Vlora Obertinca: Rrugëtimi i mendimeve tona në Univers
“Karma është udhëtimi i mendimeve tona në Univers, destinacion i fundit të së cilave jemi ne”, Vlora Obertinca.
“Dua të ndaj me ju një histori të një familjeje, që më ka bërë shumë përshtypje përmes të cilës dua t’ua thjeshtësoj dukurinë e Karmës.
Ishte një familje tiranase, me tri fëmijë, një vajzë dhe dy djem, nëna e të cilëve kishte ndërruar jetë shumë e re, duke lënë pas vajzën trembëdhjetëvjeçare të kujdesej për dy vëllezërit e saj, dhjetëvjeçar dhe trevjeçar. Babai i fëmijëve nuk u rimartua më asnjëherë dhe barra e detyrave familjare të nënës së fëmijëve i ra vajzës, së quajtur Lea. Vëllai i madh i Leas quhej Ilir, ndërsa i vogli Hektor. Lea nuk u martua, derisa vëllezërit u rritën dhe u bënë të zotët e vetes, duke e sakrifikuar edhe fatin e saj. Ajo priti shumë gjatë dhe shanset e mira të djemve të rinj ikën me kohën, të cilën ajo nuk e llogariste, sepse, i kishte vëllezërit amanet nga nëna e ndier. Kështu, vëllezërit u rritën. Iliri u martua dhe krijoi familjen e vet, kurse Hektori shkoi për të studiuar në Romë. Lea ngeli ende e pamartuar.
Babai dhe vëllai, Iliri, vendosën ta martojnë me një burrë të vjetër, të ve, të cilit i kishte vdekur gruaja dhe ishte 25 vjet më i madh se ajo. Për të mos ngelur nën hijen e çatisë së vëllezërve, Lea pranoi të martohej me burrin e vjetër, i cili ishte shumë më i pasur, në krahasim me familjen e saj. Vitet para martesës ishin të vështira për Lean. Ajo ishte shumë e lidhur me të atin dhe vëllezërit. Edhe pas martesës së vëllait të madh, Ilirit, kalonin shumë mirë me njëri-tjetrin, duke qenë se u martua afër familjes së saj. Vitet kalonin dhe Hektori përfundoi studimet në Romë dhe u kthye në gjirin familjar, në Tiranë, ku jetonte pjesa tjetër e familjes. Filloi të punojë si profesor në universitetin e Tiranës. Aty njohu një studente, me emrin Silvija, e porsaardhur nga Prizreni dhe, me rekomandimet e shumë miqve, vendosi ta kërkonte dorën nga i ati i saj, Sedati, për t’u martuar me të.
Familja e Sedat Bejit ishte një familje bejlere qytetare dhe shumë e pasur, ndërsa familja e Hektorit, me origjinë nga një fshat afër Tiranës, vinte nga një shtresë mesatare, që për atë kohë paraqiste një pengesë për martesën e çiftit, edhe pse Hektori ishte i shkolluar në Romë dhe një profesor i spikatur në Universitetin e Tiranës”.
Fragment nga libri “Vera e shpirtit” i Vlora Obertincës.