Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Ismail Qemali dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare

Shpallja e Pavarësisë është një nga aktet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Është një ngjarje e cila kulmoi dhe hyri në historinë e popullit shqiptar  vetëm në datën 28 nëntor të vitit 1912, dhe që do të vazhdojë të mbetet një datë historike e rëndësishme medituese dhe përherë në opinionin e historianëve, pasi në vetvete Dita e Pavarësisë mbledh në një kumtim historinë e hershme, luftën për çlirim dhe identitet, sakrificën për pavarësi dhe kulturë, gjuhë dhe territor, rikonfirmon reflektimin e ideve iluministe që nga koha e Skënderbeut dhe veçmas të Rilindjes Kombëtare shqiptare, ashtu siç e vendos popullin dhe historinë shqiptare në radhën e popujve me identitet historik të njohur në kontinentin e vjetër.

Kjo ngjarje madhore, ndoshta më e rëndësishmja në histori vjen si rezultat i një veprimtarie të rëndësishme të shoqërive, personaliteteve shqiptarë, i lëvizjes së rëndësishme kulturore, politike dhe kombëtare të Rilindjes sonë Kombëtare shqiptare, i angazhimit të eksponentëve të njohur brenda Perandorisë Osmane dhe jashtë saj, si rezultat i zgjimit të ndjenjës kombëtare brenda vendit në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe fillim vitet e shekullit të X , të cilat e kishin ekspozuar perandorinë osmane drejt rrënimit të saj përfundimtarë, e cila bashkë me veten rrezikonte që të dërgonte në humnerë dhe fate popuj popujsh, të cilët i kishte nën sundimin e saj gati pesë shekuj.

Lëvizja kombëtare shqiptare, e cila u ndriçua shumë nga Rilindja Kombëtare shqiptare, një lëvizje e cila ngjante me lëvizjet e mëdha mendore, politike dhe kulturore evropiane, të kujtonte lëvizjet e vazhdueshme të shqiptarëve, luftën e tyre për t’i rezistuar totalitarizmit osman në çdo fushë që ai e sulmonte identitetin kombëtarë shqiptarë që në momentet e para kur ai e pushtoi Shqipërinë, një rezistencë e pashembullt për shekuj të tërë, e cila me ardhjen në skenën kulturore- politike të Rilindjes mori një formë dhe shfaqje tjetër, më të qartë dhe më të qëllimshme në shërbim të së ardhmes së vendit. Paraprakisht, pa arritur ende në 28 nëntorin e vitit 1912, prapaskenat e Pavarësisë së Shqipërisë ishin të shumta dhe në të ishin të përfshirë shtete të ndryshme, diplomaci të shumta, atdhetarë dhe patriotë të shumtë, njerëz të penës dhe të pushkës, të cilët kishin vënë rrezikun në sy për t’ia arritur një qëllimi të madh.

Këta njerëz kurajozë, të cilët e njihnin mjaft mirë labirintin nëpër të cilin lëviznin ngjarje të kësaj natyre, u përfshinë në një lëvizje të shenjtë, diplomatike dhe të mençur, trimërore dhe të hollë, për të triumfuar në ditën e rëndësishme të Shpalljes së Pavarësisë. Ismail Qemali, një politikan i hollë, një diplomat ndër më të mirët e kohës, jo vetëm në Perandorinë Osmane, por dhe në të gjithë Evropën, u bë lidershipi i kësaj lëvizje, e cila zë shumë kohë para se Pavarësia e Shqipërisë të shpallej në nëntorin e vitit 1928.

Janë ngjarje dhe lëvizje sa diplomatike po kaq dhe politike, sa të rrezikshme po kaq dhe të nevojshme për të qenë të zgjuara, të cilat kërkonin një diapazon të gjerësishëm komunikimi, marrëdhëniesh dhe kontaktesh me aktorë të shumtë diplomatik të fuqive dhe shteteve të kohës. Ismail Qemali e dinte se një angazhim i tillë ishte mjaft i rrezikshëm, jo vetëm për jetën e tij, por dhe për të dështuar gjithë lëvizja, kështu që ai është ndër të parët që duhet të braktis Stambollin, pasi perandoria Osmane, kurrë nuk u dakordësua që t’i lejonte Shqipërisë shkëputjen prej saj si e pavarësuar.

Ismail Qemali e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës në shërbim të perandorisë, por gjithë ky privilegj, duke qenë njëri nga zyrtarët e tij më të lartë, nuk ia errësoi arsyen dhe as ia zbehu dashurinë dhe detyrën ndaj atdheut të tij, kështu që dijet, autoritetin dhe aftësitë e tij prej diplomati dhe intelektuali , ai i vuri në shërbimin e vendit të tij. Dhe ky shërbim i hapur që në momentin e parë kur ai u largua nga Stambolli në 1 maj të vitit 1900, dhe në ndalesën e tij në Athinë, nis dhe rrugëtimi i tij drejt një sakrifice të rëndësishme, ku pa hezitimin më të vogël iu drejtohet shqiptarëve:”Vëllezër shqiptarë! Më duket e tepërt të them shumë fjalë për të deftuar kush jam. Mjafton të ju them se jam Shqiptar, bir shqiptari, se gjaku që rrjedh në dejt e mia është shqiptar, se kam një zemër më të vërtetë shqiptare...” dhe që nuk heziton të parashtrojë dhe misionin e tij përmes një analize lakonike dhe të qartë, ku ndër të tjera shkruan:”Është e tepërt të ju hap plagët zemrave tuëja duke ju rrëfyer, se Mbretëria po bie e po rrëzohet gjithë anësh…” dhe akoma qëllimi i tij ishte, se “Andaj për të mundur sa më parë ta largoj këtë rrezik, u hodha në një luftë që nuk është kundër kanunit. I bëra therorë djelmët e mij dhe shtëpinë time, dhe dolla jashtë për t’u bashkuar me atdhetarët shqiptarë...”

Që në krye të herës, Ismail Qemali kishte një qëndrim të qartë dhe i linçuar që më parë, që gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga kuvendet më të rëndësishme në historinë politike shqiptare nën sundimin osman, qëndrim të cilin e përçon ndjenja e kombit dhe unifikimit, siç ishte parathënë në kërkesat e Lidhjes, shkrirja e katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm, si premisa e parë drejt pavarësisë së Shqipërisë.

Këto qëndrime dhe ide të qarta, që Ismail Qemali i kishte që në lëvizjen e parë të hapur, dhe që e kishte botuar shtypi i kohës, ishin shpallur në njërën nga kohët më të vështira politike dhe ushtarake të vendit përballë qëndrimeve të ndryshme diplomatike të kohës për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ismail Qemali e njihte mjaft mirë Ballkanin, shtetet fqinje, kështu që qëndrimi i tij në Athinë merrte vlera të rëndësishme për kohën dhe qëllimin që ai i kishte vënë vetes. Ismail Qemali e njihte mjaft mirë Ballkanin. Lëvizja e tij, duke qëndruar në Athinë dhe duke u përfshirë në shtypin e kohës merrte rëndësi në këtë kohë. Takimi i tij me kryetarin e Lidhjes së shoqatave “Helenizmos” Neokli Kazazi, një intelektual i njohur, një filozof dhe dijetar i zoti, i cili kishte trajtuar probleme fondamentale si “Çështja e Maqedonisë” apo “Problemet Ballkanike”, një mik i ngushtë i Ismail Qemalit e njihte mirë problemin shqiptar.

Në vitin 1907 Kazazi ka bërë marrëveshjen e parë dhe duke u përpjekur së bashku me Ismail Qemalin të krijonin formimin e Federatës së parë Greko- Shqiptare, që u arrit në vitin 1907 nën emërtesën “Akti i marrëveshjes Greko- Shqiptare”, dhe gjithashtu një studim interesant prej 80 faqesh të titulluar “Problemi shqiptar”. Marrëveshja e nënshkruar nga pala shqiptare nga Ismail Qemali, në vetvete përbënte një lëvizje të rëndësishme nga diplomati shqiptar, pasi ai e njihte mirë kontekstin ballkanik nga historia, por dhe se në skenë në këtë kohë kishte dalë dhe projekti i famshëm i Megali Idesë, që nga mesi i viteve 1800, kur sapo ishte pavarësuar nga perandoria otomane Greqia dhe Serbia. Ismail Qemali kërkonte që të arrihej një paqe e sinqertë e Gadishullit Ballkanik.

Ismail Qemali e dinte mjaft mirë se çështja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte komplekse, kështu që lëvizjet e tij drejt Evropës kishin një rëndësi të veçantë. Në dhjetor të vitit 1900 ai gjendet në Bruksel, me ç’rast del në skenë dhe publicisti dhe aktivisti i njohur Shahin Kolonja, për të cilin shënohet:”Nga fillimi i marsit, Shahini kthehet përsëri në Bruksel. Ismail Qemali e priti me përzemërsi, sa që e hutoi:”Se dija, shkruan Shahini, se Ismail Qemali do të më tregohej kaq mik!”, ndërsa për Ismail Qemalin shkruhet ndër të tjera:”Ismail Qemali kërkonte të shfrytëzonte të gjitha mundësitë që i jepeshin për të propaganduar idetë , duke e nxjerrë gazetën në greqisht, shqip por dhe turqisht, dhe shfrytëzonte momentin e duhur  në hutimin që kishin krijuar idetë e xhon turqve...”

Profili i Ismail Qemalit filloi të shfaqet sapo ai njoftoi qëndrimin dhe angazhimin e tij politik dhe diplomatik, pasi braktisi Stambollin dhe mbretërinë, të cilës i kishte shërbyer rreth 40 vite në detyra nga më të rëndësishmet dhe më të lartat. Përveçse Ismail Qemali ishte një shtetar, një diplomat i shquar dhe një nëpunës i aftë, ai ishte një publicist brilant, një aftësi e lindur dhe e përftuar dhe në shërbimet e shumta dhe të gjata diplomatike, në të cilat kërkohet aftësi, kulturë, dije dhe elegancë. Përmes gazetës “Sotiria- Alvania” në gjuhën shqipe dhe në atë greke, njoftohet se Ismail Qemali ka drejtuar gazetat “Shqipnia” (shqip) dhe “Shpëtimi” (greqisht), ashtu siç më vonë ishte dhe drejtuesi i gazetës zyrtare të Qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqypnies” (1912), profili i tij është i mahnitshëm. Ai është një poliglot i lindur, duke ia bërë mjaft të lehtë komunikimin dhe njohjen e kulturave të huaja. Në shkrimet e tij, ai përdorë të folmen e tokërishtes, por nuk iu shmanget dhe fjalëve të rëndësishme që kanë ndikim nga gegnishtja, siç është fjala Shqipni e trajta tjetër Shqipnien. Ndërkohë mësohet se ai njihte Alfabetin e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip, që do të thoshte se kishte mendimin e tij mbi Alfabetin e shqipes. Ndërsa gazeta e njohur ‘Korça’, sipas burimit njofton (25 mars 1910), se “Ismail Qemali, një ndër deputetët shqiptarë në parlamentin turk, u shpreh për gjuhën shqipe me alfabet latin, me alfabetin e vitit 1879, të Stambollit...”, çfarë ai i mishëroi me vendime të posaçme të qeverisë që ai drejtoi.

Ismail Qemali kishte një stil brilant në publicistikën e tij, pasi gazeta e tij u botua në Bruksel, ndërsa në raport me dy dialektet e shqipes, ai tentoi afrimin mes tyre, madje këtë e tregonte dhe të pasurit si Ministër të Arsimit Luigj Gurakuqin nga Shkodra. Përdorimi mjeshtërorë i terminologjisë politike dhe publicistike të kohës, tregon se ai si gjimnazisti i “Ziosimesë’ ishte një model i publicistikës dhe dijeve shoqërore, çfarë ia mundësonin dhe njohjet e gjuhëve të shumta të huaja që praktikonte, që në ndonjë rast ndikonin dhe në përdorimin e tyre kur ai shkruante shqip.

Gazetën “Sotiria- Alvania” ai e vuri në shërbim të kauzës së “Shpëtimit”, e thënë ndryshe, duke kërkuar që ajo “të bëjë të njohur në të gjithë Lindjen dhe Perëndimin idealet e njohjes së ekzistencës kombëtare të popullit shqiptar”, “si shtet më vete, duke pasur gjeografi të saj, histori, etnografi dhe kufij kombëtar”

Gazeta “Sotiria-Alvania” ishte një mundësi e mirë për të krijuar jo vetëm një komunikim me njerëzit dhe faktorët e tjerë shoqërorë, intelektual dhe më të rëndësishëm të Ismail Qemalit mbi idetë dhe angazhimin e rëndësishëm që ai kishte marrë, por dhe për të shfaqur idetë dhe opinionin që ai kishte në këtë kohë, pasi krijimi dhe interpretimi qartë i ngjarjeve brenda dhe jashtë perandorisë kishin një rëndësi të madhe. Shqiptarët nuk ishin të gjithë në kontakte me këto zhvillime. Në shkrimin “Zëdhënie e përveçantë” të vitit 1902, ai vlerëson se “Me gazetën nën emrin “Shpëtim”, që kemi çpallur këtu e ca muaj në gjuhë turke e që sot e tutje do të nxjerrim greqisht e shqip, do të përpiqemi për shpëtimin  e përgjithshëm” dhe që e shoqëron me një lutje, se “Lipset të vështrojmë të jemi gati për si çëdo gjë të ligë që mundet të na vijë në krye, lipset të kemi si çë do që na duhet për të përpjekur me ata që duan të na mbeten në qafë. Lipse të kemi krahët të forta...”. Në shënimin tjetër “Shqipnia edhe Fuqitë e Mëdha”, Ismail Qemali shpjegon raportet e Shqipërisë me shtetet e tjera, por dhe me veten, ku natyrisht kërkon një zgjim të vërtetë të tyre, pasi “Shqiptarët e vërtetë lipset të vështrojnë të kërkojnë të tjera gjëra, lipset të kërkojnë gjuhën e tyre, lipset të kërkojnë të qeverisen nga njerëzit e tyre, lipset të kenë gjyqe të drejta, gjyqe pa dialsi, pa paraë lipset të kenë udha të mira, udha të hekurta, të kenë vëllezëri, të kenë besë tek njëri te tjatri, të kenë në dorë të bëjnë se çdo të bëjë çdo njeri për të fituar, për të hapur dhënien e marrjen, të hapën dhen e papunuar, të lirojnë aratë lipset të dinë se çë japin e përse e japin, lipset të shohin të mirën e paravet që i japin Mbretërisë.”, që ngjan me një traktat të rëndësishëm, ku në një farë mënyrë mund të kuptohen konceptet e vetë Ismail Qemalit, siç ai e mendonte dhe e donte Shqipërinë dhe shqiptarët.

Analiza të tjera si “Punat e Shqypnies”,”Shqiptari të hap(ë) sytë”, “Gospodin Nikolla në Petërsburg”, “Princi i Malit të Zi nga Parisi në Petërsburg” dhe që mbyllet me deklaratën e vitit 1901, ku qëlliimit për gazetën “Sotiria” (Shpëtimi), se “Qëllimin e vetëm që synoj duke botuar këtë gazetë, është të bëj të njohur në të gjithë botën shthurjen e gjendjes në të gjithë perandorinë, mjerimet e popujve që përbëjnë këtë perandori dhe t’u tregoj mënyrën e shpëtimit të tyre.”, e pason një analizë e detajuar për fenomene dhe zhvillime brenda dhe jashtë perandorisë.

Ismail Qemali ishte njëri nga njerëzit me ndikim të madh jo vetëm në raportet diplomatike të kohës, por dhe në opinionin intelektual. Shkrimet dhe analizat e tij për kohën, zhvillimet që kishin të bënin me raportin e ri që perandoria otomane kishte vendosur me Fuqitë e Mëdha, pasi rënia e saj prishte stauquo të shumta në Evropë dhe më gjerë, kishin në vetvete një lexim të artë dhe të saktë se ç’po ndodhte dhe ç’duhej bërë. Ndërsa ai vetë i ndiqte me mjaft  interes dhe një shqisë të epërme këto zhvillime të shpejta dhe të befasishme. Një zhvillim i tillë ishte dhe ai i njohuri si “Kongresi i turqve të rinj” në Paris në vitin 1902, ku Ismail Qemali ishte i ftuar. Paraprakisht Ismail Qemali kishte shfaqur qëndrime për disa nga Fuqitë e Mëdha të Evropës, si Anglia dhe Franca në veçanti.

Siç dhe njihet, dalja në skenë e “turqve të rinj” ishte një zhvillim i njohur politik, që lidhej më së shumti me shpëtimin e perandorisë nga rrënimi total i saj, në thelb perandoria kishte mbetur po ajo, kështu që Ismail Qemali pranoi të merrte pjesë në kongres, duke shtruar dy kushte:- atë që në kongres të përfaqësoheshin të gjitha kombësitë e perandorisë  dhe së dyti, fuqitë që kishin nënshkruar Traktatin e Parisit (1856) dhe atë të Berlinit (1878), të informoheshin, pasi “në sytë e popullit otoman ata janë të impenjuara me nderin e tyre rreth programit të reformave për të mirën e perandorisë, zgjatim i të cilës ishte dhe qëndrimi i “turqve të rinj”, të cilët ishin për bashkimin e të gjithë kombësive të perandorisë  nën një qeveri qendrore, gjë që e kundërshtonin armenët, të cilët kërkonin që kombësitë jo turke të kishin të drejtën e administratës apo qeverimit lokal, dmth  për një lloj decentralizmi.

Ismail Qemali, duke e njohur më së miri dhe së brendshmi perandorinë otomane, po ashtu dhe përvojën me Fuqitë e Mëdha, të cilat prireshin për të ruajtur statuquotë, ishte në një farë mënyre kundër programit centralist, kjo e rrezikonte autonominë e Shqipërisë, kështu që ai këshillon Dervish Himën, që të shkonte në Shqipëri dhe të gjente një pikë bashkimi midis popullit shqiptar dhe parësisë, t’u shpjegonte atyre programin e e kongresit të turqve të rinj. Kongresi demaskoi regjimin arbritrar të sulltanit nga njëra anë dhe lëshoi një deklaratë ku ndër të tjera thuhej:”Të transformojmë regjimin e tanishëm të qeverisjes me një regjim lirie dhe drejtësie, ashtu siç e siguron rivendosja e kushtetutës.”

Këto qëndrime ishin të rëndësishme dhe përkonin plotësisht me konceptin e Ismail Qemalit, qoftë për perandorinë nga njëra anë, por dhe me nevojën e decentralizmit qeveritar, çka do të krijonte mundësi që popujt të çliroheshin nga kulti i individit, madje ai ishte për një monarki shumë të decentralizuar, me ç’rast iu kërkonte Fuqive të Mëdha kontrollin e zbatimit të kushtetutës.[1] Kongresi i “turqve të rinj” kishte një gamë të gjerë problemesh, por e rëndësishme në këtë rast është shfaqja e koncepteve të rëndësishme që Ismail Qemali kishte në këto zhvillime komplekse dhe të rëndësishme, ku shquan qëndrimi për popujt jo turk nën perandori, decentralizmi i domosdoshëm, barazia dhe pjesëmarrja e vetë popujve në administrimin dhe qeverisjen lokale, që natyrisht krijonte premisa të mira për qëllimin e tij në raport me qëllimin final, atë të pavarësisë nga Perandorisë Otomane.

Ashtu siç dhe ishte paralajmëruar, pushteti i xhonturqve, dukej se lidhej më së shumti me zgjatjen e jetës së perandorisë otomane, pavarësisht se ata kishin shpallur një llojë armiqësie me paraardhësit e tyre. Perandoria nga brenda ishte në rrënim të plotë, ndërsa pakënaqësitë dhe konfliktet, rebelimet dhe kryengritjet ishin shfaqur në të gjithë provincat jo turke për shkakun e kushteve të rënda dhe mungesë së lirisë së popujve. Lidhjet e pushtetarëve të rinj me paritë e vendeve, që ishin aleanca të hershme të perandorisë otomane, një mekanizëm për t’i mbajtur nën zgjedhë popujt vazhdonin ende, dhe kjo nuk i ndihmonte ata aspak në pushtetin e tyre.

Ismail Qemali vazhdonte të ishte në vëmendjen e faktorit politik të kohës, brenda dhe jashtë vendit. Atë e shqetësonte gjendja brenda vendit dhe marrëdhëniet e faktorëve politik, siç ishte pushteti i turqve të rinj, por dhe paritë e vendit. Në këtë situatë të rëndë, Ismail Qemali mendonte se duhej ndërhyrne shtator 1908,  nga Fuqitë e Mëdha, të cilat kishin treguar kujdes të madh për të ruajtur ekuilibrat, e njohur që në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Në këtë kuadër ai mendonte se “Do të duhet medoemos që popullit shqiptar t’i njohet ekzistenca e tij kombëtare, t’i jepen mjete për ngritjen dhe zhvillimin e tij, me qëllim që në një harmoni të plotë me banorët e kombësive të tjera, të hyjë në rrugën e përparimit.”

Në këtë gjendje Ismail Qemali vendosi të vinte në Vlorë, i cili sapo mbërriti në Vlorë, ra në gjunjë dhe puthi tokën. Shtypi i kohës dhe konsujt e huaj, të dërguarit e qeverive të ndryshme të Evropës njoftuan për ardhjen dhe pritjen që vlonjatët dhe njerëzit në përgjithësi treguan për Ismail Qemalin, i rilidhe pse në moshë qëndronte mirë dhe kishte një freski të jashtëzakonshme. Pritja e tij u kthye në një manifestim patriotik madhështor, saqë dukej se gjithçka kishte ndryshuar atë ditë në Vlorë. Ndërsa parapara mbante një flamur shqiptar me shkabën dy krenare, gazeta “Kombi” shkruante në editorin e saj:”Tërë Vlonjatët, të mëdhenj, të vegjël, burra e gra, zbrisnin me mijëra në Skelë”, ndërsa në këtë kontekst një gazetë angleze e kohës shkruante se vetëm “nga shkaku i liridashjes së tij u shtrëngua (Ismail Qemali) ta lërë Turqinë dhe rrojti për disa vjet në Paris dhe në Londër.” Vizita e Ismail Qemalit në Vlorë ishtë një ngjarje e rëndësishme për zhvillimet politike në vend, po ashtu dhe një kujtesë e rëndësishme për atë që kërkonte ai për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Këtë e kuptonin mjaft mirë të gjithë diplomatët e huaj dhe qeveritë e tyre, të cilët e përcollën këtë ngjarje me një opinion të hollë dhe në të gjithë atë që Ismail Qemali arriti të thotë.

Konteksti ballkanik, ku rezistenca ushtarake e Turqisë thuajse ishte dobësuar shumë, paaftësia e Fuqive të Mëdha për ta ndaluar rrënimin e saj, po ashtu shfaqja hapur dhe përmes demonstrimit të forcës të Fuqive për të krijuar gjeostrategjitë e tyre në Ballkan, siç ishte qëndrimi i Austo- Hungarisë me Bosnjën dhe synimi për të pushtuar Shqipërinë, shfaqja e nacional- shovinizmit ballkanik, veçmas ndaj Shqipërisë në Veri dhe në Jug, vunë në lëvizje patriotizmin e shqiptarëve, për të kërkuar domosdoshmërish statusin e nevojshëm politik. Kështu në dekadën e parë, veçmas pas viteve 1910,Shqipëria u përfshi nga kryengritjet anti-turke, e cila vazhdonte ta mbante statusin politik të Shqipërisë së një gur të fundit të saj, dhe pse Shqipëria po fundosej bashkë me të. Ismail Qemali gjatë kësaj kohe shpalosi aftësitë e një politikani dhe diplomati të jashtëzakonshëm, i cili në shtypin e kohës, atë shqiptar dhe të huaj, po ashtu dhe me bashkëpunëtorët e tij, interpretoi me një saktësi të admirueshme zhvillimin e ngjarjeve. Jo më kot ai “bekoi” kryengritjet e viteve 1910- 1912 në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Malësisë së Mbishkodrës, të cilat kishin karakter popullor, si një element tejet i rëndësishëm i ndërgjegjes kombëtare, pasi kryengritjet lokale po çonin drejt një kryengritje kombëtare.

Duke qenë deputet në parlamentin turk, zëri i Ismail Qemalit merrte rëndësi në këtë kohë në formacionin politik që ai militonte, si ai “Bashkim e përparim”etj. Duke qenë kundër pushtimin Austro- Hungarez të Shqipërisë, Ismail Qemali i paraprinte një pretendimi tjetër të mundshëm mbi Shqipërinë ose Vilajetin e Kosovës, që ishin shqiptare, çfarë e kishte rritur aq shumë popullaritetin  tij lidhur me idenë kombëtare shqiptare që ai kishte shpallur që në krye të herës. Ngritja e ndërgjegjes kombëtare në këtë shkallë kishte shtuar forcën dhe lëvizjet e Ismail Qemalit, pasi tashmë ajo po tregonte dhe forcën e unitetit përballë Turqisë dhe hileve euro- ballkanike, aq sa gazeta “Xhiornalia d’Italia” (1911) shkruante ndër të tjera:”Qeveria turke nuk do të mundë kurrë ta çarmatoste Shqipërinë për ta vënë nën një zgjedhë të re më të rëndë se e para. Kryengritja shqiptare, theksoi Ismail Qemali, nuk ka karakter fetar, por vetëm kombëtar. Gjithë shqiptarët, pa dallim feje, luftojnë për një qëllim të vetëm…”.

Kuvendi i Bërçes(1911) i cili rezultoi me hartimin e Memorandumit të tij, përveçse ishte reflektim i qartë i zhvillimeve dhe pjekurisë politike të shqiptarëve, ai ishte produkt i qëndrimit të tyre ndaj xhonturqve, të cilëve iu kërkohej “krijimi i një province autonome në bazë të decentralizmit administrativ”,[2] që nënkuptonte lirinë për të zgjedhur deputetët shqiptarë, hapjen e shkollave shqipe, gjuha zyrtare të ishte shqipja, shërbimi ushtarak të bëhej brenda vendit etj, pra siç shihet Memorandumi përbënte një platformë autonome të qartë.Burimi më i rëndësishëm i Memorandumit të Gërçes është se ai u hartua nga Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të cilët konsideronin gjënë më të rëndësishme në arritjen e tij, pasi kryengritjet e Veriut kishin arritur të krijonin unitet dhe bashkëveprim tek malësorët.

Autonomia territoriale, që përçonte Memorandumi i Gërçes përbënte gjithashtu thelbin e autonomisë territoriale me karakter kombëtar. Kërkesat e Memorandumit u përcollën nga të gjitha diplomacitë e huaja dhe shtypi nga Shqipëria në Amerikë. Në të gjitha korrespondencat e diplomatëve të huaj, lihej të kuptohej se gjithë këto zhvillime kishin pas një mendje të hollë prej diplomati dhe njohësi të mirë të perandorisë dhe Ballkanit si Ismail Qemali, “një nga politikanët më të mëdhenj”, “dhe i vetmi që e di dhe e njeh mirë çështjen shqiptare

Të gjitha burimet diplomatike aludonin gjithashtu, se kryengritjet e viteve 1911- 1912 ishin të orientuara dhe të nxitura nga Ismail Qemali,Hasan Prishtina , Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Dervish Hima etj  pasi Memorandumi i Gërçes ishte dhe programi Kombëtarë i Kryengritjes së vitit 1911. Veçmas këtë situatë e përcollën në hollësi dhe në detaje diplomatët austro- hungarez, pasi Ismail Qemali kishte këmbëngulur që Turqia duhej ta pranonte patjetër Memorandumin e Gërçes, ndërsa turqit e rinj e demaskuan kryengritjen e malësorëve.

Gjatë kësaj kohe, veçmas kur Turqia ishte në rrënim të plotë dhe të përditshëm, Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri dhe jashtë vendit kërkonin të krijonin një gjendje aktive pro- programit autonomist përmes Kuvendeve të shumta në pikat më nevralgjike të trojeve, ku kishin shpërthyer revolta dhe kryengritje. Kryengritjet e Veriut, veçmas ata të Vilajetit të Kosovës si një nyjë e nxehtë që nga Lidhja e Prizrenit, shtrirja e valës së tyre në Jugun e Shqipërisë , përfshirja e vendit në një Kryengritje Kombëtare, e cila përveçse kërkesave ekonomike  dhe të natyrës lokale, kishte konceptuar qartësisht kërkesat autonomiste mjaft të rëndësishme për kohën, çuan në një kuvend tjetër po kaq të rëndësishëm, i cili me të drejtë është quajtur hapi i parafundit që çoi në Shpalljen e Pavarësisë.

Kuvendi i Fierit (gusht 1912), kishte një kontekst të gjerë, ndryshe atyre të Gërçes, Junikut, Sinjës , ndërsa fuqitë evropiane kishin filluar t’i merrnin Turqisë zotërimet dhe provincat në Azi dhe në Evropë, Ismail Qemali e shihte me dyshim shpërthimin e luftës kundër Turqisë (pas luftës Italo- Turke) në Ballkan, pasi Shqipëria rrezikohej e të bëhej plaçkë lufte, kështu që Shqipëria duhej t’i paraprinte këtij zhvillimi.

Tashmë kërkesat e shqiptarëve ndaj Turqisë ishin të njohura.Kuvendi i Fierit dhe lëvizja kryengritëse shqiptare kundër Turqisë ishte bërë e njohur në Stamboll, Ballkan dhe në Evropë, pasi Kryengritja e Përgjithshme ishte njoftuar në të gjithë kancelaritë evropiane, kështu që nën drejtimin e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, ku merrte pjesë një numër i madh atdhetarësh e patriotësh të Jugut të Shqipërisë, Kuvendi i Fierit mori dy vendime të rëndësishme:-Kuvendi autorizonte Hasan Prishtinën, një atdhetar i flakët dhe patriot, të përfaqësonte Shqipërinë e Jugut në bisedimet turko- shqiptare, dhe

-Kuvendi i kërkoi Ismail Qemalit të nisej në Stamboll për të zhvilluar bisedime me Portën e Lartë, ndërkohë më parë, po në Fier ishte formuar Komiteti i Kryengritjes së Jugës, në kuadër të Kryengritjes së Përgjithshme të gjithë vilajeteve, komitet që drejtohej nga një pleqësi dhe komandant kishte zgjedhur Zija bej Mullain.

Në këtë situatë komplekse, ku nga njëra anë shqiptarët ishin ngritur në kryengritje kundër Turqisë, të cilët kërkonin të plotësoheshin kërkesat e tyre, ndërsa nga ana tjetër, në Ballkan rrezikonte të shpërthente po një luftë nga shtetet e tjera Ballkanike, ndërsa Turqia nuk kishte asnjë shpresë, Ismail Qemali, e kuptoi rrezikun se mundi i shqiptarëve po shkonte kot (Shqipëria rrezikonte që të copëtohej nga nacional- shovinistët ballkanik), ai bën hapin e guximshëm, për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Udhëtimi i tij i gjatë nga Stambolli, në diasporën shqiptare të lindjes bashkë me Liugj Gurakuqin, i paraprirë më herët që në Kuvendin e Taksimit (Turqi), në Bukuresht, në Austri (në Vjenë ku mendohet se kishte një llojë mbështetje të rëndësishme), po ashtu udhëtimi në Perëndim për të marrë mbështetje në Shpalljen e Pavarësisë, çuan në ditën e shënuar të 28 nëntorit, kur Shqipëria u shpall e Pavarur dhe shtet më vete.

Ismail Qemali mbetet njëri nga njerëzit më të rëndësishëm dhe më të mençur të kombit. Fillimi i rrugës drejt Pavarësisë së Shqipërisë, në kushtet e një pleksjeje të interesave ballkanike dhe të fuqive të mëdha në kurrizin e shqiptarëve, të tokave dhe të historisë së tyre, rrugëtimi dhe rreziqet që e përndoqën, intrigat dhe labirintet diplomatike nëpër të cilat u përplas çështja e Pavarësisë, tregojnë se diplomati dhe njeriu i ditur Ismail Qemali arriti t’i bëjë bashkë gjithë energjitë dhe aftësitë e tij për të kurorëzuar Pavarësinë e vendit të tij në 28 nëntor 1912, një vepër e ndritur, e cila ngriti në këmbë një popull që e kishte ëndërruar që nga koha e Skënderbeut.

 

Tirane- Vlore, Janar 2023.

 

[1] Po aty, fq. 142,

[2] Burim i cituar, fq. 202

Please follow and like us: