Albspirit

Media/News/Publishing

Nexhat Halimi: Ngjitja në Rumi

 

 

 Tregim

 

Legjenda thotë se nga lashtësia këto hapësira përreth Rumisë ishin të banuara nga fisi Ilir i Labeatëve, të cilët adhuronin kultin e Diellit, bartnin gurin më të rëndë në majë të malit të Rumisë dhe gjarprin e vogël të fatit e mbanin në gji. Ata njëherë në vit, që në orët e para të mëngjesit, i ngjiteshin shpateve të Rumisë që të arrinin në maje. Aty i luteshin diellit që t`u sillte fat e mbarësi në jetë. Që lutjet të pranoheshin duhej që secili besimtar që ngjitej në maje të Rumisë të merrte me vete nga një gur që mali të “bahej ma i naltë “ . Me vite grumbulluan aq shume gurë, sa sot ka në majën e malit disa qindra shtresa, të cilat e krijojnë ëndrrën e tyre. Në këtë mënyrë,  Rumia do të lartësohet për disa herë mbi vetveten. Maja e Rumisë, në njërën anë kufizohet me Liqenin e Shkodrës , ndërsa në anën tjetër me qytetin e Tivarit dhe me Detin Adriatik.

…papritur befasohem.

Hija ime lëvizte jashtë meje dhe ngjitej kodrës së legjendës. Para shumë vitesh më kishin emëruar me emrin Lis.

Ja, Lisi tashmë nxori kalin nga ahuri dhe ndaloi krye arës. Ra në gjunjë dhe mori të lutej para se  të lëronte arën. E shikoi tokën, e preku me dorë dheun, dhe vuri re se mund të lëvrohet. E shtrëngoi dorzën dhe buzëqeshi, i bindur se mund të shkruante hullitë e parë me parmendën e vjet të vjetër. Bashkë me shikimin e derdhur arës e larg Rumisë nga zgjatej njëshkolona e besimtarëve kodrës. Kjo qe hera e  parë që i zgjonte kënaqësi të thellë puna  e mëngjesit. Shikoi qiellin. Dielli shpërndante rreze të forta dhe të ngrohta të pranverës. Asnjë re në qiell. – Më në fund do të lëvroj, do ta hedhe farën e misrit dhe do të mbijë bereqet i mirë, – i foli vetës dhe numëronte hullitë e  lëvruara me përmendë, – bashkë me fjalët filloi të frynte një erë. Lisi ngrehu kokën lartë të shikoi qiellin të cilin e kishin mbuluar re të rënda. – Kjo nuk është gjë e mirë, – tha dhe e nguti kalin, i cili hingëllinte i befasuar. Shkrepi dhe vetëtimë e ashpër. Shiu filloi të binte rreptë.  Lisi pa e përfunduar  hullinë e nisur,  liroi kalin nga përmenda dhe iku nën kurorën e rrapit që ishte në fund të arës, bri të cilit rridhte një krua i vogël.

Në të njëjtën kohë e pa një njeri që i afrohej  kurorës së rrapit.

-A mund të strehohem për pak kohë nën Rrap, – tha i posa ardhuri.

-Prej nga vjen, –  foli Lisi dhe vërejti se i posa ardhuri ishte në moshë të shtyrë, me mjekër të bardhë dhe me një xhybe të zezë me kapelë – me mëngë deri në bërryla. Nga veshja i ngjiste të ishte i malësisë. I posa ardhuri  qe i moshuar. Mori frymë thellë dhe u  mbështet për trungu të rrapit, ndërsa ende mbante për kapistër gomarin e lodhur.

– Do të më pyesësh nga po shkon, -u përgjigj i moshuari.

-Të pyeta prej nga  vjen, ka kohë që jam nën rrap dhe nuk të vura re nga lëvizi kush këndej, erdhe, e – ja, u shfaqët  sa hapë e mbyllë sytë.

-Jam gjithë herë aty ku e do puna… është hera e gjashtë  të përpiqesh të lërosh arën dhe të hedhësh farën, apo jo!?

Lisi e shikoi i habitur ndërsa mendja i iku te shtëpia ku e priste gruaja, e cila ishte shtatzënë dhe priste fëmijën e gjashtë. Ai duhej të punonte të siguronte ushqim të mirë për të dhe për fëmijën që do të vinte në jetë. Shiu filloi të ulte tensionin e rënies Lisi mori kalin dhe deshi të fillonte të lëronte por ishte e pamundur, toka tashmë kishte lagështi të madhe dhe ishte e pamundur të lërohej.

-Duhet të shkosh në shtëpi, –  i foli i moshuar, – të pret gruaja.

-Kush je ti, që di shumë gjëra për mua.

-Jam Bardhi, – tha i moshuari, – besoj se ke  dëgjuar për Bardhin.

Lisi pohoi me kokë. Dhe iu kujtuan fjalët e gruas ,” Duhet të pyesësh dikë,pse kishim pesë fëmijë e të gjithë vdiqën pa mbushur pesë javë të jetës, fati nuk është me ne… Duhet gjetur rrugën deri te fati… pyet dikë,  ndonjë të panjohur, rrëfeja dhembjen që na ka plagosur” i  tha  ajo nën lot. Ai e shikoi në sy plakun  e sapo ardhur dhe mori frymë thellë.

-Mos fol gjë tjetër? Fati nuk është në anën tënde…

-Nga e di? –  foli Lisi dhe e shikonte  të moshuarin, i cili kishte një guri në trastë dhe e mbante të varur në krah. Në atë çast një kokë gjarpri i sillej ftohtë  kraharorit  në rreth. Shkundi kokën dhe gjarpri nuk ishte më aty…  Bardhi preku me shkop dheun e rrotulluar nga përmenda. -E gjashta ndërprerje nga shiu, fëmija  i gjashtë, – filloi të fliste Lisi, –  pres fëmijën e gjashtë të më vijë në jetë, por diçka nuk shkon mbarë! Kisha pesë fëmijë, të gjithë vdiqën në javët e para të ardhjes në jetë. Kam vënë re një gjë, çdo herë që shkrepë vetëtima dhe shiu më ndërpret punën, fëmija vjen në jetë dhe pastaj fillon të bie shi dhe ndalet ditën që vdes. E njëjta gjë më ndodh  pesë herë herë me radhë. Nuk dua të më ndodh më.

I moshuari ende lëvizte dheun e rrotulluar nga parmenda, në çast trokiti në diçka të fortë.

-Eja këtu, – i tha ai dhe e shikonte gurin e zbuluar në mes vijash të hullimit. – E sheh këtë guri…

Lisi u afrua dhe e preku me dorë.  –Ky guri është këtu prej shumë kohësh,  babai më ka thënë të mos e lëviz nga vendi derisa të kem nevojë për të.

-Tani ti ke nevojë për këtë guri, – tha Bardhi,  – duhet  ta nxirresh nga këtu, ta bartësh në shpinë deri në maje  të kodrës.

– Pse ta barti deri atje?

-Ke dëgjuar për legjendën që thotë se në këto hapësira përreth Rumisë në kohën kur ishin të banuara nga fisi Ilire të Labeatëve, të cilët adhuronin kultin e Diellit, bartnin gurin më të rëndë në majë të malit të Rumisë dhe gjarprin e vogël të fatit e mbanin në gji. Ata njëherë në vit, që në orët e para të mëngjesit, i ngjiteshin shpateve të Rumisë që të arrinin në maje. Aty i luteshin diellit që t`u sillte fat e mbarësi në jetë. Që lutjet të pranoheshin duhej që secili besimtar që ngjitej në maje të Rumisë të merrte me vete nga një gur që mali të “bëhej ma i lartë “ . Kështu, me vite grumbulluan aq shume gurë, sa sot ka në majën e malit disa qindra shtresa, të cilat e krijojnë ëndrrën e tyre. Në këtë mënyrë,  Rumia do të lartësohet për disa herë mbi vetveten. Maja e Rumisë, në njërën anë kufizohet me Liqenin e Shkodrës , ndërsa në anën tjetër me Detin Adriatik, përkatësisht me qytetin e Tivarit.

-E di ku është mali i Rumisë? Isha një herë me gjyshin në ditën e ringjalljes së natyrës

– Për atje je nisur? – e pyeti Lisi.

-Më duhet fati edhe mua.

Lisi filloi të zbulonte nga dheu gurin. Sa e zbuloi foli: – Është gur i madh, si do ta bartë deri atje.

-Do ta bartësh, do ta bartësh… nesër është dita e ringjalljes së natyrës, dita e verës. Me mëngjes duhet të nisesh.

Lisi shikoi rreth e rrotull, por nuk e shikoi askund Bardhin e as gomarin, me të cilin ai iku.

Mori gurin, e ngarkoi në shpinë dhe me kalin u nis për në shtëpi. Me të hapur portën e oborrit gruaja i doli para.

-Çfarë ke në shpinë, – i tha ajo.

-Fatin, po e bart fatin tonë e dashur, më duhet dhe një gjarpër i vigël i fatit. Do të nisëm për  rrugë.

-Nuk mundesh, së shpejti fëmija do të vijë në jetë, çfarë do të bëj e vetme. Një  gjarpër i vogël gjithë kohës më ik rreth këmbëve.

Lisi uli shikimin poshtë dhe shikoi te këmbët e gruas ku gjarpri i vogël u shfaq, ai e mori në dorë dhe e futi në gji. Gruaja e shikonte e habitur.

-Çfarë po bënë kështu? Ç’të duhet guri, ç’të duhet gjarpri…

-Shko brenda, më përgatit ushqim për tërë ditën, do të nisëm për rrugë menjëherë.

– Do të jem atje ende pa lindur dielli…   Me diell në sy të zgurdulluar shkova larg. Eca. Tashmë kisha hyrë në legjendën e vjetër shqipe.

Eca e eca. Sytë  më krijonin rrugë mijëvjeçare përpara rreth e rreth kodrës. Ecnim pas njëri tjetrit në ceremoninë e vjetër të Rumisë.  Shikimin lartë e iknim nëpër tufat të dritës së diellit.

Me sy të zgurdulluar vëreja në gur  gjurmët e Mujit!

Bie në gjunjë. Gërmuqem mbi hije. E marr pak veten. E bart dhe një gur majë zemrës. Zgjohet dielli. Vjen gjarpri. Lutem për shpirtin, për frymën dhe ty. Lutem me duar në qiell e këmbë në rrënjë, lutem. Vetëm bubullin e guri bie mbi mua në Rumi. E ulliri çahet në shtatë pjesë. Me Dritën e krijuar për dore, të lidhur në një frymë hyjmë në një nga hapësirat e ritit,në imagjinatë, kaq larg dhe afër të jetë. Ec dhe e dëgjoj qartë secilën uratë, e dëgjoj kumbueshëm zërin nga vjen nga zemra e tokës e damari i Tivarit përplaset mbi gurin e zi, vjen e shpërndahet në të gjitha dritat, shpirti kaherë në rojë i ndez, nën zërin e njohur të Ullirit me shtatë degë në Tivar. Vjen duhma e shpirtit përmes vaj-këngës së korit mijëvjeçar, të veshur në të bardha e në të zeza, me fluturimin e vigmës së fajkoit qiellit e hijes së rënë në det. Gjergj ElezAlia me nëntë plagë në trup, me kaq vjet fjetur në shtrojë, ngrihet, falet me motrën që i bën gati atin e niset të vdes në betejë përballë krijesës së egër të detit. Zgjohen valë e valë të mëdha, përplasen për qiell. Gjergji vdes të jetojë besimi i amshuar… Ja nga ec para hijes, kapërcen shkundullimat e thella të tokës, i lidh në një, të vijë dallëndyshja e ikur në qiellin e jugut. Toka ime nga rilidhet gjithnjë me të gjitha copat, nën hije vragash ndërmjet shtatë çarjes të trungut të Ullirit, të mbajtura në një përmes të njëjtës rrënjë të mishit tim nga pik gjakun e mpiksur Ilir. Gjunjëzohem prapë aty te gjurma e gurëzuar nga i ngjitet qiellit. Vijnë prapa shumë, në kolonë, ngjiten kodrës së Rumisë me gurin e trupit, me lulen e diellit, me  gjarprin e besimit. Gurëzohem të mbetem gjithnjë i pavdekshëm aty; e dëgjoj nga vjen  nëpërmes fjalës, përmes vargut, përmes zërit magjik, vjen ajo që ka humbur me gjak, vjen prapë e zgjohet me gjak. Ngreh kokën kaq kohë më vonë. Libri qe i hapur, i shkruar me gjak. “Ajo që humb me gjak do të kthehet vetëm me gjak!” Kodrës njëkohësisht vijnë nga gjithësia shpirtrat, zbresin e prapë ngjiten lart me nga një gur, me lulen e diellit në sy, më gjarprin e besimit mitik. Gjarpri rrëshqet mbi gurtë e ndezur. Afrohet dhe unë ndiej të isha i zgjuar. E mbaja për dore Dritën , e cila më tha të mos jepesha kurrë!?

