dhe prej faktit, që Vjosa mbeti e paprekur prej babëzisë, sikurse dhe poezitë që ai vetë nxori nga sepetja. Në poezinë “Punëtorët e natës” kushtuar atyre të turnit të tretë, mos e harroni: janë poezi të shkruara në socializëm, por, jo nga një socrealist. “Dita e bardhë u lodh dhe ra të flerë”, nis poezia, duke krijuar një kontrast me të pagjumët. (Kish dhe të pagjumë të tjerë, që ua kishin helmuar qetësinë. I pagjumi ka për të qenë përherë një akuzë por regjimin dektatorial, sikurse dhe për tranzicionin e sotëm. Të pagjumët, edhe pse janë të përjashtuar nga ëndërrat, veç ëndrrat e tyre kanë duk.) “Bri lëmenjve të grurit dhe arave/U ndezën zjarret e natës prej njerëzve që gdhihen përjashta/Si ca flakadanë të vegjël nga do të lindë dita e madhe/Që dremit e zgjohet te flaka”. Lindja e “ditës së madhe”, “Që dremit dhe lind nga flaka”, është atribut i të pagjumëve, që mbajnë mbi supe hallet e mëdha të kombit. Të tillët mos i kërkoni zyrave, sikurse poeti do shprehet në vargjet e mëposhtme: “Përpara eprorëve u bë vartës i bindur/Përpara vartësve monark e më shumë/ Çdo gjë iu bë lojë duke ëndërruar ngjitjen/Madje dhe roli i burrit me gruan në gjumë/Po befas, veten e ndjeu të mjerë…/Bota s’kish më role të tjerë”. Mos u duket habi, që ka njerëz që jetojnë përgjithë jetën duke qenë në rol. Kur i duhet të shfaq neveri, poeti zbraset tek karakteret e dobëta, të cilët i gjen në radhët e aparatçikëve. Sikurse e thamë, poezitë janë shkruar në diktaturë. Nëse unë do të bëjë këtë koment, duke vënë në dukje kontrastin midis të pagjumëve, që sjellin “ditën e madhe”, e cila i njihej vetëm partisë dhe udhëheqësit, duke demaskuar burokratin, do e dëmtoja autorin. Ishte njësoj si ta denoncoja. Përjashto rastet, kur redaktorët angazhoheshin për të bërë ekspertiza me qëllim dënimin e autorëve, në përgjithësi redaktorët ishin më tolerantë nga keqbërësit, që vinin nga radhët e krijuesëve ziliqarë dhe kritikës së politizuar. Mbi ta binin të gjitha mallkimet, kur djalli flinte diku tjetër. “U deshën shumë vjet që ta kuptoja atdheun/Gjerësinë e tij, njerëzit, gjuhën, këngët/ Udhën ku ecet, qëndresën, armiqtë/Të gjallët dhe të rënët. E megjithëse mësova kaq gjëra, prapë në mendje më mbeti/ “Atdheu i parë”, zëri i nënës, lojnat, përrallat e gjyshes”. Poeti duke shkruar për atdheun në një regjim tjetër, ti, që e lexon nuk sheh ndonjë dallim nga ky i sotmi, sepse atdheu është i zhveshur nga dekori socialist dhe, vjen tek e sotmja si vazhdimsi, si trashëgimi. Atdheu nuk matet me çka merr rrokullimën, por me ato që lartësohen.
Kumbar i titullit të librit “Mos më pyet ku kam qenë” paska qenë Xhevahir Spahiut. Një shembull ky se si dallohet identikiti i poetit. Sikurse ata, që, e njohin cilësinë e verës përmes ndijimeve, teknologjia mungon si aftësi cilësimi, Xhevahir Spahiu me nuhatje të lartë, falë shqisës së gjashtë, ka arritur ta identifikojë qenësinë poetike të Ilirian Zhupës, duke i sugjeruar atij titullin e librit. Pra, ti je ky që them unë dhe shfaqesh aty, ku të dalloj unë. Nëse një poeti i mungon kjo e veçantë, lodhesh kot me të: do i mbushësh sutjenat me pambukë, për të treguar se ka gjoks. “Vij pasditeve e muzgjeve, vij mesnatës e agut/Më pret e dashura ime, prindërit e mi apo shokët/Askush nuk e di ku kam qenë, ç’vise me vete kam marrë/E prapë nuk më pyesin… Fytyra ime lexohet”! Se sa e lexueshme është fytyra e tij, shihni vargjet e mëposhtme, ku çdo koment i imi, do ishte aq i panevojshëm, sikur t`u sqaroja se xhami nuk është pasqyrë. “Sikur të kisha fjetur në rregull pas perëndimit të diellit/Sikur të kisha ndenjur në vendlindje më afër qiellit/Sikur të isha zgjuar nën dritën me vesë të agut/Sikur të kisha ndjekur thirrjen e vjetër të gjakut/Sikur mos të mbushja mushkritë me blozë miniere/Sikur mos të ulja qafën nën telvig karriere/Sikur mos të kisha bërë miq sekserë e politikanë/Sikur mos të isha helmuar nga premtimet kallpe që dhanë/Sikur mos të kisha pirë alkoolin në trishtime dhe dasma/Sikur mos të isha tunduar nga dashuritë e gjasmëta/Sikur mos t’i lodhja sytë me libra kaq shumë sa i lodha/Sikur mos të isha djegur nga dhimbjet për ata që përcolla/ Sikur të nderoja pasurinë siç nderon gjethet pema/Sikur të mbushja shtëpinë me paret e blerta, të allta, të verdha/Sikur të çfarosja pyjet për të gëzuar qejfet më mirë/Sikur të thosha është ditë edhe kur ish errësirë/Sikur të kisha në shtëpi jo hartë Shqipërie, po vetëm sepete/Sikur një copë lumi, deti e toke t’i vidhja për vete/ Sikur të mos tymosja duhanin kaq shumë nga trishtimi/Sikur të isha apostull hileje, kurvërie, harbimi…/Mbase do kisha patur një fat të artë…/ Po unë jam dhe do të jem gabimi/Edhe sikur të lindja prapë…”. Kështu ndodh, kur ikin shpirtërat dhe mbeten sendet.
Ilirian Zhupa është një poet i kohës së diktaturës, ku s`ka përfituar asgjë nga liria e kohës së demokracisë në madhnimin e vetes, ku më së shumti ka heshtur, i bindur se ajo që ka krijuar dikur nuk do e turpërojë në kohën e re. Sfida me kohën do këllqe, karakter, por mbi të gjitha art, që atij nuk i mungon./exlibris.al