Albspirit

Media/News/Publishing

Kim: Reforma në drejtësi ka mbështetjen absolute të SHBA

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim foli sot në një intervistë për Report TV, për reformën në drejtësi.

Ambasadorja Kim tha se, “po shohim ish-ministra, njerëz të fuqishëm, anëtarë të parlamentit, oficerë policie, politikanë, drejtues të krimit të organizuar, disa njerëz të biznesit, të dalin në gjyq dhe të shkojnë në burg”.

“Disa prej tyre janë injoruar ndër vite dhe duhet kohë për të rindërtuar çështjet, për të grumbulluar faktet”, u shpreh Kim.

“Reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur, por patjetër po shohim rezultate dhe po ndërtohet, mendoj ka një shprehje shqiptare – gur gur…”, tha Kim, e cila shtoi se, “Reforma në drejtësi ka mbështetjen e fortë, absolute të Shteteve të Bashkuara, si dhe të BE-së. Dhe më shumë se kaq, ka mbështetjen e popullit shqiptar”.

Kim foli edhe për shpalljet non-grata. “Kam dëgjuar plot histori për njerëz që nuk i zë gjumi, duke vrarë mendjen nëse e kanë radhën ata për shpalljen tjetër non-grata, apo për ndjekje penale. Dhe nëse je i shqetësuar, me shumë gjasë ke arsye të forta për t’u shqetësuar”, tha Kim./atsh

Please follow and like us: