Sadik Bejko: QERSHI TË KUQE
Buzët e tua dy qershi të kuqe guri-
e forta e ëmbla e kuqja nga dheu,
shtrydhur në dy buzë me lëng.
Nuk jam fajtor që pëlqej qershitë.
Qershi në drurë të lashtë
prej baltës – brinjë e Adamit hyjnor,
Qershi të përkohshme kopshti, buzëve pjekur
e në krejt trupin tënd
lëng, ëmbëlsi dritë…
Kjo është të shlirosh nga shkëmbinjtë ujë,
Një lumë të fjetur nga aq ashpërsi.
Kurrë nuk do ta di sa të bukura janë qershitë e një stine.
Dhe fajtor nuk jam që më pëlqejnë
aq pa faj pjekur qershitë në buzët e tua
varur dhe atje larg te qershitë në botë
shpate lugina, male, (në trupin tënd),
pjekur edhe motin që vjen
Dhe më përtej viteve në kuqëlimin stinë pas stine
përjetësia e qershinjtë e trupit e buzëve të tua.
Sonte, larg mendjen nga ti,
Me miq, ca gota para, do të ndjekim finalen
e kampionatit botëror të futbollit.
Po nesër?
Nesër qershitë prapë
Do të rrëzëllijnë me buzët
vesuar, varur në purpurin e ri në drurët e agimit,
në të kuqen e paperënduar tej gjumit e zgjimit.
Kështu (kjo botë është e bukur)
ne burrat jemi ngjizur që prej fillimit.
Nga e kuqja prej peme e trupit të gruas
nga qershi gruaje
në të kuqen prej foshnje
në orën me fat kur i hapëm sytë në ditën e krijimit.
14 korrik 2014.