Xhezide Selimi: ME OFSHAMËN E DETIT
Aty ku gjërat thuhen në heshtje
e sytë flasin me gjuhën e dashurisë,
zemrat tona hapen e mbyllen duke krijuar
pasion valësh si ura e Bosforit,
që nuk bashkon vetëm Stambollin
Vallzojmë së bashku
si dy pëllumba rrugëve me korba të zinj
rrugëve që s’shohin asgjë të bardhë
përveç ndriçimit të fytyrave tona
Me kartën e Moxartit nuk mund
ta marrësh metron e Erdoganit,
ngjyra e kuqe na djallosi mendjen tonë
për ëndrrën e kaltër të ujërave të kulluar në site.
N‘Florya bashkë me diellin
ti numëron guralecët mbi gjoksin tim;
me ofshamën e detit të vdekur
trupat këndojnë me valët e Marmarasë.
Fluturojmë shtigjeve
të dashurisë antike, dashurisë që kalon
edhe atë të Ataturkut për Kostandinopojën
apo të Marisë së virgjër për Krishtin.
Këtu gjërat e bukura janë mëkat,
ne “mëkatojmë” Bosforin
dhe s’lutemi në xhamitë e lashta
të na falin.