-Kuptohet. Kjo pa dilemë!

– E kapë rrëfimin këtu, apo atje, pikërisht te ai që printe mes tokës e qiellit e ëndrrës, me shpirtin e vet… aty, nga lëvizte mbi hijen, me hapa të rëndë e të shpejtë vidhte përpara, e copëtonte gur më gur rrugën. Ai lëvizte me frymëmarrjet e tokës e s`fliste. E shoqëronim në një frymë, në kolonë për një. Në njësh kolonë! Depërtonim mes fletësh të imagjinuara të guacës. Dilnim prej saj përmes mendimesh, përmes etjes e zjarrit. Agimi derdhej ndërmjet degësh të gjelbra drurësh, në ikje nga qielli. Ecnim, të heshtur. Ngjitemi kodrës së rrëpirë e humbur – poshtë, pas shpinës së harruar mbetej lugina e fjetur, me lëvizje qengjash e delesh të imagjinuara, të trilluara nga fëmijëria e ikur diku larg nga guri që e shkelnim.  Ecnim, të lodhur. Copë e copë. Secili i mbledhur në vete, i tretur në ëndrra. Secili i lidhur me udhën e jetës së vet tashmë të kaluar. Iknim, njëri pas tjetrit, me barrë të shpikur në shpinë të lakuar. Ai, para nesh, gjithnjë i zhytur në mendime; kaq sa unë, kaq sa ai i treti, apo i katërti…Ai, një shpatullgjerë, me mustakë të thinjur, vesh më vesh. Me setër kadifeje, të stërbajtur. Të leckosur në bërryla. Printe hije-rëndë. Ndoshta tërë kohën do të ketë menduar sesi t`na kalonte në anën tjetër të kufirit, përbëri Gurit të Kuq apo të Gurit të Zi, apo ndoshta do ta ketë vrarë dilema e përhershme, pse lëvizin prapë të vdekurit!? Ja, pikërisht aty ku bën me dorë, do të ulemi të pushojmë. Zgjidhim peshqirët të hamë ndonjë kafshatë bukë… Apo t`i kujtojmë prapë të afërmit që mbetën të mërzitur nga shikonin shpinën tonë nga largoheshim e ndonjërit i pikonte ndonjë pikë lot. Ende na kujtoheshin ata, që mbetën larg , në mjegull! Kaq të dashur dhe kaq të bukur i kujtonim e kaq shumë herë na kanë hidhëruar e i kemi gjuajtur me gurë! Ishin çastet e rikrijimit të dashurisë së njëmend! I shihnim qartë ende nga na përshëndesnin me mallëngjim. E natyrisht na dhembte mungesa e tyre. Tashmë afrohet muzgu ngjyrë vjollce. Mjegulla të dendura lëvizin, përvidhen ndër kurora të gjelbra drurësh nga sillen herë rreth vetes e herë tjetër rreth shkëmbinjve, të përzihen pastaj dhe të krijojnë pamje mahnitëse. Ndërmjet tërë bukurisë së papërjetuar ndonjë herë drurët iknin shtatgjatë lart-lart derisa të mbanin në gema qiellin. Malet kështu shfaqeshin me bukurinë përrallore , të prekura nga tufa të dritës së kuqërremtë e fije të pashkëputshme mjegulle. Kjo ndodhte kisha përshtypjen pak çaste para dorëzimit të territ të përhirtë. Ecim. Tashmë është natë. Ecim tri orë pandërprerë, më pastaj ulemi prapë. Ecja na ka rraskapitur. Aty, ai që na printe, do të na shpjegojë për çdo gjë që mund të ndodh gjatë kalimit të kufirit. -Futja në Rumi nuk është aspak pa rrezik, – tha ai. -Nuk e kemi marrë këtë gjë pa rrezik, – psherëtiu dikush. -… veç, ajo që ka zënë të shfaqet , po s`ia premë kokën do të shfaqet dhe atje, do të shfaqet dhe aty, do të shfaqet dhe këtu! – shtoi ai dhe mbajti vesh nga zhurma e vogël, e dëgjuar befas. Terri tashmë kishte rënë dendur. Duhej të ishim të gatshëm për nisje. Ec pak i vetëm, e  – ky tash, kjo hije me mjekër të bardhë, do t`iu ndihmojë  gjatë kalimit  në Majë të Rumisë. Nuk lëshonte kush zë e kaq shumë vetë prisnim ta kalojmë pengesën e fundit. -Ndërpriteni çdo bisedë, çdo psherëtimë. Mos ndizni duhan. Shikoni nga shkelni dhe mos të ndalet për asnjë çast kush… – psherëtiu ai, që s’ ia shihja fytyrën. Ia dëgjoja vetëm fytyrën, ia ndieja frymëmarrjen. Ecnim në kolonë për një. Në Rumi dhe verës, natën, bën ftohtë. Male të thella ecnim e aty – këtu dhe ndonjë pjesë kodrinore, gurore. Kolona e heshtur gjarpëronte, gjysmë në ëndërr. Secili e kishte ëndrrën e vet, secili ëndërronte në mënyrën e vet. Të heshtur tërësisht, në kolonën e gjatë, të kompozuar prej atyre që vinin nga shumë pëllëmbë të tokës Ilire, iknim dhiareve për të derdhur gjakun  Rumisë. – Kujt iu kujtua këtu të ngrehte kishë!? – Iknim, zbrisnim një bregu të ngjitemi bregut tjetër, gjithnjë në pritje të dëgjohet dikush, – ja, kjo tashmë është Rumia e rënduar nga hekuri  i pushtuesit të ri, nga kisha që asnjëherë nuk kishte zënë hapësirë të vet! Diçka e tillë nuk  kishte ndodh më parë në Rumi, hekurat e kishës tashmë qëndronin para nesh, të heshtur,  e – Lart hëna i ngjet portokallit të ndezur. Drita e hënës ik fytyrë më fytyrë. Dikush çel ndonjë kuti, dikush përtypë ndonjë kafshatë bukë. Dëgjohen gurgullima uji nga bien për fyt… Përsëri zgjatet kolona. Këmbët më nuk ndejnë lodhje. Depërtojnë dhe tufat e para të dritës së mëngjesit.

Lëviz kolona tjetër që niset për në Majë të Rumisë…siç qe bërë traditë me mëngjes, me diellin, me gjarprin dhe me gurin, që do ta zbresin nga krahu, veç kodra e Rumisë të jetë më e lartë.

A do të lidhemi me veten kaq të lashtë që jemi, zot!

 

Please follow and like us: