Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: CAKU I DHIMBJES NJERËZORE, ROLAND TREBICKA

Në 76-vjetorin e lindjes e 10-vjetorin e ikjes
Që të gjitha vdekjet janë të dhimbshme. Ca më tepër, kur ata që ikin i kanë dhënë jetës së tyre dhe jetës së shoqërisë kuptimin më të lartë, si shëmbëlltyra e një talenti të madh e i një force shpirtërore të jashtëzakonshme, ndërkohë kur njeriu arrin ta kapërceje vetveten. I tillë qe edhe Roland Trebicka, i cili na iku pikërisht atëhere, kur përjetonte kulmet e arritjeve të veta të suksesit në “Altarin e Artë” të Teatrit Shqiptar.
Dhjetë vite më parë, kur qe duke luftuar me sëmundjen më të keqe dhe s’donte ta jepte veten për ta braktisur skenën, e pashë në Dibrën e Madhe, tek zhvillohej një Festival Teatror i Trevave Shqiptare, në një shkëlqim të ri të pazakontë. Interpretonte me pasion një rol kryesor në veprën absurde të Joneskos “Këngëtaria tullace”. Vetë Jonesko e dashuronte shumë këtë komedi të zezë, që e nisi si një shaka, për njerëzit që shtiren dhe e mbaroi si një kryevepër satirike, e cila zhvishte deri në lakuriqësi petkun e snobizmit tek të gjithë ata individ shoqëror që e “vrasin kohën”, duke “pjekur qiqra në hell”! Aty ndodhet një personazh i quajtur Smith (peshqesh për Roland Trebickën!), i cili noton në “detin pa ujë!” dhe, tërë ditën, sheh ëndërra me sy hapur, i zhytur në kotësinë e ditës, midis njerëzish mediokër e të pashpresë, sikurse është edhe vetë. Të ulur në katër karrike, personazhet llomotisin gjepura gjithfarësh e bëjnë “tjerrjen e shtëllungave të leshit”, për t’i këputur po vetë fijet që dalin prej tyre! Absurdi vepron, del nga skena dhe “pëlcet” midis spektatorëve që gajasen së qeshuri dhe që pastaj u duhet të rishikojnë vetveten si në pasqyrë. Një imazh të tillë krijonte figura e interpretuar prej Roland Trebickës. Smithi i tij qe tipi i skocezit paradoksal, i veshur nga jashtë e nga brenda me “petkat e kotësisë”, me dëshirat më absurde, me gjoksin e mbushur me dekorata dhe, duke “lexuar” gjithë ditën po të njëjtën gazetë! Mirëpo, Roland Trebicka, edhe pse e “frynte” jashtë mase këtë tip snob, me një shtirje groteske (në trajtë butaforike!), drejt madhështisë së rreme, prapseprapë mbetet kaq i vërtetë, kaq i kuptueshëm e po kaq alarmonjës. Forca e artit dhe mjeshtria individuale e aktorit, të linin me “gojën hapur!” dhe pastaj të meknin me një gaz shfrenues. Është si një marrëzi që të zbavit, përtej të zakonshmes dhe një shaka “plot kripë” që të rrëmben e “të merr me vete”! Dhe një përkim tmerrësisht i saktë me njerëzit e sotëm që i “kacavirren” jetës, shoqërise dhe politikës së pushtetarëve.
Kisha thuajse dy dekada që nuk e kisha parë më në teatër këtë aktor, i cili u ngjit në skenë si amator i “pazëshëm” dhe tani interpretonte role të rëndësishme të dramaturgjisë botërore, me synimin më të madh të një artisti profesionist. Ishte duke përsëritur, habitshëm, të njëjtën Histori Arti, si ca komikë më të hershëm akoma, sikundër qe Mihal Popi, Viktor Gjoka, Pandi Raidhi, Nikolin Xhoja, Koço Devole e Aleko Prodani, të cilët vinin nga Lëvizja Amatore, thuajse nga “hiçi”, duke arritur të bëjnë “furrore” me vlerën e pastër të talentit vetiak e me punën e jashtëzakonshme që i vë vetes obligime të mëdha. Ja sesi ndodh që shumë kolegë të tij, që mbaronin Akademinë e Arteve, nuk do të arrinin dot shkëlqimin e tij, përveç një artisti krejt të veçantë, poliedrik dhe të roleve të karekterit sidomos, të dhëna me “magjinë” e mjeshtrit të vërtetë, sikundër është sot Robert Ndrenika, shumë herë edhe partner i tij i një niveli (thuajse) me Roland Trebickën. Po Çarli Çaplinit, që habiti botën mbarë, me interpretimet e tij komike, kush ia “hapi udhën” e suksesit madhor, përveçse talenti vetiak të lindur?!
***
Të ulur këmbëkryq në “Sofrën Dibrane”, bashkë me Rolandin, më duhej të “shkundja kujtesën” e të ndërtoja me mendje portretin e tij artistik. E kisha parë në rolin e një pioneri në filmin “Debatiku” dhe, qysh atëhere, ky vogëlush, hyri në suazën e një arti magjik. Dhe, sa të arrinte moshën e adoleshencës, do ta merrnin ushtar, sikundër thuhej atëhere slogani “për të mbrojtur Atdheun nga rreziku amerikan”! Mirëpo shakaxhiun Trebicka do ta “rrëmbente” Estrada e Ushtarit (v. 1969), ashtu sikundër ishin përfshirë në shfaqiet e saj, edhe aktorë të tjerë me talent (që më pas do të bënin karrierë artistike skenike!), sikundër qe Skënder Sallaku e Dhimitër Furxhiu (Luçi), Koço Devole e Lutfi Hoxha, Vilson Gjoça dhe Mehdi Malkaj. Dhe vetëm në vitin 1969, amatorin e këndshëm Roland Trebicka, do ta tërhiqte Teatri Popullor. Fillimisht të lozte në një dramë, po e kuptuan shpejt se kishin gabuar. Roland Trebicka qe i “prerë” vetëm për në komedi dhe do të “ngjiste” menjëherë te personazhi i Farmacistit Leon në komedinë e Eftimiut “Njeriu që pa vdekjen me sy”. Shkëlqimin si aktor, do ta kishte në komedinë shekspiriane ”Nata e 12,-të”, ku arrin të krijojë me sukses atë që quhet “zmadhimi i figurës”. Po do t’i vinte në repertorin e mëpastajmë një personazh fare i parëndësishëm, (do ta quaja të zakonshëm), që ai do t’i jepte një dimension tjetër si tip shoqëror, si karakter i mëvetshëm, duke e kaluar rishtazi në “lenten e vet zmadhuese”, për të mbetur në kujtesën e publikut si një karakter i papërsëritshëm, Jovan Bregun, tek komedia “Pallati 176” të Adelina Balashit. Mbaj mend që, kur autorja e komedisë, erdhi në Greqi si emigrante ekonomike, do të më thoshte se Roland Trebicka e kishte tejkaluar cakun e personazhit të krijuar prej saj, për ta bërë një tip proverbial. Jovan Bregu i Roland Trebickës qe tepër spontan, i vërtetë dhe i vetvetishëm, duke improvizuar mbi tekstin e personazhit dembel, marifetçi e të paskrupullt, që kërkon të “kacavirret” në jetë me hilet e veta, aqsa autorja u frymëzua që të shkruante edhe pjesën e dytë të komedisë “Jovan Bregu emigrant”, po që nuk do të kishte më shkëlqimin e tipit proverbial, të mëparshëm, që na i dha, mrekullisht, Roland Trebicka. Regjisorë të tjerë e ftuan Rolandin që të luante edhe në vepra të dramaturgjisë botërore: Zganarelin te “Magjia e Madhe” e Eduardo de Filipos, Hlestakovin te “Revizori” i Gogolit, në një komedi të nobelistit Dario Fo e në një tjetër të grekut Saqelarios, me titullin “Dua Burrë”, duke arritur kulminacionin e tij në komedinë e Joneskos “Mbreti po vdes” dhe në komedinë e Çomorës “Karnavalet e Korçës”, për të shkëlqyer madhërishm, përfundimisht, me dy role njëherësh, në të njejtën shfaqje (te komedia e Molierit “Kopraci”): Karrocjerin dhe Guzhinjerin, të cilat, edhe pse interpretohen nga aktori Trebicka (që të dya!), prapseprapë kanë veçori individuale dalluese. Dhe këtë dinte ta bënte vetëm një talent i madh si Roland Trebicka. Më mjaftonte të kujtoja vetëm interpretimin e këtij aktori në shfaqjen e komedisë “Valsi i Titanikut”, për t’u stepur përpara epërsisë së tij mbi partnerët (edhe ata, fort të mirë si aktorë)! Nga një njeri i ngujuar në karrike, i cili nuk ka kurajon më elementare të mbrojë veten, qoftë edhe për një kapele të blerë, në një mjedis familjar pa frymëmarrje dhe i rrethuar prej një realiteti provincial, Roland Trebicka rrëfen me finesë ndrydhjen e personalitetit njerëzor. Në një terren farsesk, ai, Rolandi, është plotësisht në “ujrat e veta”, për të kaluar nga njëri ekstrem në tjetrin, aqsa i papërmbajtur, ashtu edhe inert, i paralizuar… Dhe figura artistike do të përsoset edhe me nëpërmjet Kontit Almaviva te “Berberi i Seviljes”, ku kurbatura e rolit qe edhe më e lakuar, në persosjen e vet, si një figurë e zhdërvjelltë, gazmore, e cila mbartëte në qënien e vet, të gjithë atmosferën e Rilindjes së njeriut të lirë të Europës së re, që sapo delte nga “vargonjtë” mesjetarë…
***
I gjithë ky meditacion do të ndodhte aty, në një “sofër” të Dibrës së Madhe, pas shfaqies “Këngëtarja tullace”, në një ditë dimri, kur jashte binte borë dhe i ftohti të hynte nën lekurë. Pasi kishte interpretuar në një sallë, po aq të acartë, përpara qindra frrymorëve që mbushnin atë hapësirë të elektrizuar nga e qeshura… Në barin ku sapo kishim hyrë, vinte gëzueshëm atmosfera e djemve e vajzave dibrane, që flisnin shqip me zë të lartë dhe pa i vënë re tre personat (qe ishim ne: Rolandi, regjisori Spiro Duni dhe une kritiku), doemos, pa e ditur se ç’do të ndodhte pesë vjet më vonë me këtë njeri të jashtëzakonshëm, që kishte pamje aq të qetë. Jashtë vazhdonte të binte dëbora, në këtë natë të pazhurmshme, të qetë, me pak muzikë maqedonase në sfond. Tek shkulmet e llohës që shkarkonin qiellin e errët e me vilare drite, ngjisnin në xhamet e dritareve gjethet e verdha të pemëve, midis Barit e Teatrit të heshtur, tashmë…Duke i tharë disa gota raki kumbulle me Spiron, vija re shmangien e Trebickës nga “lëngu Dionisiak” dhe një tkurrje të shpirtit që mezi dukej pas një shtirjeje të përsosur të gëzueshme. Nisi të më fliste me nostalgji për të bijën që kishte në Francë, ku shkonte shpesh për ta parë e për t’u vizituar vetë, prej një dobësie të brendshme që e shqetësonte së fundi… Spiroja do të gjente rastin të më pëshpëriste në vesh se miku ynë-artist, qe shkëputur disa kohë nga Teatri, për t’u kuruar në Paris, tek e bija dhe se, kur kthehej, nuk rrinte dot pa hyrë në “hullinë e jetës skenike”, përmes atyre roleve, që i jepnin kënaqësinë më sublime, atë te krijimit… Sikur ta kuptonte se po flisnim për të, Rolandi buzëqeshte i trishtuar, doemos jashtë kornizës së një personazhi, i mbingarkuar me brengën e pashpallur të vdekjes. Kur dolëm jashtë, bardhësia e dëborës e kishte mposhtur errësirën e mesnatës dhe Rolandi mori frymë thellë…Personazhet “flinin” brenda tij…
***
Gjëma do të ndodhte pesë vjet më pas, kur sëmundja më e mallkuar e shekullit do ta mposhtte edhe këtë artist kaq të rrallë e do të na e hiqte përgjithmonë nga skena e teatrit dhe e jetës. Nuk do ta kishim më edhe atë artist që iu shtua “brezit të artë” të aktorëve të mëdhenjë, të atyre artistëve të pashkollë, që u ngjitën në skenë nga “asgjëja” dhe, fal një pune titanike e të talentit vetiak, që natyra ua kishte dhënë pa kursim, dhanë shëmbëlltyrën e një ARTI TË MADHËRISHËM. Që, si SOT, do të ishte 76 vjeçar, me arritje akoma më të madhërishme.
Athinë, 17.01.2023 (Sipas librit tim “SHPIRTI ARTISTIK”, v. 2014).
Please follow and like us: