Ndahet nga jeta, mjeku i njohur nga Luzati i Tepelenës, Isuf Kalo
Është ndarë nga jeta ditën e sotme mjeku i njohur Isuf Kalo. Një sëmundje e rëndë i mori jetën mjekut në moshën 80-vjeçare. Kalo ka lindur në vitin 1942 në Luzat, Tepelenë. Studimet i ka përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1964.
Prof. Kalo u specializua në disa vende evropiane për diabetologji dhe endokrinologji. Ai është një nga pionierët e këtij domeni në Shqipëri. Për disa vite ka qenë kryetar i endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Spitalin Universitar të Tiranës. Ai është Doktor i Shkencave Mjekësore, Profesor i Mjekësisë dhe i nderuar me Çmimin Punëtor Shkencëtar i Dalluar i Shqipërisë.
Ai thotë: “Ka pak teprim në definimin tim, si mjeku personal i Enver Hoxhës, çka presupozohet, sikur gjatë gjithë jetës së tij Enver Hoxha ka pasur mjek, Isuf Kalon. Nuk është kështu. Enver Hoxha ka pasur mjekë më përpara. Ka qenë Prof. Hoxha, që i zbuloi diabetin, para tij ka qenë Dervishi, një doktor tjetër që iku në Çeki dhe kështu me radhë.
Pas kësaj, në kohën që ai u sëmur dhe koincidon me prezencën time 15 vjeçare aty, u ngrit një ekip mjekësor, i cili plotësonte gjërat që më mungonin mua, në ekspertizë… ishte në aspektin e urgjencës ose në ndonjë aksident, që mund t’i ndodhte por edhe në anën kardiake të zemrës. Pra, unë kam pasur rolin e mjekut të tij dhe të familjes. Kam ardhur shumë i ri, këtu, në bllok. Kam ardhur 23 -vjeç dhe në njëfarë mënyre, u rrita këtu edhe fizikisht dhe profesionalisht, edhe emocionalisht”, ka thënë ai.
Midis 1991 dhe 2004 ai u punësua nga Zyra Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën (në Kopenhagë), duke drejtuar Programin Evropian të Diabetit dhe më vonë Programin e Cilësisë së Sistemit Shëndetësor në Evropë. Ai është autor i një sërë botimesh në shtypin mjekësor të vendit të tij dhe jashtë saj, si dhe është anëtar nderi i disa komiteteve ndërkombëtare dhe shoqatave mjekësore në Evropë