Vlora Obertinca: Fuqia e dashurisë brenda vetes sonë
“Kur ne, brenda vetes, ndiejmë dashuri për veten tonë, këtë e nxjerrim jashtë dhe e përcjellim si mendim te të tjerët, pa folur fare, sepse mendimet tona vibrojnë dhe e prekin secilin prej nesh në rrjedhën e përbashkët të vetëdijes kolektive, ku takohemi të gjithë së bashku dhe e ndiejmë energjinë e njëri-tjetrit pa folur fare, sepse energjia ndihet si emocion dhe shprehet nëpërmjet gjuhës”, Vlora Obërtinca.
“Louise Hay i thotë vetes së saj, ‘unë jam e bukur dhe të gjithë më duan mua’, ajo tregon përvojat e saj. Duke ecur rrugës dhe duke e menduar këtë mendim për veten e saj, të gjithë njerëzit që kalonin përballë saj, i buzëqeshin pa e njohur fare.
Kjo do të thotë se buzëqeshja është shprehje e dashurisë, me mimikën e fytyrës, pa komunikim verbal, por që njerëzit e tjerë e ndiejnë si energji të padukshme, e dërguar 100% deri tek ata si pranues të informatës.
Edhe unë si Louise Hay, kam mësuar ta dua veten time shumë dhe besoj që, kjo është formula sekrete e cila i sjell sukses çdo njeriu në jetë. Mbi të gjitha, ky koncept i mendimit i jep njeriut shëndet të mirë dhe jetë të gjatë.
Nganjëherë çuditem se si historitë më vijnë në mënyrë kronologjike, të sinkronizuara me momentin e shkrimit të një kapitulli të caktuar, gjegjësisht teme të caktuar. Besoj se kjo ndodh, sepse unë vazhdoj të jetoj në harmoni me vetëdijen e lartë, gjegjësisht shpirtin tim dhe i pranoj informatat ashtu si vijnë dhe nuk rezistoj fare, por i mirëpres dhe i përcjell me shumë dashuri këto ngjarje, qoftë të bukura, qoftë të hidhura në Universin e pafund, sepse e di saktë se do të më kthehen në bekim gjatë jetës sime të mëtejshme.
Andaj, duajeni veten pa kushte, në mënyrë që ta kuptoni se, jeni këtu për ta gëzuar dhe shijuar jetēn deri në maksimum. Përdoreni këtë formulë sekrete, që të dukeni bukur, të doni e t‘iu duan të gjithë”.
Fragment nga libri “Vera e shpirtit“ e Vlora Obertincës.