Albspirit

Media/News/Publishing

Luljeta Lleshanaku: BISEDË ME CHARLES SIMIC

Dušan Simić, i njohur si Charles Simic, është një poet i njohur amerikan me origjinë serbe. Ka lindur në Beograd më 9 maj 1938. Në vitin 1953 familja e tij u shpërngul në SHBA, deri kur ndërroi jetë ditën e hënë më 9 janar 2023. Ka marrë çmimin Pulitzer për poezi në vitin 1990. Nga vëllimi me poezi të zgjedhura të Luljeta Lleshanakut shkëputëm “Bisedë me Charles Simic”, mbresë nga një takim në Las Vegas, me poetin e famshëm./exlibris.al

 

Las Vegas. Bar. Një dritë hibride midis së kuqes dhe

portokallisë

vozit si një jelek shpëtimi,

duke theksuar kllapa të lehta në fytyra.

 

Unë jam ulur në krah të Charles Simic.

Mbiemri i tij shqiptohet ndryshe

nga gjuha mëmë në gjuhën e tij të re;

bashkëtingëlloret mbyllëse janë forcuar rrugës,

si ambalazhi prej kartoni i lagur në hambarin e anijes

dhe i tharë sërish nën një tjetër diell.

 

Dikush fshin shkumën e birrës në mjekër;

nuk merret vesh nëse është ngrysur jashtë.

Një tjetër në qoshe godet makinerinë e fatit

nervoz, në pritje të restos nga një tjetër çarje.

Dhe muzika…

muzika që krijon fshikëza të mëdha ajri nën lëkurë.

 

Të dy jemi ballkanas. Vendet tona ndahen nga male që, të

para nga lart,

duken paqësore si elefantët në gjumë.

Ata bëjnë dremitje të shkurtra. Për shkak të peshës, trupi i

tyre nuk rehatohet kurrë;

duke u kthyer nga njëra anë në tjetrën,

e kanë të pamundur të ëndërrojnë

të gjithë në të njëjtën kohë.

 

Ne po bisedojmë. Ndoshta ai foli për letërsinë, fenë,

politikën ndoshta…

Bëhet shumë zhurmë. E pamundur të ndjek gjuhën.

Ndjek vetëm timbrin e tij, timbrin e thellë, të brendshëm,

të pjekur, të rënduar me kalcium,

si pikat e ujit që bien nga tavani i shpellës në tokë, nga

dhèu në dhê,

që është udhëtimi më i shkurtër i tingullit,

por më i gjati për ne, njerëzit

Please follow and like us: