Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: XHYDOLLARI NË NJË LIBËR MEDITATIVO-FILOZOFIK

 

Rreth librit “Komunizmi, masati i zjarrit të së keqes”, shkruar nga shqiptaro-amerikani nacionalist Muharrem Xhydollari

 

Ishin vitet 70-të: Një djalë i ri, me trup drejt-qiri, me hapa të shpejtë lëvizte rrugëve të sapo “vaditura” me ujë gjoli nga makina e komunales në Pogradec. Asfalti ndriste nën një shkëlqim të nxirtë. Ai ecte nxitimthi duke ndjerë freskinë  avulluese nga zifti mbi rrugë. Me hapa të shpejtë, me ritëm konstant shkonte diku. Sa herë vinte në Pogradec, ndalesën e parë do ta bënte tek shtëpia e Lasgush Poradecit. Linte aty një torbë me miell apo patate, mollë apo ç’të kishte dhe merrte 2-3 libra. Pastaj dilte nga liqeni dhe harbonte mendimin. Ishte 20 vjeçar nga fshati buzë liqenit. Ajo bukuri e qetë e gjolit, ishte bërë pjesë e jetës dhe ëndrrës së tij. Hidhte sytë tutje ku ishte “kufiri armik” mes ujrave të qeta dhe turbullohej. Kishte kureshtje, por nuk deshte asgjë më shumë se vendlindja e vet. “Këtu, këtu do jem”, i pëshpëriste vetes. Një zë i thoshte “Ik të shpëtosh”. Nuk tundohej. Ai e deshte gjolin dhe Pogradecin, fshatin e vet dhe buzëliqenin dhe aty i dukej se “dielli nuk mungonte asnjë mëngjez”, edhe pse në shtëpi i mungonte babai që ishte në burg… Vetëm dielli kishte mbetur “i ngrohtë” me të… Çdo gjë ishte ftohur. Në fshat shumica nuk i flisnin. I largoheshin. Ndaj ai e kishte festë kur vinte në qytet, sepse askush nuk e njihte dhe ai harbohej rrugëve me vetveten dhe ndihej ndryshe larg pëshpërimave në Udënisht. Kishte një frikë se të nesërmen nuk do ta shihte më liqenin dhe valët e tij, mjelmat mbi  retë e bardha do fshiheshin diku dhe ai nuk do t’i sodiste më atë bukuri ujore mesmalesh… E dinte. Ai për fatin e hidhur të trashëgimisë, kishte një “dosje plot”: Xhaxhain të pushkatuar  nga partizanët, babain në burg nga pushteti që ai kundërshtonte… Po vetë? Kur do t’i vinte radha?… “Ik, ik sa nuk je kallur brenda” i gjëmonte një zë. Ai: “Jo, jo. Ky është vendi im…”, ndeshej në heshtje. I rrodhën ca lotë, si për ta lagur edhe pakëz bulevardin pranë liqenit… Mos po lotonte rininë e vet?… Nuk vonoi dhe atë e arrestuan. Hetuesit nuk e morën në pyetje. “Dosja ishte gati”. Në gjyq ca nga fshati e lavdëruan si “djalë i mirë” dhe kjo i kushtoi disa vite ekstra… Bëri 10 vjet në burgun e Spaçit. Ishte Muharrem Xhydollari (Udënishti)…

50 vjet më pas, nga Amerika  ai do shpenzonte ditë dhe netë duke menduar për komunizmin,  si filozofi dhe system, si “mortje njerëzore” që pllakosi gjysmën e globit dhe si “fat që nuk e pushkatoi”… Ai mund të mos ishte në vitin 2022. Por desh Zoti dhe ai është. Ndaj në netë pa gjumë, në ditët me borë apo në kohë shiu, në shtëpinë e vet në Amerikë, do shpotiste mendime për komunizmin, do shleftone libra, enciklopedi,gazeta të panumurta e  arkiva amerikane për të arritur tek libri i tij i tretë meditativo-filozofik “Komunizmi-masati i zjarrit të së keqes”… Muharrem Xhydollari e sjell këtë libër si “testament” të shpirtit të vet që për mëshirë të Zotit përballoi 10 vjet burg në Spaç dhe tashmë pensionon në perëndim të Atlantikut, me familjen e vet si baba, gjysh, intelektual dhe shkrimtar…

“Dua të shkruaj një libër të veçantë për komunizmin, do më thoshte në telefon. Do jetë shpirti im dhe i atyre që nuk janë, do jeni ju dhe të tjerë që “nuk u gërvishti” sistemi…”. Xhydollari të bën ta dëgjosh atë që thotë, edhe pse nuk pajtohesh. Ai ka një forcë ballafaquese të jashtëzakonshme. Do t’i thosha se janë thënë të gjitha. “Çfarë do të thuash më shumë…”?! Dhe ai më përgjigjej: “Ju nuk e  njihni ‘forcën goditëse’ të asaj kohe…Unë e kam provuar deri në palcë. Nuk dua të vdes pa e thënë atë që mendoj për brezat që të mos përsëritet kurrë…”.

U krye më 2022: Muharrem Xhydollari vjen me librin e tij prej 220 faqesh: “Komunizmi-Masati i zjarrit të së keqes”. Janë copëza reflektimi që të futin në mendime, të bëjnë “të ndezësh një cigare” dhe të vijosh leximin. Janë mendime filozofike, compëza mençurie njerëzore dhe deduksione të vetë autorit. Libri i Xhydollarit të duket një “enciklopedi” me gjithë  “të thënat” për këtë system shoqëror të dështuar. Të sjell ç’thanë ata që e shpikën, e ata që e zbatuan dhe ata që e “shijuan” bashkë me “trashëgimtarët” që tashmë janë bërë “Filozofë të lirisë”…

Është një punë e lodhshme e autorit, janë qindra emra, citate, deduksione, e plot “netë pa gjumë” të Xhydollarit, por është “testamenti” që e pat ëndërruar. Ai e shikon ende debatin për sistemin “rripshtrënguar” e “gojëkyçur”si një fushbetejë pa albitër, në një paqartësi shoqërore alarmante ku “Protagonistët… kanë zënë vend në të dyja anët e llogoreve, ta ndarë nga mjegulla e keqkuptimit dhe mosbesimit”, shkruan autori. Duke shfletuar faqet e këtij libri që fillojnë që me mendimet filozofike të Sokratit (Liria konsiston në dëshirën për të zotëruar veten) dhe përfundojnë me “mbllaçitjet” e atyre që ishin “pjesë e nomenklaturës” autori të habit me “gjithëpërfshirjen” filozofike të mendimit dhe autorësisë. Në fillim ai sjell “mençurinë e botës” për të zbritur tek realiteti i mendimit shqiptar. Xhydollari shkruan: “…kam permbledhur përsiatje filozofike të mendjeve të shënuara botërore me ballancën mes eprësisë së shtetit dhe të drejtës për liri të individit, ballancë që, kur prishet në dëm të individit, prodhon sisteme gjakatare si komunizmi që përjetuam ne, shqiptarët…”.  (Forca lind prej dhunës dhe vdes prej lirisë”- Da Vinçi. “Lerini njerëzit të dinë të vertetën dhe vendi është i sigurt”-Linkoln…  Këto e  shumë e shumë qëmtime të autorit, vijnë si “dritë nga larg” për të qartësuar sadopak kakofoninë politiko-shoqërore shqiptare.

Në libër janë të gjithë. Është një punë e lavdëruar, jo se “sjell shpikje”, por rrëfen  në mënyrë të sistemuar bukur “ato që janë thënë” për një sistem që nuk ja doli të ishte “Ai që premtohej”, kur populli mori pushkët për të luftuar pushtuesit. “Pse më sjell këtu se ç’thotë Lisenko Bashkurti dhe Shpëtim Çaushi, të dy sekretarë të KQ të BRPSH-së? e pyeta autorin. Ata kanë qënë në “majat e diktaturës” që më kanë dhënë direktiva edhe mua… A mund të ma tregojnë ata “systemin e tyre”?… Kështu e pyeta drejtsëdrejti. Muharrem Xhydollari që ka një aftësi të të tërheqë në bisedë dhe debat më tha: “Mendimi i tyre më duhet, sepse janë ata që  imponuan dhe janë po ata që e dinë më mirë ‘nga brenda’ sistemin…”.

Në librin në fjalë janë “konspektuar” me durim dhe mençuri të gjitha të thënat për “Kohën që shkoi”. E kam të pamundur të përmbledh qoftë edhe si emra gjithë përmendjet e autorit, që në vetvete dëshmojnë më së miri jo vetëm punën e madhe të Xhydollarit, por edhe dëshirën e tij të madhë që secili në librin e vet “të ketë të thënën për komunizmin”. Janë qindra citate dhe kuptime nga politikanë dhe  filozofë amerikanë, eurpianë, aziatikë dhe mesdhetarë. Në librin e tij ai citon Ramiz Alinë që e sheh “arkitekt” ta tranzicionit të pafat shqiptar. Autori e fillon me Hafiz Ali Korça që thotë se “Bolshevizma është çkatërrimi i njerëzimit” dhe  epitafi në fund të librit është thënia e Shën Agustinit “Na duhet më parë t’i dëshmojmë punët e këqija e atëherë mund të themi se kemi filluar punët e mira”. Muharrem Xhydollari jo pa qëllim e ka vënë këtë shprehje në fund të librit të vet, sepse realisht Shqipëria kurrë nuk mund të bënte “radiogarfinë” e vërtetë të  realitetit që iku me shpresën e madhë  për të pasur “Një fillim të ri”. Me këtë neglizhencë të vetëdijshme të politikës shqiptare shpjegohet edhe tejzgjatja e tranzicionit gati sa “jetëzgjatja” socialiste.

Libri i Muharrem Xhydollarit të krijon një “stuhi” mendimi, të bën të kthesh kokën dhe të “gjesh veten” diku në thënie apo filozofime të atyre që jetuan atë kohë. Edhe unë jetova ato vite, por jo me dhimbjen dhe mundin-torturë të bashkëpatriotit tim Xhydollari. Kishim “Fate të ndara”, fate të “nënshkruara” nga prindërit tanë që “mendonin ndryshe”. Ndërsa  respektoj në solemnitet, jo thjesht një nacionalsit si Xhydollarët, por të gjithë të tjerët që “i griu” pushteti që ne e quanim “pushtet i popullit” një e vërtetë duhet thënë: Pushteti i komunistëve “erdhi nga gryka e pushkës”. Ato kohë, “dhuna ndaj armikut” ofrohej verbazi si drejtësi, si “shpëtim i popullit dhe Shqipërisë” ndaj jo më kot lufta për të mbajtur pushtetin kishte në fillim në shënjestër “armiqtë e popullit” që vite më pas do quheshin “armiq të partisë dhe popullit”… Ishte një mospërballje që shumica e pohoi në heshtje dhe mundime, në përpjekje “për të jetuar”. A nuk është “dëshira për të jetuar” sublimitet i çdo qënie njerëzore. Me këtë unë e shpjegoj “nënshtrimin”  dhe “heshtjen” e shumicës shqiptare, përfshi edhe mua, duke u bërë instiktivisht “pjesë e kohës”. Ata që guxuan dhe vuajtën në burgje, në internime, që humbën të dashurit në pushkatime  dhe “pa varre për të qarë” ata meritojnë të nderohen dhe dëgjohen, të respektohen edhe kur “nuk jemi në një linjë”. Ka qënë një sakrificë që vetëm guximtarët mund ta përballonin. Është ky guxim, është kjo kurajo dhe shpresë e pashoqe, që  e bën edhe Muharrem Xhydollarin nga Udënishti i Pogradecit, të vijë për lexuesit me një “libër-testament”, që ka mundur ta nënshkruajë me punë dhe  vullnet të lirë. Autori meriton përgëzime për këtë kontribut, që ka vlerat e veta për vitet në vijim edhe pse nuk mund të jetë “e vërteta e vetme” siç e quan me pasion të justifikuar Muharrem Xhydollari. Me këtë libër ai mbetet një “sheit” i kohës që iku, madje një “sheit” ndryshe, që pushteti, diktaturë e proletariatit, ‘i vodhi’ edhe lotët, që nuk mundi t’i ndiente mbi faqe kur në qelinë e burgut në Spaç kur shokët iu afruan tek krevati me një batanije për ta ngushëlluar. Ca prej tyre po qanin. Por jo Muharrem Xhydollari. “Nuk kisha lot… Të tjerët vajtuan babain tim që e mbaj mend vetëm përtej “hekurave të kryqëzuar”… Komunizmi më kishte “burgosur” edhe lotin, bashkë me rininë time…”.

Xhydollari autorësinë e librit “Komunizmi, masati i zjarrit të së keqes” e ka një “meritë të merituar” edhe si shembull i madh i “Njeriut që fal…” dhe “pi kafe me ish-gardianët e burgut”…

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: