Albspirit

Media/News/Publishing

Rudolf Marku: FREDERIK RESHPJES

Poet skandaloz, rebel, i lirë si një zog,

Të ngritën kurthe kafazesh-burgjesh kudo,

Dhe ti që përherë i injorove zinxhirët, qelitë, gardianët

Kurrë nuk e përmende vetminë sa një kontinent të Poetit,

Ti që talleshe me kafazet, që pëlqeje t’i vije në një rresht

Gjahtarët, kritikët, lavdikërkuesit, mediokrit dhe kostumet

e lakuriqësisë së Mbretit;

Asnjë rresht për vitet e burgjeve, asnjëherë

Pa të shkuar ndërmend t’i ktheje vuajtjet në dyqane

shkëmbimi valutor.

Në poste ambasadorësh, lavdi të rreme, reçensione –

Hosaná,

Në dyqane spekulative ku shesin lirinë.

Ty të mjaftonin veç krahët e mëdhenj,

që të arrije përjetësinë.

Krahët e tu prej aeroplani qenë tepër të mëdhenj për

Kafazët.

Le të rrijnë aty gardalinat vajtuese, të verbëta

Që brenda kafazeve me dyer të çelura vazhdojnë të presin

lavdinë!