Sulejman Mato: Shtëpia në periferi
Është një shtëpi në periferi të Korçës
mbuluar nën brymë, një kopsht me tulipanë.
aty erërat fryjnë si një mall i largët,
dhe dëbora bie si një harrim i bardhë.
Është një shtëpi e plakur dhe e harruar,
tulipanët nën brymë digjen si zjarre…
Brenda vërtitet një flutur krahëshkruar…
Sa e bukur ishte në prillin e malleve!?
Te ajo shtëpi unë shkoj shpesh,
por veç në ëndrra,
dhe pres i shqetsuar të hapet një dritare.
Yjet lart rrinë si në një ceremoni mortore,
tulipanët nën brymë digjen si zjarre.
Tani te ajo shtëpi ka rënë dimri i pullazeve,
oxhaku nxjerr akoma shtëllunga të bardha malli…
Ajo zbret çdo mëngjez në kopsht që të zgjojë
rininë, që fle nën dritë tulipanësh.
Please follow and like us: