Yzedin Hima: Balada e Petrit Rukës “Hanko, mos më qaj nëpër varre”
Balada “Hanko, mos qaj nëpër varre” është një magji poetike e Petrit Rukës me motive nga folklori ynë i jugut. Ky tekst më ftilloi lëmshin e enigmës tejet të hershme në mendjen time: Kur isha fëmijë, burrat e rëndë të fshatit Rehovë, fare në jug të Beratit, në kufi me Tepelenën dhe Përmetin, pasi kishin pirë raki të fortë bio prej mare, ngriheshin në një valle plot dhimbje të thellë, dhimbje që vinte nga kohra të largëta. Kërcimet, rrotullimet, ohet që dilnin nga shpirtra të plasur, thirrja më tepër vajtuese se kënduese të refrenit: “Ç’deshe ti në Kamenicë”, krijonin një mjedis dridhërues. Edhe si koreografi , edhe si melodi kjo valle e kënduar ishte krejt ndryshe me simotrat e saj. Këmbët rrihnin fort tokën, ndërsa krahët dhe zërat synonin qiellin. Dukej se trupat dhe shpirtrat përpëliteshin për t’u liruar nga një peng shekullor, nga një faj që nuk e lan dot një jetë njeriu, por shtegëton nga një brez në brezin tjetër.
Kur vallja mbaronte, burrat e moçëm dukeshin krejt të çliruar dhe në fytyrat e tyre ulej një tis pafajësie, si pas një procesi ekzorcizmi. Kurrë nuk e mësova tekstin e kësaj valleje të kënduar, kurrë nuk e mora guximin të pyesja përse bën fjalë, ndoshta nga nga frika për të mos thyer magjinë krijonte ajo skenë e mbartur nga kohëra të moçme, që, sa herë e kujtoja, më përthithte në një tjetër kohë, në një tjetër melodi gjuhe e zërash, deri kur lexova këtë krijim mjaft të bukur, me motivin e asaj kënge, të nyjëtur mjeshtërisht nga poeti i ndjerë Petrit Ruka. Ndjeva një lehtësim në kujtesë. Aty mësova se vargu i famshëm “Hanko mos më shko ndër varre”, nuk është vetëm fillesë e një romance për bukurinë e vashës shqiptare, por edhe fillesë e një balade dhimbjeje.
Poeti Petrit Ruka në tekstin e tij, mbështetur fort te balada arbërore, sjell një tekst ngjethës, risjell skena rrëqethëse të shkretimit të fshatit arbëror Kamenicë, në jug të Arbërisë, pranë Delvinës. Kënga e endur në pëlhurën e kohës me fije dhimbjeje vjen te ne nëpërmjet zbulimit dhe restaurimit të mozaikut të pluhurosur nga koha, por falë mjeshtërisë së rrallë të poetit Petrit Ruka, ky tekst është ngritur në ligjërim autorial si një gdhendje e pazakontë poetike.
Teksti nis me vargjet: “Ç’deshe ti në Kamenicë,/Zonjëz e rëndë e Zhulatit”. Këto dy vargje i ruaj në kujtesë nga vallja, apo më murë nga skena tragjike në atë dhomë fshati, luajtur herët në fëmijërinë time. Natyrisht, janë vargje autentikë të baladës arbërore. Edhe Petrit Ruka e ka vendosur në thojza vargun e parë, si varg i marrë nga folklori. Hershmëria e tyre shquhet edhe nga fjalori i përdorur: “Zonjë e rëndë e Zhulatit”. Fjala arbërore zonjë ende nuk është shemëruar nga fjala hanko. Zonja e rëndë ende nuk është shndërruar në hanko “që rri pas dere”, siç shkruan më poshtë Ruka. Toponimi Zhulat tregon një fshat pranë Kamenicës, ku qe martuar Zonja e rëndë nga Kamenica, fshat i madh, me kisha e me disa qindra shtëpi, ku edhe sot gjenden mjaft rrënoja të ndërtesave me shumë kate, të djegura dhe rrafshuara nga pushtuesit osmanë, diku në mesin e shekullit XVII. Pamja që takon Zonja e rëndë e Zhulatit është tronditëse:
“Kamenica është kapicë,
Plot me korba derdhur…fshatit”.
Imazhet poetike varg pas vargu krijojnë mozaikun e zi të fshatit Kamenicë, pas kthimit të Zonjës së Zhulatit në fshatin e saj të lindjes, rrënuar nga pushtuesi:
Ç’deshe në derë të babait,
Kamenicë tani nuk ka…
Këndon qyqja portë më portë,
Sorra hidhet tra më tra.
Aliteracioni në dy vargjet e fundit: këndon qyqja portë më portë – r- r dhe sorra hidhet tra më tra – rr, r, r – krijojnë krrokamën e korbave, krra…krra… duke sjellë një pamje trishtuese të gjallë si pikturë dhe tingëllim. Vizatimi i qytezës së dikurshme të Kamenicës, sillet nëpërmjet destruksionit të imazhit me mjete gjuhësore që e mbartin atë. Imazhi i Kamenicës: Portë më portë, (jo derë më derë)/Shkulni kryqet gjer te varret/Nga qafë e grave fildish/Shkulni stemat me shgabonja/Nga portikët me mermer/Shembni kishat dhe bujtinat/Ku burojnë përrenj me verë/ndërton imazhin e qytezës dhe njëherësh tregon destruksionin barbar të saj. Imazhi sjell një pjesëz të Arbërisë së dikurshme, kur ende ishim pjesë integrale e Europës, me të gjtha shenjat e qytetërimit të saj. Pikërisht destruksioni nga pushtuesi fokusohet te shenjat arbërore dhe njëkohësisht europiane në tekstin e Petrit Rukës. Foljet e përdorura ndërtojnë imazhin e egërsisë që buron nga një mëri e thellë: e shoi, ndërro besë, pret shpata mes për mes, shkulni kryqet, gdhëndni hënën me këllëç, shkulni stemat, shembni kishat dhe bujtinat…
Pas shembjes së shenjave identitare arbërore, krijohet imazhi i dhunuar i Arbërisë së sprasme, Shqipërisë së pushtuar:
Ti Kristian do jesh Mahmud,
Ti Dorinë do jesh Qefsere,
Fjala Zonjë do bëhet Hanko,
Vend i tyre është pas dere…
Në baladë ndërthuren fati i qytezës, fati i individit arbër ne fatin e arbërve dhe Arbërisë. Imazhe të tilla gjen te poezia e madhe e tragjedive antike:
Kërkoj gjyshen në varreza,
Varri qenka bosh,
Po luaj mendsh, ah, unë e zeza,
Lotët i heq osh…
Pamje të tilla krijohen nga pena mjeshtërore, denjësisht nga pena e Petrit Rukës, këtij njohësi të shkëlqyer të ligjërimi folklorik jugor, këtij mjeshtri të metaforës, sa elegante, aq befasuese. Në mozaikun e baldës vargjet e cituara pak më lart përndritin si rubinë të zinj. Ende nuk kam ndeshur në letra një imazh kaq tronditës në baladat folklorike dhe ato autoriale. Përmasat e dhimbjes sipërane mund t’i mbartë më së miri vargu mahnitës “Lotët i heq osh…”.
Udhëtimi i Zonjës së rëndë të Zhulatit i ngjet udhëtimeve të njohura mitologjike dhe letrare ballkanike e më gjerë. Endja e Zonjës së rëndë të Zhulatit në Kamenicën e rrënuar të kujton endjen e Dantes te Ferri, ndërsa udhëtimi i një qytezë të tërë drejt Italisë ndjek gjurmët e lëna në kohë nga Enea në mug të qytetërimit, i cili sikurse vëllezërit e tij ballkanikë të kohëve moderne, la pas rrënimin nga pushtuesit dhe gjeti prehje te Gadishulli Apenin.
Iku Kamenica, iku
Me kuje në kokë,
“U të lashë e më s’të pashë”
Shembu ti moj tokë!
Arbërit e Kamenicës nuk u thyen, nuk u shndërruan nga dhuna e tmerrshme, nuk bënë kompromis me të keqen. U nisën drejt vendit të huaj, drejt lirisë, por në këmbim të saj braktisën dheun e të parëve, që nuk ishte atdheu i tyre, pës shkak të pushtimit dhe pushtuesve. Po a mund të jetë i lirë njeriu, kur largohet në një dhe të huaj? Kjo pyetje lind mjaft diskutime.
Portat me shqiponja shpinës,
Qajnë Arbërinë,
Ata ik e ato rrugës,
Po u hanë mëlçinë…
Ikja nga vendi shoqërohet nga shqiponjat si totem identitar arbëror, të cilat i ndjekin pas, i qortojnë dhe ndëshkojnë për ikjen duke u ngrënë mëlçinë, sikurse shqiponja prometeane. Me detin midis, det i dhimbjes për atdheun e lënë pas, arbërit e Kamenicës braktisën vajzat e tyre të martuara rrotull, sikurse Zonjën e rëndë të Zhulatit. Me ç’duket vargu i këngës arbëreshe: “U të lashë e më s’të pashë”, varg malli e dhimbjeje i marrë nga folklori arbëresh, është varg sintezë e imazhit që sjell balada e Rukës për atë që mbeti, pas largimit të madh.
Kot kërkon, o Zonjë, o Hanko,
Kamenicë nuk ka,
Kamenicën e piu deti,
Në një natë hata…
Bie në sy se metamorfoza ka nisur, pranë fjalës Zonjë, përdoret shemra e saj Hanko. Metamorfoza tek ata që qendruan në atdhe është edhe më e dhimbshme se te ata që mërguan. Të dyja dukuritë plagosin identitetin arbëror. Nëse largimi spërkatet me lot, qendrimi në vend shoqërohet me kuje. Hankua tashmë endet si fantazmë në qytezën fantazmë, aty ku gjenden varret e të dashurve. Të vdekurit nuk ngrihen nga endja e bukurisë ndër varre, por ngrihen nga varret për shkak të dhimbjes që mbart Zonja, (tashmë Hankua). Vetëm dhimbjen nuk e tret dheu, siç thuhet te fjala e urtë e popullit, ndërsa bukuria fizike, ndonëse është “materiali” më i qendrueshëm, është e dënuar nga përkohshmëria. Duhet shënuar se dhimbja në këtë rast është dhimbje shpirtërore, ndërsa bukuria është dukuri fizike. Fiziku bashkë me hijeshinë tretet, ndërsa shpirti bashkë me dhimbjen mbetet.
Hanko mos shko nëpër varre,
Të lutet kunata,
Se të vdekurit i ngjalle,
Mos i nxirr nga nata!
Hanko mos shko nëpër varre,
Mos i lag me lot,
Të gjallët i vdiqe fare,
Ikën nga kjo botë…
Në baladë Petrit Ruka, krahas dhimbjes dhe kujes së Hankos, ndalet edhe te bukuria e saj, që verteton edhe ekzistencën e një motërzimi të tekstit në formë romance. Në tekst nënvizohet forca e bukurisë, efekti i saj, që kurrsesi nuk e matet me efektet që shkakton dhimbja. E bukura shndërron objektet rreth e rrotull saj, shdërron edhe veten nga dhimbja. Bukuria e Hankos është masati, energjia që bie edhe mbi gur duke e ndezuar flakë:
Hanko mos qaj nëpër varre,
Syri t’u bë gjak,
T’u prish bukuri e gruas
që ndez gurin flake.
Ehe kur flet pë bukurinë e Hankos, autori nuk largohet për asnjë çast nga dhimbja, si shenja themelore semantike e këtij teksti. Bukuria nuk e shndërron dot dhimbjen, ndërsa dhimbja ka forcën e madhe për ta ngrirë atë, për ta murëzuar, duke u përcjellë te lexuesi si dhimbje të bukur:
Hanko mos qaj më me ligje,
Ngjethe gurë e drurë,
Ngrinë sorkadhet, qajnë në shtigje
Era u bë mur./exlibris.al